Kalivaçasit, në shpirt janë artistë.Brenda rrobave të zeza prej shajaku, që veshin e nën qylahun e bardhë,” me antenë” që vendosin në kokë, gëlon një zemër e një shpirt i dhëmbshur dhe një mendje e mprehtë. Kalivaçasi, në rrjedhën e viteve të jetës së tij, brenda kufizimeve të kohës, pa bujë e pa zhurmë, i ka siguruar vetes çdo gjë që i duhej, për të jetuar, për të punuar e, aq sa ishin mundësitë, edhe për t’u argëtuar. Veglat e punës që ka përdorur një kalivaças vërtet ishin të thjeshta e funksionale por dhe të pashme e të përgatitura, me kënaqësi, nga duart e tij, prej artisti. Ato dallohen sa i takon përdorimit me lehtësi të veglave të punës dhe shijës artistike që shpërfaqin.
Disa “zanatçinj” të talentuar, me fantazi e shkathtësi prisnin trungje në pyll e, i transformonin ata në vegla pune, të thjeshta, për punimin e tokës ose në pajisje të ndryshme, të dobishme, zbukurimi ose funksionale, siç janë ato për përpunimin e bulmetrave etj. Me një copë dru e me vegla pune, të thjeshta, mjeshtrat nga Kalivaçi i Tepelenës përgatitnin parmendën dhe aksesorët e saj, të nevojshëm për të çarë, përzierë e për të mbjellë tokën . Kur e shikon të përgatitur e të montuar parmendën, njeriut i krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me një proçes pune që kryhet lehtë e pa e vrarë shumë mendjen. Në praktikë nuk rezulton të jetë plotësisht kështu. Çdo pjesë e parmndës është një vegël e veçantë, është një mekanizëm, i cili kryen një funksion të caktuar. Bishti i parmendës, plori, veshët, direku, zgjedha, hekurat, tevlikët, plisat, kularët, deri dhe thumbi, që vendoset në majë të hostenit, janë pjesë përbërëse apo kompleks, të një mekanizmi të vetëm.
Përgatitja e një parmende është punë e mirëfilltë artistike, e cila, nuk mund të realizohet pa eksperiencën e gdhendësit të drurit e pa fantazinë e tij.Në një parmendë mprehen dy qe pune, të ndryshëm. Në praktikë është mjaft e vështirë të gjesh dy kafshë pune të njëllojta e me të njëjtat mundëssi . Njëri nga qetë mund të jetë më i fuqishëm ose më hileqar dhe kërkon tja lerë barrën për të tërhequr parmendën, kaut përbri. Mjeshtri parmendabërës, kur gdhend zgjedhën, e ka parasysh këtë fakt. Prandaj, ai i hap zgjedhës dy vrima (një në çdo krah) më tepër, të cilat i le rezervë. Kaut hileqar ia vendos tevlikun më afër boshtit, duke bërë që krahu i anës së tij të jetë më i shkurtër e ngarkesa më e madhe. Boshti qëndror i parmendës, gjithashtu është me vrima, në gjatësi.
Kur ara është e lagur ose kur toka është e fortë dhe penda e qeve me zor e tërheq parmendën, bujku e sposton zgjedhën prapa duke e bërë parmendën më të shkurtër e lehtësisht të tërheqshme. Vetë bujku, edhe pse mund të jetë këmbëzbathur e me rroba të shqyera, thellë në shpirt është një artist i vërtetë. Si një xhongler i shkathët, bujku ynë, duke mbajtur në njërën dorë bishtin e parmendës, për manovrim e në tjetrën hostenin i bën rrjeshtat uniformë e paralel me njëri-tjetrin. Hosteni paraqet një shkop, prej druri të drejtë, me gjatësi rreth 2m, në njërën anë të tij ka një thumb prej teli për të shpuar herë njërin ka; herë tjetrin, në mënyrë që ata të ecin drejt; në anën tjetër, hosteni ka një lloj shpatulle metalike, e cila quhet kabëz dhe shërben për të pastruar baltën nga veshët e parmendës.
