Sulo Beqir Sulaj – atdhetari zemërzjarr

Dikur, në fshatin Kalivaç të Tepelenës, njerëzit, para se të bënin përçapje  për t’u lidhur me krushqi apo për të shtuar një miqësi të re, pyesnin , gjërë e gjatë, për fisin , për rrethin miqësor, për derën dhe për personin që do të futnin në shtëpi. Veprohej kështu, mbasi, siç dihet, miqësia e re, nuk lidhej për pak kohë, por synohej që ajo  të jetonte sa më gjatë; mundësisht të trashëgohej brez pas brezi. Kështu dhe kur lidhej një krushqi, synohej që ajo të ishte sa më jetëgjatë.

Për tja dalë tej qëllimit, shfrytëzoheshin të gjitha lidhjet egzistuese, miqësitë e krushqitë e mëparshme  deri  tek njerëz të rastësishëm por të besueshëm. Slogani më i pranueshëm nga kalivaçasit, i cili përdorej rëndom, ishte: “ Do vejë fisi në fis; rigoni, nuk bëhet lis”! Kemi të bëjmë me një filosofi të pastër popullore. E përkthyer me fjalë të tjera, pranimi i kësaj thënie filosofike, nuk është thirrje për t’u kthyer “ prapa”, në kohët “ heroike”, por, për ti vënë gishtin kokës e për të matur hapat e jo për të ecur kuturu, kur është fjala për të bërë një miqësi të re. Domethënë: Para se të ndërmarrësh një veprim të tillë, duhet të pyesësh, për dhëmbë e për dhëmballë, në mënyrë që të jesh i sigurt për mikun  e ri, me të cilin do të lidhesh.

Në jetë, po të hedhim vështrimin tej në kohë, rrallë do të gjejmë një njeri kaq të kompletuar  sa  “heroi” i këtij rrëfimi – Sulo Beqir Sulaj, nga mëhalla Hysodosaj e Kalivaçit të Tepelenës. Gjykojmë kësisoj, jo nisur nga amja e jashtme dhe aksesorët që mbante personi por nga personaliteti i tij; çfarë përfaqësonte  ai njeri, në vetvete. Në qëndër të kërkesave mbeten tiparet e karakterit, si ndershmëria, burrëria,bujaria e shpirtit, të qënit i drejtë e i paanshëm në gjykimin e gjërave, zgjuarsia, mençuria, mbajtja e fjalës së dhënë, qëndrimet ndaj ndodhive e njerëzve etj. Në personalitetin e Sulo Beqirit, të gjitha këto tipare  të karakterit ishin të pranishme, madje të dukshme. Në ballë të tyre qëndronte si stoli e  i zbukuronte personalitetin – trimëria. Sulo Beqiri, i lindur e i rritur në një truall trimash, u formua  me tiparin e qënësishëm të një atdhetari të flaktë. Dashuria e tij për trojet amëtare ishte e pamatë. Zemra e tij rrahu për Shqipërinë e ai u bë mbrojtës i paepur i  tërësisë të trojeve të të parëve. Sulo Beqiri ishte e mbeti shqiptar dhe luftoi , gjithë jetën aktive të tij, për të mbrojtur shqiptarizmën. Këto vlerësime janë të thëna e të përsëritura  dhe dihen, nga të gjithë.

Është fatkeqësi e madhe, mungesa e dokumenteve të shkruar, për atë jetë “ flakërimë” , e cila shëndriti  në disa luftëra  shpëtimtare, deri në çlirimin e plotë të vendit  nga pushtuesit e huaj. Prandaj mbeten të vakët shkrimet për atë jetë luftëtari  trim e të zgjuar i cili betohej e i përulej vetëm flamurit kombëtar, me shqiponjën dykrenare, në mes. Le të jetë ky shkrim modest  një homazh nderimi e kujtimi, për një njeri, i cili u plak me dyfek mbi sup për të mbrojtur tërësinë territoriale të Shqipërisë hallemadhe. Kjo mangësi shkrimesh, nuk fajëson asnjeri  të veçantë por, njëkohësisht, bën përgjegjës të gjithë komunitetin kalivaças. Qëndrimet meskine dhe dashakeqe, nuk mund të jenë veç  reflekse të shëmtuar të historisë tonë të përbashkët.

Egziston një opinion disi skeptik lidhur me vërtetësinë e shkrimeve. Jam i mendimit se në rrëfimet e të moshuarve, madje dhe në vetë ditarët që mund të kenë mbajtur disa prej tyre,  ka jo pak subjektivizëm e anësi të justifikuara. Prandaj besimi i verbër në vërtetësinë e tyre të kufizon e të nxjerr “jashtë loje”.  Dihet që jeta e njeriut është e limituar ashtu siç është e kufizuar besueshmëria në disa të dhëna, të cilat kanë mbërritur deri në ditët tona si  hamendjësi. Sulo Beqiri dhe ata që e pasuan, partizanet dhe partizanët, bënë një histori më vete, për  Kalivaçin dhe banorët e tij, në kohët moderne.

Sulo Beqir Sulaj, u lind në majë të bregut, në mëhallën e Hysodosajve, nga dy prindër autoktonë kalivaças, në fundin e shekullit të shkuar. Prindër të tij ishin: Hankua e Nelajve dhe Beqiri i Sulajve. Fisi Sulaj, ku u lind Sulua, njihet, në fshatin e Kalivaçit dhe më gjerë, si një fis i fismë dhe luftarak. Mes banorëve që e përbëjnë atë, ka sunduar, kurdoherë  mirëkuëtimi, mirëbesimi dhe paqja sociale. Babai i Sulos; Beqiri, ishte burrë i zoti, nga ata burra, të cilët, siç thonë në Kalivaç: “bëjnë petë” e “hidhen tutje”. Ai, qysh në rininë e hershme, emigroi, në Anadol të Turqisë, atje ku bënin kurbet bashkëfshatarët e tij. Xha Beqiri punoi disa vjet në kurbet dhe, kur u kthye prej andej, pruri një qese me flori.

Babai i Sulos, Beqiri, me paratë që pruri nga kurbeti iu përfill disa punëve bazike, të cilat kishin mbetur pezull nga largimi i tij, për të cilat ai emigroi e punoi disa vite me radhë. Para së gjithash, Ai ngriti një shtëpi e cila ishte në themel e ngjitur me shtëpinë e vëllezërve Tefik e Mete Medin Sulaj, të cilët i kishte të një gjaku. Shtëpia që ngriti Beqir Sulua, ishte e standartit kalivaças të asaj kohe; me mure guri gëlqeror, e lidhur mes tyre me llaç gëlqere dhe me breza druri, në çdo 1 metër lartësi. Gurët u nxorrën nga nëntoka, në krye të Qurkeve dhe në Rrëza; rëra u mor në lumin Vjosë, tek Burimi i Zborakut e në fund të Jorgave.

Ngrehina ishte me dy kate: një odë, me dysheme e me tavan dhoge, sipër dhe një përdhese, në katin e parë. Në të dyja dhomat kishte oxhak e ato ishin të banueshme. Ndërsa në odë, si rregull, bëhej pritja e miqve të shumtë të familjes dhe zhvilloheshin dasma e gosti; në dhomën përdhese, mblidheshin gratë dhe fëmijët. Oda qëndronte e shtruar në çdo kohë, me dy anje, me një mesje dhe me shilte e jastëkë të shumtë. Miqtë e shumtë të  familjes hynin e dilnin pambarimisht në atë derë. Çatia e banesës ishte e mbuluar me pllaka guri, të bardhë e të rënda, të cilat ishin nxjerrë në vendet ku u nxorrën dhe gurët e murit. Oda dhe përdhesja kishin dritare, nga Perëndimi e nga Jug- perëndimi; ato mbylleshin me kanata dhoge dhe ishin të siguruara me hekura. Shkallët prej guri të gdhendur ishin të drejtuara nga Lindja; ato vështronin nga shtëpia e Jaçe Sadikut. Në mëhallë e më gjerë, duke parë mbështetjen  që i bënin njëra tjetrës, familjet e Sulajve dhe ato të Azizajve, mendohej, rëndom se ata buronin nga i njëjti trung.

