Pemëtaria dhe pemëtarët e Kalivaçit

Pemëtaria, në Kalivaç të Tepelenës është e larmishme dhe cilësore.Toka dhe klima e kësaj treve favorizojnë kultivimin e hardhisë, të ullirit dhe pemëve të tjera frutore. Fshati shtrihet ne koordinatat gjeografike, 40°24’ dhe 19° 49’. Lartësia maksimale, mbi nivelin e detit është: 383 m (Maja e Marucës); 327 m (Arat e Buta); 323 m (Maja e Tëndës); 352.7 m (Maja e Dokes) dhe 379.1 m (Maja e Qytetit),në Hasanbegaj. Pra, Kalivaçi i Tepelenës i përket zonës së Makje –Shiblakut. Bregoret që mbulojnë hapësirën ( jo arë) të Kalivaçit, janë “të veshura” me shkurre, drurë pyjorë e pemë frutore, të cilët gjelbërojnë në të katër stinët e vitit. Ulliri, përralli, koçimarja, xina, mbretja, ilqet, frashëri, bushi, xana, shpëndra, shtogu, driza, ferra, kulumbrija, goxhamishi, ferra e qënit, dëllinja, bexga, paliçja, konopica, kashta e kuqe etj. mbulojnë thuajse të nëntë mëhallët e fshatit dhe hapësirën që shtrihet ndërmjet  tyre.

Tokat, në Kalivaç janë me përbërje gëlqerore, argjilore, gurishte, llomera  (aluvionale), ranore e më pak humusore. Prania e lumit të Vjosës, në afërsi të fshatit me shtratin e vet ranor e me zhavoret që shtrihen gjat tërë gjatësisë të tij, ushqen burimet nëntokësorë dhe ndikon në nivelin e ujërave nëntokësorë (freatikë dhe artezianë) gjë që është në të mirë të pranisë të lagështisë, nën tokë, edhe në stinën e thatë të vitit. Fusha e fshatit të “madh”, sidomos  Gryka e Margëlliçit, e mbrojtur nga erërat e freskëta të Veriut, i japin asaj pamjen e një sere natyrore, të përshtatshme për kultivimin e bimëve që kërkojnë klimë “të butë”. Vitet e fundit, në atë grykë, janë mbjellë, me sukses, hurmat, në një “ parcelë”, sipas kërkesave të kohës.

Ndikimi i Malit të Kudhësit  (Malit të Bardhë), në anën Jug-Perëndimore dhe gryka e Ylynecit, si një hinkë që i jep shpejtësi erës, nuk i sjellin ndonjë ndikim kushedi çfarë mikroklimës të fshatit. Erërat që fryjnë nga deti, të ngopura me avuj uji të kripur, bëjnë të mundur kultivimin e bimëve e pemëve të natyrës Mesdhetare, madje dhe të limonëve. Janë bërë përpjekje për mbjelljen e pemëve frutore si hurmat (nën Kullustra ), të cilat  kanë dhënë prodhim të mirë e të bollshëm, por nuk di përse nuk janë mbjellë edhe portokalle e agrume të tjera. Duhet theksuar se bimët e arave dhe pemët frutore, në Kalivaç të Tepelenës, janë vendase, për nga varieteti,  në një farë mënyre, mund të thuhet që janë autoktone. Kultivarët e tyre, njihen prej kohësh nga fshatarët, të cilët janë të specializuar për tu bërë  shërbimet që u nevoiten.

Mund të themi plot gojën se kemi një fshat të bukur e të begatë, me të cilin mund të krenohemi të gjithë. Kalivaçi si fshat i veçantë në atë trevë, vjen nga thellësitë e lashtësisë, duke ngjitur shkallë lavdie e duke mbërritur kulme historie. Krenohemi me të shkuarën e me të tashmen e vendit ku kemi lerë, me ata njerëz të veçantë që u kanë vënë gjoksin punëve të mëdha e i kanë përballuar ato me dinjitet, duke rendur nëpër shtigje historie e duke gdhendur faqe lavdie, nëpërmjet bëmave të mëdha. Prandaj, kur takohemi, si ikanakë, për t’u njohur e për t’u çmallur me shoqi-shoqnë, kuvendojmë, me seriozitet, për punët tona e të fshatit dhe në këta takime, biseda rrjedh në shtratin e kahershëm, duke përsëritur kur takohemi,  atë shprehjen e herëshme, tipike kalivaçase, e cila është e mbrujtur me dashuri e respekt të ndërsjelltë : “ O derman”! Besoj nuk mund të ketë përgëzim të shprehur me aq ëmbëlsi e shimbshuri. Le të kthehemi tek tema jonë e të përpiqemi të hedhim pak dritë për pemëtarinë dhe pemëtarët e fshatit tonë.