Një bujk i kualifikuar, komunikon me pendën e qeve që ka mprehur në parmendë, gjatë gjithë kohës. Natyrisht, në gjuhën e tyre, nëpërmjet tingujve e pasthirmave.Gjuha me të cilën ai u flet kafshëve të punës, janë disa pasthirrma, tingujt e të cilave nuk është e lehtë të shkruhen. Kur do ti inkurajojë qetë, bujku u sokëllin:”ohA kazil”: “oha Verdhan”, dhe kur do që ata të ndalojnë,”ohanë” e zgjat në “ohaaa”. Kur rrjeshtat e arës së punuar dalin të drejtë, të rregullt e si njëri- tjetri, bujku ndjen një lehtësim në shpirt e një kënaqësi të ligjshme.Se fshatarët e kanë përpara syve punën që bën sejcili dhe e komentojnë atë, jo pa ironi e stigmatizim.
Bujku me përvojë e kupton kur ugari në arën e tij është “arrirë” e kur toka është bërë gati për ti hedhur farën .Informacionin për këtë veprim bujku e merr nga toka e tij, nga ara që punon.Bujku i mirë, kur ve re që në ugarin e tij kanë filluar të shfaqen shtratet e merimagave, dmth kur temperatura ka arritur +15 0C, arrin në përfundimin se ugari është i arrirë, prandaj “i vë farën”; e mbjell arën e tij. Kjo eksperiencë pune, e përftuar nga marrëdhënja e gjatë e bujkut me tokën, vërtet është empirike, por, gjithsesi mbetet më e sakta. Le të kthehemi tek veglat tona, të thjeshta, prej druri, të punuara me dorë. Si rregull, çdo bujk, në Kalivaç të Tepelenës e në rrethina, ka qenë i detyruar ti përgatiste vetë veglat e punës. Ai e ka të qartë se nga çdo dru që vegjeton në pyll mund të përgatitet një parmendë, mjafton të jetë lloji i drurit i përshtatshëm për këtë qëllim. Si dru i përshtatshëm për të bërë me të vegla pune është ai që përkulet por nuk thyhet dhe që gjatë proçesit të tharjes nuk çahet e plasaritet. Druri i vidhit është më i preferuari e më i përshtatshmi. Druri i vidhit është i përkulshëm, thahet por nuk plasaritet dhe është rezistent ndaj lagështirës dhe ushtrimit të forcës mbi të. Druri i goricës dhe i ilqes, janë, gjithashtu të preferuar. Tevlikët janë pjesë të rëndësishme e kompletit të parmendës, të cilët përgatiten nga dru që përkulet e nuk thyhet, nën efektin e temperaturës por përdridhen, sipas dëshirës së mjeshtrit parmendabërës.
Mjetet me të cilat operon parmendabërësi, janë fare të thjeshtë .Një sëpatë e vogël, me bisht të shkurtër, e mprehur mirë; një sqepar, gjithashtu i mprehur, një thadër (sqepar i ngushtë ), një turielë për të hapur vrimat dhe përvoja ( mendja) e mjeshtrit. Këto mjaftojnë për një proçes artizanal parmëndabërës të suksesshëm. Vetëm dy pjesë të parmendës, të cilat nuk i përgatisnin dot vetë, kalivaçasit, tradicionalisht i kanë blerë në treg: plorin dhe hekurat. Këto, të dyja janë prej metali dhe fshatarët tanë i kanë bërë, me porosi tek i vetmi kovaç i zonës, usta Jemini, nga Fieri, i cili e kishte kovaçanën në Toç, tek mulliri i Çelos. Vite më pas, kur në fshat u formua kooperativa bujqësore, zanatin e hekurpunuesit e mësoi Sihati i Rexhep Abedinit, nga mëhalla e Beqirajve.