Në anën Jugore të shtëpisë masive të Sulajve, ishte një oborr i madh, i shtruar me pllaka guri kalivaças e i rrethuar nga një mur guri, i lartë rreth 2 metra. Brenda oborrit të sigurtë, lodronin fëmijët e shumtë të Sulajve dhe kishte hapësirë të mjaftueshme për qarkullimin e shpendëve shtëpiake. Në banesë hyej nëpërmjet një porte të madhe, dykanatëshe, prej dhoge të trashë, ku mund të futej një kafshë e ngarkuar me demekë, me lëpushka, me dru zjarri apo me bar. Sipër shkallëve prej guri dhe portës me dy kanata,ishte një qemer me gurë të gdhendur. Banesa ishte e fortë;  si një fortesë e vërtetë. Muret e saj u rezistuan, jo vetëm viteve por  edhe predhave që e goditën nga mali i Bardhë, ku kalonte udha automobilistike Vlorë- Tepelenë. Ushtria pushtuese italiane, duke patur informacion të saktë mbi natyrën luftarake, rrebele, të fisit Sulaj, dhe për faktin se pimjolli i këtij fisi,  Sulo Beqir Sulaj, ishte partizan, e goditën me top shtëpinë, por ajo nuk pësoi dëmtime serioze.

Në odën e Beqir Sulos, në dasma e gosti, mund të uleshin rreth 50 burra, të ndarë në tri trapeza. Burrat uleshin pas njëri-tjetrit, këmbëkryq, me faqoren plot me raki e  e pjatën me meze përpara. Bisedën, dollinë dhe rregullin në odë e mbante ai që ulej në qoshenë e djathtë, i cili, si rregull ishte miku më i largët e më me autoritet dhe që kishte  aftësi  drejtuese. Në odën e Beqir Sulos, rakia derdhej si lumë e kundërmonte mishi i pjekur në hell. Dasmorët apo të thirrurit në gosti, ia merrnin këngës labçe-vënçe, e cila vinte “ gjym” dhe ngjante me një sinfoni  të vërtetë muzikore.

Me florinjtë që kishte fituar nga puna në kurbet, Beqir Sulua, bleu ara e troje dhe kafshë shtëpiake, për prodhim, për punë e për ngarkesë. Arat që u la trashëgim të prasmëve ishin: në Qurke; në Rrëza; në Gurje; në Xina; në Xana e në Rredhe. Familja kishte dhe yrtra ( troje) , siç qenë : Gropa e Ullinjve etj. Përveç këtyre, familja kishte dhe një pendë e gjysmë me qe parmende; një kalë; një pelë, rreth 20 krerë dele dhe 12 koshere me bletë. Këto e të tjera pasuri të paluajtëshme trashëgoi Sulo Beqiri nga i ati.

Kur u kthye nga kurbeti, Beqir Sulua, ishte rreth 25 vjeç. Në Kalivaç e në rrethina, tradita e lashtë e donte që djali i kësaj moshe të ishte i çiftosur, madje, djem të kësaj moshe konsideroheshin si “ të mbetur”! Për të kapur kohën e humbur, xha Beqiri dhe të tijët, u vunë në kërkim të nuses, e cila do të shtonte vatrën me fëmijë e do t’u bënte ballë punëve të shumta. Sipas traditës, familja e fisme e Beqir Sulos domodoshmërisht duhet të lidhej me një familje po kaq të fisme, në Kalivaç ose kudo që të ishte e mundur.

U vunë në lëvizje  njerëzit e shtëpisë, të fisit Sulaj, miqtë e shumtë të familjes  dhe lajmës të njohur e të besueshëm. Sytë e të interesuarve, në radhë të parë u drejtuan tek familjet fisnike kalivaçase. Njëra syresh u gjend si më e mundshme. Ajo ishte  dera e madhe e Sadik Dalanit, në Nelaj të mëhallës Ahmetaj.  E bija e Sadik Dalanit, Hankua, u çmua si më e mundshmja nuse për Beqir Sulon nga Sulajt.Të dyja familjet e gjykuan të mundshme lidhjen mes tyre dhe e bënë realitet. Kësisoj,  gjeti fisniku –fisnikun.

Njëri nga shkaqet që e bëri të mundshme  këtë lidhje ishte dhe afërsia gjeografike, avantazhet e së cilës janë thënë në një tjetër shkrim. Edhe pse dy shtëpitë respektive nuk e vështronin njëra –tjetrën, me britmë të fortë, jehona e këngës përcillej  dhe oshëtima  e  krismave të e pushkës  dëgjohej nga mëhalla në mëhallë. Kjo mblesëri, jo vetëm u pëlqye nga komuniteti por, edhe sot e kësaj dite i këndohet këngë e kuptimtë. Martesa e Beqir Sulos me Hankon e Sadik Dalanit  pruri në jetë Sulo Beqirin, i cili u bë i zoti e trim me fletë, e kishte syrin me çika, reflektonte  zgjuarsi e  shkathësi dhe ishte një nga ata njerëz që të nderojnë e të nxjerrin nga situata edhe në situata të vështira.  Për fisnikërinë e të dyja familjeve bën fjalë kënga:

“… Do këndoj për një burrë;

Mos i humbtë emri kurrë;

Sulo, në fis e në fshat;

I doje ti kishe bashkë;

Sulo, ti ishe fisnik;

Nga babai ku ishe nip;

O nip i Sadik Dalanit;

Mustaqja – lele e kalit;

Sulo, mbi kalë qëndrove;

Gjezdisje, miqtë i doje;

Tek ai që s’kishte darkë;

Ti e ndizje: tym e flakë;

Në kaza e në krahinë;

E dëgjuan Sulo Beqirë;

Fliste Sulua; fliste Zoti;

Mbante vesh, i madhi e i vogli…”.

Kjo nuk është e vetmja këngë që i këndohet Sulo Beqirit. Kuptimi i këngës nuk besoj të ketë nevojë për komente. Një njeri, po  zuri vend në këngët e popullit, mesiguri që dikush është e diçka ka bërë. Sulua, i biri i Beqirit e i Hankos bëri shumë për mbrojtjen e trojeve amëtare. Ai  mori pjesë në të gjitha luftërat për mbrojtjen e tërësisë territoriale, sidomos në Jug të vendit, gjatë Luftës së Parë Botërore, në Luftën e Vlorës të vitit 1920,si luftëtar aktiv në Revolucionin Demokratiko-borgjez të muajit qershor të vitit 1924 dhe në veçanti në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Do të kemi kohë të shtjellojmë më pas bëmat e tij heroike; tani le të kthehemi tek zanafilla e jetës së tij, tek martesa e Beqir Sulos, me Hankon e Sadik Dalanit.