  • ULLIRI. Mund të themi gojëplot se kjo pemë, e ka shtëpinë në Kalivaç të Tepelenës. Dikur, Mallakastrën e kanë quajtur :”Djepi i ullirit”. Dakort, po fshati ynë është kufitar me Mallakastrën dhe nuk mund të mos ta ketë këtë “ nofkë”.

Në fakt, në Kalivaç, ullirin dhe vajin e tij çudibërës, i gjen të ulur këmbëkryq, në çdo vatër e në çdo sofër. Pema e ullirit dhe vaji që nxirret prej saj, janë ndoshta nga pasuritë më të rëndësishme të kalivaçasve. Ullirin, në Kalivaç të Tepelenës e gjen si në vende të varur dhe në fushë, në tokat gurishte e në vende të butë. Në mjaft raste ullinjtë i shikon mes shkëmbinjve ku kanë mbirë në mënyrë sporadike, por duket sikur dikush i ka mbjellë me dorë, në të çarat mes tyre. Ullirin e gjejmë të mbjellë e të kultivuar nga dora e njeriut dhe të mbirë vetë, në rrugë natyrale, ku ka mundur të çajë zgavrën egurit,si “i egër “. Pema e ullirit, në Kalivaç të Tepelenës është i varieteteve të ndryshëm e me prodhimtari variabile. Dominojnë varietet e ullinjve të destinacionit për të nxjerrë vaj. Më të përhapur janë ullinjtë me emrin “ Kaniniotë”. Ndoshta origjina e tyre është nga fshati Kaninë i rrethit të Vlorës. Kokrra e tyre është e rrumbullakët, me madhësi mesatare dhe “hedh” mjaft vaj.

Pas tyre vijnë ullinjtë, të cilët, kalivaçasit i kanë pagëzuar me emrin : “Nisiotë”. Fruti i këtij variereti ullinjsh është i stërgjatur e ka më pak vaj, nga i pari. Ka dhe ullinj “të egër”, të destinacionit, për vaj. Këta mbijnë në mënyrë sporadike, ku të mundin e nuk kanë preferencë për tokën ku rriten. Kokrra e tyre është e vogël, e stërgjatur dhe, nga shtrydhja e tyre përftohet pak vaj. Zakonisht ulliri i egër shërben si nënshartesë për ullinjtë e butë. Ndodh kështu për arsye se ulliri i egër preket më pak nga sëmundjet e për pasojë kërkon më pak shërbime. Vaji që nxirret nga shtrydhja e ullinjve të egër, vërtet është i pakët por ka efekte kurative të pazëvendësueshme,  në llojin e vet. Nënshartesa e egër, shartohet me kalema të tjerë ullinjsh, sipas dëshirës të pronarit.

Në Kalivaç të Tepelenës vegjeton dhe ulliri i destinacionit, për të ngrënë. Këtij varieteti, kalivaçasit, rëndom, i thonë: “ulli shakulli”. Për të ngrënë mund të përdoren dhe ullinjtë “ kaniniotë”, por ulliri i” Shakullit “ është posaçërisht për të ngrënë dhe është më i shijëshëm. Fruti i ullirit të “shakullit” është i rrumbullakët, më i madh, me më shumë tul e me më pak vaj. Ky lloj ulliri vihet në tavolinë mbasi të jetë përpunuar që ti dalë hidhësira e të jetë kriposur.