Kompletin e parmendës, një bujk i kujdesshëm, mbasi përfundonte punët e stinës, në arë, i pastronte veçmas, çdo pjesë dhe i varte nën një strehë ku nuk i zinte pika e ujit të shirave, gjatë stinës me lagështirë, në vende të ajrosura mirë. Këto masa profilaktike, bujku i merrte, me qëllim që kompletin për punimin e tokës ta kish gati për sezonin e ardhshëm të punimeve, i cili përkon me marsin e vitit të ardhshëm.
Në kompletin e punës të bujkut bën pjesë dhe vareja. Ajo përfaqëson një copë dru, i gjatë rreth 30 cm e me diametër rreth 20 cm, me një vrimë në mes, ku futet bishti i varesë, i cili është i fortë e i gjatë rreth 1.5 m. Gjatë punimit të tokës, parmenda ose plugu nxjerrin plisa, të cilët duhen thyer. Duke i goditur fort, disa herë, me vare, bujku i copëton ata e i shndërron në thërrmija ose nëpluhur.
Puna e thyerjes së plisave me vare është e rëndë e kërkon mjaft energji nga ana e bujkut. Prandaj ai përgatit një pajisje tjetër, prej druri, e cila quhet lesë. Lesa përfaqëson një katror, me katër brinjë druri, sipërfaqja e të cilit mund të jetë rreth 2 m katror. Midis hunjve anësorë thuren purteka, të gjata sa vetë brinja e lesës prej druri të fortë e të thatë. Lesa tërhiqet nga qetë e parmendës, të mprehur në zgjedhë, e kapur në dy pika dhe e fiksuar nëpërmjet unazave prej hekuri. Bukju qëndron mbi lesë, i ulur këmbëkryq ose në këmbë, si pehlivan i vërtetë.Në vend të bujkut, mbi lesë mund të vendosen disa gurë, të rëndë . Si rregull, bujku e leson të gjithë sipërfaqen arë, të cilën e ka pluguar, më parë. Lipset që lesimi të bëhet sa më shpejt,të jetë i mundur, në mënyrë që plisat, që ka nxjerrë plugu nga punimi i tokës të mos thahen, ndryshe thërmimi i tyre bëhet më i vështirë.
Në Kalivaç të Tepelenës kanë jetuar mjeshtër të vërtetë e duarartë, të cilët janë shquar, në punën për përgatitjen e parmendave dhe aksesorëve të saj. Më i përmenduri ka qenë bujku Muharrem Kamber Dëraj, nga mëhalla Ahmetaj, Qamil Hekurani, nga Meçajt, Islam Xhelua, nga Bozanajt, Azis Selfo e Kalo Qazua, nga Hysodosajt, Ago Manxhari, në Hasanbegaj etj. Përveç duarve të arta, këta burra kishin dhe fantazinë për ti dhënë drurit formën e nevojshme që të bënin, me cilësi çdo detaj e vegël të kompletit të parmendës. Parmendat që nxirrnin duart e tyre ishin të preferuara e të kërkuara, jo vetëm në Kalivaç të Tepelenës. Në mjaft raste, ata punonin dhe me porosi, kundrejt një shpërblimi simbolik e qesharak.
Natyra dhe shija artistike e mjeshtërve kalivaças të punimeve me dru shfaqej me forcë të veçantë kur ata gdhëndnin takëmet e çobanëve dhe të amvisave që angazhoheshin me përpunimin e bulmetrave. Vetëm sopata, kosori dhe cmilari ishin prej metali; pajisjet e tjera në përdorim të çobanëve dhe atyre që përpunojnë bulmetin kanë qenë e janë prej druri. Ndër to, më të zakonshmet janë: kërraba, luga me bilbil në fund, cyla, borija me currubab në fund, dybeku, fërriçi i dybekut, vedra, bucela, talëri, kadja etj.të gjitha janë prej druri.
Çdo çoban, e zgjedh vetë drurin me të cilin do të gdhendë kërrabën. Ai duhet të jetë i fortë, i drejtë, pa nyje; i gjatë rreth 2m. Në njërin skaj, kërraba mund të jetë me çorre(xhungë), ose mund të jetë e drejtë. Në anën tjetër, domosdo, duhet të përfundojë me një kërrabë metalike, e cila shërben për të kapur këmbën e bagëtisë, kur nuk e kap dot me dorë të lirë. Druri nga i cili përgatitet kërraba, patjetër duhet të jetë i thatë.