Lajmësi dëshirëmirë, shkoi në shtëpinë e Sadik Dalanit dhe kërkoi dorën e Hankos, për fisnikun Beqir Sulo Sulaj, i njohur për pastërtinë e fisit nga rridhte dhe atë vetjake. E pleqëroi plaku autoritar Sadik Dalani, burri që i dëgjohej fjala në kuvend dhe që ishte i kamur e i zoti,  kërkesën, me të tijët dhe u gjet se  krushqia  mes dy familjeve, ngjante, prandaj u dha hairi ( pëlqimi). Meqënëse Beqiri ishte në moshë të rritur, fejesa nuk zgjati shumë por në vjeshtët e pritshme të vitit 1882  (afërsisht), u bë dasma. Një dasmë e madhe, siç u takonte të dy shtëpive ( familjeve ) dhe dy fiseve me peshë, në fshat. Hankua, nusja e parë e asaj shtëpie, u prit, sipas traditës, me të gjitha nderimet dhe ritet e kohës.

Sipas zakonit të vendasve të asaj kohe, dasma u bë në muajt e fundit të vitit; në kohën kur bashkëfshatarët i kishin mbledhur e i kishin depozituar prodhimet e arës dhe kur ata kishin klasifikuar e skartuar bagëtitë e imëta. Në çdo familje ishin përfunduar llogaritë e ishin planifikuar shpenzimet . Fshatarët ishin çliruar nga intensiteti i madh i punëve në arë kurse dimri i mundimshëm po trokiste në derë. U bënë dasma të bujëshme, siç u takonte dyerve të mëdha.  Një javë të tërë, dasma nuk u shkreh dhe kënga labçe e vallja e kënduar, nuk pushuan. Era e mishit të pjekur në hell, të çante flegrat e hundës. Në Sulaj dhe në Nelaj, mjediset e dy familjeve u kthyen në kasaphanë. U therën, u ropën e u poqën në hell, rreth 30-40 krerë të imëta ( një kope e tërë) për sejcilën nga të dyja familjet dasmore.Era e rakisë u përhap anë e mbanë mëhallës; dollitë dhe mirësitë nuk kishin të mbaruar. Era, hera herës çonte nga njëra mëhallë në tjetrën jehonën e këngës labçe – vënçe. Krismat e dyfekëve që shkrepeshin nga dasmorët e të dyja palëve përcilleshin nëpërmjet oshëtimës , e cila shëmbëllente me një garë të bukur si ajo e kaponjve shqirakë kur këndojnë e i lënë hapësirë njëri-tjetrit. Në qoshetë e të dyja odave ishin ulur burra zakoni, me një barrë mend, të cilët, për kortezi e për t’u bërë qejfin krushqve të rinj, urdhëronin rregullin e përshëndetjeve me armë.

Hankua, e veshur nuse, e mbuluar me duvak të kuq, dhe e hipur mbi një kalë të bardhë, me shalë, vezullonte, me bukurinë dhe me hiret e saj vajzërore. Pavarësisht se distanca që ndan dy shtëpitë nuk është e madhe, krushqit e shumtë ( burra, se vajtja krushk e grave aso kohe ishte e papërshtatshme), disa kaluar e të tjerë në këmbë, i bënë shoqëri nuses, së bashku me dy  djem të bëshëm nga gjaku i saj.

Pas një viti, nga ajo martesë e bekuar, u lind Sulo Beqir Sulaj. Gëzimi ishte i pamatë, në shtëpi e në mëhallë. Gëzoi fisi dhe gjithë miqësia, në të dy krahët e krushqisë. Lindja e djalit u prit me të shtëna armësh dhe Sulos i vunë nën kokë një dyfek, me urimin që të bëhej trim  me fletë e të nderonte gjakun nga rridhte.

Meqënëse  periudha kur u rrit e u mëkëmb djali i Beqir Sulos, Sulo Beqiri, i përket një kohe mjaft të largët, varfëria në dokumente të shkruar i ka lënë  udhën të lirë fantazisë. Gjykuar nga tradita e trashëguar brez pas brezi mund të konkludohet se Sulua u rrit i shëndetshëm, i fortë, kanakar dhe i shkathët; i zgjuar, i guximshëm e trim. Si djalë i vetëm, ai u ushqye me majën e gjësë dhe përkujdesja për të ishte e  justifikuar. Çifti Hanko e Beqir Sulo Sulaj, lindi dhe dy djem të tjerë pas Sulos: Sabrinë dhe Kason, por ata nuk e patën jetën të gjatë. Çifti pruri në jetë dhe një vajzë- Fatimen,  e cila u rrit si selvi dhe në moshën e martesës, vajti nuse në fshatin Koshtan  të rrethit të Tpelenës, në shtëpinë e njeriut të mirë Sulo Salaj. Ajo u nda nga jeta në lindjen e parë e nuk la pasardhës.

Sulo Beqir Sulaj, trashëgoi nga i ati, shtëpi të kohës, mall e gjë të cilat i menaxhonte vetë, por nuk punoi asnjëherë drejtpërdrejt. Ai u bë me dy shtëpi dhe gjyshi i tij, Sadik Dalani e trajtonte si djalin e shtëpisë. Kësisoj, kanakari Sulo Beqiri, ushqehej në “ dy grazhde”; në atë të babait dhe në atë të gjyshit. Arat dhe gjënë e gjallë që menaxhonte, Sulua i jepte me qera dhe vetë u mor me tregti të vogël. Ai zotëronte një dyqan fshati, me artikuj të përzier, në mëhallën e Hysodosajve, aty ku ka qenë shtëpia e Demir Seit Alidervishaj.

Meqënëse i ati ishte  në gjendje të mirë dhe ishte i gjezdisur, kur Sulua u rrit dhe kapi moshën e adoleshencës, babai i mençur i tij, Beqiri e dërgoi të birin për t’u shkolluar në Turqi, në një shkollë kadetësh. Në shkollën ushtarake, Sulua mori edukatë e kulturë ushtarake dhe  u brumos me dashuri, pa kufi për  trojet e të parëve.  Ai e donte shumë Kalivaçin, ku ishte lindur e kishte hedhur hapat e para dhe duke u burrëruar, hap pas hapi iu shtua dshuria për fshatin, krahinën e tërë Shqipërinë. Prandaj, Sulo Beqiri u ingranua shpejt në luftërat për mbrojtjen e tërësisë territoriale të trojeve shqiptare.

I rritur në një mjdis trimash, me fizikun të shkathët e të fortë, si hekur, me dashurinë që iu mëkua  tok me ushqimin e përditshëm, për familjen, fisin, mëhallën, fshatin dhe trevën, Sulua u formua si një atdhetar i zjarrtë, me zotësinë për të kundërshtuar, me armë, fuqitë e errëta të kohës, të cilat kishin synime grabitqare ndaj tërësisë tokësore të vendit tonë. Vitet e Luftës së Parë Botërore ishin vite të trazuar. Fqinjët tanë të Jugut  synonin tjetërsimin e trojeve shqiptare, për qëllimet e tyre shoviniste. Sulo Beqiri ishte në shoqërinë e djemve të gjallë të fshatit si Sinan Hasani; Hysni Meta; Laze Xhezo; Demir Seiti  etj dhe me mjaft burra të tjerë, të ndjerë e trima. Ai u lidh, për shkak të pikëpamjeve të njëjta, të atdhetarisë, me burra fisnikë e të besës, si:  Baki Tahiri nga Çorrushi; Kanan Mazja , nga Shkoza;  etj. shokët, Sulua i kishte si veten: trima e të vendosur.