Disa familje, para kriposjes, veçojnë bërthamat; të tjerë e bëjnë manipulimin e kokrrës së ullirit pa ia veçuar bërthamën. Pas heqjes të hidhësirës e kriposjes, ulliri i destinuar për tavolinë ruhet për një kohë të gjatë, në enë druri, qeramike apo qelqi dhe serviret më tepër si meze apo në sallatë. Ruajtja e tij bëhet në mjedise të fresket e të ajrosur mirë. Përdorimi i ullinjve ushqimorë, po tu grish brenda limonë, tu shkoqësh rigon e tu hedhësh pak vaj ulliri, bëhet mjaft i shijëshëm e dobisjellës për shëndetin.

Në Kalivaç të Tepelenës, historikisht, kanë qenë të pakta familjet që nuk dispononin disa rrënjë ullinj. Ulliri, në Kalivaç është rritur atje ku ka mbirë spontaneisht ;  në pyll, mes shkurreve e drurëve pyjorë, nëpër ledhe e në gjerdhe dhe në toka djerr. Ndeshen dhe mjaftraste, kur ulliri ka mbirë vetiu, nëpër të çarat e shkëmbinjve;  pra, si drurë të vetmuar, që kanë mbirë rastësisht ose të mbjellë nga dora e njeriut. Por, nuk kanë munguar dhe kultivimi i ullinjve, në “blloqe”. Nuk është fjala për plantacione të mëdha por për sipërfaqe të kufizuara ku vetë fshatarët e kanë zënë tokën që kanë  në pronësi, me ullinj. Ulliri është pemë jetëgjatë. Jeta e tij matet me shekuj. “Blloqet “ me ullinj, në Kalivaç të Tepelenës kanë qenë pranë e rreth mëhallëve të fshatit, ose në vende të varur e pak produktivë. Janë të njohura sipërfaqet ullishta rreth mëhallës Hysodosaj, ullinjtë e Haxhiajve, poshtë Bregut të Staneve, ullinjtë në Gryka, në Kullustra, në Faqekuqe, brenda mëhallëve: Beqiraj e Hasanimeraj, në Leshnje, në Specovë, ullinjtë e Hasanbegajve, ullinjtë në Bozanaj e në Meçaj, në bahçen e Fejzo Breshanit, në arishtën e Musa Mehmetit e në atë të Muharrem Kamberit, në vreshtin e Dajlanit etj. Shumica e ullinjve në Kalivaç, janë të destinacionit për vaj. Vaji i ullirit është përdorur gjërësisht nga kalivaçasit, për të gatuar, për të pirë, për tu fërkuar dhe si ilaç, sidomos për të luftuar të qënit e njeriut kaps. Disa gra e burra, duke fërkuar, me vaj ulliri muskujt e “ngrirë” të të sëmurëve me muskuj të kontraktuar, i çlironin ata dhe i “shëronin “.

Kalivaçasit e kanë kultivuar dhe e kanë dashur pemën e ullirit, por, ç’është e vërteta, ata nuk i kanë bërë ndonjë shërbim të veçantë kësaj kulture shumë të dobishme. Kur toka rreth kurorës së ullirit ështe e butë, pronari e punon  atë, për të ruajtur lagështinë e për të çkulur barërat e këqija. Në vende të pjerrët, nga ana e pjerrësisë njerëzit kanë ngritur ndonjë vetullore dhe, kur pema ndodhet afër banesës, e zonja e shtëpisë zbraz hirin e zjarrit ose i hedh asaj ndonjë kosh me pleh, kur pastron kasollen ose katuan e bagëtive. Shërbime të tjera ullirit i janë bërë me kursim.

Dikur, edhe kur prisnin ndonjë çatallë, njerëzve nuk u shkonte në mëndje të disiplinonin kurorën e pemës, siç është e domosdoshme, por i prisnin drurët, me synimin kryesor, për ti vënë në zjarr. Se druri i ullirit digjet lehtë, çliron mjaft kalori dhe koha e djegjes së tij zgjat shumë. Nuk bëhej fjalë për ndonjë spërkatje apo pluhurosje, me qëllim që të luftoheshin sëmundjet ose insektet e dëmshme. Në këta kushte, miza e ullirit, si dëmtuesi më në zë i kësaj peme, e kishte udhën të shtruar e bënte namin.