Dihet që dimri, me pasojat e tij është i vështirë për tu supertuar nga çobanët. Çdo çoban do të donte që dimri të ishte sa më i shkurtër e ditët e ftohta me rreshje të kalonin shpejt . Për ti dhënë vetes kurajo, çobani, me biçakun që mban në brez, gdhend një shkallë, në kërrabën e tij, për çdo ditë dimër që ka mbetur. Një praktikë të ngjashme kanë përqafuar dhe ushtarët e vitit të fundit, të shërbimit të detyruar ushtarak, të cilët mezi presin lirimin. Në mungesë të kalendarit, gëzhdalla (shënja) mbi kërrabë, e orienton çobanin për të parashikuar ardhjen e pranverës, me lule, me bar të njomë e me vedrat plot me shkumë. Në pajisjet vetjake të çobanit bën pjesë luga.Cdo çoban mban me vete një lugë, prej druri, në fund të së cilës gdhëndet një bilbil. Nëpërmjet tingujve që lëshon bilbili i lugës së çobanit, ai komunikon me bagëtitë e tij dhe me njerëzit. Me shumë art e me zbukurime të lakmuara i kanë gdhendur lugët me bilbil, kalivaçasit: Ago Manxhari, Islam Xhelo, Enver Qemal Zenelaj etj.
Fushë tjetër ku ishin të spikatura vlerat artistike të punimeve me dru, janë përgatitja e enëve të bulmetit. Duke nisur nga vedra, dybeku, talëri, bucela, kadja etj , të gjitha kanë qenë e janë enë prej druri. Disa prej tyre janë të thjeshta, disa të tjera përthithin më tepër art. Një pjesë prej tyre, kërkojnë jo vetëm art por dhe llogari . Dybeku dhe fërriçi, psh, bëhen me preçizion e me forma gjeometrike të sakta, ndryshe ato nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Dybeku është më i gjerë në fund e vjen duke u ngushtuar, me ngjitjen në lartësi. Në pjesën e “grykës “, dybeku duhet të jetë aq i gjerë sa të futet në të fërriçi, i brendashkruar. Në majë të dybekut lihet njëra nga listelat më e gjatë, për ta kapur ai që tund bulmetin. Listelat që përbëjnë dybekun puthiten bukur me njëra-tjetrën dhe mbahen të shtrënguara prej disa rrathëve metalikë, diametri i të cilëve sa vjen e ngushtohet. Dybeku(tundësi) është ndoshta pajisja më e vështirë ndër veglat që përdoren për manipulimin e bulmetrave. Jo se të tjerat bëhen kollaj ; sejcila nga mjetet paraqet vështirësitë e saj. Në Kalivaç të Tepelenës ka patur e ka ustallarë që nuk të falin për këto lloj punimesh . Të tillë kanë qenë e janë bashkëfshatarët tanë: Hasim Mehmet Nelaj, Çelo Ago Çelaj, Hajri Dule Dulaj, Ylli Refat Bilaj etj.Njëri syresh , xha Hasimi,i biri i Mehmet Salihut, nga Nelajt, ishte ulok, nga të dyja këmbët.Thonë se në moshën e adoleshencës, Hasim Mehmeti ishte djali më i bukur e më i forti, në mëhallë e në fshat. Asnjëri nga moshatarët e tij, nuk i dilte në mundje Hasimit. Një ditë e pa “syri i keq” i një gruaje lakmitare, e cila njihej si “magjistare “ në fshat dhe djali i bukur e i fortë u tjetërsua, u bë ulok, nga të dyja këmbët. Natyra, sipas ligjeve të saj , bëri kompensimin e organeve të trupit. Hasimit, mangësia e këmbëve iu kthye në forcë të krahëve. Në duart e Hasimit, të cilat mbetën po aq të forta, zdrukthi “Këndonte”bukur e me tonalitete të lartë. Është e vështirë të gjesh në Kalivaç të Tepelenës dysheme, tavanë, dybekë, vedra, talëra apo kade, sepete, djepe, furka e druga,musëndra e hambarë, ku të mos jetë materializuar ideja dhe talenti i Hasim Mehmetit. Me një gomar mashkull, të ulët nga lartësia por të fortë, ai shkonte shtëpi më shtëpi, për të bërë punime me dru. Pas tij, mjeshtërinë e punës me dru e bënë të tyre mjaft të rinj të talentuar si Çelua, babai i tij Agua, Hajriu, Ylli etj.
