Parë historikisht, banorët e Kalivaçit të Tepelenës, si dhe ata të trevave të tjera, i kanë rrahur qysh herët udhët e kurbetit. Tradicionalisht; para vitit 1945, kalivaçasit, për arsye pune kanë emigruar kryesisht në krahinën e Anadolit të Turqisë. Fitimet e tyre buronin, si rregull nga puna si blegtorë.
Siç më ka dëftuar gjitoni im, Banush Xhezo Hadëraj ( ndjesë pastë), i cili kish jetuar e punuar disa vite në këtë krahinë; në qytetin e Izmirit, si kryeqëndër e krahinës, në një kafeteri, e cila ishte emërtuar: “ Kafeteria e shqiptarëve”, letrat që vinin nga vendlindja qëndronin të varura në xhamat e saj, derisa e merrte i interesuari. Kur letra përmbante njoftime funebre, cepat e saj digjeshin dhe i interesuari e kuptonte se në familjen apo në fisin e tij kishte ngjarë gjëmë. Ma do mendja se të tillë vendtakime të kalivaçasve nuk kanë egzistuar vetëm në Izmir. Në Historikun e fshatit tonë, i cili, për hir të së vërtetës deri tani është më i ploti, jepen statistika që na bëjnë me dije se kalivaçasit kanë shtegtuar jo vetëm në Turqi, por dhe në Amerikë e në Kanada, në Francë e në Angli, në Greqi e në Itali e ku nuk kanë shkuar ata. Kudo ku janë ndodhur apo gjenden nëpër botë, kalivaçasit e kanë patur të domosdoshme mbledhjen dhe mbështetjen tek njëri-tjetri. Ata, në çdo kohë e rrethanë e kanë ndjerë përkrahjen e njëri-tjetrit si jatak të sigurtë dhe si vend ku qanin hallet e përbashkëta kurbetit; të qënit larg vendlindjes e njerëzve të tyre.
Rrjedhjet e kalivaçasve nuk kanë qenë të lidhur vetëm me emigrimin. Mjaft bashkëfshatarë, në kohë e për shkaqe nga më të ndryshmit, mes të cilëve prevalon dëshira për një jetë më të mirë, janë çvendosur ( kanë migruar) në vise e qytete të ndryshëm, brenda vendit. Kjo dukuri u theksua, në veçanti pas viteve ’90 të shekullit që shkoi, kur në vendin tonë ngjanë shndërrimet demokratike. Kanë “ vërshuar” Kbashkëfshatarët tanë er aktualisht i gjen në mbarë vendin tonë. Ngulimet më të shumta janë në qytetet e mëdhenj si Tirana e Vlora dhe në breg të detit, sidomos në Sarandë. Përqëndrimet në këta qytete, nuk kanë lënë jashtë interesit edhe qytete të tjerë, më te vegjël si numër popullsie, siç është Tepelena, Memaliaj, Patosi, Gjirokastra, Selenica, Elbasani, Fieri, Lushnja e më pak trevat veriore të vendit. Nga një evidencim i sipërfaqshëm, duke krahasuar numërin e familjeve dhe të banorëve të Kalivaçit të vitit 1950 me gjendjen aktuale del që nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm. Ata që banojnë në Kalivaç, nuk janë më pak nga ata që banonin në vitin 1950. Kjo gjë nuk është pa domethënie. Kalivaçasit nuk e kanë braktisur fshatin e tyre të bukur, të bekuar e të begatë. Edhe ata që janë larguar nga fshati, nga, “malli” apo nga “halli”, nuk kanë hedhur një gur pas, siç ka ndodhur me ndonjërin, i cili, që kur u largua nga Kalivaçi, në vitin 1948, deri me sot, nuk ka shkelur në shtëpinë ku u lind e u mëkëmb, as kur u ndanë nga jeta prindërit që e lindën, as kur ikën, në udhën pa kthim, të lindurit nga të njëjtët prindër. Shumica e të ikurve janë kthyer periodikisht, për tu, shmallur me njerëzit e për të shijur bukuritë e fshatit tonë.
Kthimi në vendlindje, qoftë dhe për pak kohë, nuk është çështje kortezie, as një shëtitje turistike në një trevë të pakrahasueshme për nga bukuria, por është një lidhje e thellë shpirtërore e patjetërsueshme dhe e pa krahasueshme. Të kthehesh herë pas here në Kalivaç, nuk është çështje thjesht nostalgjie për atë vend, ndonëse nostalgjia, në çdo rast është e pranishme. Nëse mund ta them kështu, do ta krahasoja rendjen tek “ nëna” e të gjithë bashkëfshatarëve tanë, kur ajo lëshon kushtrim, se e merr malli për ata që ka sjellë në jetë, pra, kemi të bëjmë me një shuarje malli, përqafimin njerëzor me ata që do e që të duan. Të shkosh në Kalivaç, mes të tuve, është domosdoshmëri për të parë ndryshimet që kanë pësuar trojet e të parëve tanë dhe njerëzit që po e bëjnë këtë ndryshim. Ai që shkon në Kalivaç, qoftë dhe për pak kohë, kur largohet, merr me vete, si hajmali mbarësie e kënaqësie, gëzimin dhe lumturimin që i sjellin çastet e qëndrimit pranë “ nënës”.
Kalivaçasit janë demokratë në shpirt dhe këtë e kanë dëshmuar në çdo kohë e situatë. Njerëzit në Kalivaç nuk i kanë mbajtur të bashkuar, as ideologjitë, as partitë që janë dukur e janë zhdukur, por fisnikëria e banorëve dhe lidhjet e shumta që kanë patur e kanë me njëri-tjetrin. Partitë, mbasi kanë kryer “ misionin” e tyre, në themel të të cilit ka qenë përçarja, më falni për shprehjen jo aq të gjetur: “ e kanë thyer qafën” e ua kanë lënë vendin gjykimit të lirë të njerëzve. Mos ti vështrojmë e mos ti çmojmë njerëzit, nga shtati, nga veshja, apo nga aparenca. Bukuria e tyre qëndron përbrënda çdo trupi e zemre, është e fshehur pas mendimit të pavarur dhe punës që bëjnë. Kalivaçasi të jep ujë “me bishtin e lugës” e kjo nuk ka nevojë, as për koment, as për vertetim.
Forcimit të bashkimit të njerëzve dhe përtëritjes të lidhjeve të lashta, u kanë ardhur në ndihmë mjaft takime bashkëfshatarësh, me rast e pa rast, sidomos në trevën e bukur të Kalivaçit dhe në vendet piktoreske të tij. Si rregull, veprimtaritë në të mirë të unitetit mes njerëzve janë zhvilluar me raste festash e përvjetorësh të ngjarjeve pikante. Një takim i tillë u zhvillua në Donije, të Kalivaçit, më 10 gusht të vitit 2012. Morën pjesë rreth 500 vetë; të bindjeve të ndryshme dhe me të kaluar jo të njëjtë. Nuk ishte parë ai gëzim e ajo hare, në atë buzë lumi, ku festa nuk kishte mbarim. Erdhën dhe mjaft kalivaças e kalivaçase, të ikur, nga fshati, me banim në Shqipëri apo në vende të tjerë. Nuk u ndjeva mirë kur, më zuri veshi një pëshpërimë, të cilën, quajeni si të doni: si nxitim,si një fjalë e pamenduar dhe e pakontrolluar apo si një mendje e prapë, e paarrirë. Kjo ngjau kur në atë veprimtari festive, u shfaqën disa djem të fshatit që banojnë në Tiranë dhe, me kontributet e specializuar që dhanë, i shtuan vlerat atij gëzimi, një burrë, me banim në Kalivaç ( s’ka rënësi emri), u shpreh: “ Ja erdhën këta të diasporës”! Të dëftohem i çiltër, nuk u ndieva mirë e më ra e rëndë ajo fjalë, e thënë aty, aq sa nuk mund ta harroj. Nëse fati na ndihmoi e ngamë shkollimin dhe aktualisht banojmë në Tiranë, ne nuk shkojmë në Kalivaç për të shitur mend, por për t’u shmallur e për t’u kënaqur me fshatin tonë dhe me njerëzit e tij të mirë.
Nuk mund të rri pa theksuar se kalivaçasi, në çdo kohë e ka dashur dhe i ka dalë për zot, të qënit nga ai çikë fshat. Është fisnikëria dhe bujaria e genit të një kalivaçasi që kërkon mbështetje në komunitet. Së këtejmi burojnë toleranca dhe dashamirësia kalivaçase. Le ti referohemi historisë të fshatit tonë: Për mendimin tim, nuk është thjeshtë natyra e bukur tërheqëse e fshatit; as begatia e tokës dhe klima e preferuar, por, më shumë ka ndikuar shpirti bujar dhe toleranca e bashkëfshatarëve tanë që kanë bërë të mundur qasjen në Kalivaç të banorëve nga trevat pranë, në komunitet dhe një nga një, siç janë Mehmetajt , në Ruç ( Brinjën e Beut); Caushajt , në Specovë; Xhaferajt, në Meçaj, Bakajt (Çelajt) në Bozanaj; Shametajt, në Leshnje; Pashajt, në Hysodosaj;Zenelajt ( Muçoimajt), në Ahmetaj etj etj. Ata janë integruar bukur me vendasit, madje kanë hyrë dhe në lidhje martesore, duke u kompaktësuar e duke forcuar bashkësinë. Aq sa i ka mundësitë, çdo kalivaças autokton dhe të tjerë që kanë ardhur në fshatin tonë, e ka për mision historik të kontribuojë për forcimin vazhdimisht të këtij kohezioni. Është koha ta duam njëri-tjetrin, jo ta përçmojmë atë. Avantazhin që na kanë lënë të parët nuk kemi të drejtë ta shpërdorojmë, ca më keq ta shkatërrojmë, por ta ruajmë si një amanet që nuk e tret dheu.
