Safet Ahmet Caushaj- njeriu që shkeli në dy shekuj, jetoi gjatë dhe percolli gjashtë regjime. (“Një thesar”, i cili nuk u hap, në kohë)

Interpretimet shkencore të kohëve të fundit të zbulimeve arkeologjike që janë kryer në Kalivaç të Tepelenës, hedhin dritë mbi lashtësinë e trevës dhe sqarojnë disa paqartësi e mjegullime që ka lënë koha. Siç rezulton eshe prej tyre, jeta e fshatit tonë  nuk mund të matet me vite, as me shekuj, por me epoka kohore. Edhe një i paditur nuk besoj se gjen vështirësi për të kuptuar se rrugëtimi i gjatë në kohë i fshatit buzë Vjosës, ka patur për protagonistë banorët e Kalivaçit, të cilët qyshse u shkëputën nga bota e paraardhësve të tyre, kanë qenë në ballë të përpjekjeve, për të çarë përpara, drejt progresit. Natyrisht, siç kanë ditur e si kanë mundur ata, por, gjithnjë me kokën lart e me vështrimin përpara. Mbi këtë shtrat, më lind e drejta të mendoj se vendi i kalivaçasve në këtë proçes të natyrshëm, ka ardhur në ngjitje e udhës së gjatë  është pasuruar me elementë të rinj, më cilësorë.

Çdo fshatar  i thjeshtënga Kalivaçi, i veshur e i mbathur siç kish mundësitë, me vështrim përpara e me mendje të kthjellët, i zgjuar e i shkathët, trim e i vendosur, në përpjekjet shumëvjeçare, për të mbijetuar  ka tjetërsuar fshatin e ka transformuar veten. Kontributet nuk kanë qenë të njëjtë dhe vetë meritat nuk i ngjajnë njëta-tjetrës. Veçse duhet thënë se çdo njeri, ka bërë aq sa ka mundur e si ka ditur për të sjellë ndryshimet që ka shtruar koha; në fshat e në jetën e çdo individi. Një bujk nga Kalivaçi, duke lëruar arën, me një pendë qe e me parmendën që ka gdhendur vetë, me mjete primitive;i cili, nga prodhimet që merr në arë, ushqen familjen, prodhon pije të lehta e të forta apo një çoban që mbarështon tufën e dhenve apo të dhive, mban dhe gjedhë, madje është dhe mjeshtër për mjekimin dhe shërimin e bagëtive të sëmura, janë kontributorë me vlerë të këtij përparimi.

Në ditët tona, një kalimtar i rastit apo një vendas, me banim në Kalivaç, e vështron fshatin, tjetërsoj, pas ndryshimeve që kanë ndodhur në hapësirat e tij. Por Kalivaçi nuk ka qenë i tillë; ai ka pësuar transformime në drejtim të progresit. Veç një gjë ka mbetur siç ka qenë dikur: mëhallët siç janë vendosur në kohën kur u hodhën themelet e tyre, nëpër bregore të veshura me shkurre, e të ngritura mbi gurë, nuk kanë mësyrë atë pak fushë, nga punimi i të cilës merren prodhimet e nevojshme bujqësore për të mbajtur frymën, gjallë. Dikush, me mendjelehtësi  mund të thotë:   “E çfarë ka këtu që ta marrim për kontribut”? Kalivaçasi, tip i zgjuar natyralisht e me vizion për jetën, që në kohët e lashta ( të paktën që kur njihet si kohë themelimi), mëhallët , të ngritura e të shtuara mbi bazën e fiseve e kanë ruajtur tokën e bukës. Egzistojnë dhe motive të tjerë të cilët nuk mund të nënvleftësohen, por, në çdo rast, zgjuarsia dhe vizioni i kalivaçasit janë të pranishëm.

Si këto, mund të numëroj dhe mjaft vlera të tjera që kanë spikatur në jetën dhe në veprimtarinë e bashkëfshatarëve të mi. Nuk është ky qëllimi. E rëndësishme është të thuhet se ndihmesa që kanë dhënë breza të tërë kalivaças, të cilët i kanë përcjellë njëri-tjetrit përvojën e akumuluar, në proçesin  transformimeve. Kësisoj, historia e lashtë e Kalivaçit të Tepelenës është vepër e shumë njerëzve , të marrë së bashku; madje e disa brezave që kanë pasuar njëri-tjetrin. Asnjeri nuk mund të pretendojë për autorësi; ca më pak për pronësi. Një gjë është e padiskutueshme: Kontributet e sejcilit, janë në proporcion të drejtë me jetëgjatësinë e tij. Në veçanti, kontributet vërshojnë në vitet  më aktivë kur dhe vlerat e mira janë më të pranishme. Në këtë çështje ia vlen të thuhet se ai që merr lapsin në dorë, për të shkruar copëza  nga jeta e njerëzve të fshatit tonë, le të rëmojë edhe atje ku vlerat janë të mjegulluara e nuk duken qartë , për shkaqe të ndryshëm, siç ka ngjarë rëndom.

Nga sa di unë, disa kalivaças që kanë shtegtuar larg, në vende të huaj, nga halli e jo nga e mira, disa nuk kanë mundur të kthehen në vendlindje sa qenë gjallë, e, pas ndarjes nga jeta, eshtrat e tyre nuk u prunë aty ku u lindën. Ata u tretën në dhe të huaj, e në Kalivaç nuk u gjet as 2 m vend  ku të preheshin në paqë. Nuk dimë si qëndron puna në vendet ku kanë mbetur. Dikur kam lexuar një letër që i dërgonte nga Anadoli, vëllait, në Kalivaç BRM, vëllai i tij, Hamzai, icili u tret në dhe të huaj. Një letër me përmbajtje tepër të dhimbshme që të trondit me lutjen e fatkeqit, për ndihmë. E çfarë kërkonte, kalivaçasi hallexhi, në atë letër? Ai i lutej vëllait ta ndihmonte për t’u kthyer në fshatin ku u lind e u rrit mes halleve. Një histori  dhimbshme njerëzoreme kerkesën për të drejtën themelore mjerëzore, të fikej e të tretej mes të tijëve.

Historitë si kjo, janë të shumta. Në këtë shkrim, nuk marr përsipër të evidencoj e të ekspozoj rastet por dua vetëm të nënvizoj atë që kanë të përbashkët. E kam fjalën, pa u larguar nga tema jonë, se edhe ata që u robëtuan e mbetën diku larg, kanë kontributet e tyre, në çështjen e përparimit të fshatit tonë.Me të hollat që fituan nga puna cfilitëse në kurbet, nga materialet që prunë, kur erdhën apo me vetë mënyrën e jetesës që bënë të tyren, atje ku punuan e jetuan, ata u shtuan përpjekjeve të bashkëfshatarëve të tyre diçka me vlerë. Prandaj mbijetoi fshati ynë, u bëri ballë lloj-lloj stuhive dhe sot e kemi të bukurin e dheut, të cilin shumëkush e ka zili.

Siç ka patur bashkëfshatarë tanët, që patën fatin e keq të treten larg, Kalivaçi njeh dhe raste të tjerë në të cilët mjaft të tjerë, të cilët, me thjeshtësinë dhe krenarinë karakteristike, bashkuan përpjekjet, me shokët e tyre të lindur, të rritur e të veselitur në këtë vend të bekuar, djersa e tyre nuk shkoi dëm. Janë të njohur mjaft bashkëfshatarë të cilët nuk zhurmuan, as me vringëllimën e jataganit, as me krismën e dyfekut, por, qetë-qetë, me një parmendë druri të bërë vetë, apo me një kërrabë në dorë, po të përgatitur vetë, i shtuan begatinë familjes, fisit dhe fshatit që e donin shumë e nuk e ndërronin me asgjë.