Në kohën kur një  grusht burrash kalivaças, me në krye Selfo Rexhepin, shkuan vullnetarisht në mbështetje të Çetës të luftëtarëve që komandohej nga Selam Musai, dhe të asaj me në krye Kanan Mazjen, nga Shkoza, Sulo Beqiri ishte oficer. Ai, në shoqërinë e mikut të tij të idealeve Kanan Mazja , nga Shkoza  (edhe ai oficer), mori pjesë me armë në dorë për drejtimin e vullnetarëve që luftonin kundra pushtuesve  dhe dëftoi  trimëri në luftimet për mbrojtjen e Vlorës. Jeta e pastajme e Sulo Beqirit, u karakterizua nga lufta e pandërprerë e një atdhetari të flaktë. Në çdo rast,  Ai mori anën e forcave përparimtare të kohës. Motua e jetës së tij ishte mëvetësia e vendit dhe mospasja e të huajve mbi krye. Frymëzimin e gjeti tek kalivaçasit e hershëm, luftëtarë të çetave kundër pushtuesve turq dhe kundër andartëve grekë.

Në prag të Luftës së Dytë Botërore, kur në vendin tonë nisi përhapja e ideve komuniste, të cilat përkonin me idealin e Sulo Beqirit, ai ishte nga të parët kalivaças që përqafoi idenë e Luftës çlirimtare dhe u bë propagandist i zjarrtë i luftës pa kompromis kundër fashizmit kërcënues të lirisë të popujve. Mes bashkëfshatarëve, Sulo Beqiri, nuk linte rast pa shfrytëzuar, për të propaganduar nevojën e bashkimit të popullit në rezistencën e armatosur, kundër çdo lloj pushtimi. Duke shfrytëzuar mundësinë  që i jepte të qënit tregtar ambulant, ai e ktheu dyqanin e vogël, në majë të bregut, në një vatër luftëtarësh  të vendosur për çështjen kombëtare që ishte e kërcënuar, seriozisht. Propagandën  antifashiste, Sulo Beqiri e zhvillonte, fillimisht mes shokëve e miqve të tij besnikë dhe duke shfrytëzuar përkatësinë fisnore e lidhjet miqësore që kishte, ai dhe familja e tij. Gjykuar mbi tiparet luftarake dhe në tërësi nga personaliteti i Sulo Beqirit, populli i Kalivaçit, në mbledhjen  e datës 20 tetor të vitit 1942, e zgjodhi atë kryetar të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit.

Tiparet luftarake dhe karakteri i pastër i Sulo Beqirit, ishin dy shtyllat themelore, mbi të cilat u ngrit besueshmëria  tek ata që i shkuan pas.  E donin dhe e besonin në ato që thosh, jo vetëm njerëzit e fisit dhe miqësia por dhe  ata që kishin bërë vetëm një takim të rastësishëm me të. E donte dhe e besonte shumë gjyshi i tij, Sadik Dalani, nga Ahmetajt, i cili e barazonte Sulon, me të bijën e tij, të vetme, Hankon dhe me të birin – Hasan. Sulo Beqiri u lind e u rrit në Sulaj, por derën e gjyshit e kishte si të tijën dhe atje ishte mjaft i pranishëm e shumë i besuar. Ndoshta kjo lidhje gjaku shërbeu si shtrat i ngrohtë, mbi të cilin lulëzoi ajo marrëdhënie e veçantë e ajo frymë mirëkuptimi që krijoi Sulua me kushëririn e parë, Muharrem Hasan Nelaj, tek i cili zunë vend qëndrueshëm idetë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe ai doli partizan, në moshën 36 vjeçare, kur ishte baba i pesë fëmijëve.

Në derën e kamur e fisnike të Sadik Dalanit nipi i përkëdhelur Sulo Beqiri  ndihej si në shtëpinë e tij. Edhe kur u rrit e u bë burrë dhe kur punonte shitës ambulant, në dyqanin pranë shtëpisë të Demir Seitit në Hysodosaj, Sulua mbeti kanakari i familjes së Sadik Dalanit. Xha Sadiku ishte një goxha burrë, i pashëm e me mend ne kokë. Fjala e tij e mençur dëgjohej, me vemendje e zinte vend, në kuvendin e burrave, në fis, në mëhallë( kur burrat mblidheshin në kuvend, tek Buza), si dhe në fshat, kur burrat bisedonin për çështje të ndryshme tek dyqani i Todit, pak më lart nga Shtëpitë e Muhos. Për shkak të pasurisë që kishte akumuluar dhe pozitës shoqërore që kish, xha Sadiku ishte disi tekanjoz e  nevrik.  Pas martesës së Muharremit, me të bukurën Merjeme, nga Keçerishti, dhe shtimit të familjes së ngushtë të nipit, të cilin ai e donte shumë, xha Sadiku e ndau dashurinë për të, me gruan e tij bukuroshe. Por, si  tekanjos që ishte, ai  qejfmbetej  lehtë e për gjëra të parëndësishme. Ja si e dëfton një rast analog, pinjolli i familjes të xha Sadikut, Skënder Muharrem Nelaj, i cili e ka mësuar ndodhinë nga rrëfimet e nënës së tij, Merjemes:

“… Memja kishte tëhollur një byrek. E preu në fund të shtëpisë dhe ia vuri përpara xha Sadikut, gjyshit të burrit. Xha Sadiku, atë natë ishte i zemëruar e nuk e hëngri byrekun që iu oftua nga nusja, të cilën e donte dhe e respektonte shumë. Fjetën, atë natë, pa ndonjë shqetësim. Të nesërmen në mëngjes, Memja, përsëri i vuri përpara byrekun  të gatuar një natë më parë dhe e ftoi xha Sadikun, të hante, por ai, si tekanjoz, përsëri refuzoi.  Plaku i shtëpisë, papritur doli në shkallë e thirri, fort: “ O Sulo Beqiri! Priti pak, sa mori përgjigjen nga Sulua: “ Lepe, Baba”! Dhe xha Sadiku vijoi të urdhëronte: “ Merr pelën e hajde; shpejt” ! I shqetësuar, Sulo Beqiri, shaloi pelën që kishte penguar për të kullotur, në arishtën pranë dhe shpejtoi për në shtëpinë e gjyshit tekanjoz. Kur e pa pranë, xha Sadiku, i tha djalit të vajzës: “ Ngarko dyshekun dhe jorganin tim se do të vij, andej ( tek e bija- Hankua)”. Sulua pyeti Memen e ajo i dëftoi të vërtetën. “ Bjere këtu byrekun, i tha Sulua- Memes dhe e luti gjyshin ta hante atë. Xha Sadiku, i vendosur në të tijën, nuk vuri dorë mbi byrekun, të cilin e hëngri  vetë Sulua. Pas kësaj, Sulo Beqiri i hipi pelës dhe u kthye në punën e tij.  Ai nuk ia ushqeu tekat xha Sadikut, edhe pse e kishte gjysh”. Veprimi i tij u çmua si pozitiv e i menduar mirë nga ata që e dëgjuan dhe vetë Sulua i shtoi vetes pikë.

Sulo Beqir Sulaj, u rrit e u formua mes përkujdesjeve, ndonjëherë të tepruara të nënës e babait të tij por dhe të atyre që gjente në derën e gjyshit, Sadik Dalanit. Ai, siç i thonë rëndom në anët tona:  “ushqehej në dy grazhde”. Si i përkëdhelur dyfish, ai hodhi shtat e u formua si burrë i fortë fizikisht edhe pse nuk dallonte për shtatlartësi e gabarite të egzagjeruara. Sulo Beqiri ishte me trup mesatar; i paktë por i thantë. Nëse do të thuhej ndonjë mangësi për tipin e tij, kjo do të ishte më afër kapriçiozit që buronte nga përkëdhelitë të cilat u bënë shtrat për kultivimin e të qënit të tij, pak nevrik e i paduruar.

