(Oi n i o n, n ë f o r m ë n e n j ë r e p o r t a z h i)
Në Kalivaç të Tepelenës, përpara gushtit të vitit 1978, ( kohë kur u përurua ujësjellësi i fshatit ) fukarallëkut të banorëve, paçka se begatia shpirtërore e tyre ishte e dukshme, i shtohej mungesa e ujit të pijshëm. Mirëpo, siç dihet, ujët nuk është i domosdoshëm vetëm për t’u pirë. Amvisat, si më kompetente kësaj çështje, e ndjenin më shumë mungesën e ujit. Nëpër dasma e në gostira, në biseda të lira e të rastësishme janë thurur legjenda e janë thënë, të qëna e të sajuara, për këtë problem. Një gjë ishte e qartë dhe e dukshme: Uji, si domosdoshmëri për një jetë cilësore, në Kalivaç ishte i pamjaftueshëm.Fshati me ujëra “ në fund të këmbëve e nën vete ”, të bollshme dhe cilësore; vuante për ujë. Kalivaçin e lagin ujërat e pastra e të bollshme të Vjosës; burimet e ftohta e me ujë të pasur me kripra minerale të dobishme, të cilat rrjedhin nga shkëmbi e janë të pastra qelibar. Nga të gjitha mëhallët e fshatit tonë të bekuar, vetëm Specova ka qenë e është më e privilegjuara, mbasi e merr në afërsi të banesave ujin akull të ftohtë që buron nga shkëmbi.
Në të gjitha kohët, gratë dhe burrat e mëhallëve: Hysodosaj; Ahmetaj; Beqiraj e Hasanimeraj, të cilat njiheshin si mëhallë të pusit apo mëhallë të fshatit të madh, përfshi dhe familjet e veçuara të Margëlliçit e të ndonjë komunitet tjetër, i paktë në numër, disa me bucela të ngarkuara në kafshë, apo në shpinë, të lidhura me tërkuza, të bëra vetë, të tjera gara e vajza, me kazanë në kokë, të cilët qëndronin mbi një kurorë, të përgtitur në formë artizanale; veç gratë e veç burrat, herët në mëngjes, pa zënë dielli dhenë, ose në mukthit, kur dielli ishte zhdukur poshtë horizontit, merrnin udhën për në Donije; atje ku gjëndeshin burimet e ftohta, me ujë jetëdhënës.
Në Donije, banorët që shkonin për të mbushur ujë, preferonin Burimin e Madh, për shkak të ftohtësisë e të pastërtisë të ujit të tij, si burim, ujët e të cilit rridhte drejtpërdrejt nga shkëmbi që takohet me buzën e ujit të lumit të Vjosës. Ky burim, ndodhej disa metra, ( rreth 30m ) në drejtim të rrjedhës të lumit, dhe ishte thuajse në nivelin e ujit të lumit. Banorët e Hasanbegajve, mëhallë e ngritur mbi shkëmb, në lartësinë e dytë në metra të fshatit, furnizimin me ujë të pijshëm nuk e kishin aq të lehtë. Ata kishin dy alternativa: Ose të ngarkonin enët e të zbrisnin në Gurrë, rrugë e cila është e largët; ose të merrnin udhën për të mbushur ujë në Çesmën e Hasanbegajve, e cila ndodhet në fillimet e Përroit të Zelenicës. Vendasit e kësaj mëhalle preferonin ujët e Gurrës, mbasi ujët e çesmës të Hasanbegajve, nuk ishte aq cilësor dhe më pak i ftohtë, nga ai i Gurrës. Kësisoj banorët e mëhallës të Hasanbegajve të cilët kërkonin të pinin “ ujë të fisëm ”, ishin të shtrënguar të zbrisnin udhën që të çon në Gurrë e pastaj me enët plot u duhej të ngjitnin atë të përpjetë sfilitëse, për të mbërritur në banesat e tyre. Mehmetajt, në Brinjën e Beut ( Ruç ), e kishin zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm me hapjen e një pusi; i cili ndodhet midis shtëpisë të Muharrem Qerimit dhe asaj të Hamza Sheshos. Të dyja familjet e kushërinjve, e kishin gjetur, paqësisht, fjalën për shfrytëzimin e këtij pusi dhe e mirëmbanin atë bashkërisht.