Monografia që dua tju bëj të ditur bën fjalë për jetën e një fshatari të rrogozit, tipik kalivaças, të pashkolluar por me kokën plot e me syrin “pishë”, i cili, u lind e u fik në Kalivaç, mbasi shkeli në 2 shekuj, jetoi gjatë, përcolli 6 regjime dhe prehet në tokën që e lindi dhe e rriti. Emrin e Safet Ahmet Caushaj shumë nuk e kanë mësuar, shumë të tjerë nuk i kanë të qarta vlerat e tij. Është detyra jonë tua bëjmë të ditura , atyre që nuk i kanë të njohura, as si fakte historike. i njohur dhe bëmat e tij janë  Kanë ngjarë ndryshime të theksuara në jetën e fshatit tonë. Koha ka sjellë në skenë të tjerë vajza e djem, të cilët nuk e kanë njohur fizikisht xha Safetin, por tiparet e tij të veçanta: zgjuarsinë, ndershmërinë, mprehtësinë, drejtësinë dhe të tjera tipare të qënësishme, ata i kanë mësuar nëpërmjet rrëfimeve të të parëve të tyre. Shakatë me kripë të Safet Ahmetit, atdhetaria e flaktë e tij dhe aftësitë komunikuese e polemizuese të atij burri, janë një pjesë e atyre që duhen evidencuar e dëftuar.

Në këtë jetëshkrim, pa pretenduar se mund ti them të tëra ato që di për heroin tonë, dua të bëj përpjekje modeste për tu shpalosur lexuesve të nderuar disa vlera  të qënësishme, të cilat i mishëronte xha Safeti e ishin vetjake të tij. Ato vlera, vërtet i përkasin Safet Ahmetit por i bëjnë nder  jo vetëm atij. Fshati merr vlera e krenohet me bëmat që do të mësoni. Pinjollët e tij dhe gjithë pasardhësit e xha Safetit, kanë me çfarë të krenohen. Një gjë është  e sigurt: Safet Ahmeti nuk ka lënë “ ferra nëpër këmbë” e, për shkak të tij, nuk ka përse të behet me turp, asnjeri; as sot, as nesër.

Safet Ahmeti u lind në Kalivaç të tepelenës, në vitin 1907, në mëhallën Hasanimeraj.  Ai jetoi gjatë, shkeli në dy shekuj e përcolli gjashtë regjime të ndryshëm. Rrallë burra në atë fshat kanë patur fatin të jetojnë aq gjatë e të kenë patur jetë të paqme. Safeti kish parë mjaft raste e kish përjetuar shumë situata; Ai ishte një “ thesar”, që nuk u hap sa kohë ishte në jetë. Mirëpo historia të harron , po nuk u bëre objekt i saj. Është në nderin tonë ta bëjmë historinë të flasë , edhe për ata kalivaças që nuk e ngritën zërin sa qenë gjallë, por punuan e u rropatën , pa ndjerë. Më duhet të kërkoj ndjesë të sinqertë, përpara kujtimit të tij, për faktin se nuk munda ta vilja atë pemë të begatë në kohën e duhur. Po, ku ta gjeja këtë mendje ? Disa herë e kam takuar, kam kuvenduar e jam relaksuar me humorin e tij të këndshëm e me bisedën plot “ nerv”, por nuk e intervistova dot, që të mësoja peripecitë e jetës së tij. Tani më duhet tu drejtohem kujtimeve të mija, mbresave të fëmijëve të tij dhe të atyre që kanë patur fatin të jenë pranë tij. Safet Ahmeti, ishte nga ata njerëz që u shkëlqejnë sytë dhe u gufon zemra kur pohojnë gojëplotë: “Jam nga Kalivaçi i Tepelenës”! Krenaria e atij burri të impononte respekt e të ndiheshe krenar për qënien qënien kalivaças.

Nuk e them këtë, sa përtë larë gojën as për të nxjerrë “ borxhin”; se ashtu e do puna, por se e ndjej dhe më zë turpi, nga vetja ime, kur e kujtoj atë njeri, ashtu siç ishte: I çiltër, burrëror, fjalëmbajtur,kurajoz, social e hokatar. Ai u shkonte për shtat kërkesave të njerëzve të çdo moshe, ndaj e gjeje përherë, mes moshatarëve, duke luajtur me letra apo domino, tek zyrat e kooperativës bujqësore të fshatit apo në Majën e Dërrasës  i mbështetur pas një bexge, tek luante letrash me bashkëfshatarin- Sadik Xhemali e me të tjerë. Asnjeri nuk habitej kur e vështronte tek bisedonte seriozisht apo tek bënte shaka me humor të këndshëm, në mes të të rinjve, të cilët i mblidheshin si bleta luleve. Kur e vështroje së jashtmi, pa hyrë në bisedë me të, Safeti të jepte përshtypjen e një njeriu të thjeshtëe disi të ashpër në sjellje; por kur uleshe e flisje shtruar me të, bindeshe se kishe të bëje me një burrë me zemër “ flori” e me logjikë të shëndoshë.

Le të kthehemi tek jetëshkrimi i “ heroit” tonë. Safet Ahmeti u lind nga dy prindër kalivaças, autoktonë. Prindërit e tij: Ahmeti dhe Selimeja  jetuan e u fikën në Kalivaç, në shtëpinë me pamjen e një kështjelle mbi gurë të Çanajve të fisëm e cila ndodhet në bregun Jugor të Përroit të thatë të Llaskos, i cili, kur fryhet dhe vërshon , me ujin që mblidhet nga rrëketë që zbresin që nga Maja e Tëndës, rrokullis gurëe gërryen arishtat që përshkon dhe derdhet në Përroin e Faqekuqes, i cili, zakonisht është i thatë, si Llaskua.

Babai i Safetit, Ahmeti, ishte djalë i Çane Deliut dhe nip i Muho Deliut, dy vëllezër të kamur e ambiciozë, të cilët u lindën e u rritën në ngrehinën tip kështjelle, të ndërtuar nga paraardhësit e tyre, në një kohë të papërcaktuar, mbi një shkëmb, në anë të Përroit të Llaskos. Kur u martua Muhua e doli më vete, ngriti banesën e tij, masive, në truallin e Çanajve, murishtet e të cilës kanë mbërritur në ditët tona e njihen me emrin e pronarit të tyre: “ shtëpitë e muhos”. Rrëfejnë se Çane Deliut, kur punonte arat i shkonte kafja me kamineto dhe cjeptë e tij trupmëdhenj i mbathte me podkoj. Gojëdhëna na bën me dije se Çane Deliu, si burrë i zoti e me mend, domosdo dhe i kamur, ishte deputet  i Kuvendit të Janinës. Në qoftë se kjo e dhënë do të konfirmohej me ndonjë  dokument autentik, vërtetësia e saj do të ishte një vlerë e shtuar në biografinë e fshatit tonë.

Shtëpia ku u lind e u burrërua Safeti ka qenë me dy kate, e fortë, e ndërtuar me mure guri të bardhë, të lidhur me llaç gëlqere dhe  me breza druri. Ajo ishte e ndërtuar mbi një truall të gurtë  dhe zinte rreth 2000m/2. Avllia ishte e rrethuar nga mure të lartë guri, të cilët ishin 4 m. nga niveli i truallit. Sipër murit prej guri, i cili, edhe ai ishte i lidhur me llaç gëlqere, qëndronte një “çati”, me pllaka guri , të bardhë, me qëllim që të mos depoërtonte ujët e shiut , brenda murit. Ngjitja e njerëzve mbi mur realizohej nga disa shkallë të gurta. Në avllinë e shtëpisë hyej nga një portë e madhe , dykanatëshe,e orientuar nga rruga kryesore që të çonte në vendin e quajtur Dërrasë, sipër trojeve të Musa Brahush Sulejmanit; poshtë bahçes të vëllezërve Muharrem e Beshir Haxhiut. Në avllinë e shtëpisë ishte dhe një portë e vogël, e cila të nxirrte tek lëmi, prapa shtëpisë. Në njërin cep të sofatit, jashtë portës kryesore ka qenë një gur, me sipërfaqe të rrafshët, i cili shfrytëzohej si platformë mbi të cilin, kalorësit shalonin kuajt e lartë.