Kur u bë në moshë për t’u martuar ( djemtë, dikur, në Kalivaç bëheshin me nuse, sapo kapnin moshën 18 vjeç), nëna dhe babai e martuan djalin e vetëm, Sulo Beqirin, me qëllim që të shtohej familja e tyre me pak pjesëtarë dhe ta kishin nusen në shtëpi, për ndihmë e për shërbime, në një kohë kur djali i tyre e kishte mendjen tek dyfeku. Duke respektuar kërkesat e kohës, familja e Beqir Sulos, e hodhi vështrimin për të marrë nuse për djalin e tij të vetëm, Sulon, në Varfaj ( Çorrush) ku mori nuse Sosen;  një vajzë për kokën e vajzës. Nga martesa e Sulos me Sosen erdhën në jetë një varg me djem,  duke filluar nga Hakiu; Beqiri; Sabriu dhe Arshiu, si dhe e vetmja vajzë, të cilës i vunë emrin e motrës së Sulos, të ndjerës Fatime.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndjenjat e atdhetarisë të spikatur të tij, e afruan Sulo Beqirin me idetë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, të cilat përkonin me ato të heroit tonë. Pushtimi fashist i vendit, kishte rindezur zjarrin e përbuzjes dhe urrejtjen pa kufi të luftëtarit të regjur për liri  dhe e vuri atë efektivisht në radhën e propagandistëve dhe aktivistëve më në zë, në fshat e në krahinë. Sulo Beqiri ishte njëri nga organizatorët më të flaktë të punës përgatitore për formimin e Batalionit Partizan  “Baba Abas”, i cili u kurorëzua, më 10 gusht të vitit 1943, në Donije të Kalivaçit. 54 partizanet dhe partizanët e parë me në krye Qamil Sulo Malaj, i cili u zëvëndësua nga vëllai i tij më i vogël në moshë, Shameti, të cilët u rrjeshtuan në këtë formacion luftarak kishin të përbashkët dhe punën propagandistike të Sulo Beqirit, i cili nuk u lodh e nuk u step, përpara asnjë vështirësie.

Pas formimit  të Batalionit Partizan me luftëtarë kryesisht Kalivaças, Sulua, ai që u mësoi bashkëfshatarëve të tij artin dhe teknikat e të luftuarit, doli në mal, partizan. Ai u rrjeshtua në radhët e formacioneve luftarake të Brigatës së 6-të sulmuese, në cilësinë e komandantit të çetës. Ku nuk u dëgjua pushka e atij partizani me zemër të madhe e me syrin me çika. Në të gjithë luftimet që zhvilloi Brigata e 6-të Sulmuese,brenda territorit shqiptar e jashtë tij, Sulo Beqiri mori pjesë aktivisht e luftoi trimërisht, për shporrjen e fashistëve e çlirimin e vendit. Hera –herës kur ai ishte në rrjeshtat partizane, shkonte me leje, në Kalivaç, për të parë fëmijët e për të takuar të tijët. Por, për asnjë çast, Sulua nuk e ndërpreu propagandën në favor të Luftës Nacionalçlirimtare. U bë luftëtar aktiv dhe nuk shihej me sy të mirë nga disa shërbëtorë e vegla të pushtuesve, bashkëfshatarë të tij dhe nga fshatrat fqinjë. Në një ardhje të tij në fshat,  disa të lidhur e në shërbim të pushtuesve, me dorën gjakatare të ballistit Xhezo Alushi, i bënë pritë Sulos, kur ai shkonte tek dyqani i Todit, në qendër të fshatit, e qëlloi ,me armë, por nuk e goditi dot. Sulos i erdhi në ndihmë bashkëfshatari trim e burri i ndershëm Hamit Caush Muharremaj i cili, duke kundërshtuar, me armë atentatorët, e nxorri shokun e tij të idealeve, nga situata e rëndë kërcënuese.

Pas çlirimit të Shqipërisë, më 29 nëntor të vitit 1944, Sulua dhe formacioni partizan i komanduar prej tij parakaloi në Tiranë dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Pipullore të dalë nga lufta. Ai shërbeu  në Tiranë, si oficer karriere, për disa vite me radhë. Në vitet e parë pas çlirimit, Sulua u nxorr në rezervë e u dërgua në  Selenicë ku punoi në detyrën e brigadierit të blegtorisë, të cilën e kreu me përkushtim e ndjenjë të lartë përgjegjësie, derisa doli në pension të plotë pleqërie. Detyrën e brigadierit të blegtorisë, Ai e konsidetonte si një front lufte për përparimin e vendit dhe si një kontribut me vlerë për fuqizimin e tij, për të përballuar sfidat e kohës dhe synimet aneksioniste të fqinjëve grabitqarë.

Sulo Beqir Sulaj, edhe pas daljes në pension, nuk qendroi në rehatinë e tij, me qëllim që të shtynte ditët, por e kishte mendjen dhe shpirtin në Kalivaç. Ai e kishte të plotë informacionin për futjen e fshatit të tij të dashur, në udhën e kolektivizimit dhe ishte në dijeni të përparimit të fshatit. Është e tepërt të thuhet se Atdhetari i flaktë Sulo Beqiri, i cili, pa qibër, kishte shkelur në çdo vatër kalivaçase, njihte, në detajë, si askush tjetër, mentalitetin dhe psikologjinë e bashkëfshatarëve. Kur u formua kooperativa bujqësore e fshatit, në vitin 1956, familja e Sulos, siç i takonte, ishte ndër të parat që u regjistrua dhe bashkoi tokat, kafshët e punës e fuqinë punëtore. Po të gjykojmë nga ky këndvështrim, mund të pohojmë se qasja e Sulo Beqirit, ndaj interesave jetike të fshatit dhe të bashkëfshatarëve, ka përshkuar një vijë të drejtë; në ngjitje. Nuk mund të ngjante tjetërsoj. Formimi i kooperativës bujqësore, në Kalivaç, pa si po realizohej ëndrra e tij e kahershme, për ta parë vendlindjen  mirë e më mirë. E donte shumë Kalivaçin Sulua dhe iu bë zemra mal kur mësoi se, pas çlirimit të vendit dhe stabilizimit të tij, fshati i tij i dashur përqafoi direktivën e partisë për kolektivizimin e bujqësisë.

Donte ti vështronte me sy e ti prekte me dorë arritjet dhe transformimet e fshatit, prandaj, nën petkun e gjuajtjes së peshkut, të cilin, vërtet e kishte hobi, pas daljes në pension, Sulua i shpeshtoi vajtjet në Kalivaç. Ai kalonte, jo një ditë, por disa të tilla, buzë lumit Vjosë, në Donije, tek Shkëmbi i Ylynecit, deri tek Gurra dhe mulliri me të njëjtin emër. Edhe pse në moshën e tretë e vitet që kishte mbi supe kishin bërë të tyren; Sulo Beqiri, i lehtë si pendë, me hap sorkadhi shkelte nëpër ato monopate e shtigje, ku kishte kaluar në kohën e vështirë kur Ai propagandonte idetë e Luftës Nacionalçlirimtare.