Mbse nuk tingëllon aq ëmbël e ndoshta merret si vetëlëvdatë, por është fakt se jam shumë krenar që jam nga Kalivaçi i Tepelenës. Përkatësinë time kalivaçase nuk le rast pa e shpalosur dhe mendoj se nuk e kam keq. Kam vënë re se dhe mjaft të tjerë si unë, me rast e pa rast, shkojnë në Kalivaç, pavarësisht se nuk kanë njeri nga familja apo nga fisi i tyre në fshat. Kam parë e njoh dhe ndonjërin si Vezir Fejzo Muharremaj, i cili është rritur në vise të tjerë, larg Kalivaçit, por fshatin ku ka ardhur në jetë, nuk e harron dhe nuk mund ta heqë nga mendja faktin që është nga Kalivaçi, madje e thekson, me forcë e me krenari këtë fakt.Sa u entusiazmua Ai njeri, ndoshta i vetmi Akademik nga Kalivaçi, kur mësoi për interpretimin shkencor të zbulimeve arkeologjike të kohëve të fundit, të cilat hedhin dritë mbi lashtësinë e trevës tonë. Vezirin nuk e zinte gjumi , pa vertetuar se fshati ynë, me objekte, jo me llafe, është i lashtë sa vetë jeta mbi tokë. Dhe, çka duhet theksuar, ai nuk qëndroi mënjëanë, në rolin e vrojtuesit por mori pjesë aktive, në përbërje të ekspeditës shkencore. Mund tju duket si barcaletë, por ka vërtetësinë e madhe brenda. Veziri, edhe kur shkon si vizitor, në Hjustonin e largët e të nxehtë, krahas shmalljes me të tijët, e ndal vrapin në bibliotekë, për të gjetur ndonjë shkrim , për Kalivaçin.
Çfarë mund të thuhet për vendin dhe rolin e prijësit të mençur në fushën e letrave, birit të Kalivaçit Xhelil Aliu, i cili ka shkruar e vazhdon të shkruajë, pafundësisht dhe me cilësi, për fshatin tonë të përbashkët. Le të shkojmë më tej: Gazetari trim dhe atdhetar Niko Ago, djalë kalivaças nga një familje e varfër por fisnike, u ndesh ballazi me forcat regresive të kohës, në një vend të huaj dhe sot, na nderon si gazetar në një televizion suedez. Më thoni një rast të ngjashëm, kur profesori i historisë, të veshë kostumin tradicional e të ngjitet në skenat e vendit e të Europës, për të promovuar polifoninë labe? Shyqyri Hysi, nuk ka vetëm zërin brilant, por dhe zemrën e madhe e shpirtin det. Ai, si rrallëkush, ulet në vatrat e kalivaçasve, shesh –besh, si në raste gëzimesh dhe kur u duhet thënë një fjalë ngushëlluese “të helmuarve”. Po Mirjeta Dëraj, Nuriu i Hamzait,Petriti i Sheme Hamitit, vëllezërit Gjonlekë e Xhevdet Zenelaj e mjaft të tjerë ( lista do te zgjatej pa fund ) a nuk janë disa nga intelektualët që i bëjnë nder Kalivaçit, jo vetëm me identitetin si tëtillë? Po të përpiqesha pak me tepër, mesiguri që do të bëja një listë emrash, mjaft të gjatë, por nuk është ky qëllimi. Një kalivaças, i bën nder vetes, familjes, fisit dhe fshatit, jo duke u fryrë urëve të veçimit por atyre të përqafimit. Mund të them se të gjithë këta janë ikanakë apo siç tha ai “birbua”, të diasporës.
Disa kontributorë të veçantë, veprimtaria e spikatur e të cilëve ka lënë gjurmë të thella në jetën dhe historinë e Kalivaçit, pavarësisht se kanë punuar e jetuar larg fashatit të tyre, për të cilin u digjet zemra, nuk e meritojnë të qendrojnë në hije, por të vendosen në ballë e në podiumin e nderit; në mënyrë që të njihen nga të gjithë brezat. Kalivaçi nuk duhet e nuk mundet ti harrojë kontributet e tyre me vlerë; ata mbeten asete që nderojnë veten, familjen, fisin dhe gjithë fshatin.Për ta konkretizuar këtë që nënvizova, do tju servir një shëmbull fare të thjeshtë nga e shkuara. Në hyrje të viteve ’20 të shekullit që shkoi, shoqata patriotike “Vatra” e Bostonit, bëri fushatë e mblodhi të holla, për të ndihmuar Luftëtarët e Vlorës. Tre kalivaças, të cilët , aso kohe , punonin në emigracion, në Boston, dhuruan shuma të vogla të hollash. Aq sa kishin mundësi, por ,ama dhanë diçka. A nuk e nderon kjo Kalivaçin? Emrat e tyre ndoshta nuk dihen nga shumë vendalinj por ata , edhe atje larg, njihen nga mbiemri nderit që kanë marrë : Kalivaçi. Për të mos lënë mëdyshje, emrat e tyre ishin: Demir Rrapo Kalivaçi; Musa Brahush Kalivaçi dhe Maze Halil Kalivaçi. Si ky, mund të sjell mjaft shëmbuj të tjerë, të cilët na dëftojnë shumë.
Njëri nga kalivaçasit më të shquar e më të devotshëm, i cili njihet pak, apo aspak, në vendlindje, sidomos nga të rinjtë është Qemal Demir Alidervishaj ose, siç njihet rëndom në rrethet e tij shoqëror në qytetin ku banon : Qemal Demiri. E them që në fillim; nuk jam aspak i kënaqur nga fakti që, kur lexova historikun e fshatit Kalivaç, të vitit 1984, emrin e tij e ndesha rrallë e nuk bëhet fjalë fare për vlerat shumëplanëshe të tij, të cilat i përkasin vetëm Qemalit e askujt tjetër. Është prapësi , me apo pa qëllim dhe makutëri, të bësh tënden atë që është e tjerit. Para se ta hedhë në gojë atë që ka në dorë, tjetri lipset të mendojë se gjëja e tjetrit të mbetet në fyt. I nderuar është jo ai që mban lapsin në dorë e shkruan, por ai që shkruan të vërteta historike, pa sajesa dhe teprime. Nuk mendoj se lënja e Qemalit në harresë, është bërë nga padija.
Qemal Demiri u lind më 21 gusht të vitit 1926, në fisin Alidervishaj të mëhallës Hysodosaj të Kalivaçit të Tepelenës, nga dy prindër të fisëm autoktonë. Nënë Shefikua, një deli grua, nga më të zonjat në Kalivaç; nga ato gra të traditës e të zakonit, që maten me burra, në kuvend e nuk lëshojnë pe kur ka me vete të drejtën, ishte bijë e një familje të fisme, nga fshati Kashisht i rrethit të Tepelenës. E veshur me çitjane e me një setër të zezë, shtatlartë, pak kurrizdalë, thatime por “ kockë e fortë”, me fytyrë të “ hequr” e me “brazda”, me një shami të zezë në kokë të lidhur me cepa. Në dukje e në sjellje, të linte ndjesinë se ishte e ashpër, por ajo ishte e drejtë, “tek Zoti”! Ajo ishte e zonja e fjalës dhe polemizonte me mentarë, jo me çapaçulë kokëboshë. Ajo grua nuk lejonte të merreshin nëpër këmbë të drejtat e familjes së saj, por i mbronte ato, me dinjitet e me përkushtim. Fëmijët që lindi e rriti Nënë Shefikua, megjith fukarallëkun e skajshëm që kishte pllakosur fshatin dhe familjen e saj,rezultuan të shëndetshëm, fizikisht e mendërisht, duke qëndruar përherë e gatshme në roja të jetës dhe shëndetit të tyre. Edukata që morën në atë shtëpi, katër djemtë e saj, ishte e shëndoshë, tradicionale dhe me theks atdhedashurie.
Babai i Qemalit, Demir Seiti, i lindur e i rritur në atë majëbregu, trashëgoi nga të parët, ndershmërinë dhe të qenit i drejtë e i urtë. Xha Demiri kishte një urtësi të paparë gati biblike e një mençuri të pangjarë. Ai trashëgoi nga geni i nënës, e cila ishte bijë në derën fisnike e të ndjerë të Sadik Dajlanit, në Ahmetaj, zgjuarsinë natyrale, të cilën ua përcolli djemve; guximin dhe trimërinë, të cilat ishin të matura. Xha Demiri nuk e” gremiste” lehtë fjalën e nuk thoshte hopa, pa kaluar kanalin. Urtësia e atij burri dhe dashasmirësia e tij, ishin pa anë e pa kufi. Demir Seiti nuk ishte tip indiferent por bënte kujdes për punët e tij dhe nuk kishte prirje për t’u përzjerë në punët e të tjerëve. I gjatë në shtat, i thantë e i duruar si ai, me punë pa bujë, si bletë, Ai përballonte gjithë detyrimet e familjes, në arë e për mbarështimin e bagëtive dhe mbante miqësitë e shumta të familjes. Mirësia dhe urtësia e tij, ishin impresionuese dhe dominonin gjithë vijën e sjelljes . Demir Seiti e mendonte dhe e peshonte mirë fjalën, para se ta nxirrte nga goja. Qendrimi i tij dashamirës dhe sjellja pa vulgaritete në zhargon, të bënin me turp. Siç thonë rëndom në Kalivaç: “Demir Seiti, as mizën nuk shkelte, kur ajo i zinte udhën”.