Shtëpia prindërore e Çanajve ishte e madhe, me dy kate dhe me katua. Në odë, e cila ishte pa tavan e pa oxhak, në vatrën e saj, si në çdo shtëpi kalivaçase, ishin një palë këmbje ; një saç dhe një çengel  mbi të cilin vareshin kusitë dhe jamaket. Oda ishte me përmasa “ gjigande”; në dasma e në gosti, në odë mund të zinin vend rreth 60 burra ( gra). Lartësia e odës ishte afërsisht 4.5-5 m. Në fund të saj ishte një musëndër dhe sepetet e pajës. Në hyrje të odës, dikur ka qenë  vendosur një lavaman, i cili, me kalimin e kohës dhe ndërrimin e brezave u kthye në dollap muri. Në shtëpinë tip fortesë ishin dy oda, të mëdha. Njëra syresh me përmasa 5x5m dhe tjetra 7x5m. Fakti që gjërësia e hapësirës ishte e njëjtë lidhet me gjatësinë e trarëve. Aso kohe, ca më tepër në vitet e mëvonshëm, në hapësirën kalivaçase ishte e vështirë të gjeje  trungje të përshtatshëm për trarë më të gjatë se kaq. Çatia e rëndë, e mbuluar me pllaka guri të bardhë ngrihej mbi trarë të fortë vidhi e lisi, rrallë edhe prej ulliri, i cili është i kushtueshëm. Mahitë dhe qeprat që mbulonin odën, ishin, gjithashtu prej vidhi, lisi, ulliri më rrallëe  prej dru koçimare.

Shtëpia ku u lind e u rrit Safet Ahmeti kish 6 dritare, të përmasave të vogla, tip frëngjie. Dy të tilla, egzistojnë dhe në ditët tona, kurse të tjerat janë zëvëndësuar me dritare të kohës. Dy dritare ishin të orientuara nga Perëndimi, dmth ishin vendosur në murin ballor të shtëpisë; 2 dritare ishin te orientuara nga Jugu dhe  2 të tjera vështronin nga lëmi, në breg të përroit të Llaskos. Të gjitha dritaret ishin me hekura dhe mbylleshin me kanata prej dhoge të trashë. Në katin e dytë të ndërtesës, familjarët dhe bujtësit ngjiteshin nëpërmjet 2 palë shkallëve prej guri, në fundin e të cilave ishte një sheshpushim, me hyrje në të dyja odat. Nga ana e rrugës kryesore që të çonte në Majën e Dërrasës, ndodhej oda me përmasa 5x3m, e cila shërbente si kuzhinë. Porta e madhe e shtëpisë ishte me përmasa: 3x4m; e vogla= 2x3m. Në portën e madhe të shtëpisë të Çanajve, mund të hynte kafsha e madhe, e ngarkuar me kashtë, me bar bar, me lëpushka apo me dru zjarri. Shkallët,  sipër, mbylleshin me qemer guri, të kompozuar nga mjeshtrat gurgdhëndës të kohës. Në faqen Perëndimore të murit të shkallares ishin dy kthina ku vendoseshin bucelat apo shtëmbat me ujë, për ta mbajtur ujin të freskët.

Safet Ahmet Caushaj, fëmijërinë e përcolli, pranë prindërve,  mes vëllezërve e motrave  dhe shokëve e gjitonëve të tij. Ai ishte djali i parë i familjes dhe doemos, në atë derë solli gëzim e krenari por dhe mori më shumë përkëdheli  e favorizime. Familja e Selime dhe Ahmet Caushaj, gjatë lidhjes bashkëshortore prunë në jetë katër djem e dy vajza. Safeti ishte më i lashti. Pas tij u lind Veledini e më pas Aliu e Xheladini.  Dy bijat e asaj shtëpie; Salushja, e cila vajti nuse në Caushaj dhe Salkua, që u nartua me Çoban Dulen, në Leshnje. Më afër, me shtëpi, Safet Ahmeti pati njeriun e mirë Musa Brahushi, bashkëshorten e tij Hysnijen dhe fëmijët e tyre, të cilët ishin, njëri më i mirë se tjetri.

Disa dhjetra metra më sipër, ishte shtepia e Cano Ademit dhe dyqani i Todit, nga Polçani i rrethit të Gjirokastrës. Shtëpia dhe trualli mbi të cilin ato ishin ndërtuar iahin në pronësi të teqesë të Arakopit, ku ishin muhipë disa kalivaças. Në anën Jug-Perëndimore të udhës që ngjitet në brendësi të mëhallës Hasanimeraj ishin shtëpitë si saraje dykatëshe me katua , triseksionëshe të vëllezërve Muharrem e Beshir Haxhiu, me të cilët, Çanajt nuk kishin ndonjë marrëdhëmie fqinjësie të ngushtë. Trojet e Çanajve kishin shtrirje në pjerësinë e kodrës që zbret, ëmbël, nga dyqani i Todit, poshtë, deri në rrugën që kalonte nga  Muri i Hasane, mbi shtëpinë e Ahmet e Novruz Selfos, mbi varrezën e mëhallës Ahmetaj, deri në Dërrasë. Trojet e tyre i përshkonte mes për mes, rruga qe vjen nga Ahmetajt e del në Qafën e Xhamisë ku bashkohet me rrugën që vjen nga Hysodosajt dhe tjetrën që zbret nga shkolla e fshatit, nëpër mëhallën e Hasanimerajve. Gjitonë më të afërt, ndonëse nuk kish marrëdhënie aq të mira, familja e Ahmet Çanes, për rrjedhojë dhe Safeti e vëllezërit e tij, kishin familjet e Ahmetajve, si atë të Muharrem Kamberit; Sherif Rrapos, e më poshtë Breshan Fejzos e vëllait të tij, Xhelalit të Fejzo Breshanit. Trojet e Çanet i ndante nga ato të Ahmetajve një rrip toke, kryesisht ullishtë, në pronësi të Muharrem Hasanit. Thuajse në mes të Bahçes  të quajtur Bahçja e Dajlanit, ndodhet një qivur, ku janë varrosur Sadikajt ( Sadik Dajlani dhe pinjollët e tij).Mbi rrugën që të çon në Përroin e Llaskos, deri vonë ka qenë një shtëpi, e  mbetur murishtë, në pronësi të Ziflo Dinos. Pasardhësit e tij kanë migruar herët; disa banojnë në Durrës. Njëri nga djemtë e asaj familje – (Latifi), në vitet e Socializmit, ka qenë në detyrën e nënoficerit të karrierës, në policinë e rrethit të Durrësit.

Përveç  trojeve që përshkruam më sipër, Çanajt kishin dhe tokat arë e kullotat e tyre. Në një dokument kadastral të vitit 1945, kur vëllezërit caushaj jetonin së bashku, sipërfaqhja arë në pronësi të tyre, numëronte 4 ha. tokë arë.  Njëra nga arat e familjes së tyre, ishte në skajin ekstrem Veri- Perëndimor të Margëlliçit, atje ku Kalivaçi ndahet nga Çorrushi. Këtë arë, në vitet kur në grykë u ndërtua një ujëmbledhës, e mbuloi uji.Një arë e familjes ndodhej në  vendin e quajtur Bishtje e  një tjetër në Çesmën e Thatë. Ka shumë mundësi që toka arë në pronësi të familjes  të paraardhësve të Safetit ka patur shtrirje më të gjërë, por, për arsye që dihen e për shkaqe të panjohura deri tani ato kanë pësuar tkurrje. Në një material kadastral të vitit 1945-1946 ( si vit bujqësor), që i përket kohës para kolektivizimit të bujqësisë, familja e Safet Ahmetit zotëronte  10   dynym tokë. Vëllai i tij, Vdedini kish 30 dynymë dhe i treti, Aliu  ( ishpartizan), nuk dispononte tokë. I prasmi i vëllezërve, Xhelua, i cili nuk u martua kurrë, siç duket ishte i përjashtuar nga pronësia mbi tokën. Ky dokument, i nxjerrë nga arkivat e shtetit, i pret udhën çdo hamendësimi  e komenti dashakeq.

Safet Ahmet Caushaj, si gjithë bashkëfshatarët e moshës së tij, nuk e pati fatin të ulej në bangat e shkollës ku të mësonte Shqipen e shkruar. Familja e tij, mes halleve të kohës, nuk e pati luksin ta dërgonte “ bukën e parë” ( lexo : djalin e madh) për të vijuar shkollimin, në ndonjë fshat fqinj, ku shkuan disa bashkëmoshatarë të tij. Ai nuk u përfshi as në listën e 16 kalivaçasve ( njëra ishte grua), që mësuan shkrim e këndim me librat që pruri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëfshatari i mënçur e atdhetar- Demir Rrapo Zenelaj, në hyrje të viteve 1920. Por Safet Ahmeti ishte një kalivaças tipik: i zgjuar natyralisht dhe burrë i mënçur. Ai, mësoi nga shkolla e jetës nëpërmjet punës sfilitëse, të cilën e provoi që në fëmijëri. Nënë Selimeja dhe baba Ahmeti, edhe pse të pashkolluar, ditën ti “ injektojnë” që në vogëli , djalit të tyre të parë, së bashku me qumështin e gjirit, edhe dashurinë për Atdheun dhe krenarinë e të qënit kalivaças. Ninullat që dëgjoi Safeti ishin tejet me përmbajrje trimërie dhe kishin brenda atdhetari të spikatur. Safeti u rrit, nëpërmjet punës, ku njohu, jo vetëm rropatjet por dhe “zbuti” shpirtin e formoi  karakterin e fortë të burrit nga Kalivaçi i Tepelenës.