Prej viteve  ‘40  deri sa u formua kooperativa bujqësore, në Kalivaç kishin ndodhur goxha ndryshime. Kishte ndryshuar mobilimi i tokës, nuk ishte ajo mënyrë jetese, kishin evoluar konceptet pë punën e për pronën, për mënyrën e jetesës dhe për drejtimin e punëve të fshatit timonin e të cilit e ishte msarrë në dorë nga një brez tjetër, i cili nuk e kishte njohur luftën dhe sakrificat e saj. Të rinjtë që kishin marrë në dorë drejtimin e punëve, në fshat ishin të ditur e të zotët dhe punët i kishin vënë në udhë të mbarë. Ato apo ata, kishin zëvëndësuar “ xhaxhallarët” e dikurshëm, të veshur me rroba shajaku të zi, me një barrë mustaqe e me qylah të bardhë në kokë. Rinia kishte mbushur dhe radhët e organizatës- bazë të Partisë të fshatit. Sulo Beqiri, kur shkonte në Kalivaç, nga meraku i madh, për ta parë fshatin që donte shumë, në udhë të mbarë, kishte raste kur futej dhe në mbledhjen e organizatës- bazë të partisë, për të parë si realizohej rrahja e mendimeve dhe marrja e vendimeve përkatëse. Luftëtari i regjur, u fliste të rinjve dhe atyre që ishin të organizuar në parti, për rrugën e përshkuar dhe sakrificat, që kishte bërë populli për të arritur atë që përjetohej në ato ditë.

Bazuar në vlerat dhe kontributet e Sulo Beqirit si pjesëtar në disa luftëra për mbrojtjen e trojeve amëtare dhe për çlirimin e vendit, organe të ndryshme shtetërore i kanë akorduar luftëtarit trim medalje e urdhra lufte e pune.  Ai u nda nga jeta në vitin 1970, por jehona e trimërisë të tij dhe vlerat vetjake që manifestoi gjat gjithë jetës, nuk rreshtën e nuk do të rreshtin kurrë. Sulo Beqir Sulaj  e rrjeshtoi  veten në radhët e luftëtarëve të lirisë, duke i bërë nder personalitetit të tij, fëmijëve dhe pinjollëve të tyre, si dhe fshatit e trevës mbarë.

Komuna e Krahësit të Tepelenës, me vendim Nr.12, datë 17.04.2013 e shpalli Sulo Beqirin “ Qytetar Nderi” të saj ( pas vdekjes, me notivacionin: “ Për kontributin e dhënë si luftëtar i Luftës së Vlorës, më 1920 dhe partizan e drejtues i Luftës  Antifashiste  Nacionalçlirimtare. Shoqata Atdhetare Kulturore  “ Treva e Krahësit” i akordoi Sulo Beqirit “ Çertifikatë mirënjohje” ( pas vdekjes); “ Për kontributin e dhënë si pjesëmarrës  në luftën për liri, pavarësi e çlirim kombëtar . E gjykoj se është në nderin e këtyre organeve ky qëndrim i vonuar përkujtimor, i cili shpreh mirënjohje, por, më duket se nuk është i mjaftueshëm. Bëhet fjalë për një figurë “ legjendare”, në supin e të cilit, bëri fole dyfeku e në mendjen e tij  Atdhetaria kishte pushtuar gjithë sferat e trurit.

Nuk më vjen mirë kur lexoj Historikun e fshatit Kalivaç të rrethit të Tepelenës, nga lashtësia: 1431 deri në vitin 1985 ( datë 16 tetor) kur ky dokument u miratua nga organizata- bazë e Partisë së Punës të Shqipërisë të fshatit, Sulo Beqir Sulaj, ky luftëtar i paepur i lirisë, nuk ze vendin e merituar. Shkaqet mund të jenë nga më të ndryshmit e subjektivizmi nuk përjashtohet, por mendoj se një vlerësim me më tepër objektivitet i kësaj figure historike, mesiguri që do ta nderonte më tepër e do ta shëndrinte më shumë biografinë e Kalivaçit. Gjithashtu, si kalivaças e në lidhje gjaku me heroin e këtij rrëfimi, ndihem i fyer, kur kaloj në udhën me gurë përpara shtëpisë të dikurshme të Sulo Beqirit, tashmë të shkatërruar dhe e braktisur vështroj shtegun që të çonte në oborr të mbyllur me një vandak me drizë, në vend që shtëpia, e cila i përket historisë të fshatit tonë, të kthehet në muze  e t’u flasë njerëzve, me gjuhën e saj.

Etapat në të cilat rrugëton historia zëvëndësojnë njëra-tjetrën dhe njerëzit që spikatin në të nuk janë të njëjtë. Më të rinjtë e kanë të domosdoshme të njihen me historinë e lavdishme të fshatit  për të cilën kanë dhënë jetën, si gjënë më të çmuar  mjaft heronj dhe heroina , të cilët i kanë shkruar faqet e ndritura të kësaj historie me djersë e me gjak. Kalivaçi i Tepelenës ka vendin e merituar në historinë e trevës, të rrethit dhe të vendit. Koha që vjen dhe njerëzit e saj, mesiguri që do të na gjykonin ashpër, po të vazhdojmë të ecim “gabim”, pa e shkruar atë kohë heroike. Askujt nuk i njihet e drejta për ta lënë në errësirë historinë e lavdishme të fshatit të tij.

Portreti dhe tiparet karakteristike të sypatremburit Sulo Beqir Sulaj:

 

E kam njohur, personalisht heroin e këtij rrëfimi e për këtë ndihem krenar. Mjerisht, njohja ime ka të bëjë me një periudhë të vontë të jetës së tij, e cila përkon me moshën e tretë në mos me të katërtën. Na bashkoi qëndrimi për disa orë në Donijen historike dhe hobi i përbashkët për të gjuajtur peshk, me grep.

Sulo Beqiri pensionist, shpesh, shkëputej nga pjesa e familjes me të cilën jetonte në ata vite dhe me një çantë ushtarake, në kurriz, çapitej, i lehtë, si pupël, nëpër rrjedhën e lumit Vjosë, duke ndalur pranë pellgjeve me ujë dhe kthesave të lumit, për të hedhur grepat e tij disallojesh. Hera-herës, kur shlodheshim, uleshim mbi ndonjë gur apo shkarpë ( xinë) dhe nisnim bisedën, shtruar, për fshatin tonë të përbashkët dhe për problematikën  e tij. Ishim të dy ikanakë e nuk i ndreqnim dot ne, hallet e fshatit, por na vinte mirë të përfshiheshim në përpjekjet  pë zgjidhjen  e tyre për të vetmen arsye se kishim afeksion te vecantë për vendlindjen tonë të përbashkët, Kalivaçin e Tepelenës. Sulos i pëlqente mjaft të flisnim për Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar; kryetema e tij e preferuar ishte atdhetaria. Në bisedat tona, zinte vend të posaçëm  tema e fshatit, problemet e bashkëfshatarëve tanë të cilat janë nga më të ndryshmet.

Sulua i dinte fare mirë hallet e kalivaçasve  dhe çështjet që lidhen me transformimin e fshatit dhe evoluimin e bashkëfshatarëve.  Isha në hall  e nuk dija si ta thërrisja atë njeri. Sulon e kisha dajo, nga imatë dhe nip, po nga ai. Prandaj preferoja ta quaja : Dajo-nipi. Një emërtim disi kontradiktor, ndonëse shprehte  të vërtetën.