Ndonëse shtëpitë me tavanë, në Kalivaç nuk kanë qenë të shpeshta, ato me dysheme dërrase i gjeje pa vështirësi. Dërrasat që formojnë dyshemenë e odës lipset të jenë të puthitura mirë me njëra-tjetrën që të mos ngjitej lart era e keqe e plehut të bagëtive, të cilat banojnë në katua. Me disa vegla të thjeshta, zdrukthtari i puthit mirë dërrasat e dyshemesë, me kllapë dhe i bën tavanët me lloj- lloj zbukurime ku bië në sy simbolet kombëtare.
Me vlera artistike kanë qenë sufratë, të cilat përgatiteshin prej dërrase, me formë të rrumbullakët, ku mund të sistemoheshin për tu ushqyer rreth 12 burra apo gra, të ulur përbri njëri-tjetrit. Si sufraja edhe qëri e petësi, të cilët përdoren për të tëhollur petët e byrekut, të yshmerit e të bakllavasë, kërkojnë mjeshtëri, art e njohuri matematike. Në këto punë të vështira, më tepër se shkolla hynte në punë fantazia e njeriut,intuita dhe shpirti i tij artistik.
Një burrë me duar të arta, nga mëhalla e Hasanbegajve, i cili quhej Ago Manxhari, dallohej, në veçanti si mjeshtër i përgatitjes të çibukëve. Kalivaçasit, por dhe disa gra nga ky fshat, den baba den e kanë pirë duhanin puro , me çibukë. Mungesa e kartës së duhanit bënte që, për të mbështjellë duhanin në formë cigareje të përdorej një fletë duhani. Me kalimin e viteve u ndje nevoja e përdorimit të çibukëve. Në mesin e shekullit të njëzetë e më pas , në Kalivaç të Tepelenës u shfaq talenti i rrallë i Ago Manxharit, i cili, nga një copë dru, duke e gdhendur me durim e aftësi, nxirrte nga duart një bukuri të rrallë; çibukët e tij të pëlqyer e mjaft të kërkuar.
Nuk mund të lemë jashtë vemendjes dhe faktin, si përftohet zjarri (shkëndija) që shërben për të ndezur duhanin, në çibuk. Një stërrall, nga ata që i gjen me shumië në zallishtën e anëlumit, i zgjedhur me kujdes, sa i takon përbërjes dhe formës, një copë çelik, të cilit i kanë vënë emrin uruar (masat) dhe një fije eshkë të përgatitur në mënyrë artizanale, kur i fërkon me njëra –tjetrën, natyrisht nëpërmjet goditjes, përftohet shkëndia, e cila ndez fillimisht eshkën e pastaj duhanin që ndodhet në çibuk.Në këto veprime, gjithashtu spikat origjinaliteti i bukurisë baritore, e cila nuk e ka autorësinë vetëm në Kalivaç të Tepelenës.