Qemal Demiri, përcolli në fshatin e lindjes, vetëm fëmijërinë e herëshme, mes fukarallëkut të familjes dhe luftës së përditshme të prindërve të tij, për të mbijetuar. Por, kufizimet që solli koha dhe ngushtësia ekonomike e familjes së tij, u kompensuan me ajrin e pastër dhe të ushqyerit bio, në atë breg , ku era fryn parreshtur, 24 orë dhe terreni është jo i sheshtë. Djali i dytë i xha Demirit, e përcolli fëmijërinë, si bashkëmoshatarët e tij, nën vëzhgimin e rreptë të Nënë Shefikos, e cila i ruante fëmijët e saj, sikur të ishte një doganë ku karantina nuk lejon përhapjen e sëmundjeve dhe infeksioneve, të huaja. Të dy prindërit kalivaças, në veçanti Nënë Shefikua, mëkoi tek të vegjëlit e saj, jo vetëm tipare të mirëfillta të një kalivaçasi, ku bën beli shkathtësia, zgjuarsia natyrale, guximi e trimëria dhe të qënit i drejtë e i drejtpërdrejtë por dhe besnikërinë dhe frymën e ballafaqimit, si tipare të domosdoshme.
Qemali ishte me fat, që, në moshën kur do të niste mësimet në shkollën fillore ( në Kalivaç, në ata vite nuk kishte shkollë fillore), u shpërngul pas të Atit, në Tiranë, ku u fut në shkollën teknike, tek vendi i quajtur “ Kroi i Shëngjinit”. Ajo ishte njëra nga shkollat më serioze të kohës, e profilit mekanik dhe me konvikt. Nxënësit e saj ishin nga familjet më të varfëra të vendit. Ai erdhi në Tiranë, në vitin 1932, kur sapo kishte mbushur 6 vjeç. Në këtë shkollë, Qemali tepër i urtë, si i Ati dhe i vëmëndshëm në mësime, kreu vitet e shkollës unike dhe të asaj të mesme.
Në ata vite mjerimi, kur injoranca bënte ligjin dhe analfabetizmi ishte ulur këmbëkryq në vatrat shqiptare, ca më shumë në Kalivaçin tonë të varfër, vetëm dëshira për të mësuar ishte evidente. Qemali i vogël, u gëzua shumë, për këtë nder e privilegj që iu bë, ndaj i vuri vetes detyrë të dilte sa më mirë në mësime dhe të justifikonte vitet e qëndrimit larg shtëpisë. Gëzimin e ndjeu xha Demiri, vëllezërit e Qemalit dhe të afërmit dashamirës. Vetëm gege Shefikua e priti disi ftohtë këtë zgjidhje. Ajo nuk donte ta largonte djalin e saj, të cilin e donte si shpirtin, larg vatrës ku mblidhte të parriturit e saj. E mendoj thellë- thellë, shpesh i rikthehem problemit e nuk arrij të konkludoj: “ Ku e gjetën atë vizion e atë largpamësi, dy prindër të pashkolluar, nga Kalivaçi i Tepelenës, si Nënë Shefikua dhe Baba Demiri, të cilët e futën djalin 6 vjeçar në udhën e ndritur të dijeve”? Po mundohem të jap një përgjigje që pyetja të mos mbetet në ajër: Shtrati ishte i shtruar; tek kalivaçasit zjente, prej kohësh dëshira e zjarrtë për t’u arsimuar. Kjo dëshirë, mori shkëndinë që i duhej, kur bashkëfshatari Demir Rrapo Zenelaj (Muçoimaj),pruri nga kurbeti një vandak, me libra e revista në gjuhën shqipe, dhe, me to çeli një kurs, ku mësuan shkrim e këndim 16 vetë, përfshi dhe një femër. Udha drejt dijeve ishte e hapët. Disa kalivaças, me vullnet për të mësuar, të mbështetur nga familjet e tyre, kishin shkuar në shkollat e fshatrave fqinjë si Krahësi; Fratari, Çorrushi e gjetkë për të mësuar në shkollat respektive. Ata shfrytëzuan lidhjet miqësore dhe pasurinë e familjeve të tyre, për ta bërë këtë.
Hapi që ndërmori Qemal Demiri ishte një kërcim, larg dhe i guximshëm. Ai, i drejtuar nga i ati, u shpërngul larg, shumë larg nga fshati e rrugëtoi për në Tiranë ku hyri në një shkollë prestixhioze. Veç truallit arsimdashës kalivaças, i cili pati ndikim të fuqishëm, faktor tjetër në zë ishte ai ekonomik. Familja e Demir Seitit, në Hysodosaj dispononte sipërfaqe të kufizuar toke, e shumta në bokërrinë dhe pak troje , ku vegjetonin bajame e ullinj; të parat në anën Lindore e të dytat në anën Perëndimore të konakëve. Gjitonë të xha Demirit ishin: Hysen Mahmuti dhe Azis Selfo, nga Veriu, të cilët i kishte dhe kushërinj; Dajlan Xheladini, Murat Jahua, Ahmet Fejzo e Mahmut Muharremi , nga Jugu e nga Perëndimi dhe pak më tej, Azis Telhai e Jaçe Sadiku. Midis shtëpisë të Demir Seitit dhe atyre të dy alidervishajve të tjerë ndodhej një lëm , i cili njihej si “ lëmi i alidervishajve”. Ai shfrytëzohej me radhë nga të gjitha familjet me të njëjtin mbiemër. Lëmi shërbente dhe si një “paradhomë”, e cila u uronte mirseardhjen kalimtarëve që përshkonin anën Lindore të tij dhe futeshin në udhën që të shpie tek Bregu i Hysodosajve e më tej, nëpër mëhallë, në Sulaj e në Ramaj.
Është e domosdoshme të theksohet se tokat në pronësi të familjes të Demir Seitit; si ato në Qurke dhe ato tek vendi i quajtur xhamija, janë jo aq produktive dhe nuk e mbanin dot me bukë familjen prej 6 anëtarësh ( 4 djem dhe 2 prindër). Nën peshën e skamjes dhe i detyruar nga fukarallëku i skajshëm, si mjaft bashkëfshatarë të tij, Demir Seiti hodhi torbën në krah dhe, së bashku me Qemalin, shtegtoi larg Kalivaçit, në Tiranë, me shpresë se do të gjente një punë krahu dhe do të sistemonte në shkollë të birin. Ai u punësua në një fidanishte, në Laprakë dhe djalin, me ndihmën e miqve të familjes, e sistemoi në Shkollën Mekanike, me konvikt. Nëse dikush do të dijë, përse xha Demiri përzgjodhi Qemalin e jo ndonjërin nga djemtë e tjerë, përgjigja është e thjeshtë: Ai pa tek Qemali prirjen e tij për të mësuar dhe vullnetin që shfaqte djali për t’u arsimuar. Xha Demiri kish qenë në Turqi, kishte porovuar shfrytëzimin e të huajit dhe dëshironte që djemtë e tij të mos mbeteshin robër të injorancës.
Qemal Demiri, në shkollë dhe jashtë saj, mësoi jo vetëm shkrim e këndim dhe shencat sipas moshës, por diçka më shumë se kaq. I përkushtuar për të përftuar sa më shumë nga lëndët që zhvilloheshin në atë shkollë, Ai mësoi dhe disa shprehje të qytetarisë dhe tipare të tjera të qënësishme dhe të domosdoshme për të përballuar jetën. Në përfundim të shkollës, Qemal Demiri u bë një goxha djalë; i mënçur, i pashëm e me trup të zhdërvjellët. I zgjuar, i qetë, vrojtues i vemendshëm e përftues në maksimum, Ai u formua me edukatë të shëndoshë qytetare, në vazhdim të asaj që mori në fëmijëri, kur ishte pranë prindeve dhe familjarëve të tjerë. Në shkollën që përcolli, duke bërë një hap “gjigand”, përpara, i cili, nuk ishte parë deri atëherë në trevën e Kalivaçit. Formësimi arsimor e kulturor ishte njëri drejtim; të jetuarit me regjim ditor mbi bazën e disa rregullave e normave të detyrueshme, të panjohura deri atëherë për të, ishte drejtimi kryesor i formimit të tij. Në shkollë e në konvikt, Qemali iu nënshtrua një regjimi të rrepte mësimi e studimi; u mësua të hante, të flinte dhe të pushonte me orar. U njoh e u miqësua me mjaft bashkëmoshatarë si ai, dha e mori prej tyre informacionin e mundshëm. Atij iu çel më shumë horizont për të njohur vendin dhe më tej.Ia vlen të theksohet se në bashkësinë e atyre që mësonin, si ai, Qemali njohu dhe iu përshtat jetës në komunitet, e cila do ta shoqëronte gjat gjithë jetës. Nga natyra, Qemal Demiri ishte i urtë e i qetë, jo sherrxhi e grricës, ndaj nuk e pati të vështirë të afrohej e të “familjarizohej” me të ardhurit nga treva të tjera të vendit.