Bozanajt, si njëra nga mëhallët e shtrirë në lartësi dhe larg burimeve të ujit, mbi bazën e kapitalit të fiseve, me kontribute të përbashkëta ndërtuan një pus, i cili, gjatë kohës u shndërrua në një burim uji me përmasa që kalonin fisin, mëhallën, fshatin dhe ndikonte për të gjithë trevën, madje për shumë treva. Malajt ( Hysajt ), si njëri nga fiset më të fuqishëm e më me ndikim në mëhallë e në fshat, me lidhje të fuqishme familjare, e në miqësi me familje të “rënda ”, mbushnin ujë të ftohtë në Pusin e Malet, i cili mbetet burim uji historik e me vlera të shumëfishta. Ai është rëmuar përpara portës të madhe me dy kanata e me sofatë anash, të Barjam Malos ( të lashtit ) dhe pranë shtëpisë përdhese të Zenel Shahinit.
Përpara se në fshatin Kalivaç të Tepelenës të bëhej përurimi i ujësjellësit, në muajin gusht të vitit 1978, kohë kur bashkëfshatarët tanë vuanin për pikën e ujit, qarkullonte një legjendë e cila e ka zanafillën nga kohët që nuk mbahen mend. Kur një kalivaças kërkonte nuse për djalin në fshatra të tjerë, prindërit dhe fisi i vajzës, nuk donte të dinte për djalin, për shtëpinë, për fisin e tij dhe pasjen, por e kishin përgjigjen të gatshme: “Jo – ja ” në kësi rastesh u kishte mbirë në gojë. Justifikimi ishte: “ Nuk e jap kocen në Kalivaç se atje do të më heqë keq, për ujë ”! Dhe ky slogan e kishte të vërtetën të dukshme; uji mungonte në shtëpitë e kalivaçasve. Hapja dhe shtrimi i infrastrukturës së nevojshme për çuarjen e ujit në çdo shtëpi apo grup shtëpish, u krye gjatë vitit 1978, me fonde të shtetit dhe me ndihmesën e kooperativistëve. Nuk mund të harrohet kontributi i rrallë i ingjenierit hidroteknik Halil Zoto Ramaj (ndjesë pastë ) dhe i kalivaçasit Gjonlekë Zenelaj, i cili e do shumë fshatin dhe kërkon ta vështrojë atë sa më bashkëkohor.
Pas çuarjes të ujit në çdo shtëpi, çdo gjë në Kalivaç ndryshoi rrënjësisht, në dobi të fshatarëve. U vërtetua edhe një herë se uji është jetë. Ndryshoi jeta vetë. Tashmë shtëpitë ishin më të pastra; larja e teshave u fut si mënyrë jetese të kulturuar; cilësia e gatimit të ushqimeve u rrit dhe vetë jeta e njerëzve, në veçanti higjiena vetjake e njerëzve evoluoi dukshëm.
Lufta për ujin, në Kalivaç ka qenë e vazhdueshme. Që në kohë të kohës kalivaçasit kanë kërkuar e kanë rëmuar për të nxjerrë ujë, me mënyra e me mjete të asaj kohe kur kjo bëhej. Disa puse, të cilët u gërmuan në kohë të ndryshme e në vende ku mendohej se mund të nxirrej ujë, i kanë shërbyer, një komuniteti të vogël njerëzish, mbi baza fisi. I tillë ishte Pusi i Myftarajve , në Hysodosaj dhe ndonjë pus tjetër. Por pusi i Malet, për të cilin ia vlen të shkruhet, jo vetëm për vlerën që ka si monument kulture por dhe për statusin e tij, si burim uji që u shërbente kalimtarëve të rastit dhe një grupi familjesh të fisit e të mëhallës Bozanaj. Dua ta bëj të qartë për të gjithë, se vlerat e Pusit të Malet, kanë disa veçori, të cilat janë inegzistente tek puset e tjerë. Cilat janë këto veçori të cilat duhen njohur? Them mendimin tim, të cilin e mbështes në fakte konkrete.
Pusi i Malet, i ndërtuar në një lartësi terreni, e cila është e treta lartësi në Kalivaç, ka qenë njëri nga më të vështirët për t’u. Më parë lindi domosdoshmëria e tij, pastaj u bënë përpjekjet e nevojshme për të siguruar fondet dhe mjetet e shpimit. Duke gjykuar mbi bazën e atyre që kam parë me sy, them se Pusi i Malet duhet të ketë patur mjaft vështirësi në gërmim.. Mund të merret me mend fakti se mjetet e shpimit nuk ishin ato që disponohen sot. Pusi është gërmuar me krahë, me një lopatë bishtshkurtër të asaj kohe, nga një njeri , i cili rropatej gjithë ditën e ditës, me qefin në kokë, me kufizim të theksuar edhe për të manovruar brenda asaj ngushtësie. Dheu, argjili, gurët, pllakat e shtufit që gërmoheshin, nxirreshin në sipërfafe, me një kovë dosido, e cila varej në një litar, kavo, zinxhir e ku ta di unë. në një kohë kur ai që gërmonte qëndronte brenda pusit, në një sipërfaqe mjaft të kufizuar, kur një pakujdesi e vogël e atij që tërhiqte litarin, mund të shkaktonte katastrofë njerëzore. Pusi u gërmua deri sa mjeshtri ndeshi në damarin e ujit, por atij i duhej të ngjitej në sipërfaqe, nëpërmjet shkallëve që kishte formuar, kur bëri veshjen e brendshme, me gurë gëlqerorë të pusit. Nëpërmjet shkallëve, zbriste e ngjitej mjeshtri që do të bënte pastrimin dhe dezinfektimin e pusit.