Mungesa e krasitjes mbi baza shkencore, bënte që degët të zhvilloheshin si të mundnin, në kërkim të dritës natyrale, mes çatallave. Rrjedhojat e kësaj praktike ishin të rënda e të dukshme: kur piqej fruti e duhej vjelë, në muajt nëntor- dhjetor, kalivaçasi e kishte të vështirë të ngjitej e të çkoqte çdo degë ulliri prandaj thëriste në ndihmë një shufër  të gjatë  prej druri, me të cilën shkundte ullinjtë. Kështu kokrrat vërtet binin përtokë por, tok me to binin dhe degët njëvjeçare . Kësisoj prodhimi i sezonit të ardhshëm ishte i dëmtuar, akoma pa lerë.

Kjo praktikë jo e drejtë kishte bërë që, në Kalivaç të Tepelenës e në rrethina, njerëzit kishin pranuar rrjedhojat e kësaj praktike, sipas të cilave ulliri është pemë që prodhon  një vit po; një vit jo. Ky koncept, në Kalivaç kishte fituar të drejtën e “qytetarisë “ e atë e pranonin të gjithë, pa kundërshtim. Në vitet kur në Kalivaç funksiononte kooperativa bujqësore u bë diçka, e cila nuk qe e mjaftueshme dhe nuk vazhdoi gjatë, por, ullinjtë, sot e kësaj dite shkunden me shufra druri e degët një e dy vjeçare dëmtohen rëndë.

Krasitja e ullinjve, në veçanti kur ata janë të vetmuar e kanë mbirë ku kanë gjetur terren të përshtatshëm, me qëllim disiplinimin e kurorës së pemës është një punë e vështirë dhe mjaft e lodhëshme. Kjo punë është e arsyeshme të nisë qysh në fidanishte, kur ulliri është i ulët dhe lehtësisht i manovrueshëm  për ti dhënë formë kurorës së tij. Në vitet e parë të shekullit ku jetojmë  (pas viteve 2000 ), në Kalivaç të Tepelenës janë bërë përpjekje për kultivimin e ullirit në parcela e me kurorë të disiplinuar. Në Majën e Tendës, në fund të Jorgave, në Xina, në Kullustra e në bahçe të veçanta janë mbjellë fidanë të varieteteve të preferuar, të marrë nga vendet fqinje, të cilëve u shërbehet mbi kritere shkencorë.

Ulliri shtohet në disa mënyra të mirënjohura nga ata që e kultivojnë këtë pemë. Ulliri i egër mbin kudo e në mënyrë sporadike.  Ai pëlqen tokat gëlqerore dhe sidomos gurishtet. Mbi lastarët e njomë të pemës, pemëtari bën shartimin, me kalema; duke vendosur si mbishartesë varietetin e pëlqyer dhe si nënshartesë ullirin e egër. Por mënyra universale e shtimit të ullirit është ai me farë (bërthamë)  të cilat mbillen në farishtë, e mbas një viti transplantohen në fidanishtë, ku qëndrojnë 2-3 vjet të tjerë. Teknologjia e shtimit të ullirit, në këtë mënyrë është e përparuar dhe kontrollohet e drejtohet më lehtë. Egziston dhe një mënyrë tjetër për shtimin e ullirit. Bëhet fjalë për shtimin e ullirit  me shpatull. Rreth trungut të ullirit, aty ku pema sapo del nga toka, zakonisht dalin lastarë . Ata shqyhen me një copë dru, nga trungu dhe ashtu futen në tokë, në vendin ku është hapur gropa, e cila, me fidanin brenda mbushet me dheun e gërmuar të përzier me pleh dhe ngjishet mirë. Në këtë mënyrë probabiliteti i zënjes është relativisht më i vogël.

Druri i ullirit, në raste të veçantë përdoret edhe për tu djegur . Nga djegja e tij çlirohet fuqi kalorifike e lartë dhe prushi i përftuar nga kjo djegje  mban gjatë.Por, nuk ja vlen të djegësh drurin e ullirit, për t’u ngrohur, mbasi ai është i rrallë e kushton mjaft. Gjethi i ullirit është i vogël, në formë elipsi, jo i trashë. Gjethi i ullinjve, në Kalivaç është përdorur, kryesisht  i freskët, siç gjendet në natyrë, për ushqimin e bagëtive, por, kjo gjë, nuk ngre peshë. Në vende të tjerë, sidomos në SH.B.A- të, gjethi i ullirit, në formë çaji përdoret me sukses për mjekimin popullor të hipertensionit arterial.