Qemali u akomodua dhe u shkollua për 10 vite me radhë, në kryeqytet. Të ardhurit nga treva të tjera, i dëftuan atij për jetesën dhe vuajtjet e njerëzve të tyre, në fshatrat nga kishin ardhur të cilat u shtoheshin atyre që kishte lënë në kalivaç, tek të tijët. I duheshin ti njihte djali në formim e sipër nga Kalivaçi i largët, mjaft zakone, tradita, veshje, ushqyerjen dhe mënyra të ndryshme sjellje. Ky nuk ishte i vetmi burim informacioni, për të. Adoleshenti kalivaças, Qemal Demiri, si gjithë bashkënxënësit, herë pas here, qarkullonte nëpër qytet. Ai vështronte me syrin e kuriozit por dhe të vrojtuesit të kujdesshëm, “dy botë”, diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, të cilat i bënin karshillëk shoqja-shoqes. Në njërën anë ai vështronte grupin e pushtuesve të pashpallur, të cilët, në bashkëpunim me veglat e tyre, brenda vendit, ishin pararojë e pushtimit fashist që erdhi më pas. Ata, të pispillosur e të kënaqur, kapardiseshin, udhëve të metropolit, duke lënë përshtypjen e fuqiplotit dhe “ të fortit”. Ata e kalonin kohën kafeneve dhe kabareve e merreshin me punë të pista. Në anën tjetër, Qemali veshtronte mjeranët, të veshur me lecka e me barkun bosh.
Përballë këtij kontrasti të dukshëm, adoleshenti Qemal Demiri, me mendje e me zemër në Kalivaç, ku gjithashtu, njerëzit përjetonin fukarallëkun e skajshëm, pësoi një tronditje të thellë e gjithë qënjen e tij të brishtë, e, dita-ditës, nisi ti grumbullohej në shpirt një si “ xhëng” ( lëmsh) me pakënaqësi për prapësitë që vështronte. Edhe pse nuk i kuptonte mirë ndodhitë, në analizën e fundit, djaloshi i parritur konkludoi se shkaku i mjerimit ishte padrejtësia dhe u vu në udhën e kërkimit të së drejtës. Tashmë i rritur e i burrëruar, i kulturuar e me kokën plot, i pajisur me mjaft kualitete të nevojshme, në mesin e vitit 1942, në valën e Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria lëngonte nën peshën e pushtimit fashist, Qemal Demiri u kthye në Kalivaç, për të takuar të tijët e për t’u shmallur me ta. Katër vjet, radhazi, Ai nuk ishte parë me ata që donte shumë. Në atë kohë, mjetet e transportit të rrugëtarëve dhe vetë rrugët linin për të dëshiruar. Rrugën, nga Tirana në Kalivaç, djaloshi 16 vjeçar Qemal Demiri, e bëri herë në këmbë e herë mbi kamionë të rastësishëm. Për këtë, Atij iu desh të rrugëtonte disa ditë me radhë. Në Hysodosaj e në tërë fshatin, sidomos në mëhallët e “ Pusit”, njoftimi për mbërritjen në shtëpi të Qemalit, u përhap si vetëtimë.
Ia vlen të përfytyrohet takimi i Qemalit me njerëzit e zemrës, ku kryefjalë ishte takimi me Nënë Shefikon e malluar. Për fat të keq, aso kohe, nuk ishin këto mjete që fiksojnë evente të tillë dhe të shkruarit e tyre ishte vetëm një luks. Megjithatë, kujtesa njerëzore, edhe pse ka caqet dhe kufizimet që njihen, disa çaste i ka fiksuar. Takimi me nënën është i papërshkrueshëm. Një penë e zakonshme nuk e ka aspak të lehtë riprodhimin e ndjenjave të të dy protagonisteve. Të dy ishin shumë të malluar, për njëri-tjetrin. Koha e gjatë, katër vite radhazi pa e parë njëri-tjetrin, kishte formuar një humnerë të thellë malli, tek Nënë Shefikua, e cila e kishte Qemalin, “bukën e parë” dhe shpresën e saj. Por dhe në polin tjetër të binomit, tek adoleshenti Qemal Demiri, ishte grumbulluar një mall i pashprehur, i cili vetëm mund të shpërthente, kur ti vinte koha. E kishte pikur malli djaloshin për të tijët e në veçanti për nënën që i bëri kokën. Ai nuk e pati fatin të rritej nën kujdesin e saj dhe i kishte munguar prej vitesh dashuria e vëllezërve : Aliut; Kadriut dhe Refatit të vogël. Në shkollë e në konvikt, Qemali ishte njohur e kish zënë miqësi me mjaft bashkëmoshatarë, por dashuria për të tijët, për ata që ishin të të njëjtit gen, ishte tjetërsoj. Le të ndalemi tek dashuria e Nënës, në atë takim me të birin pas 4 vitesh dhe ta lemë në kujtesën e tij të largët, atë që përjetoi Qemali, në ata çaste:
Nënë Shefikua e përqafoi të birin, e “ mbyti “, me të puthura e nuk e ndante dot nga vetja. Pas një çasti, ajo e largoi të birin, në një farë distance dhe e vështronte, sa me habi, aq dhe me një lloj krenarie të ligjëshme e me dashamirësi. Nuk mund tja ndante sytë të birit; e vështronte, me kurreshtje e kënaqësi, sa shumë ishte rritur e kishte ndryshuar, jo vetëm në pamjen e jashtme, por dhe disa “ huqe”, të tij, me të cilët u njoh me vonë. Me merakun e nënës për të birin, ajo, me ngutësi i poqi atij disa tiganë me petulla, të çastit, me vaj ulliri , nga ullinjtë e arishtës, që ndodhej në anën Perëndimore të konakut dykatësh të Demir Seitit. Pastaj zuri një goxha zog, fushe, të cilin e theri e ia gatoi djalit, me rosnica. Nuk e kishte harruar nëna e kujdesshme, shijën e të birit. Ajo e dinte se Qemali i pëlqente shumë rosnicat. Pastaj , për ta ngopur e kënaqur të birin që vinte nga udhë e gjatë, i bëri atij disa “topa “ me paluze, të cilën nuk e ëmbëlsoi me sheqer, por me mjaltë, të cilin e kishte mblojtur, siç dinë ta bëjnë këtë nënat kalivaçase. Disa nga shprehjet e saj në çastin e takimit me të birin ishin: “ Po sa më qënke rritur, të marrça të keqen nëna”! ;” Po ti qënke bërë goxha djalë; i gjatë, i pashëm e me “ kripë”! “ Po si ma ke kaluar, mor bir? A të mori malli për ne të shtëpisë dhe për fshatin”? etj. etj.
Akoma pa u takuar e pa u shmallur me të shtëpisë, pa u përshëndetur me vëllezërit, shtëpia e xha Demirit u mbush, me kushërinj e me gjitonë. Të gjithë i kishte marre malli për djalin e mbarë të kësaj shtëpie dhe mezi prisnin ta takonin. Kjo nuk e pengoi gege Shefikon të bënte ritin e saj të mirseardhjes. Ajo vazhdonte punën për të kënaqur të birin, me gatime nga ato që i pëlqenin Qemalit, dhe me pyetje e ledhatine. Një gëzim i paparë e mbushi shtëpinë dhe mëhallën, banorët e të cilës ishin dashamirë ndaj familjes të Demir Seitit. Njerëzit që erdhën për vizitë në shtëpinë e xha Demirit,ishin jo vetëm të malluar për djalin e tyre, por ishin dhe kuriozë të vështronin ndryshimin e këtij njheriu që iku nga fshati 6 vjeç e po kthehej 15 vjeç dhe i shkolluar.
Ishte viti 1942, kur Shqipëria lëngonte nën pushtimin fashist italian dhe në Kalivaç, veç dëshirës së zjarrtë të banorëve për t’u shkolluar, nuk egzistonte asnjë lloj institucioni arsimor. Ideja për hapjen e një shkolle fillore, në Kalivaç ishte e lashtë; madje në mesin e viteve ‘3o të shekullit të shkuar, kalivaçasit,me vullnet të lirë kishin mbledhur fondet e nevojshme dhe kishte nisur puna për ngritjen e godinës së shkollës, punë e cila zgjati deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Deri atëherë, disa djem, nga familje të kamura, ose që kishin lidhje miqësore me fshatarë nga Krahësi, Fratari, Çorrushi etj, kishin kryer disa klasë të shkollës fillore dhe bënin dallim nga moshatarët e tyre. Mirëpo Qemal Demiri ishte tjetër; Ai kishte kryer shkollë të mesme dhe në Tiranë. Në sytë e kalivaçasve, ky fakt ishte me shumë vlerë. Nga ky këndvështrim u nis dhe sektori i arsimit në rreth, kur e caktoi Qemal Demirin të çelte, i pari shkollën fillore, në fshatin Zhulaj të rrethit të Tepelenës, pikërisht në zjarrin e luftës, kur kalendari shënonte vitin 1942.
Me drojen e 16 vjeçarit që shkonte për herë të parë në një fshat tjetër dhe për të drejtuar arsimimin e fëmijëve të një fshati të panjohur, në kushtet e asaj kohe. Në bashkpunim me Këshillin Antifashist të fshatit dhe me mbështetjen e banorëve arsimdashës të tij, Qemali, mori udhën, nëpër monopatet e vështirë, mes staneve dhe kullotave dimërore të trevës dhe mbërriti në Zhulaj. Ishte vendosur të përshtatej si shkollë, një shtëpi përdhese fshati. Siç e kujton vetë Qemali këtë ngjarje pikante në historinë e fshatit Zhulaj; “ shtëpia kishte vetëm një dhomë; pa dysheme, pa tavan, pa banga e pa dërrasë të zezë. Kur u çel shkolla, numëri i nxënësve ishte 12. Të gjithë ishin djem, kokëqethur, zbatharakë e me barkun bosh. U shkëlqenin sytë nga dëshira për të nxënë ( mësuar). Nxënësit uleshin në tokë se banga nuk kish. Nuk kish as dërrasë të zezë ku të shkruanin, por shkronjat që mësonin dhe ndonjë veprim të thjeshtë aritmetik e bënin duke gërvishtur murin përballë me ca copa guri të mprehtë, qëi mblidhnin në rrugë. Nxënësit mbanin në krah ca torba prej rrobe, me një rrip, të cilën e hidhnin në qafë si dhijari torbën ku mban bukën dhe një botile me ujë. Libra, fletore, kalemë e bazë tjetër mësimore, nuk egzistonin; ca fletore ua çova unë…”.