Gratë nga Kalivaçi i Tepelenës, në shijet artistike nuk kanë mbetur prapa meshkujve, përkundrazi. Talenti artistik i tyre i ka kapërcyer muret e shtëpisë e nuk është kufizuar vetëm në përgatitjen e gatimeve të shijëshme, ato nuk kanë mbetur “robina” të mbajtjes pastër të burrave, fëmijëve, ambienteve të banimit etj. Nga duart e disa grave e vajzave kalivaçase kanë dalë punime artistike me bukuri e hijeshi të rrallë. Tajanja e Ahmet Selfos, Havaja e Banush Xhezos, Hatemja e Qemal Sherifit, Hyrija e Mahmut Muharremit, Tajanja e Fejzo Salikos, Memja e Ceno Rakipit, Fatimeja e Veiz Danos, Lulja e Rrapo Danos e dhjetra gra e vajza të tjera, kanë nxjerrë nga duart qilimë, mesje, anje, hejbe, sherqe, rroba shajaku etj . me kombinime ngjyrash të larmishme e me një cilësi të lartë në endje. Në këtë fushë shpërthente fantazia dhe durimi i këtyre grave çudibërëse.
Nuk mund të nënvlerësohet aftësia dhe shpirti krijues i grave kalivaçase kur ato thurin triko, jelekë, çorape, fanella mishi, tirq, tantela e zbukurime të shumta, duke nisur nga qëndisja e të linjtave të tyre, futave, shamive të kokës me lloj –lloj rruazash e teminash . Madje, mund të thuhet se mjaft gra e vajza u jepnin porosi njerëzve të tyre që niseeshin për në kurbet, në vise të largët, të Lindjes së Mesme, të mos harronin për të futur në valixhe apo në torbë, kur ktheheshin në shtëpi, krahas plaçkave të tjera dhe disa tufa me moline, për të qëndisur pajën. Harmonia e figurave gjatë endjes të shtrojeve e mbulesave dhe kombinimi i ngjyrave gjatë qëndismave janë tregues cilësorë të vitalitetit dhe prirjeve artistike të femrës nga Kalivaçi i Tepelenës.
Dihet si e presin lindjen e një fëmije nuset e reja. E gjithë familja, madje dhe fisi i çiftit të ri janë të paduruar derisa të shtohen. Gëzimit që sjell ardhja e një fëmije në jetë, i shtohet kujdesi me të cilin ai rrethohet qysh në çastet e para, madje përgatitjet për ta pritur denjësisht atë, nisin më parë nga lindja e fëmijës, qysh në kohën e shtatzanisë. Djepi është i pari që përgatitet ose blihet në treg. Detyrimin për të prurë djepin, në Kalivaç të Tepelenës e ka patur familja e vajzës (nuses së re). Djepi gdhendet hijshëm e pajiset me shumë zbukurime, në dru e në rrobat e rishtarit. Mes nuseve të reja zhvillohej, në heshtje, një lloj gare “ kush ta paraqiste e kush ta vishte më bukur fëmijën e saj”. Kësisoj shpërthenin talentet dhe shijet artistike të femrave, fantazitë e tyre të larmishme. Meqënëse në djepin me fëmijën e sapolindur i pari që binte në sy ishte brezi , me të cilin shtrëngohej fëmija kopanec, pas djepes, vjehrra, në marrëveshje me nusen, zgjidhte lulet , me të cilat do të zbukurohej ai.
Edhe plakat që tjerrin lesh, me furkat, drugat, boshtet dhe shtëllungat e leshit, nuk lëshojnë pe në çështjen e shijve e të zbukurimeve. Mjaft furka, të cilat shfrytëzohen për të bërë një punë të “rëndomtë” në dukje, i gjejmë të gdhendura e të zbukuruara hijshëm. Mënyra e vendosjes të shtëllungës së leshit, në furkë, nuk është një proçes që i lihet rastësisë por kryhet me gusto e shijë artistike.