E them me përgjegjësi të plotë dhe me mendim të pjekur se njerëzit që përcaktonin vendin ku do të gërmohej për të nxjerrë ujë nga një pus, ishin të mençur e me horizont. Ata ishin vizionarë. Dikush mund të thote se ja fut kot. E kundërshtoj prerë me argumentët: Shkollë gjeologjie, në vendin tonë në të shkuarën nuk ka patur, por edhe të pashkollë njerëzit e mençur kanë vrarë mendjen dhe e kanë zgjidhur problemin, mbi bazën e përvojës shumëvjeçare, e cila transmetohej gojarisht, nga brezi në brez. Duke gjykuar sipas bimësisë që rritej në sipërfaqe të tokës, mentarët kalivaças, argumenmtonin dhe u dilte hamendësia: Ku kishte mbirë konopicë; shelg; kulpër; zhukë, etj. në sipërfaqe, nëntoka, mesiguri që mund të ketë damarë uji. Të kërkoje ujë, në një terren shkëmbor siç është nëntoka në Hasanbegaj, ishte marrëzi; burrat kokëplotë, po të vinin re se kishim të bënim me formacion argjilor, vendosnin për gërmimin e pusit, pavarësisht nga kostua.
Pusi i Malet, ishte dhe është i uruar. Rrugëtarët që vinin nga trevat e Vlorës, mbasi kalonin Vjosën në lundrën e Kalivaçit apo në vah, merrnin të përpjetën, nga Gurjet; Rrëzat; Qurket, Dërrasa; Beqirajt e Hasanimerajt, dilnin tek shkolla e fshatit, në Majën e Tendës, pushonin pak tek Lisat e Hyset dhe, futeshin në udhën mespërmes Bozanajve e dilnin tek Pusi i Malet. Aty, njerëzit me buzën të tharë për një pikë ujë, uleshin në ndonjë gur, të bardhë, nga ata që ndodheshin rreth grykës të pusit, ose tek sofatët e shtëpisë të Malo e Shefik Barjamit dhe kërkonin kovën dhe litarin. Njëri syresh, mbushte ujë të ftohtë, akull, nga thellësia e tokës, me një kovë, e cila mbante 5-6 litra ujë, të cilin e linte udhës, ngaqë derdhej nga goditjet pas gurëve të murit të pusit, dhe ishte gunga-gunga. Udhëtarët, qull në djersë e të përvëluar për ujë, pinin, me etje, e derdhnin ujin dhe në gjoks për relaks e merrnin veten, për të vijuar udhën e gjatë, në vise të tjerë.
Pusi i Malet nuk kishte çikrik, as çati përsipër që ta mbronte nga shirat. Ai ngrihej me mur guri, rreth 1 m. nga sipërfaqja e tokës. Guri i kryes, ishte në formë rrethi, me gjurmë të thelluara, si dëshmi e lashtësisë të pusit dhe e shfrytëzimit të tij, pa kriter. Malajt, edhe pse kishin investuar për çeljen e pusit dhe për mirëmbajtjen e tij, ishin tepër bujarë. Ata nuk ia kursenin asnjë udhëtari, të njohur e të panjohur, kovën, litarin dhe ujin. Me bindje e them se ujët e atij pusi, kishte me vete bujarinë dhe shpirtin e mirë të Malajve, dhe bekimin e njerëzve që shuanin etjen në vapën përvëluese. Më kish rastisur të qëndroja shpesh, në anë të atij pusi dhe të freskohesha me ujin e tij, sidomos në muajin gusht të çdo viti, kur vazhdoja shkollën fillore të fshatit dhe çdo vit shkoja në dajo, në Shehaj të Koshtanit. Herë me Nënën e herë me Motrën, merrnim udhën dhe e dinim që në maloren e Toçit nuk do të “përpiqnim ” në ndonjë burim uji, prandaj e mbushnim mirë serbatorin në Malaj e mbanim vlagë deri në shtëpinë e dajove. Në Malaj, pinim ujë e pushonim pak, disi fshehtas që të mos na pikaste Teze Xhemilja ( nëna e Sulos ) dhe Shaza Kapedane ( bashkëshorte e Sulos ) me të cilin Nëna ime ishte kushërirë e parë ( fëmijë tezesh ). Ato, të dyja nuk do të na lejonin të iknim nga shtëpia e tyre.