“… përdhesja e përshtatur si shkollë, ishte e shtruar me dhe, e me byk të përzier me bajga lope. Muret, në vend të suvasë ishin të lyer me baltë të bardhë, të pëezier me byk. Përdhesja kishte dy dritare tip frëngjie me hekura nga jashtë dhe me ca kapakë prej dhoge, për ti mbyllur. Në vatër ku ishte një saç, një palë këmbje dhe një çengel tek i cili varej një kusi sterrrë e zezë. Buharija që mblidhte tymin, përfundonte me një oxhak të mbuluar me dy pllaka te vendosura si kulm. Trarët dhe qeresteja tjetër e çatisë ishin të nxira nga bloza. Çatia e veshur me petavra, mbulohej nga ppllaka të zeza prej guri, të cilat ishin më të lehta nga ato që mbulonin çatitë e shtëpive në Kalivaç…” Qemali nuk e mban mend në pronësi të kujt ishte shtëpia e përshtatur si shkollë, por kujton se, pas çeljes së shkollës, disa ditë më pas ua la stafetën të tjerë mësuesve e u kthye në fshatin e tij, në Kalivaç të Tepelenës.
Pushtimi fashist i vendit, me rrjedhojat që njihen preku sedrën e kalivaçasve të varfër për rrjedhojë dhe të të shkolluarit Qemal Demiri. Ishin vitet kur mes të rinjve që urrenin pushtimin e huaj, zjente kazani i rrevoltës dhe dëshira për ta shporrur pushtuesin nga trojet e të parëve. Idetë e Luftës Nacionalçlirimtare kishin pushtuar mendjet e të rinjve të trevës. Të parët që i bënë të tyret këto ide ishin të rinjtë në moshë, të cilët, vërtet ishin të pashkolluar, por kishin ndjerë, në forma të ndryshme, kufizimet dhe shfrytëzimin e paskrupullt të të huajve. Në zonë vepronin atdhetarë të zjarrtë, luftëtarë të regjur , të cilët kishin marrë pjesë në disa luftëra për mbrojtjen e trojeve tona nga synimet grabitqare të gjitonëve. Sulo Beqir Sulaj; Kanan Mazja nga Shkoza; Kalo Brahimi, nga Krahësi; Fejzo Ismaili, nga Dhëmblani etj, ishin disa syresh . Qarkori i Partisë Komuniste për Gjirokastrën delegoi militanten Parashqevi Shehu për të gjallëruar lëvizjen, etj. etj. Këta, ishin përçues të ideve të Luftës Nacionalçlirimtare, në radhët e të rinjve. Në Kalivaç, ishin të gatshëm për të rrëmbyer armët, të rinjtë: Qemal Demiri, nga Alidervishajt; Jaçe Sadiku, nga Azizajt; Hamit Ziflo, nga Pashajt; Bajram Mehmeti e Sinan Hasani, nga Ramajt; Muharrem Hasani; Sami Musai e Qamil Pasho, nga Nelajt; Qamil Sulo e Sheme Agaj, nga Beqirajt; Haki Shaho, nga Hasanimerajt Teki Sherif Zenelaj ( Muçoimaj); Mehmet Azis Kalemaj, etj. etj. Këta u përfshinë në një lëvizje me frymë atdhetarie, e cila u rrit, dita –ditës si orteku i dëborës. Këta dhe miqtë e shokët e tyre u bënë promotorë të përhapjes të ideve të luftës çlirimtare dhe shtrat mbi të cilin u formua Batalioni Partizan “ Baba Abaz”.
Qemali dhe shokët e tij të idealit, nën drejtimin e më të moshuarve , krahas propagandës pro luftës çlirimtare, bënin dhe një farë përgatitje të thjeshtë luftarake, aq sa ishin mundësitë, për mësimin e përdorinit të armëve, ndonjë veprim taktik partizan etj. përgatitje, që të ishin të gatshëm, për ndonjë rast të domosdoshëm.
10 gushti i vitit 1943, shënoi pikën e vlimit të kazanit që ziente. Në Donije të Kalivaçit, buzë lumit të Vjosës, nën hijen e rrepeve shekullorë, pranë burimeve të akullt, u formua Batalioni Partizan “ Baba Abaz”, mbi bazën e vullnetarizmit të rinisë kalivaçase, e cila dëshironte ta shporrte pushtuesin fashist italian, me forcën e armëve e të çlironte vendin. Në këtë mbledhje themeluese, morën pjesë drejtues të luftës partizane të zonës së Parë operative, të rrethit të Tepelenës e më gjerë. Pjesëmarrja e Hysni Kapos; Adil Çarçanit; Mustafa Asllanit; Haki Toskës; Abaz Shehut; Fejzo Ismailit, Baba Fejzos, Parashqevi Shehut etj. e ndezi atmosferën luftarake. 52 vullnetarë, nga Kalivaçi, u rrjeshtuan vullnetarisht në Batalion, që në ditën e parë. Më vonë, dita –ditës, ata u shtuan dhe vetëm nga luftëtarët e këtij batalioni partizan, dolën tre Heronj te Popullit. Mjaft të tjerë u rrjeshtuan, në formacione të tjerë partizanë. Në ditën e inaugurimit të batalionit, i pari u ngrit e shkroi emrin atdhetari Qamil Sulo, nga Beqirajt, por, në vend të tij e vijoi veprimtarinë luftarake në brigatën partizane, i vëllai, Shameti,i cili dhe u plagos, e mbeti invalid lufte. Pas tij u ngrit Ali Demiri, vëllai i madh i Qemalit, por Demir Seiti, si “ Trau kryesor” i asaj shtëpie, dërgoi në mal, partizan, Qemalin, djalin e dytë i cili ishte i prirë për shkollë dhe Alinë e mbajti në shtëpi, për të punuar arat e për të mbarështuar bagëtitë. Kështu, Qemal Demiri, u inkuadrua, në mënyrë legale në batalionin partizan “Baba Abaz”, i cili u rrjeshtua në Brigatën e 6-të Sulmuese.
Qemal Demiri, para se të formohej batalioni partizan, në Donije,kishte qenë njëri nga kontributorët dhe agjitatorët kryesore të lëvizjes antifashiste në fshat dhe puna e tij me të rinjtë, për propagandimin e ideve të Luftës Nacionalçlirimtare, ishte e ndieshme dhe ngjste atje ku shkelte kemba e tij. Ai, me punën e tij të palodhur deri me individë të veçantë ( kokë më kokë e gju më gju), kishte spjeguar përse duhej ngritur në luftë dhe u kishte dhënë shpirt, çetave territoriale që vepronin në Kalivaç e në të gjithë zonën. Situatat u zhvilluan drejt progresit dhe Qemali nuk mund të qëndronte më, siç ishte, gjysmë ilegal. Rruga e malit u çmua si më e përshtatshmja për atë kohë, ndaj ai u nis në atë udhë lavdie. Qemali, në fakt ishte partizan, që nga pranvera e vitit 1943, së bashku me Jaçe Sadikun e Muharrem Hasanin, nën drejtimin e Sulo Beqirit, i cili ishte më i madh në moshë e me më tepër përvojë lufte, por, kur u formua Batalioni Partizan, Ai u bë efektiv i tij, që në ditën e parë.
Pushka partizane e adoleshentit Qemal Demiri u dëgjua, fort; në Mesaplik; në Luginën e Vjosës; në Zagori, në Shqipërinë e mesme; në Malësinë e Madhe , dhe përtej kufirit shtetëror, deri në Sanxhak të Jugosllavisë. Ndër luftimet më të ashpra që kujton Qemali, kanë qenë ato në Dukaj të Tepelenës; në Ysoverdh ( Mavrovë); në Labinot, në Malsinë e Madhe; në Vishegrad etj. Së bashku me partizanët e tjerë të brigatës ku bënte pjesë, gjatë luftimeve në Bosnjë Qemali përjetoi epideminë e morrit të kuq dhe mungesën sistematike të ushqimeve. Ai ishte i pranishëm, atë ditë kur u ndez lufta me forcat gjermano –balliste, në Ysoverdh, ku, në një aksion luftarak, mbeti i vrarë skuadërkomandanti- Muharrem Hasan Nelaj, baba i pesë fëmijëve dhe njëri nga djemtë e Azbi Bako Çelaj- Hamiti, me një dorë. Në luftë, partizani Qemal Demiri, shpalosi vlerat e vërteta luftarake të rinisë kalivaçase dhe, përveç trimërisë që trashëgoi nga të parët, ai ishte dhe njëri nga më të shkolluarit e fshatit, prandaj e dinte përse luftonte dhe si duhej luftuar.