Sulo Beqiri kishte shtatlartësi mesatare. Ai nuk ishte më i lartë se 175 cm. Ndoshta, në rininë e tij ka qenë më shtatlartë, por, kur e njoha unë, shtati i tij ishte rrëgjuar, nga mosha  e dajo-nipi kish  “ hyrë në ujë”. Sulua vishej thjeshtë por petkat i mbante të rregullta e të pastra. Xhaketa e tij ishte e prerë nga një stof me ngjyrë të errët dhe pantallonat, prej të njëjtit stof i mbante  të lëshuara. Në trup vishte fanelë mishi, të punuar me dorë, prej leshi të ashpër nga ai i dhënve nga Kalivaçi. Një jelek i tillë, i punuar me shtiza, i mblidhte gjoksin thatim. Në këmbë mbathte këpucë lëkure, të forta, me gomë të trashë posht , të përshtatshme për të qarkulluar nëpër udhët gjithë gurë të fshatit tonë; dhe në kokë përherë e vështroje me një kapele stofi me strehë, me ngjyrë të errët. Nuk e hiqte kapelen nga koka dhe, për çudi, mbajtja e saj për shumë kohë në kokë, nuk ia kishte rrëzuar flokët. Interesant është fakti se mosha dhe hallet, nuk kishin mundur ti zbardhnin flokët e Sulo Beqirit. Këtë dukuri të pazakontë, nuk mund ta spjegoj vetëm me ndikimin e genit, edhe pse nuk e anashkaloj dot atë. Sulua nuk ishte i ngjallur e trupi i tij nuk shquhej si barkalec, por ishte i thatë e i thantë.

Në Kalivaç, njerëzit, rëndom, burrave me bark e me shëndet të dukshëm u thonë: “ bakull burrë”. Fakti që Sulo Beqiri ishte thatim, nuk ia zbehte, aspak reputacionin që ai kish në fshat e më tej. Trupin,  Ai e kishte të lehtë e të shkathët. Jeta e malit dhe pasioni për gjuetinë, e kishin thënë fjalën. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unik, kur një njeri,  si Sulua, i cili, gjatë jetës nuk kishte bërë punë krahu, në arë apo me bagëti, por ishte marrë me tregti dhe jetën e kaloi me dyfek në krah, të kishte një kalitje fizike të tillë. Profesioni bazë i atij burri ishte “ dyfekçi”. Kokën e kish të rregullt e në formë drejtkëndëshi. Fytyrën e kish të “ hequr” e disi të kuqërremtë. Mustaqet, të prera bukur e të kuruara, në çdo rast , ia lezetonin , atë fytyrë simpatike. Në ballin e lartë të tij lëshonin xixa dy sy bojëkafe të errët, të zgjuar e zhbirrues. Sulua nuk fliste shumë, por artikulonte qartë e pastër dhe  kur fliste Ai burrë, ngjante sikur ngulte gozhdë.

Fshatin Kalivaç dhe banorët e tij i donte shumë  dhe kishte shkelur çdo pëllëmbë të territorit. Ai njihte, në hollësi e për së mbari mentalitetin dher psikologjinë e kalivaçasve. E kishte merak transformimin e fshatit dhe evoluimin e njerëzve të tij. Atij nuk i ndahej shpirti nga Kalivaçi i Tepelenës. Sulo Beqiri ishte njeri me sedër e me ideale të qarta. Atij i dhimbte shumë, çdo pëllëmbë, çdo gur e çdo shkarpë  e fshatit të tij të lindjes.

Në pamje të parë, tek njerëzit lindëte opinioni se Sulua shkonte në Kalivaç për të vrarë kohën  e për të kënaqur pasionin e tij të peshkimit. Në fakt, Ai shkonte në fshat, me mallin e ikanakut të dashuruar pas vendlindjes, me merakun e pashuar, për të parë me sytë e tij e për të prekur  nga afër shndërrimin e fshatit në udhën që u fut, në vitin 1956, kur bashkëfshatarët e tij, u bashkuan, e formuan kooperativën bujqësore, të cilës i dhanë emrin e Stalinit. Për të prekur ndryshimin, Sulua shkonte e ulej “ shesh –besh” në çdo vatër kalivaçase, fliste shkoqur me bashkëfshatarët, njihej me hallet dhe vështirësitë dhe ndihmonte, aq sa mundëte  e  si i vinte për doresh, në veçanti me rekomandimet që jepte. Meraku, si po e drejtonin fshatin të rinjtë, të cilët kishin zëvëndësuar ata burrat me mustaqe të mëdha, me rroba shajaku të zi e më qylah të bardhë në kokë, me vajza e djem të rinj, të ditur e të zotët, pjellë e prindërve të tyre, të cilët u kishin vënë shpatullat, transformimeve  në udhën e progresit.

Dikush, me keqdashje e me paragjykim, mund ta interpretojë këtë vajtje e këtë interesim të Sulo Beqirit, në punët e fshatit, si mosbesim, ndaj të rinjve drejtues kompetentë dhe si rezervë, në botën e tij, apo si dyshim për udhën e ngjitjes, të cilën e nisi Ai , me pasuesit e tij , dikur. Sulo Beqiri ishte komunist, e këtë e thosh ballas; por ai komunizmin, “ heroi” i këtij shkrimi e konceptonte, kryesisht si atdhetari. Çdo veprim që ishte në  vijën e drejtë të progresit, sipas piketave që vunë atdhetarët e shquar, ishte i pranueshëm, për Dajo-nipin tim.

Sulo Beqiri bëri gjithë sa mundej e sa varej prej tij për të forcuar unitetin mes kalivaçasve. Pavarësisht nga bindjet që kishin e nga qasja e tyre ndaj progresit, Sulua i donte bashkëfshatarët të bashkuar. Këtë përpjekje  ai e shpalosi gjat gjithë kohës kur propagandonte idenë e bashkimit në luftën për liri si dhe nëpërmjet autoritetit të padiskutueshëm që kishte tek  bashkëfshatarët nga Kalivaçi. Një rast konkret, në këtë vijë është kërkesa, në formë lutje që Sulua i bëri kushëririt të tij, burrit të mënçur e trim, Musa Mehmet Nelaj, për ta trajtuar kundërshtarin e tij  në ide, si të barabartë. Një fragment i kërkesës së tij bën fjalë:

“… O Musa, të kam vëlla;

Laze Xhezon, mos ma nga…”!

Sulo Beqiri ishte burrë zakoni . Ai njihte e zbatonte, me rigorozitet normat morale dhe zakonet e popullit të trevës së tij. Me humorin e hollë e me zgjuarsinë natyrale, ai ishte i zoti të polemizonte , aty për aty dhe nuk e linte fjalën, të “ binte në shesh”. Për tiparet karakteristike të shkathtësisë e për intelektin që e karakterizonte, përveç kërkesave të tjera, shpesh Sulon e dërgonin si kryekrushk, të bindur se ai i nderonte me të gjitha kërkesat e një kryekrushku. Në një dasmë, kur martohej Laze Xhezua, me Nefizenë nga Golimbasi, Sulua ishte në përbërje të krushqve. Drekën që kishin marrë me vete, (me mish të pjekur në hell, çyrek, revani e  të tjera meze), krushqit vendosën ta hanin pranë një burimi të ftohtë, anës Vjosës, ku uji gurgullonte  nga shkëmbi. Kur shtruan ushqimin, menaxheri vuri re mungesën e mishit të pjekur. Atë e kishte ngrënë Alemi, një njeri “ i leshtë”, nga  fisi i  dhëndrrit, i cili u ishte “qepur”krushqve.  Kur mësoi për atë që kishte ngjarë, Sulua, me humor, iu drejtua Kanan Mazes, (edhe ai krushk), me fjalët:

“… Ty Kanan, të rruatë Ademi ( njëri nga krushqit);

Ta vuri hunë Alemi…”

Kanani, edhe ai tepër i zgjuar e i mprehtë, u përgjigj, aty për aty:

“… Aman, o Sulo, më qafsh!