Pashkollimi, nuk e pengoi Safetin të radhitej ndër djemtë më të veçantë të Kalivaçit të Tepelenës; zot i punëve e i fateve të tij. Në vjeshtën e vitit 1944, kur Shqipëria ishte në udhën e mbarë të çlirimit, nga pushtuesit nazifashistë dhe veglat e tyre, Safet Ahmeti u lidh me martesë me një protovajzë kalivaçase; me Fatimenë, të bijën e asaj çikë Shaze dhe atij babai të veçantë- Xhelal  Fejzos, nga fisi i Nelajve. Nuk u lodh shumë Safeti për të gjetur njeriun e jetës; Ai e kishte nusen, thuajse tek pragu i derës; vetëm disa metra përtej Përroit të Llaskos, me portë që dilte tek udha kryesore që zbret, nga mëhalla e Ahmetajve tek varret . Fatimeja e Xhelal Fejzos, e rritur në një familje fisnike, mes dy prindërve të rrallë e në një mjedis plot kujdes për të, u rrit mes të mirave materiale dhe vemendjes të familjarëve të saj. Ajo ishte një vajzë e urtë, e brishtë, e mençur dhe me ëndrra të bukura për të formuar një familje të shëndoshë, siç kanë thënë dikur në Kalivaç,: “ Të zotë për ta ndezur më vete”. Fatimeja ëndërronte : “ Burrin të mirë e në bythë të gurit”. Safeti ishte njëri prej tyre.

Sipas traditës vendase, në të dyja shtëpitë u bë dasmë e madhe. Kënga dhe vallja labçe jehuan një javë të tërë. Safeti ishte djali i madh i familjes dhe xha Ahmeti e shkriu atë që kishte mblojtur , për të martuar djalin. Shaza dhe i shoqi, si fisnikë, kishin sedrën për të mos mbetur pas krushqve të rinj, në këngë, valle, e në të shtënat me armë. Meqënëse shtëpitë ku bëhej dasmë ishim aq afër sa kënga dëgjohej edhe me tekst të plotë, këngëtarët ruanin një farë radhe, për të mos përzierë oshëtimën e këngës. Nusja u vesh me rroba nusërie e u mbulua me duvak, të kuq. Sipas traditës, ajo hipi mbi një kalë shale; të urtë, të mësuar e  të pajisur me aksesorë të përshtatshëm për të marrë nusen.Krushqit ndoqën rrugën: Avllija e Xhelal Fejzos-në udhën që vjen nga Veldoni e të çon në Dërrasë- poshtë shtëpisë të Muharrem Kamberit, në kthesën e Përroit të Llaskos e drejt e në shtëpinë e dhëndrrit. Të dyja krushqitë njiheshin fare mirë me njëri-tjetrin dhe ia dinin pikat e forta e pikat e dobëta njëra – tjetrës. Gjithsesi siç e donte tradita e vendit, nusja u mor e hipur mbi kalë dhe e shoqëruar me krushq, të cilët, rrugës këndonin, hera-herës qëllonin me armë e pinin raki me “duçe” ( një lloj aranxhate e rrumbullakët, me kapacitet rreth ½ litra). Në shtëpinë e dhëndrrit, nusja e re u prit, gjithashtu sipas traditës; me kulecë, me oriz, me monedha e me këngë dasme.

Çifti i sapomartuar, pas një viti u shtua me një  vajzë. Liria erdhi e para në radhë dhe u lind në vitin e parë të lirisë; prandaj mori këtë emër. Liria e “ hoqi këmbën zvarrë”; pas saj erdhën në jetë motrat: Sanija, Halimeja dhe Durrija. Djemtë e çelën serinë me Ëngjëllin e pas tij erdhi në jetë Xhevati. Serinë e fëmijëve e mbylli më i vogli i tyre- Eqeremi. Safetit dhe bashkëshortes së tij, Fatimesë, fëmijët u erdhën njëri pas tjetrit dhe ngushtësia ekonomike, e detyroi çiftin të dilte më vete. Safet Ahmeti, fillimisht u nda nga Veledini, në vitin 1946. Velua, ( siç njihet nga bashkëfshatarët) ngriti një ngrehinë, në trojet e të parëve të tij , disa metra poshtë konakut prindëror. Ai doli si familje më vete  pas martesës me Lejlanë, nga Caushajt.

Derisa u ngrit koopetariva bujqësore e fshatit dhe tokat e gjëja gjallë e Safetit u bashkuan me ato të bashkëfshatarëve, Safet Ahmeti punoi arat  që i la babai dhe u mor me ekonominë e familjes së tij të ngushtë. Ai ishte i kalitur në punë fizike. Kishte provuar punën e rëndë të argatit, qysh kur ishte fëmijë, në ullishtat e bejlerëve të Vlorës; kishte kryer detyrën e kapurralit  (kryepunëtorit) kur u ndërtua ura, nga njëri breg i lunit të Vjosës në bregun tjetër, tek vendi  i quajtur Kunja e Kunjarëve. Gjatë asaj kohe, Safeti manifestoi njërën nga vlerat më të spikatura të personalitetit të tij; dashuria për fshatin e tij dhe për bashkëfshatarët. Siç dëftojnë bashkëkohësit, Safeti, duke shfrytëzuar faktin që zotëronte, në perfeksion gjuhën Italiane dhe funksionin e kryepunëtorit, ai mori në punë mjaft kalivaças , të cilët i trajtonte me përparësi e përkrahje. Të bënte se ç’të kish Safet Ahmeti. Ai, me qëllim që bashkëfshatarët e tij fukarenj të merrnin më shumë para, i regjistronte ata 2-3 herë, me emra të ndryshëm dhe i favorizonte, kur bënte matjen e punës të sejcilit prej tyre.

Safetit i ndihmoi fati. Ai punoi në Tiranë e  mësoi kultivimin e pemëtarisë, pranë njërit nga specialistët më në zë të frutikulturës në vendin tonë Prof. Abedin Çiçi, nga Libohova e rrethit të Gjirokastrës. Duke punuar e mësuar  së bashku me përofesorin e shquar, Safeti, i zgjuar e me kokën plot, vrojtoi me shumë vemendje ato që bënte profesori dhe “ i vodhi” atij , profesionin e bukur. Ai nuk mësoi vetëm të fshehtat e profesionit të frutikulturistit të mirëfilltë, por dhe  i vuri një shtresë të re traditës bujare të familjes së tij dhe u ngrit mjaft si komunitar human. Kur u kthye në Kalivaç e më pas, gjat gjithë jetës, Safetin e vështroje, në çdo kohë, deri sa e lanë fuqitë, duke mbjellë një pemë, duke krasitur një hardhi, duke shartuar kultivarë të dobishëm e të pëlqyer, mbi nënshartesa të egra etj punë të dobishme. Veçori e specialitetit të tij ishte se “ i zinte dora” kur shartonte, çdo pemë. Nga profesori  libohovit, Safeti mësoi jo vetëm profesionin e bukur të frutikulturistit, të cilin e donte shumë e ia bëri shërbimin por dhe bujarinë të cilën ia shtoi asaj që trashëgoi nga geni. Në kohën kur frutat e bahçes së tij piqeshin dhe e hijeshonin atë buzëpërroi, njerëzve që kalonin pranë e u mbeteshin sytë tek frutat e arrira, Safeti, si me shaka u thosh: “ Provoji, këto bukuri që na ka dhuruar natyra e begatë kalivaçase, se frutat janë sevap  dhe kalimtari ndalej, vështronte  atë mrekulli të duarve të xha Safetit, ndalej e provonte frutat eshijëshme që i ofronte bujari.