Kur u çlirua Shqipëria, më 29 nëntor të vitit 1944, Brigata e 6-të luftonte, në territoret e Jugosllavisë. Pas rënjes të fashizmit, në kohën kur ushtrisë tonë të dalë nga lufta partizane, fitimtare, në krahun e aleatëve të mëdhenj, i duheshin kualitete të rinj, për të drejtuar përgatitjen luftarake të Ushtrisë Popullore sipas Artit ushtarak Stalinian, i cili rezultoi fitues mbi doktrinën hitleriane. Disa djem të zgjedhur, mes të cilëve dhe Qemal Demiri, në mesin e vitit 1945, u grumbulluan, në një qendër ushtarake, në Zemun, pranë Beogradit, në pritje për t’u nisur për studime ushtarake në shkollat sovjetike, në qytete të ndryshëm të Bashkimit Sovjetik. Në Zemun, ish partizanët shqiptarë qëndruan 2 muaj, me pretekstin se do të formuloheshin dokumenntet e nevojshm e për vijimin e studimeve. Krerët ushtarakë Jugosllavë, të grupuarit nisën ti trajtonin keq, sa i përket të ushqyerit. Përballë një situate të rënduar, kur rrugët e tjera ishin konsumuar, ishpartizanët shqiptarë u futën në një grevë urie. Lajmi mbërriti shpejt në Tiranë dhe, për të qetësuar situatën, nxitoi për në Beograd, Koçi Xoxe, në atë kohë Ministër i Brendshëm i Shqipërisë. Ai ishte i afërt me Jugosllavinë e Titos dhe ishte në akord me planet Jugosllave për aneksimin e vendit tonë.
I dërguari i posaçëm, Koçi Xoxe, figura e dytë politike e vendit tonë, u takua me kandidaturat për oficerë dhe qendroi 1 orë mes tyre. Ndërkohë që përgatitej ardhja e tij, komanda vendase, kishte marrë disa masa për përmirësimin e dietës të ishpartizanëve shqiptarë. Ata nisën të trajtoheshin me bërxolla derri dhe pinin birrë. Siç kujton Qemali, një fuçi me birrë ishte vendosur në fund të fjetinës. Mes të tjerash, Koçi Xoxe, me një vetësiguri të tepruar, e cila ishte krejt e lexueshme, u drejtua kandidatëve për kursantë, me fjalët: ” … Po tani që hani bërxolla e pini birrë, a ju pëlqen Jugosllavia? Ne edhe mund tju kthejmë andej nga keni ardhur, por na duhen kuadro ushtarakë…”. Këto fjalë, jo vetëm që nuk i qetësuan djemtë, por shtuan padurimin e tyre, për t’u nisur sa më parë. Mërzitia dhe padurimi e kishin bërë të vështirë jetesën në atë vendgrumbullim luftëtarësh të sprovuar.
Pas largimit të Koçi Xoxes, Qemali dhe ishpartizanët e tjerë, në përbërje të një grupi prej 90 adoleshentësh, u nisën, me autobusë, nga Zemuni, në drejtim të Tumanisë. Fillimisht mbërritën në qytetin e Jasit e më tej në Kiev, ku u ngjitën në tren dhe rrugëtuan me linjë hekurudhore, deri në Moskë. Në metropolin sovjetik, i cili ishte ëndërr për të gjithë shqiptarët e asaj kohe, kandidatët për kursantë, panë e u kënaqën me madhështinë e qytetit, vizituan Mauzoleun e Leninit, shëtitën nëpër Sheshin e Kuq dhe në rrugët e kryeqytetit, panë lumin Moska dhe u njohën me mjaft objekte që dëshmonin krenarinë dhe lavdinë e Ushtrisë të Kuqe, nën udhëheqjen e Stalinit. Djemtë ishin të veshur me uniformë të ndryshme, siç ishin në mal, me grada por pa armatim personal.
Në Moskë, djemtë nga vendi ynë qëndruan plot një javë. Gjatë asaj jave, ata panë e vizituan mjaft vende dhe objekte të bukur, si dhe mësuan ndarjen sipas specialitetit. Grupi i djemve, që do të përgatiteshin për oficerë këmbësorie, pas një jave qëndrimi në Metropolin Sovjetik, u nisën, me tren, për në qytetin e Saratovit, mbi Vollgë, ku ndodhej shkolla që përgatiste oficerë këmbësorie. Në shkollën e oficerëve, ata u kompletuan me uniformën tradicionale të kursantit sovjetik, u njohën me shkollën e me qytetin e bukur dhe me programin mësimor. Pas gati një jave, ata nisën përgatitjen mesimore, në klasë e në terren. Fillimisht e nisën me mësimin e Gjuhës Ruse dhe në disa lëndë bazë, sidomos nisën të bënin përgatitje rrjeshtore dhe përgatitje fizike, të cilat ishin të domosdoshme në atë situatë.
Qyteti i Saratovit dhe rajoni ku ishte e dislokuar shkolla e oficerëve, shtrihet në zonën e ftohtë, ku dimri, nis më shpejt e tërhiqet më vonë. Kursantët tanë vinin nga një vend mesdhetar, ku edhe në dimër, temperaturat e ajrit rrallë janë nën zero. Që në të ftohtin e parë, djemtë nga Shqipëria, perjetuan një ndryshim të paparë; u enjtën duart dhe këmbët, u “ ra” fytyra dhe qarkullonin me vështirësi, në rrugët e Saratovit. Komanda e shkollës, duke parë situatën, mbasi e pleqëruan gjënë dhe me tanët, vendosën ti transferojnë ata në një shkollë analoge, në Jug të Bashkimit Sovjetik, në qytetin e Semferopolit, i cili i përket rajonit të Kaukazit të Veriut dhe konkretisht gatishullit të Krimesë, ku dimri është më i butë, krahasuar me rajonet e Rusisë Qendrore dhe Lindore. Për fat të keq, ato ditë, mbi bazën e një riorganizimi të ri, shkolla që përgatiste oficerë këmbësorie, në Simferopol ishte suprimuar dhe gjithëçka lidhej me mësimdhënien ishte përqëndruar në shkollën simotër të Odesës. Kursantët shqiptarë, pa u prezantuar në shkollën e Simferopolit, u çvendosën në qytetin port , shumë të bukur të Odesës, në shkollën e oficerëve të këmbësorisë, e cila mbante emrin e legjendarit Klement Voroshillov. Në atë kohë , në qytetin e Odesës, funksiononin tri shkolla oficerësh. Njëra përgatiste kuadro këmbësorie; e dyta përgatiste oficerë artilierë dhe e treta përgatiste oficerë aviacioni. Qemali dhe shokët e tij të grupit, mes të cilëve: Gjysho Muka; Myslym Keta; Tefik Ruçi; Malo Hashorva; Dilaver Raxhi etj. nisën mësimet në shkollën e oficerëve të këmbësorisë. Shkolla e këmbësorisë që mbante emrin e Voroshillovit, ishte nga shkollat më të mira ku përgatitedshin oficerë këmbësorë. Ajo ishte e pajisur me çdo gjë që nevojitej për të mësuar Artin Ushtarak Stalinian, në të gjithë llojet e luftimit.
Kabinetet mësimorë, laboratorët, biblioteka dhe gjithë baza tjetër materiale, ishin bashkëkohore dhe cilësore. Palestra dhe qyteti metodik i përgatitjes fizike, poligonet e qitjes dhe çdo stërvitje , atje funksiononte në harmoni të plotë. Pedagogët e lëndëve teorike, bazike , si matematika, fizika, kimia, astronomia etj. ishin në nivelin e një shkencëtari të vërtetë. Ata ishin metodistë të ssprovuar dhe me aftësi pedagogjike të spikatur për të transmetuar tek kursantët , në mënyrë sa nmë të qartë e të detajuar çdo mësim. Disa nga shokët e grupit ku bënte pjesë Qemali, ishin fare të pashkolluar. Ato mësime të kufizuar që ata kishin marrë në mal, në kushtet e luftës partizane , ishin të mjaftueshëm vetëm sa për të vënë nënshkrimin në bordero. Për Qemal Demirin, mësimet , të cilët , për disa nga shokët e grupit ishin mjaft të vështirë,ishin një përsëritje e thjeshtë e atyre që Ai kishte marrë në shkollën teknike të Tiranës. Kjo i dha mundësi djalit të zgjuar nga Kalivaçi të thellohej në drejtime të tjerë të shkencës, ushtarake dhe të kulturës së përgjithshme. Kësisoj Qemali , në atë shkollë gjeti terren të përshtatshëm për të bërë realitet ëndrreën e tij të hershme, për t’u thelluar , në teoritë që spjegonin jetën.
Si fillestarë, djemtë nga vendi ynë e nisën me mësimin e Gjuhës Ruse, e cila, për hir të së vërtetës është disi e veçantë dhe e vështirë, në veçanti gramatika e saj. Qemali nuk ia kishte idenë e kësaj gjuhe, mbasi në vendin tonë, aso kohe, ishte në modë Gjuha Italiane, të cilën Ai e zotëronte , si me të folur dhe me të shkrojtur. Mësimin e gjuhës e bëri më të lehtë, pedagogu rus, i cili ishte me nivel të lartë, me edukatë e me kulturë dhe zotëronte metodë të përparuar mësimdhënie. Shoqërimi me vendas, pas orarit të detyrueshëm të qëndrimit në shkollë dhe komunikimi me ta në rusisht, pse jo dhe ndonjë “roman” që lindi mes djemve të drojtur por të zjarrtë nga vendi ynë dhe vajzave simpatike , të sjellshme e tërë kulturë ruse e bënë më të kapshme gjuhën e huaj. Qemali, si tip studioz dhe i edukuar, i kushtonte vemendjen e duhur kësaj lënde dhe e përvetësoi më shpejt Gjuhën Ruse. Torturuese ishin orët e mësimit të rrjeshtores.