  • Kalivaçi i Tepelenës, për hir të së vërtetës, nuk trashëgon ndonjë përvojë të veçantë në kultivimin e rrushit ( vinikulturës ), por, pa gjë nuk është. Në shekullin e IXX të e të XX të, disa fshatarë nga Kalivaçi kanë tentuar të mbillnin vreshta. Dhe ia kanë dalë ta bëjnë këtë kultivim, por, ndonjë rezultat konkret nuk kanë arritur. Jeta e vreshtave të mbjellë ka qenë e shkurtër dhe rendimenti i rrushit i papërfillshëm.  Disa syresh, me kohë, janë zhdukur fare nga faqja e dheut. Këtë fat patën: vështi i Dajlan Xheladinit e ai Mahmut Muharremit, sipër Çesmës së Halilet;  vështi i Shefit Qazimit, në Luadhe; vështi i Abedin Kahremanit, në Plirë; ai i Rexhep Abedinit, në Kullustra; vështi i Beret,në Meçaj, etj. Sot, në vënd të vreshtave kemi vetëm toponime të tyre. I tillë është vështi i Dajlanit, në Ahmetaj; vështi mbi llomerat e Binajve; vështi i Muharrem Smailit, afër Grykave, etj.

Vreshtat, zakonisht e kanë jetëgjatësinë 40 – 50 vjet. Kjo është e lidhur drejtpërdrejt me kryerjen e shërbimeve të nevojshme kulturore. Së pari, jetëgjatësia e vreshtit lidhet me nënshartesën. Kur ajo është antifilokserike  edhe jeta e rrushit është më e gjatë. Po të mos respektohet ky rregull, jeta e një hardhie ulet, deri 25% . Vreshtat, të cilëve, sot  u ka mbetur vetëm emri, ndoshta këtej e kanë pësuar.

Rrushi është quajtur “ mbret “ i frutave, por këtë nofkë ai e meriton, kur i bëhen shërbime  kulturorë të shumtë e të kushtueshëm. Hardhia e lëshon frutin në lastarët rishtarë, të vitit të fundit ( vitit në vazhdim ), prandaj ajo krasitet çdo vit. Krasitja e hardhisë bëhet përpara se lastarët të lëngëzojnë.

Ajo bëhet prej mjeshtërve krasitës dhe me pajisjet e  me përvojën e nevojshme. Kur rrushi ka çelur e ka rritur gjethin, afërsisht sa pëllëmba e dorrës, vreshtari i bën trajtimin me preperete kimikë. Dikur, për këtë qëllim përdorej lëngu bordolez, i cili ishte përzierje e gurit të kalit, ose sulfatit të bakrit  (Cuso4 ) me gëlqeren. Kohët moderne kanë prurë preparate më të përparuar, krahasuar me lëngun tonë tradicional, të cilit i ka kaluar koha e nuk zihet më në gojë si shpëtimtar. Trajtimi i hardhisë me lëng bordolez ishte i domosdoshëm të kryhej, pas çdo shiu, përndryshe hiri e ndryshku bënin namin në vreshtari. Këtej,besoj, ka dalë thënja e moçme se: “ dhija dhe hardhia nuk duan shi ”. Hardhia ka nevojë dhe për shërbime të tjerë të domosdoshëm, si prashitja, për të luftuar barërat e këqia e për të ruajtur lagështinë e tokës, nëpërmjet”prishjes” të tubave kapilarë etj. Tëharrja e gjelbër;  vendosja e shtyllave (hunjëve), në çdo kucër ( rrënjë), lidhja e lastarëve, fërkimi i kucrave, për të larguar lëvozhgat e thata, si vatër infeksioni, etj, janë disa shërbime të tjera të dobishme për hardhinë. Kësisoj, deri sa të bëhet për ta vendosur mbi tavolinë, rrushi të nxjerr flokë të bardhë.