Me punë krahu, si i dashuruar pas nxjerrje nga nëntoka dhe  gdhendjes së gurit, Safet Ahmeti, e shndërroi Përroin e Llaskos në një “ parajsë” të vërtetë, me kultivarët e shumtë që mbolli e veseliti. Dihet që hardhia u ngjitet e bashkëjeton për bukuri  me pemë gjethevogla. Duke u kacavjerrur pas tyre, ajo  merr më shumë dritë e diell dhe i pjek frutat ( rrushin) në kohë duke  u dhënë atyre ëmbëlsinë e nevojshme. Safeti, ndërtoi në Përruan e Llaskos, cfrete ( diga) të larta dhe aluvionet që sillte përroi, formuan shtresa toke të begatë, ku Safeti mbolli mana dhe i shoqëroi ata, me hardhi. Bashkëjetuan për bukuri me njëri –tjetrin të dy kultivarët, të cilët, deri atëherë konsideroheshin të huaj.

Le të themi diçka për portretin e “ heroit “ tonë: Safet Ahmeti, si djalë guri, nuk mund të ishte i ndryshëm nga bashkëfshatarët e tij, edhe sa i takon shtatit. Ai nuk ishte shtatlartë si disa kalivaças të rrallë por mezi i kapte të 170 centimetrat. Duhet nënvizuar se vetë organizmi i tij e kish zgjidhur vetë kompensimin. Në atë shtat, jo aq të lartë funksiononin muskuj të fortë ashtu si dhe vetë kocka e tij ishte “ çelik”. Punët e rënda që kish përcjellë, nga fëmijëria e kishin forcuar organizmin e tij dhe xha Safeti, ngjante me një pirg muskujsh e nuk lodhej lehtë. Kazma e gurit, në duart e tij “ këndonte e qeshte”; Ai ishte mjeshtër i përdorimit të kazmës e lopatës. Shtatit të tij mesatar i shkonin, për bukuri dy krahë të fuqishëm që mateshin me shkëmbin anëpërroit të Llaskos. Kokën e kish në përmasa normale dhe të shtypur në të dyja anësitë. Fytyrës i jepnin hijeshi mustaqet, të cilat ishin të hallakatura, jo të prera spic. Mustaqet e tij, përveçse ishin shënjë e burrërisë kalivaçase, maskonin dhe hundën disi më të zhvilluar se normalja. Dy sy larush, të mëdhenj që vrojtonin e zhbironin, të strehuar në dy gropëzat e tyre, rrotulloheshin shpesh gjë që dëshmonte nuancat ironike që i jepte bisedës. Balli i lartë, shënjë fisnikërie dhe dy veshë disi  me përmasa më të mëdha, plotsonin panoramën e atij portreti interessant.

Veshja e përditshme e Safet Ahmetit ishte si ajo e çdo fshatari, të shtresës së tij. Një palë pantallona shajaku, të zeza, të prera kilota, me ndonjë andër që i rrinte si dekor, një xhaketë po prej shajaku të zi, me kadife tek jaka; një bluzë me kopsa, e thurur me shtiza, nga leshi i dhenve që menaxhonte, me lule e zbukurime sipas gustos të asaj që e kishte thurur, dhe një palë opinga, (në verë me rripa), ishin veshja e zakonshme e Safet Ahmetit. Por, Ai kishte dhe disa merake që i çmonte shumë e kujdesej për to. Veshjet, për të shkuar mik, Safeti i kërkonte, në çdo kohë të ishin “ palë”, të lara e të pastra, si  “akull”. Safet Ahmeti, e mbante kokën të qethur, në çdo kohë dhe nuk bënte kurrë kompromis, në çështjen e mbajtjes të qylahut të bardhë, me “ antenë”. Mund të them se mustaqet dhe qylahu, për Safet Ahmetin ishin simbole të burrërisë e të shënjtërisë të burrit. Zëri në trupin e një njeriu, thuhet se eshte dhuratë. Në Kalivaç të Tepelenës, zëri i Safet Ahmetit ishte i veçantë. Kur fliste Safeti, tundej dheu e ngjante sikur të kish rënë tërmet. Veç ta dëgjoje kur këndonte, në trapezin e burrave! Këngët e tij të preferuara ishin: “ Në Selishtë, atje tek fiku…”; “ Po flet Kota, moj Kaninë”; etj. Zëri i tij, me sokëllimë dilte mbi zërat e këngëtarëve të tjerë dhe ishte si një lloj kushtrimi. Safeti e donte shumë këngën labçe dhe e këndonte atë, me pasion. Ai ishte i dashuruar, pas këngës vënçe-labçe. Midis këngës, si për t’u dhënë pak kurajo shokëve të trapezit  xha Safeti  sokëllinte: “ Hopa bilbila”! Pavarësisht se ishte koha kur këndonin kaponjtë e po binte mëngjesi.

Mendoj se nuk e teproj po të ve në dukje faktin se Safet Ahmeti, nuk ishte hamës i madh. Ai hante pak, por ushqimet i donte cilësore e gatimin e tyre e kerkonte në kohë. Mishi i pjekur në hell dhe një “ pikë raki” e fortë, e zier vetë, nga rrushi ose nga manat e bahçes së tij, ishin kënaqësitë e veçanta të kalivaçasit të traditës e zakonit. Nuk ishte pijanik por, një “duçe” me raki të bërë vetë, e donte, sidomos  në darkë, para se të shtrihej. Tokën kryesisht aluvionale që përftoi nga “ bllokimi” i Përroit të Llaskos, Safeti e mbillte me perime të stinës. Ai ishte ndoshta nga të parët që futi perimet në gatimin familjar.

Safet Ahmeti  kish dhe një karakteristikë të veçantë, të cilën janë të rrallë burrat e Kalivaçit që e mishërojnë. Ai ishte shakaxhi dhe i pëlqente të bisedonte me njerëz të çdo moshe. Mësonte nga më të moshuarit por i vinte veshin edhe bisdës që zhvillonte me të rinjtë. Ai nuk ishte i fundit i bisedës e “ nuk mbante iso”, por drejtonte e orientonte bisedën, pavarësisht nga niveli i saj.  Shkollë nuk kish, por kish përvojën e jetës, e cila nuk e kishte përkëdhelur por e ndihmonte atë të orientohej drejt e të gjente zgjidhjen e nevojshme. Nëse mund të etiketohet një kalivaças, si filosof popullor ky “ofiq”, mesiguri që do ti shkonte shumë pas shtatit Safet Ahmetit. Në rrethin e tij shoqëror bënin pjesë: Ali  Demir Alidervishaj; Zenel Ahmet Agaj; Sadik Xhemal Hysenaj; Muhedin Salih Nelaj; Rexhep Abedin Malaj etj. Por dhe të rinjtë , në shoqërinë e tij ishin mjaft të pranishëm. Muharrem Nebi Caushaj; Ferrik Azis Alidervishaj; Xhevdet Halo Ramaj etj. janë disa prej tyre.

Filosofia e Safet Ahmetit ishte fare e thjeshtë dhe e kuptueshme nga të gjithë. Ai kishte disa parime në jetë, të cilët kishin në bazën e tyre vetë jetën e njerëzve të thjeshtë. Nuk ishte skeptik e u besonte shumë njerëzve, por, në mentalitetin jetësor të tij, ishte rrënjosur mësimi se : “ Tjetrit, besën jepja, por krahët mos ia kthe”! Brenda këtij slogani qendronte thirrja për vigjilencë.  Ai ishte kalivaças tipik dhe një kalivaças,” nuk hidhet lehtë në xhep”. E thënë më troç, nuk e ha sapunin për djathë. Parimi nga udhëhiqej, në jetë- Safet Ahmeti ishte: “ Beso, por dhe kontrollo”! Le ti referohemi  jetës së tij të trazuar:

Janë të njohura praktikat e fejesave me lajmës, në Kalivaç e më gjerë. Edhe pse lajmësi, cilidoqoftë ai, hiqej si i paanshëm, në fakt, ai, dikujt nga palët që do të lidheshin, donte ti bënte mirë, pa i bërë keq tjetrit. Në një rast, kur lajmësi kërkoi vajzën e Safetit, Halimenë, për ta shpurë nuse në një familje, në Çorrush, Ai ndërtoi një sajesë dhe shkoi vetë për të parë shtëpinë ku do të jetonte e bija.  E zonja e shtëpisë, doli për të kërkuar kafe, tek gjitonët. Safeti mbeti i vetëm, në shtëpi. Ndërkohë, pulat shqirake, hynë brënda dhe lëshuan gëlasa. Erdhi e zonja e shtëpisë e u ul mbi to, pa i fshirë mbetjet. Safeti e çmoi kotësinë e kësaj lidhje dhe u ngrit e iku. Krushqia nuk u lidh. Ndryshe ngjau në Peshtan të Madh të Fierit, ku Safeti, prap me sajesë, shkoi në shtëpinë e atij që donte të bijën për nuse.  Ishte buzëmbrëmje dhe Safeti , në shoqërinë e një peshtanaku, kur dëgjoi të zonjën e shtëpisë ti përgjigjej thirrjes për të bujtur me fjalët: Urdhëroni, të dy se “shtëpia është e mikut”, mendoi:” Kjo është shtëpi miku dhe dha hairin për lidhjen e të bijës. Kjo “ histori”, sot e kësaj dite dëftohet  shpesh , me humorin e kohës, nëpër biseda e gosti. Porosia e tij , për fëmijët ishte: Krushqitë bëjini në familje të fisme. Një nuse fisnike , theksonte Ai, “ose do të të thotë fjalën ; ose do të të bëjë djalën”! Po të vështrosh familjet me të cilat janë lidhur me martesë fëmijët e tij, janë të fisme. Liria; Sanija; Halimeja; Durija; Ëngjëlliu; Xhevati dhe Eqeremi, kanë shkuar apo kanë marrë , në familje fisnikësh.

Interesante e me kuptim ishin këshillat prindërore që u jepte Safeti  fëmijëve të tij. Ai, vërtet ishte i pashkolluar, por këshillat që jepte, ishin me vlera universale. Ai e kish pikë të dobët të mësuarit në shkollë; arsimimin e fëmijëve të tij. Për të mësuar ecurinë e tyre në mësime, Ai, shpesh, shkonte në takim me mësuesit dhe u kërkonte llogari fëmijëve, për mësimet. Safet Ahmeti i mësoi fëmijët të ndiqnin ritmin e jetës e të ishin koherentë.” Duhet të mësoni  çdo ditë, çdo muaj e gjithë vitin; se koha ikën e nuk kthehet pas…” dhe përdorte sloganin turk: “ Mëndjen e parë të ma ketë kali; të dytën ta kem vetë; por, e dyta vjen vonë e nuk të hyn në punë…” Me këtë shprehje, godiste larg burri i mënçur. Po të përpiqesha të zbrisja në terrenin konkret të punëve, do të theksoja se nuk duhet prerë lisi me një sëpatë; dmth nuk duhet të rrëmbehemi, kur marrim një vendim.

Safeti ishte burrë i zgjuar e i ndershëm. Ai  i mësoi fëmijët të rronin me punë të ndershme e me djersën e ballit. Mes këshillave të shumta për jetën që u miklonte fëmijëve, ndoshta është mirë të kujtohet njëra syresh e cila mbetet me vlerë për të gjitha kohët. “…Tek puna me djersë- mësonte xha Safeti;  gjysmën ta merr shejtani, por gjysma që mbetet nuk mbarohet kurrë. Punën pa djersë ta merr, të gjithën shejtani, prandaj mos futni haram, në djersën tuaj…”! “… Mësomi nga gabimet e të tjerëve, ishte porosia e tij,se nuk do tju mjaftojë koha, për të mësuar nëpërmjet pësimit…”!

Sedërmadhi Safet Ahmet Caushaj, i donte fëmijët e tij të ishin si të bashkëfshatarëve të tij. Ata ishin të zgjuar e me dëshirë për t’u shkolluar, por, përpara këmbënguljes të tyre dhe të babait, ata ndeshën në “murin” e injorancës të disa drejtuesve vendorë, të cilët, nga cmira  dhe zilia dërguan në shkollë fëmijët e tyre, të privilegjuar, me të drejta studimi të pamerituara.

Është i njohur karakteri i fortë i Safet Ahmetit. Do të shtoja se Ai burrë njihej për ashpërsinë e tij; por zemrën e kish flori e shpirtin “ behar”. Nëse kish gjë të urryer për të; këta ishin spiunët dhe servilët. Ai ishte besimtar  ; besonte tek Zoti; ishte bektashi i mirë dhe ndonëse frekuentonte më tepër teqetë në: Koshtan; në Dorëz e në Agaraj, nuk ishte muhip e praktikan i rregullt. Safeti nuk e duronte dot, prishjen e lajmësisë. “… këta tipa- thosh Safeti- i dënon edhe zoti… edhe kundërshtar ta kesh tjetrin, kur të pyesin për të duhet të flasësh mirë, duke dëftuar të vërtetën. Dhe e ilustronte këtë qëndrim fisnik, me një rast nga jeta e tij, kur kundërshtari  bashkëfshatar, kur mësoi se Safet Ahmeti kishte folur mirë për të, edhe pse nuk flisnin prej një viti,  erdhi e përqafoi e i vuri në dukje karakterin fisnik të tij.

Shakatë, këshillat, ironitë, rrëfimet e Safet Ahmetit, kanë zënë vend në aradhën e vlerave të fshatit. Mjaft prej tyre rrëfehen e dëgjohen me interes, sot e kësaj dite. Ai e bënte kuvendin, sipas vendit, pa pyetur se kë kishte përpara dhe si do ta priste bashkëbiseduesi ndërhyrjen e mentarit. Në një dasmë në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, gjithë gëzimi i asaj nate u kthye në një “ miting” ku pjesëmarrësit, ngrinin e lëshonin vlerat e ekipit të futbollit të “ flamurtarit “ i cili, mundi “ Partizanin” e Beogradit dhe luajti si i barabartë kundër “ Barcelonës” famëmadhe. Me zgjuarsinë që e karakterizonte, e nuhati situatën xha Safeti dhe, në kulmin e gostisë, kur dollia kishte shkuar me…, Ai mbushi një gotë, plot me raki, u ngrit në këmbë, bëri thirrje për qetësi dhe tha: “ Këtë gotë me raki, do ta pi për shëndetin dhe suksesin e futbollistëve të “ Flamurtarit”, të cilët nderuan veten; Vlorën dhe  gjithë Shqipërinë. Plasi gazi e hareja dhe dasma mori rrjedhë tjetër. Dasmorët, çakërrqejf, nisën të brohoritnin: “ Xha Safeti; xha Safeti; rroftë xha Safeti… “!

Ironia e xha Safetit ishte thumbuese e në kohën e duhur. E thënë me dashamirësi e për të ndrequr, ajo mirëpritej e mirëkuptohej nga bashkëbiseduesit. Në një gëzim familjar, njëri nga të pranishmit, të  cilit, siç duket i pëlqente mendja e tij, fliste e vetëm fliste çfarë i vinte në mendje. U bë i mërzitshëm. Siç e kishte në karakter, Safeti, iu drejtua “ mikut” drejtpërdrejt: “ Sa shumë ke korrur, o x? Po ktheu e lidh ato që ke korrur, se në këtë mulli, kemi ardhur të bluajmë të gjithë, nga pak”. Ndërhyrja e tij  u pëlqye nga pjesëmarrësit në gosti dhe biseda rrodhi në shtatin e vet; me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve, në kuvendin e burrave.