Në jetën partizane e në tërësi, në ecjen e rëndomtë të shqiptarëve harmonia e lëvizjeve nuk ishte e pranishme. Ushtarakët sovjetikë, të çdo moshe e në çdo periudhë kohore, e kishin vënë mbi baza të shëndosha dhe shkencore, ecjen rrjeshtore. Djemtë tanë, pavarësisht se disiplina partizane ishte e rreptë, ecja rrjeshtore mungonte dhe lëvizjet kaotike ishin sunduese. Derisa u bë shprehi të lëvizurit me hap rrjeshtor,duke zbatuar gjithë elementët e nevojshëm, kursantët shqiptarë vuajtën mjaft. Përgatitja rrjeshtore, lëvizja kudo me rrjesht e me haprrjeshtor, nga zgjimi, deri në shëtitjen e mbremjes, vërtet krijonin një farë bezdije, tek kursantët, por ishte e domosdoshme të kryhej dhe në këtë drejtim, instruktorët sovjetikë nuk të falnin. Si përgatitja rrjeshtore dhe ajo fizike, ishin në shërbim të njëra-tjetrës dhe çmoheshin si komponentë me potencë të përgatitjes individuale. Instruktori i përgatitjes fizike, ishte një atlet i vërtetë, i shkathët e me trup të formuar mirë. Ai, në çdo rast udhëhiqte me shëmbullin vetjak.
Pedagogët dhe instruktorët ishin të kombësive të ndryshme, por i bashkonte niveli i lartë i mësimdhënies dhe sjellja mjaft korrekte me kursantët. Disa nga pedagogët ishin: Drozdov; Poljakov; Shishkin; etj. Komandanti i shkollës, mbante gradën e gjeneralmajorit. Të gjithë pedagogët ishin të përzgjedhur e të përkushtuar. Katër vite përcolli Qemal Demiri në qytetin port të Odesës, i cili , ishte kthyer në një kantier të vërtetë ndërtimi, për të likujduar pasojat shkatërrimtare të luftës që sapo kishte përfunduar. Odesa , si qytet port dhe nyje e rëndësishme në Detin e Zi, u godit ashpër e u shkatërrua mjaft gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, akset kryesorë të qytetit dhe disa objekte muzeale e social –kulturore me rëndësi , me shumë vështirësi i kishin shpëtuar shakatërrimit. Këto dhe disa veprimtari kulturore-sportive që u zhvilluan gjatë kohës, i ndihmuan djemtë tanë që vinin nga një vend relativisht i prapambetur, të përthithnin kulturë, edukatë qytetare dhe një zhvillim më të madh shoqëror.
Në përfundim të programit mësimor katër vjeçar, mbasi dhanë dhe provimet pëefundimtare e u diplomuan oficerë këmbësorie, oficerët e rinj nga Shqipëria, u nisën , në rrugë ujore, nga Odesa, për në Durrës, me anijen sovjetike të mallrave “ Igniz”, e cila sillte në vendin tonë traktorë dhe makineri të tjera. Në anijen në fjalë, u sistemuan , në ambarët e saj , 80 kuadro të sapodiplomuar. Ata nuk u lejuan të dilnin mbi kuvertën e anijes gjatë gjithë lundrimit ( 4 ditor), me justifikimin se mos i pikasnin grekët, me të cilët, në atë kohë ishim “në thikë e në pikë”. Lundrimi në ambarët e anijes ishte tepër i vështirë , por oficerët e rinj , ishin të kalitur mjaftueshëm për ta përballuar këtë situatë të padëshiruar.
Akoma pa u paraqitur në Ministrinë e Luftës ( kështu quhej në atë kohë Ministria e Mbrojtjes), oficerëve të rinj këmbësorë u ishte përcaktuar funksioni dhe vendi i punës. Në atë kohë riorganizimi, ushtria e dalë nga lufta kishte “ uri” për kuadro drejtues. Qemal Demiri ishte caktuar të punonte në Drejtorinë Politike të Ushtrisë , pranë njërit nga udhëheqësit kryesor; – Hysni Kapos. Ia nisi punës, Qemali , me ndërgjegjen e partizanit dhe me përkushtim të lartë; mirëpo akoma pa u përshtatur me natyrën e punës, atij i duhej të merrte sërisht rrugën, andej nga erdhi, për në Moskë, kësak here në Akademinë “ Frunze” , për të mësuar Artin Stalinian të drejtimit luftarak. Ushtria po modernizohej e po zgjerohej me elementë të rinj, të cilët duheshin kompaktësuar e drejtuar , shkencërisht.
Ndryshe nga vajtja e parë , në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1945, vajtja 6 vite më pas , ishte e një natyre tjetër. Qemali u nis , në një mëngjes të bukur , me një aeroplan ushtarak transporti të tipit Li-2, nga aerodromi i Tiranës ( Laprakë) dhe pas një ndalesë për t’u furnizuzar në qytetin e Lvovit , aeroplani mbërriti, në Moskë, në aerodromin “ Sheremetjevo”. Tashmë Qemali, mund të thuhet se ishte familjarizuar me kryeqytetin sovjetik dhe shkonte për të studiuar Artin Usahtarak të drejtimit luftarak të trupave në një institucion serioz, siç ishte Akademia “ Frunze”. Edhe vetë Ai, tashmë ishte më i rritur e më i pjekur dhe me më shumë horizont ushtarak. Do të specializohej pë oficer drejtimi të trupave, në luftë. Shokë grupi kishte : Bim Pajovën; Malo Hashorvën; Tefik Ruçin etj. Në Akademi, Qemali erdhi , mbasi kishte punuar, pak kohë në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake të Shtatmdhorisë ( Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë).
Leksionet dhe seminaret, Qemal Demiri i ndiqte me shumë interes, për të mësuar dhe ishte mjaft aktiv, në seminaret që bënin bilançin e dijeve të dëgjuesve. Me një bagazh më të madh njohurish, Qemal Demiri dhe kolegët e tij, pas një viti në Akademi , u kthyen në Atdhe e u emëruan në detyra të rëndësishme. Në vitet 1952 – 1971 Qemali kreu detyrën e oficerit të drejtimit, në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake, të Ministrisë të Mbrojtjes, në Tiranë. Mendoj se do të ishte e tepërt të ndaleshim, për të sqaruar shkaqet e qëndrimit të tij, kaq gjatë në të njëjtën detyrë. E thënë në tërësi, shkaqet mund të përmblidhen duke e vënë theksin tek kompetenca, horizonti dhe përkushtimi i lartë në detyrë. Këtyre vlerave u shtohej dhe fjala e ëmbël , dashamirësia dhe korrektesa , si tipare vetjake të tij që buronin nga geni, nga jeta në mal dhe nga shkolla që kreu. Qemali eshte tip studioz dhe nuk ngdeli në vend, ai thithte vazhdimisht të rejat botërore që lidheshin me artin e drejtimit luftarak të trupave dhe me koncepte të rinj , pasuronte elementët e drejtimit në sektorin ku shërbente.
Në vitin 1953, kur sapo kish mbushur 27 vjeç, Qemal Demiri hodhi një hap të rëncdësishëm në jetë- lidhi martesë me gjirokastriten Dritë Spahiu, e cila e kishte origjimën nga trungu fisnik i Spahinjve të Palortosë. Drita, një grua e zonja, e mençur dhe e pjekur, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtare e “ Debatikut”, me tipare burrërore e me gojën “ shpatë” iu bë Qemalit, jo vetëm një bashkëshorte e denjë por dhe një shoqe e rrallë, me të cilën Ai ndau ditë të mira e të vështira. Nga martesa e tyre erdhën në jetë dy djem; Ylli, në vitin 1954 dhe Sajmiri; në vitin 1956. Nëse do të kërkonim një familje model, ku sundonte besimi i ndërsjelltë dhe mirëkuptimi, pa hezitim mund të merrnim atë të Dritë e Qemal Demirit. Dy bashkëshortët u lidhën e u integruan tek njëri-tjetri sikur të ishin të lindur nga e njëjta nënë. Familja e tyre ngjante me një çerdhe, ku çdonjëri dinte dhe zinte pozicionin që i përkiste, por, në harmoni të plotë i shërbenin së tërës, duke plotsuar shoqi-shoqin. Është meritë e të dyve, burrë e brua, por, në mënyrë të veçantë Drita ndikoi mjaft pozitivisht për të rritur dhe edukuar dy djem, që nuk janë djem por “yje”, njëri më i mirë se tjetri.
Në këtë shkrim, sido që është, më duhet të ndalem pak, për të sqaruar një dukuri jo pa vlerë. Në tërësi, djemtë dhe vajzat nga Kalivaçi i Tepelenës, kur, për shkaqe të ndryshëm, vetjakë apo shtetërorë, u është dashur të largohen nga fshati, përkohësisht apo për një kohë të gjatë, madje dhe përgjithmonë, në forma të ndryshme i kanë mbajtur lidhjet me fshatin dhe me njerëzit e tyre. Ka të tjerë, të cilët për fatin e mirë të fshatit dhe të fshatarëve, kur kanë ikur nga Kalivaçi, kanë “ hedhur një gur pas”. Aq e vërtetë është kjo sa jam kalivaças, në moshën e tretë, por dy bashkëfshatarë, nuk i kam parë prej vitit 1948, kur u larguan nga fshati dhe nuk i njoh, edhe po ti ndesh në rrugë. Lidhjet me fshatin, ikanakët i kanë mbajtur në disa forma. Disa, kanë shkuar herë pas – here tek prindërit apo tek të afërmit dhe kanë qëndruar “ të mbyllur”, në shtëpi , pa u dukur në fshat, sikur të jenë ilegalë. Të tjerë, kur kanë shkuar në Kalivaç, u kanë bërë vizitë të shkurtër gjithë bashkëfshatarëve e janë ulur shesh-besh, mes tyre. Ka dhe një kategori tjetër, të cilët kanë shkuar në fshat vetëm në raste pikante ( për dasma ose për mort). Qemal Demiri, edhe pse ka banuar e banon prej vitesh, larg fshatit, në Tiranë, nuk i ka prerë lidhjet me Kalivaçin. Ai është ndodhur në raste fatkeqësish, kur janë ndarë nga jeta prindërit dhe vëllai i madh, si dhe në raste të tjerë, por nuk u ka bërë popullaritet vajtjeve të tij. Kur u nda nga jeta vëllai i madh i tij, Aliu dhe e ëma, Ai vajti në Kalivaç, së bashku me Dritëm dhe me të dy djemtë.