Disa gra e burra nga Kalivaçi i Tepelenës, të cilët nuk e kanë patur specialitet por, në kushte të caktuara, e bënin me shumë dëshirë e talent, nga lëkura e lopës thurnin opinga të bukura e funksionale. Lëkura e lopës së therur, fillimisht regjej e thahej, pastaj, me këtë lëkurë , ai që ishte me prirje artistike të spikatura, me një thikë të mprehur mirë, i jepte lëkurës formën e këmbës, me përmasat e kërkuara dhe, me një lak, po prej lëkure e thurte opingën e ardhshme, bukur, si gërshet. Opinga artizanale e përftuar, zakonisht është me majë, asaj mund ti vihet dhe një xhufkë e bukur. Këto lloj opingash nuk rrojnë gjatë e janë të rrëshqitshme,por janë të hijëshme, artistike dhe pëlqehen mjaft. Industrializimi i ka nxjerrë nga “loja”këto lloj opingash por, parë nga këndvështrimi i vlerave artistike që ato bartin, ja vlen të njihen e të çmohen, për atë që përfaqësojnë.
Punë artistike, mund të konsiderohet pleksja, me fantazi e gërshetit, nga gratë dhe vajzat; përgatitja e rrathëve të këmborëve e zileve për bagëtitë, bërja e borijeve dhe pipizanit , gdhëndja e mbulesës të thikave e biçeqeve( millit),etj. Në këtë kategori zbukurimesh , mund të futet dhe pleksja e grurit , kur bëhet kite; shkuarja e vergjeve të fiqve, bukëfiqet etj. Fushë e gjerë krijimtarie dhe fantazie është përgatitja e bukëve, kuleçëve, ëçmbëlsirave etj, që zenë vend në gatimet e amvisave nga Kalivaçi.
Kafshët e ngarkesës, në Kalivaç të Tepelenës, për shkak të terrenit dhe punëve të shumta që kryejnë, i gjen thuajse në çdo familje. Disa syresh, vite më parë ishin me destinacion për të mbajtur shalë; të tjerat mbanin mbi shpinë një samar dhe ngarkesën përkatëse. Si në rastin e parë dhe në të dytin, mjeshtri që i përgatit këto pajisje, e shkrin talentin dhe fantazinë e tij. Në Kalivaç samarbërës nuk ka patur shumë por, aq sa kanë qenë, e kanë rrjesshtuar veten me të përparuarit .Muharrem Nebi Caushaj, nga Specova, është njëri nga talentet e rrallë, që nderon fshatin fshatin tonë.
Në këtë material përmbledhës janë evidencuar vetëm disa nga drejtimet ku shfaqet më me forcë shpirti prej artisti i kalivaçasit. Jeta është shumë më e gjerë dhe më e larmishme. Edhe hapësirat ku mund të shfaqen e të lulëzojnë talentet dhe shpirti krijues i vendasve, janë pa kufi. Ndoshta, në këtë shkrim jam zgjatur me përshkrime hollësish; për këtë kërkoj mirëkuptimin e lexuesve. Duke nxjerrë në evidencë disa nga vlerat artistike të bashkëfshastarëve të mi, mendoj se i shërbej sadopak njohjes të këtyre vlerave. E kam të qartë se kohë të tjera kanë ardhur e teknologjia ka bërë përmbysje por atë që ka shërbyer për njerëzit, në ato kushte, nuk është keq, ta dimë.
Eshtë detyrë me vlera të pallogaritshme të evidencohen e të njihen ato nga brezat që janë sot e nga ata që do të pasojnë, mënyrat dhe format që kanë mundësuar mbijetesën e këtyre njerëzve. Sot mund të duken si gjëra të dalëkohe e të rëndomta por ato janë me vlera të shumta e i kanë shërbyer komunitetit, kur nuk ka patur mundësi të tjera. Kalivaçasi, edhe kur shkarkonte drutë e zjarrit, në avlli, nuk i linte ato grumbull por i stivoste, me merak, që të dukeshin bukur. Për dashamirësi ndaj së bukurës bën fjalë dhe fakti që enët me të cilat lante duart, pas buke, i kishte të bukura, me bedenë e me bronz, të gdhendur. Të mos shkojmë më tej, shpirt artisti kish dhe tek ata që dergjeshin gjatë, në birrucat e burgjeve të kohës, të cilët qëndisnin, me rruaza ngjyra -ngjyra, sende zbukurimi, fantastike, me vlera në çdo kohë.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj
Në Tiranë, më 29 prill 2012,