Ti e hëngre më të trash…”!

Shakaja mes këtyre dy miqve të lashtë e të mirë, e ç’tensionoi situarën dhe Alemi, i ngopur me mish të pjekur, pa e bërë qejfin qeder, u kthye në shtëpi.

Edhe kur i bënë atentat, tek dyqani i Todit, në mes të fshatit, Sulua, kërcënimin me jetëe mori si paralajmërim serioz, dhe gjeti gjeti udhën më të drejtë e doli në mal, si drejtues i një formacioni partizan. Edhe në mal, Ai, lidhjet me fshatin nuk i nderpreu. Jehona e pushkës partizane të Sulo Beqirit, me shokë dhe ndikimi i tij i fuqishëm tek kalivaçasit bënë që bashkëfshatarët tanë të mbushnin radhët e formacioneve partizane. Nga 54 vullnetare e vullnetarë që dolën partizanë më 10 gusht të vitit 1943, në çlirimin e vendit u shtuan me disa dhjetra të tjerë dhe numëruan 8 dëshmorë. Disa dhjetra të tjerë kalivaças, mbushënradhët e çetës territoriale të fshatit e morën anën e çlirimtarëve.

Me dhimbje, luftëtari i regjur i lirisë përjetoi rënjen, në ballë të luftës çlirimtare  të dëshmorëve nga Kalivaçi i Tepelenës. Kur u vra kushëriri i parë i tij, partizani trim Muharrem Hasan Nelaj, në aksionin luftarak  të tradhëtuar, në Mavrovë te rrethit të Vlorës, komandant Sulua pyeti shokët e Muharremit:

“… Kush është skuadërkomandarë?

E kam kushëri të parë;

Atë Muharrem Hasanë…”

I brumosur me idetë e Luftës Nacionalçlirimtare, si Atdhetar i zjarrtë që ish, Sulo Beqiri nuk u largua nga vijimësia  e traditës luftarake të Atdhetarit, që rridhte nga geni i tij, në të dyja anët. Mjafton të hedhim një vështrim të përciptë mbi lidhjet miqësore dhe krushqitë që Ai bëri, për të kuptuar përkatësinë e tij  fisnike dhe atdhetare. Djalin e parë, Hakinë, ai e martoi me Hajdinenë, nga fisi Memlikaj i Kamçishtit;  Beqirin, djalin e dytë, e martoi me Sosen  fisnike, nga Izvori i Tepelenës; Sabriut ia gjeti nuse në Çorrush të Mallakastrës dhe Arshiut, në Shkodrën Loce, në fisin Baholli, ku mori nusen e tij Sanijen, një grua nga ato që u zihet emri në gojë. Edhe vajzën e vetme, Fatime, Sulua e shpuri nuse, në Qafë Kash të Mallakastrës  ku e martoi me burrin e ndjerë Delo Çumanin.

Fati e deshi që Sulo Beqiri të martohej, dy herë.  Bashkëshortja e tij e dytë quhej Xheko e ishte nga fshati  Gorisht i rrethit të Vlorës. Ajo e pleqëroi Sulon dhe me të lindi vetëm një vajzë, Luizën, e cila u martua në Vlorë.

Kur ishte në moshë të thyer, në vitin 1970, atdhetari zemërzjarr, luftëtari sypatrembur Sulo Beqir Sulaj, ai që e kaloi jetën nëpër plumba dhe e vështroi botën nëpërmjet shënjestrës të dyfekut , ndërroi jetë natyralisht, në shtratin e vdekjes. Ishte amanet i tij dhe dëshirë e pasardhësve  të varrosej në Kalivaç  të Tepelenës, në mënyrë që eshtrat e tij të preheshin në tokën e të parëve, të cilën  e donte aq shumë ; atje ku prehen të parët e tij. Viti 1970 rezultoi fatkeq jo vetëm për Sulon e për familjen e tij, por dhe për Kalivaçin, i cili humbi njërin nga bijtë e tij më luftarakë  e të përkushtuar.  Varimi u bë i shoqëruar nga një kortezh  i madh, në të cilin morën pjesë familjarë, pjesëtarë të fisit Sulaj, e të fiseve të tjerë, bashkëfshatarë, miq e shokë të shumtë të tij, të ardhur nga disa treva të vendit, bashkëluftëtarë  të ndjerit, të ardhur nga anë e anës dhe anëtarë të Byrosë Politike të Partisë të Punës, anëtar i së cilës ishte Sulo Beqiri, nga fillimet e viteve ’40. Mori pjesë dhe sekretari i parë i rrethit të Tepelenës. Fjalën e përcjelljes e mbajti një anëtar i Byrosë Partisë të rrethit të Tepelenës. Varri i tij ndodhet në mëhallën Hysodosaj të Kalivaçit, atje ku u lind e u rrit heroi ynë. Është në nderin e cilitdo që e quan veten atdhetar, ta çmojë atë vend të “ shënjtë” si një faltore të dashurisë pa kufi për truallin e të parëve.

Për Sulo Beqir Sulaj, janë kënduar e do të këndohen këngë trimërie. Fshati që e lindi dhe e rriti, nuk e harron kontributin e tij të çmuar, prandaj e ka përjetësuar në këngë. Bashkëfshatari Shyqyri Bajram Hysi, me titull profesor, në histori, në kujtim dhe për të respektuar kujtimin e këtij luftëtari kalivaças, ka thurur një poezi të ndjerë, e cila do të këndohet sa të jetë jeta . Kënga  që buron nga zemra  thotë:

“… Kur shkonte Sulo Beqiri;

Fekste hëna, ndrinte ylli;

Kur fliste, gjëmonte vendi;

Trëndafil , ishte kuvendi;

I shkonte pushka dhe fjala;

Për të bënte be, mëhalla;

Çelur gonxhe trëndafili;

Ç’e kishte zili bilbili;

Në çdo luftë ia bëri forra;

Kish uratën, nga Kurora;

Sulo, të kërkon Kanani;

Që të dilni “ Zot Vatani;

Kalivaç, djemtë ti bën guri;

Përulen, veç tek flamuri !

Jeta, me fakte të shumtë na dëfton se kur njeriu lufton e vdes me atdheun në zemër, mbetet i pavdekshëm. Atë e kujton populli që e lindi dhe e rriti dhe që e transmeton këngën e tij, gojë më gojë e nga koha në kohë.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!
  • Të rrojnë e ta kujtojnë pinjollët e familjes së tij, të fisit e më gjerë si dhe gjithë ata janë të ndjeshëm ndaj çështjes të atdhetarisë!

 

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë, mars – prill 2017.

 

Shënim: Një material su ky, megjith kusuret që ka, vërtet shkruhet nga një dorë, poe , për gatimin e tij , ndihmojnë mjaft njerëz, me opinionet , faktet dhe  saktësimet e ndryshme. Ky material , ndoshta do të ishte i pamundur , pa kontributin me vlereë të veteranit Skënder Muharrem Nelaj, njërit nga pinjollët e Sadik Dalanit si dhe pa mendimet e nipit ( djalit të djalit) të Sulo Beqirit, Kasos mendjehollë dhe bashkëshortes së tij , Albanës, të cilët i falenderoj , përzemërsisht e me përunjësi.

Autori

 

One thought on “Sulo Beqir Sulaj – atdhetari zemërzjarr”

Comments are closed.