Si shumë bashkëfshatarë të tij, xha Safeti njihte për bukuri traditat e trevës dhe ishte mjaft i rregullt  për respektimin e tyre. Ai ulej në çdo vatër kalivaçasi, për të uruar, kur duhej bërë këtë ashtu siç i gjindej pranë atij që i kish ndodhur një fatkeqësi. Ishte  njeri  i “ rrogozit”, ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë.Më poshtë do tju dëftoj një ndodhi të jetuar, e cila ka për protagonist Safet Ahmetin: “ … dikur, një pjesë të lejës së zakonshme e kaloja në fshatin tim të lindjes. Më pëlqente mjaft Kalivaçi, si në dimër dhe në verë. Shmallesha me të mitë e ulesha në çdo vatër kalivaçasi. Me përparësi u bëja vizitë atyre që kishin patur raste gëzimi e në veçanti atyre që kishin përjetuar ndonjë fatkeqësi. Një herë, më duhej të shkoja për të uruar në shtëpinë e bashkëfshatarit Mahmut Muharremi, për martesën e njërit nga djemtë. Doja të shkoja por më duhej një shoqërues. Jo se nuk dija udhën , por e kisha bezdi vajtjen i vetëm. Tek Qafa e Dërrasës, nën udhën që vjen nga mëhalla e Ahmetajve, pranë qivurit të Zoto Halilit, vura re dy njerëz që po luanin me letra. I njoha, së largu: Ishte Safet Ahmeti dhe Sadik Xhemali. Të dy të preferuarit e mi. Kisha lidhje miqësore me ta  e i doja, të dy. Ishin të këndshëm në bisedë e më pëlqente të qendroja në shoqërinë e tyre. U afrova, i përshendeta dhe po vështroja lojën e tyre. Pashë që prania ime i gjallëroi të moshuarit shpirtmirë. Safeti, në kofidencë( ishte dhëndërr në fisin tonë), më pyeti: “ Po ti, i biri i Xhevit Malkos, për ku e ke marrë vrapin? Apo do të shkosh në Hysodosaj, tek dajot e babait. E di që nuk u ndahet  shpirti për Hysodosajt, juve.  I ke rënë në të, u përgjigja. Dua të shkoj për urim, në shtëpinë e Mahmut Muharremit, u thashë. “ Edhe ne, të dy, nuk kemi vajtur , thanë ata , njëzëri; a shkojmë bashkë? Unë atë dua, qe përgjigja ime e prerë.

Safeti, duke shfrytëzuar faktin që ishim në lidhje krushqie, më pëshpëriti: “ Ne, kur vjen kafeja, qerasim nusen me 200 lekë, po ti, a do të bësh siç do të bëjmë ne? Unë do ta qeras me 500 lekë, u thashë e atyre u erdhi për shtat përgjigja ime. Ashtu bëmë dhe vizita jonë përfundoi e suksesshme. Në një rast tjetër, shkova në shtëpinë e Safet Ahmetit, për të takuar Atë dhe familjarët e tij . U ngjita nëpër shkallët prej guri dhe e zonja e shtëpisë, Fatimeja e Xhelal Fejzos, të cilën e kisha nga fisi, më orientoi të ulesha në qoshenë e djathtë, aty ku ulet, si rregull miku i largët ( më përkiste novka dajo). Safeti, punonte në bahçe, pranë shtëpisë. I hanin duart xha Safetit, për punë e nuk rrinte dot duarkryq.  E thirri bashkëshortja dhe Safeti erdhi, sa hap e mbyll sytë. Siç ishte, në punë, u ul pranë meje, në një shilte që qendronte gjithmonë e shtruar, u gëzua e më “bombardoi” me pyetje, si kurioz që ndjek situatat. Biseduam, gjërë e gjatë, i dhashë informacionin që kërkoi; u kënaqëm, të dy. Para se të ngrihesha, e bëra me dije mikun tim se të nesërmen do të largohesha, për në Tiranë. Pashë që nuk i erdhi mirë. Ai, të nesërmen priste ti vinin miq, të largët e për herë të parë.  Donte ti nderonte sa më shumë miqtë e rinj, ndaj m’u drejtua: “ Po ti rri dhe nesër se të dua në vatër, të më nderosh, të bisedojmë e të gëzojmë së bashku me miqtë.  Ai kishte mësuar se ata, do të kishin në përbërje të  dërgatës, një njeri, i cili çoç ishte, në “ bukën e qeverisë”. Safeti nuk mburrej, por ndihej mirë kur i priste miqtë me nderime dhe siç e meritonin duke ruajtur një farë ekuilibri intelektual tek ata që merrnin pjesë në gosti.

Safet  Ahmeti do të mbahet mend si njëri nga burrat guximtarë dhe polemizues të fshatit. Ai nuk donte tja dine se kë kish përpara dhe “ sa peshonte” bashkëbiseduesi. Sot kur kanë shkuar kaq vjet nga ndarja e tij nga jeta, disa bëma të Safet Ahmetit dëftohen si barcaleta e pa emër autori. Koha bën të sqajën e disa vlera i mbulon pluhuri i harresës; por në çdo rast, mendoj se i duhet dhënë sejcilit, ajo që është e tij. Tek Safet Ahmeti , gojëtaria gërshetohej me një ironi të hollë e me nënkuptim filosofik. Prandaj, ato që ka thënë ai burrë, ia vlen të mendohen e të analizohen thellë. Më posht po ju paraqes, disa raste tipike, të qëmtuar rëndom, por jo gjithshka që lidhet me të.

1.- Kur politikani i ndjerë Sabri Godo, burrë i zgjuar e me mend në kokë, shkoi në Kalivaç, për të  “mbledhur “ votat e popullit, iu drejtua xha Safetit, për të cilin, diçka kishte dëgjuar: “ Ti Safet, i tha oratori, do të vish me mua, do të votosh Partinë Republikane! U ngrit Safeti, si me përtesë, e gjithë nënkuptim, duke vënë në lëvizje ironinë e tij therëse, u përgjigj: “ Të falenderoj,  për respektin  që gëzon, tek njerëzit, dhe për atë që ke, për mua, Zoti Sabri, por ki pak durim e më dëgjo, se emri yt, në gjuhën turke durim e ka domethënien. Unë, jam martuar me një “ burrë”; me Partinë Socialiste e nuk mbaj dot 100 burra”! Nuk e zgjati politikani i zgjuar; ai gjeti hundëlesh, aty tek zyrat e kooperativës bujqësore të Kalivaçit.

2.- Një ditë, në një mbledhje të popullit, erdhi Adil Çarçani, në atë kohë zëvëndës i kryeministrit. Kur shtetari pyeti : Kush ka ndonjë problem për të ngtitur, Safeti, si pa ndjerë , brrofi nga ven di e iu drejtua të deleguarit: “ Shoku Adil, “ Duam të na bini ujë, si ky ujët e Donijes, se fshati po thahet për ujë.Edhe sikur ujë të zi të na sillni, ne do të kënaqemi , vetëm ujë të jetë, se u thanë. Fjala e xha Safetit u mor parasysh dhe në vitin 1978, çdo mëhallë e fshatit dhe shumë shtëpi, mori ujë, me çesme. Ujësjellësi u përurua, u bë fetë e paparë dhe u fiksuan shumë fotografi e një dokumentar, por për Safet Ahmetin si inisiator, nuk u kujtua njeri. Atë ditë, si për ironi të fatit , Safet Ahmeti bënte dru,  në Koçimare. Frytet e kërkesës së tij, me vlerë, i korrën ata që rrinin hijeve, ose që freskoheshin në lumë.

3.- Në Krahës të Tepelenës, në një fushatë elektorale, ishkryeministri Fatos Nano, si Kryetar i Partisë Socialiste, shkoi për të “ mbledhur vota”. Xha Safeti donte ta takonte Fatosin dhe vajti apostafat në vendtakim. Nuk e linin policët e shumtë të afrohej.  Safeti, me zërin e tij si “ gjym”, me tone të lartë, u tha policëve: ” Mos kini frikë se nuk ua vras atë që ruani”! Njëri nga rojat, po me zë të lartë iu drejtua Safetit: ” Xhaxha, ti i vrarë je vetë, e nuk bën dot vrasje”! E dëgjoi Fatosi zhurmën e urdhëroi: “ Lereni të afrohet atë plakun mjeran”! U afrua xha Safeti e zhvilloi këtë dialog, me pilotikanin e regjur:

– Safeti: “ … siç më vështron ashtu, jam bërë gati të shkoj tek shokët, që më kanë ikur; po, kur ti takoj,  ata  do të më pyesin e dua ta di, prej teje, çfarë tu them “? “Po çfarë probleme ke”?  u hodh e tha Fatosi. Ti them unë, një më një, u përgjigj, xha Safeti, dhe pa u menduar, radhiti:

E para, a do ti ngrini pensionet tona se janë ku thërret kiameti? “ Na jepni votën e do tua ngremë pensionet dhe rrogat”, qe përgjigja e kryetarit të qeverisë.

E dyta,po këtë të mallkuar hidroçentral, a do ta bëni? “ Po e bëjmë, u përgjigj Fatosi, nuk e vështron që po punohet? “ Vështroj një traktor të prishur dhe një kamion saurerë që nuk punon”, e pati gati përgjigjen Safet Ahmeti!