Në ngushtësi për ujë ishte mëhalla e Meçajve. Banorët e komunitetit të Dulajve, si banorë autoktonë dhe ata të Xhaferajve të ardhur, mbushnin ujë tek dy çesmat poshtë mëhallës, por ai ujë nuk ishte cilësor dhe, për të marrë ujë bëhej radhë e gjatë. Kishte raste, në të cilët, banorë të veçantë të kësaj mëhalle, me kafshë ngarkuar me bucela ose me bidona, shkonin deri tek kroi i Liços, për të mbushur ujë. Ishte dhe një çesmë tjetër ujëpakë, atje ku merr vrull Përroi i Zi, e cila quhet: Çesma e Bukur, ku punëtorët e arave të koperativës bujqësore, vendosnin një gjeth peme apo barishte e pinin atë ujë, sikur futnin kokën në pellgaçe.
Një rast i rrallë, për të cilin ia vlen të shkruhet.
Kur ngjitesh në maloren e theksuar për të kaluar nga mëhalla e Hasanimerajve tek shkolla e fshatit, sipër shtëpisë të Xhemal Banushit dhe poshte shtëpisë të Maliq Brehamit, ndodhet fisi i fismë i Muharremajve. Sa mbaj mend, në këtë fis, ka patur burra punëtorë, seriozë e fisnikë, nga ata që u ndrin dora e kanë burrëri. Vend të dukshëm në historinë e fisit Muharremaj zë Qazim Alikua, i cili ishte njëri nga atdhetarët e shquar të Kalivaçit, për të cilin gojëdhëna na thotë se vajti në Janinë, për të mbrojtur tokën shqiptre e mbeti andej. Atij burri të ndjerë, nuk i njihet as historia bëmëmadhe; as varri nuk i dihet. Shefit Qazimi; Aliko Qazimi dhe Fejzo Qazimi, pinjollë të kësaj familje, e çuan më lart dhe e nderuan, familjen dhe fisin. Baba Dëro Fusha i cili, para se të bëhej i tillë vajti deri në Mekë e u bë axhiH H H Haxhi, mbante mbiemrin Muharremaj. Hamit Caushi, një burrë i mençur, i zgjuar e duarartë, nga ky fis ishte. Ajo që dua tju rrëfej ka të bëjë me ujin e pijshëm dhe lidhet drejtpërdrejt me qasjen e një gruaje “heroinë”, me tipare burrërore, njohëse e mirë e traditës vendore dhe me karakter të fortë e të pastër- vejushës Arzihanë, e cila ishte bashkëshorte e Aliko Qazimit dhe bijë e Mino Jaçes, nga mëhalla e Ahmetajve.
Në Tepelenë ka jetuar një mësues historie, i fandaksur pas historisë. Si Dhamo Bollano, askush nuk mund të ishte i marrosur pas çdo gjetje e gjurme të historisë. Në një ditë gushti, kur vapa përvëluese dhe mungesa e burimeve të ujit, bënte që jabanxhinjtë ( ata që nuk ishin nga Kalivaçi ) të trokisnin në dyert e kalivaçasve, për një sapllake me ujë, derisa të mbërrinin tek Pusi i Malet, ku ujët e ftohtë gjendej më lehtësisht. Mësuesi Dhamo për kuriozitetet që qëmtonte, kishte qenë në Donije të Kalivaçit. Ai kishte parë Shkëmbin e Ylynecit; lumin e Vjosës, burimet e ftohta, lundrën shekullore, Donijen; ishte mahnitur e nuk donte të ndahej nga kjo “ magji ” e cila ka një forcë tërheqëse të paparë. Dhamoja pati mundësinë të bisedonte me plakun e zgjuar Xhemal Haxhiu, i cili, në atë kohë menaxhonte lundrën e Kalivaçit dhe kërreu rrënjë historike, nga intervista me të. Në të thyer të ditës, mësuesi i historisë dhe drejtor i uzeut Historik të Tepelenës, mori udhën për të vajtur në shtëpinë e tij, në Tepelenë. Rruga klonte nëpër mëhallët e Pusit, dilte tek Shkolla e fshatit, më tej tek Lisat historikë të Hyset dhe në mëhallën Bozanaj, e cila është skajore, e fshatit tonë.