Në praktikën shumëvjeçare, kalivaçasit,  nuk ia kanë kryer hardhisë  të gjithë shërbimet e nevojshme; prandaj vreshtaria ka qenë pak e zhvilluar e rrushi nuk ka dhënë rendiment.

Për të patur rrush, kalivaçasi i ka rënë shkurt: në vend që të kultivonte vreshta, ai ka mbjellë pjergulla. Po çfarë përfaqëson pjergulla në vetvete? NJë hardhi e orientuar nëpër degët e pemëve shoqëruese si : vidhi, gorica, lisi, mani etj. Kur bashkëjetesa e hardhisë me drurë të tjerë, frutorë ose pyjorë ka qenë praktikisht e pamundur, vreshtari  i  ka kultivuar hardhitë mbi shtretër, ose me   hereke. Në të dy rastet, si atëherë kur hardhia është vendosur mbi një shtrat, ashtu dhe kur ,për mbështetjen e saj janë përdorur hereket, si lëndë e parë është shfrytëzuar lënda drusore. Duke i ngritur kështu hardhitë, vreshtari ynë është treguar i kursyer në shërbime dhe, siç thonë rëndom në Kalivaç, tek fshatarët vendas ka qarkulluar sllogani: “të mbjellça këtu e të vjelça tek Fiku i Fierit”.

Pjergulla përfaqëson një bimë kacavjerrëse, e cila u ngjitet pemëve gjethevogla . Njëra nga arsyet bazë për këtë bashkëjetesë është fakti se hardhia kërkon shumë dritë të cilën e gjen tek pemët me gjethe të vogël. Fikut, arrës, ullirit, etj, hardhia mund tu ngjitet me vështirësi, prandaj nuk është praktikuar.

Kultivimi i hasrdhisë, në Kalivaç të Tepelenës ka rritur disa breza vreshtarësh të shquar.  Në ditët tona, ka ardhur, si trashëgimi e së shkuarës, mjeshtëria e bashkëfshatarit Shyqo Abedin Hadëraj, nga  Ahmetaj; Daut Mahmut Pashaj, nga Hysodosaj; Shefit Qazim Muharremaj, nga  Hasanimeraj; Rexhep Abedin Malaj e Liço Kapo Malaj, nga Beqiraj; Karafil Mahmut Bilaj; Tahir Axhem Llakaj; Nebi Çizos, Zagoll Salikos; Qamil Hekuranit etj. Të pakrahasueshëm kanë qenë si shartues pemësh e vreshti Qazim Tafil Zenelaj; Daut Mahmut Pashaj, Azis Selfo Alidervishaj e Kalo Guçe Dulaj, etj.

Kultivari më i preferuar i rrushit për tavolinë, tek kalivaçasit ka qenë razakia.Thonë se origjina e këtij rrushi është nga Korinthi i Greqisë, prandaj disa e emërtojnë thjesht “ rrush korinth”. Për nxjerrjen e rakisë ka qenë më i pëlqyer varieteti i rrushit të verdhë, kokërrvogël, i cili është emërtuar: “ rrush pulës”.  Vajtja në kurbet e mjaft djemve nga kalivaçi, solli prej vendeve fqinje  kultivarë të tjerë, me rrush më cilësorë e më produktivë. Kësisoj asortimenti i rrushit është shtuar mjaft. Ndonëse përdorimi i verës, në Kalivaç nuk njeh ndonjë traditë të veçantë, futja në fshat e kultivarëve të rinj të rrushit, e ka gjallëruar edhe këtë fushë.

Mbjellja e hardhive me shtrat e me hereke, paraqet disa veçori e më së shumti, disa  vështirësi konkrete të cilat nuk mund të injorohen. Fshatari që donte të kishte rrush por nuk dispononte pemë të preferuara si shoqëruese të saj, përcaktonte vendin ku do të mbillte hardhinë dhe hapte gropën. E rrëfejnë si kuriozitet por ka një të vërtetë me vete: Dikur, një fshatar donte të mbillte një hardhi e i bëri pyetje një profesori  të nderuar:” sa të madhe ta hapte gropën” ? Profesori kokëplotë, pa u menduar gjatë u përgjigj: “Sa ta kesh bahçen, aq hape dhe gropën”! Kuptimi i këtyre fjalëve të mençura është i qartë: përmasat e gropës janë pa kufi.