E treta, “kam dhe një çështje timen, i tha xha Safeti bashkbiseduesit: “. .. Më ka humbur, prej kohësh, një nipi im, në Greqi; e kërkojnë fëmijët që ka lënë pas; ai nuk kishte asnjë ves. Përgjigja që i ktheu Fatosi ishte skandaloze dhe e bëri xha Safetin të kthente një përgjigje të denjë për atë që dëgjoi. Kur ishkryeministri i tha xha Safetit se : “ Ai nipi yt mund të merret me femra të përdala”, Safeti fisnik  që nuk i duronte dot fjalët fyese, i ktheu reston, aty për aty: “ Një hajdut, ruan xhepat nga shoku që ka në krah, një i pamoral i kujton të tjertët si vetja”! Në përfundim, Safet Ahmeti, nisur nga përgjigjet e padenja që mori, për çështjet që ngriti, iu drejtua shefit të qeverisë: “ E di çke ti, shoku Fatos, problemet që të ngrita janë shumë e përgjigjet nuk ma mbushin mendjen, më mirë hajde e thajua vetë shokëve të mi ( të ndjerë)!

U mërzit Fatosi, i hipi makinës e shkoi për darkë në fshatin Dhëmblan të Tepelenës, në shtëpinë e krushkut të Safet Ahmetit. Në bisedë e sipër, Fatosi u tha të zotëve të shtëpisë: “ Mëkot po përpiqem të bëhem përsëri kryeministër. Për të drejtuar qeverinë ishte ai plaku nga Kalivaçi; Safet Ahmet Caushaj”! “Ai është krushku ynë”, u përgjigj i zoti i shtëpisë. “E po Ai qënka si Everi, që i kishte rrënjët kudo”, u përgjigj Fatos Nano. Kështu, siç thonë në Kalivaç, “vajti për lesh e doli i qethur”!

Përveç punëve të zakonshme, të bujqësisë, në arat e tij , Safeti punoi dhe në Tiranë, nën drejtimin e Abedin Çiçit; në ullishtat e Vlorës, në punën për ndërtimin e urës në Kunjë, si kapurral dhe kur fshati ishte kooperativë bujqësore, Ai punoi, kryesisht si roja, në depozitimet e drithrave të bukës dhe për ruajtjen e depove të tjera, si i besuar që ishte dhe behçi në arë. Safet Ahmeti Zotëronte në perfeksion Gjuhën Italiane dhe e kishin piketuar për të qenë përkthyes, kur gjenerali i Kadaresë mblodhi eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në tokën shqiptare. Nëse kjo nuk u realizua dhe Safeti nuk përktheu, kjo i përket kokfortësisë të tij dhe ndonjë lidhje krushqie që ai kishte lidhur, me familje, të cilat, në atë kohë trajtoheshin si të deklasauar.

Safet  Ahmeti ishte një kalivaças tipik, i cili, jo vetëm e donte pa masë fshatin e tij, por dhe u dilte në mbrojtje bashkëfshatarëve dhe fshatit vetë, sa herë paraqitej nevoja . Më poshtë po ju rrëfej një rast ku duket qartaz, dashuria e tij për fshatin dhe gatishmëria për ta mbajtur kokën lart, në çdo rast.

Një shaka e ndodhur vërtet:  Në vitet ’60 të shekullit të shkuar dhe më parë, kalivaçasit e bënin pazarin në Fier( për të blerë drithëra buke); në Berat( për të blerë guna); në Këlcyrë ( për të shtur e për të blerë bagëti); në Vlorë( për të blerë metrazhe) dhe në Janinë( për të blerë zile e këmborë) . Rrugëtonin me orë e  meditë të tëra , në këmbë, me një torbë në krah ku futnin bukën, një copë djathë, ca copa mish e çfarë t’u ndodhej, dhe një shishe me raki. E bënin me fjalë që të bashkoheshin disa fqinjë apo thjesht fshatarë, të organizuar në karvanë dhe me roja, për t’u bërë ballë sulmeve të kaçakëve ( piratëve plaçkitës). Kur shkonin në Fier, kryesisht për të blerë drithëra buke, kalivaçasve, rrugës, u bashkoheshin dhe fshatarë të tjerë, të njohur e të panjohur. Karvanarët hanin darkë në kodrat mbi qytet, gdhihedhin në natyrë dhe, të dielën, që në mëngjes zbritnin në qytet, ku bënin Pazar e ktheheshin, po të dielën, siç kishin shkuar.

Në një vajtje, karvanit të kalivaçasvei u bashkuan dy vëllezër, pa flokë, nga Hekali dhe një tjetër nga fshati Kutë i Mallakastrës. Në kodrat mbi Fier, fshatarët, mbasi lidhën kuajt, tek një mullar dhe zgjodhën e përgatitën vendin ku do të kalonin natën, u ulën për të ngrënë darkë, sejcili, nga torba e tij. Hëngrën e pinë dhe para se të flinin, njëri nga vëllezërit kokëzbathur, bëri disa hapa më tej e urinoi. Gjatë urinimit, atij i shpëtoi një pordhë dhe kur u dëgjua zhurma e saj, bashkëudhëtari nga Hekali tha: “ Për shëndetin  e trapezit”! E dëgjoi Safeti e i ra rëndë fjala e mikut të panjohur.Ai, nuk duronte dot “ shkarpa” , as mbi vete , as mbi fshatin e tij te dashur; mendja i punonte si te “ lante borxhin”.

Në trapez ishin vetëm kalivaças dhe Safeti që e donte shumë fshatin, nuk mund ta duronte këtë fyerje. Ai vendosi të hakmerrej, në të njëjtën formë. Karvani, vajti në treg, shiti e bleu dhe, në atë përbërje, mbasdite mori udhën e kthimit. Safetit i mbeti në mendje hakmarrja, e mezi priste, por nuk po i vinte pordha. Rrahu  disa herë barkun dhe  nisën ti gurgullojnë zorrët. Kur karvanarët po çapiteshin të qetë, xha Safeti, befasisht dhe me zë të lartë, bërtiti: “ Erdhi”; “ erdhi e uruara”! Të gjithë u habitën dhe pyesnin njëri-tjetrin: kush erdhi? Çfarë të ketë ngjarë vallë?

Në çastin kur dy vëllezërit, nga Hekali, do të shkëputeshin nga karvani, për tu kthyer në shtëpinë e tyre, Safeti ndaloi kalin kërr e tha, duke u drejtuar nga dy vëllezërit: “ Qënkeni  burra të mirë, pavarësisht se kokëzbzathur; meqënëse do të ndahemi, dua tju përdshëndes dhe lëshoi një pordhë, të zgjatur e me shumë zhurmë. Kur karvani u gjend në Kutë e dotë ndahej burri nga ky fshat, i panjohuri, iu afrua xha Safetit dhe i tha, në vesh: “ Uli poturet të të puth atë vrimën që lëshoi bymen e madhe ( pordhën)!  I tillë ishte Safet Ahmeti, ai nuk mbante mbi kurriz “plehra”,por merrte hak, për të mbrojtur nderin e fshatit të tij.

Safet Ahmeti ishte mjek i vetevetes dhe nuk e tepronte:  As me të ushqyerit ; as me regjimin e punës e atë ditor. Rrjedhojë edhe e genit, ai jetoi gjatë e nuk lëngoi, kur u nda nga jeta. Safet Ahmet Caushaj u shua në shtëpinë e tij, në fshatin kalivaç të Tepelenës, mes fëmijëve,bashkëshortes fisnike, të afërmve dhe  shumë miqve e shokëve të cilët e donin e i donte shumë. Në ceremoninë e përcjelljes, u “ shkul” i gjithë fshati. Erdhën dhe shumë miq, shokë e dashamirë nga fshatrat fqinjë. Shtëpia e përjetshme e tij ndodhet në varrezat e fshatit  Kalivaç të Tepelenës, në vendin e quajtur  Faqekuqe.

Le të shërbejë ky shkrim modest, një lapidar kujtimi e nderimi, për ti shprehur mirënjohje e respekt të thellë atij njeriu të thjeshtë, me shumë vlera, një njeri të vuajtur, por shumë punëtor, të ndershëm e bujar i cili bëri histori, si me jetefgjatësinë e tij dhe me karakterin tipik kalivaças!

-I paharruar qoftë kujtimi i tij, ti rrojnë të prasmit!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton            

Tiranë, Qershor- Korrik 2017