Për meritë të tij por dhe për vlerat e larta morale të bashkëshortes së tij , zonjës Drita, shtëpia e Qemal Demirit, në Lagjen Nr.8, në Tiranë, në kohën kur Qemali ishte oficer dhe në fshat banonte nëna e tij, Shefikua ishte kthyer në hotel e restorant. Veç ti vështroje kur i vinin kalivaçasit, tek e tek dhe në tufë e” zbarkonin” në shtëpinë e Dritës dhe të Qemalit. Dikush vinte për t’u vizituar tek mjekë kompetentë dhe donte shoqëruar edhe në ambulancë; një tjetër vinte për të parë fëmijët në shkollë apo në ushtri. Kishte dhe nga ata që vinin për t’u ankuar për padrejtësitë që i ishin bërë nga pushteti lokal etj. Nëna e Qemalit, Shefikua me halle, si grua e zonja, me dy djem në “ bukën e qeverisë” në Tiranë, për të reklamuar veten e për të dëftuar rëndësinë që kishte familja e saj, i adresonte bashkëfshatarët tek Qemali, se kishte Dritën atje dhe ishte e sigurtë në mikpritjen e saj bujare dhe Qemalin gjakftohtë e kompetent, i cili, u jepte udhë punëve të njerëzve. A nuk kemi të bëjmë edhe në këtë rast me lidhje me fshatin e lindjes? Unë them : po.
Një shaka me të vërteta brenda.
Në fundvitin 1959, me një ekip të përbërë nga të deleguar të Komitetit Qendror të Partisë, nga Ministria e Bujqësisë dhe nga disa dikastere të rrethit, u bë rishikimi i oborreve kooperativiste. Familja që donte të merrte në përdorim tokë arë, merrte 3 dynymë; ajo që donte ullishtë, merrte 500m katrore tokë, me ullinjtë brenda. Në anën Lindore të banesës së Demir Seitit, nën udhë, vegjetonin katër rrënjë bajame, të cilat jepnin prodhim të përvitshëm e të bollshëm. Në anën Perëndimore të banesës ishte një bahçe me ullinj, kaniniotë, të pasur në vaj dhe me detinacion për t’u kripur.
Pas matjes tek Nasipi dhe tek Aliu, komisioni erdhi perpara shtëpisë të xha Demirit. Rek porta, në anë të udhës, i priti gege Shefikua. “ Urdhëroni djentë e nënës, mirse u pruri Zoti! Futuni brenda, po nuk pata për të ngrënë, do tu nxjerr nga një sapllake me dhallë… tha plaka e zgjuar”. “ Nxitojmë, sze kemi shumë shtëpi, deri tek Gani Muharremi, tha kryetari i komisionit – Jorgo Çoka dhe agronomi i lokalitetit bëri gati metërshiritin. Ktyetari e pyeti të zonjën e shtëpisë: “ Nëne, do të mbash ullishtë apo bajamet..? Pa e bërë të gjat[, gege Shefikua, u përgjigj: “ Ullinjtë, të keqen nëna, se jemi pleq e nuk ngjitemi dot nëpër çatallat e azdisura të bajaneve…” Komisioni e miratoi, menjëherë kërkesën e saj dhe agronomi nisi matjen. Çfarë kishte ngjarë?
Gege Shefikua, ajo plakë pa shkollë , por e zgjuar natyralisht, ua hodhi , nëpunësve me një barrë shkollë. Ajo i kishte vjelë bajamet, në verë e u kishte gjetur vendin, tani, në dimër do të mblidhte dhe ullinjtë, të cilët, atë vit, kishin mbajtur dhe në trungun e pemës. Kështu, gege Shefikua, në verë mblidhte bajamet e në dimër vilte ullinjtë. I mblidhte prodhimet e të dy pemëve.
Është i njohur fakti i ngushtësisë të fshatarëve tanë për t’u veshur. Në veçanti gjatë kohës për të cilën bëhet fjalë. Xha Demiri dhe Aliu, njerëzit më të afërt të Qemalit që banonin në Kalivaç nuk bënin përjashtim nga të tjerët. Oficerët, në ato kohë trajtoheshin me shumë kujdes e privilegj me veshje ushtrake dhe me ushqime. Sa herë merrte uniformë të re, Qemali, ato që kish shfrytëzuar, ua dërgonte ti vishnin : Baba Demiri dhe vëlla Aliu. Ja dhe një lidhje tjetër, jo pa vlerë. Edhe vetëm një interesim apo një shprehje gëzimi për arritjet e fshatit, lidhje më duket se është.
Më duhet ta theksoj fort rolin që ka luajtur veteranja e Luftës Nacionalçlirimtare, “ Debatikasja”, Drita Spahiu, në mbarëvajtjen e asaj familje. E kam njohur personalisht dhe ruaj kujtime të pashlyera për atë grua, e cila i priste njerëzit e i përcillte ata me buzagas e u falte shumë mirësi. Ajo ngjante sikur të ishte lerë e të ishte rritur në Kalivaç; sikur të kishte mbushur ujë në burimet e Donijes dhe sikur të kishte marrë pjesë në të gjitha proçeset e punës të grave në fshat, si gratë e fshatit. Drita, ishte e zakonit të vendit dhe e traditës. Ajo ishte e aftë ti jepte sejcilit , atë që i takonte. Qemali, në këtë lloj marrëdhënie nuk ia prishte kurrë bashkëshortes së tij të pjekur e me gjykim të shëndoshë. Se fundja, burri, sidomos ushtaraku, është mysafir në shtëpi; gruaja e ka në dorë menaxhimin e familjes. Dhe Drita ishte nga ato gra të rralla që dinte të nderonte veten, burrin, familjen, fisin e më tej. Kujtimi për të bën pjesë në memorjen e historisë të asaj familje dhe të fisit të Qemalit, i njohur për traditën e bukur të bujarisë e mikpritjes. Në shtëpinë e Qemal Demirit, bujtësit e shumtë, falë aftësive dhe tipareve të veçanta të Zonjës Dritë, e cila ishte, siç kishte emrin, gjenin strehë, trajtim dhe ndiheshin ngrohtë, në mjedisin që u krijonte e zonja e shtëpisë. Çifti Dritë dhe Qemal Demiri, ngjanin sikur ishin bërë për njëri-tjetrin; aq mirë kuptoheshin e në harmoni zgjidhnin çdo problem, familjar apo shoqëror.
Nga lidhja mes Dritës dhe Qemalit, çiftit që ishte njëkohësisht, baskëshortor dhe shokësh lindën dy djem, “për kokën e djalit”: Ylli, në vitin 1954 dhe Sajmiri, dy vite më pas. I pari, Ylli, u specializua për aparaturat radiotelevizive dhe u bë, siç ka emrin; Sajku (kështu e thërrasin shokët), u bë pilot e çfarë piloti. Ai fluturoi në aeroplanët gjuajtës mbizanorë të tipit Mig-19 S, në Regjimentin e Rinasit, derisa mbushi moshën për në pension , si pilot. Sajmiri u kultivua e u poq si fluturues dhe njihet si njëri nga aviatorët më cilësorë, i dashur e i shoqërueshëm dhe tepër rezultativ, në aviacionin tonë luftarak. Qetësia, në tokë e në ajër, zgjidhja e çështjeve të fluturimit dhe të papriturave në ajër, me maturi, gjakftohtësi e logjikë të shëndoshë, janë disa tipare karakteristike mbi të cilat u lartësua karriera e tij e pilotit.
Qemal Demiri, si kuadër ushtarak me nivel e aftësi drejtuese të rralla dhe me tiparet e një njeriu të mirë, në vitet 1971-1981 shërbeu në funksionin e lartë të Komandantit të Repartit 1010 ( repart special) në Ministrinë e Mbrojtjes , në Tiranë. Karrierën ushtarake, Ai e përcolli në detyra të rëndësishme drejtuese dhe kudo shkëlqeu. Nga viti 1981, Qemal Demiri gëzon pensionin e pleqërisë. Ai jeton në Tiranë, atje ku ka banuar përherë, me djalin e madh, Yllin dhe me familjen e tij.
Qemali gëzon shëndet të mirë dhe është vital , edhe pse i ka kaluar të 91 vitet e jetës. Në vitet 2000-2010, ai ishte vizitor tek familja e Yllit , në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam i lumtur që atë aset të Kalivaçit, vendin e të cilit nuk mund ta zerë asnjeri, rrethohet nga pinjollë, miq e shoke të shumtë, të cilët e duan dhe e respektojnë. Në historinë e Kalivaçit , të fshatit Zhulaj të Tepelenës dhe në ushtri, kudo ku ka shkelur këmba e tij, Qemal Demiri mbetet nje tribun , me vlera te njohura e të panjohura, i cili i bën nder vendit ku rri. Njerëz të tillë, për vletar qe kanë e për atë që kanë dhënë , renditen në panteonin e nderit e nuk mund te harrohen.
-I uroj jetë të gjatë e pleqëri të bardhë!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton
Në Tiranë, korrik-gusht 2017