Me trupin nëpër të cilin i kullonte djersa çurkë dhe me buzën të zhuritur për një pikë ujë, kur ngjiti maloren, pas shtëpisë të Xhemal Banushit, pikasi, në të djathtë të udhës një grup shtëpish ku nuk pipëtinte njeri. Udhëtari pishëtar i historisë Dhamo Bollano, si njohës i mirë i traditës vendore, mbasi u mendua pak, foli, aty ku ishte një varr, në anë të udhës, i mbuluar me drizë. Ishte varri i njerit nga djemtë më të zgjuar e arsimdashës të fshatit – Syrjait, djalit të Zenel Ahmetit, të cilit iu pre jeta akoma pa u rritur. Thirrja e Dhamos ishte e atille që të mos shkaktonte shqetësim . Ai nguli këmbë e thirri: “ O i zoti i shtëpisë”? Pas pak, nga brenda avllisë të mbyllur me një lesë, u dëgjua përgjigja e një gruaje: “Lep…e”! Në shtëpi nuk kishte asnjë burrë; Arzihana burrëreshë, pavarësisht se ishte e vetme në shstëpi, u përgjigj me fjalën Lepe, e cila tingëllin shumë miqësore e me respekt.
Dhamua, i kërkoi të zonjës së shtëpisë një sapllake me ujë, për të shuar etjen. Por krenarja fisnike, nuk mund ta ulte prestigjin e familjes dhe i ktheu te penjohurit, këtë përgjigje: “ Zotrote, urdhëro brenda se nuk e kemi adet të nxjerrim ujë në udhë ”! I ndodhur ngushtë përballë këtij argumenti të pakundërshtueshëm, mësuesi i historisë u drejtua për nga shtëpia e Muharremajve. Kur e pa tek po vinte, Arzihana i hapi shtegun të panjohurit dhe e ftoi, të hynte në avlli e më pas në shtëpi. Ajo e orientoi mikun e rastësishëm të ulej në shilte dhe i kërkoi të falur sa të behej gati me mjetet e saj të gostitjes të mikut. Dhamoja, i mahnitur nga ajo që pa ( një grua e vetme në shtëpi ftoi burrin e panjohur të hynte brenda; i ofroi të ulej në qoshenë e djathtë, atë shtëpi të shtruar me qilim, me shilte e me jastëkë për t’u mbështetur.
Historiani Bollano, ( emri i tij ishte Dhamo ), i mrekulluar nga pritja e pazakontë e Arzihanës, gjatë kohës që Ajo grua burrëreshë, bëri kafenë, po zgurdullonte sytë për të parë; në tavan, e nëpër shtëpi, ndonjë orendi apo send të veçantë, i cili mund ti shërbente si “dëshmitar ” i kësaj “ aventure”, e cila thyente tabu e i jepte dritë ardhmërisë. Pyetjes të mësuesit të historisë: “ Përse gjithë kjo temena ”? Arzihana e Mino Jaçes, nuk ngurroi ti përgjigjej: “ Biro! Më fole tek shtegu i shtëpisë; të pranova si mik i kësaj shtëpie dhe nderimi për mikun, tek ne kalivaçasit është sjellje e mirësjellje e merituar. Prandaj mikun e hedhim në qoshenë e djathtë të odës dhe i zoti i shtëpisë i delegon atij statusin e dollibashit. Per mua je mik e unë nuk e lejoj të përgojohet kjo shtëpi bukëdhënë për një sapllak me dhallë ”!
Mësuesi Dhamo, piu sapllakun me dhallë të freskët, rrufiti kafenë, bëri urimin e zakonshëm: “Plot e paçi ”! u përshëndet me të zonjën e shtëpisë, doli nga shtëpia e nga avllija e saj dhe iku në të përpjetën që të çon tek shkolla, i freskuar, i shlodhur e i mrekulluar. Ai nuik e ndjeu udhën, nëpër Kalivaçedhe pse e përpjeta nuk ishte sosur, e më pas vijoi për në Tepelenë, ku kishte familjen. Njohuritë e tij dhe mendimi për Kalivaçin, kishin ndryshuar dhe këtë e rrefente shpesh, sa qe në jetë.
Shkrojti Niazi Xhevit Nelaj; kalivaças 24 karat Shkruar në Tiranë, gjatë muajit shtator 2020