Mbasi ka mbjellë hardhinë, vreshtari shkon në pyll. Dikur ai shkonte në Gryka, në Koçimare, në Përroin e Dardhëve, në Kurrizin e Ziles e gjetkë dhe priste hunjë, me trashësi të ndryshme e gjatësi sa të ishte druri  i pyllit. I krasiste ata e i sillte tek gropa ku kishte mbjellë hardhinë. Fundin e hurit, e bënte drunë me majë dhe e digjte në zjarr, që të mos kalbej shpejt. Nuk janë të preferuar hunjët prej rrapi, mbasi ky lloj druri nuk është rezistent ndaj lagështisë. Më të preferuarit janë drurët e lisit e të vidhit, por këta, në territorin e Kalivaçit gjenden me vështirësi.  Më tepër përdoret druri i koçimares, i cili gjendet me shumicë në Kalivaç. Si në rastin kur bëhet shtrat dhe në tjetrin kur  hardhia mbështetet mbi hereke, drurët zgjidhen që të jenë të drejtë e sa më të gjatë. Kur bëhet shtrat,  hunjët kapen e lidhen me njëri-tjetrin tek koka e tyre ( tek fundi), me kulpër, me konopicë ose, po të ketë mundësi, me tel. Lartësia e shtratit mund të jetë 2-2.5 m, kurse madhësia (përmasat e shtratit) mund te jenë, aq sa i duhet pronarit dhe sa ta ketë vendin e përcaktuar për këtë qëllim. Hereket mund të jenë degë pemësh, të futura në tokë rreth 50 cm, të ngjeshura fort me dhe e gurë, me çatalla (degë), të cilat shërbejnë për të mbajtur lastarët e hardhisë. Kur hardhia zhvillohet, lastarët e saj kapen fort pas herekes ose shtratit, me ndihmën e lozeve vetjake (tip suste ), e më pas dalin kacavjerrëset, të cilat e shtrëngojnë fort hardhinë pas mbështetëses të saj. Kur si mbështetëse e hardhisë shërben shtrati, hunjët që formojnë shtratin vendosen larg njëri-tjetrit rreth 2-3 m. Kështu shtrati bëhet më i fortë dhe e mban kollaj ngarkesën që i shkakton rrushi.

Kultivimi i hardhisë, si forma më e përdorur për rritjen e rrushit, në Kalivaç të Tepelenës ka disa preferenca sa i takon pemëve shoqëruese . Gorica (dardha e egër), është  më e përshtatshme. Kjo preferencë lidhet me faktin se gorica i ka gjethet të holla e të ngushta dhe degët e saj lejojnë depërtimin e rrezeve të dritës natyrale, aq të domosdoshme për zhvillimin e hardhise e të rrushit. Hardhive që u qepen pemëve, në Kalivaç u thonë pjergulla. Varietetet e rrushit që kultivohen si pjergulla janë të larmishme. Më të pëlqyerit janë razakija, si rrush tavoline dhe rrushi i verdhë me kokërr të vogël, të rrumbullaktë, i cili quhet rrush pulës.

Pjergull me rrush razaki ka patur në Margëlliç, bashkëfshatari  Karafil  Mahmuti dhe i vëllai – Refati. Ata i kishin hedhur hardhitë në pemët e goricave e të vidhave, në ledhet e arave dhe merrnin mjaft rrush prej tyre. I dëgjuar për kultivimin e pjergullave ka qenë dhe plaku i urtë Çizo Selfo dhe Muharrem Kamberi. Në fund të shekullit të XX -të bëri përpjekje të frytshme dhe i moshuari Safet Ahmeti, në vendin e quajtur Përroi i Llaskos . Safeti i shoqëronte pjergullat me pemën e manit të bardhë. Sot, në Kalivaç të Tepelenës, pjergullat kanë mbuluar oborret e shtëpive dhe kultivimi i tyre i mbështetur mbi shtrate ka marrë një zhvillim të paparë.

Rrushi, në Kalivaç, zakonisht është me farë dhe nuk është i asaj cilësie që të bëhen stafidhe. Po ta lesh në degë, pas pjekjes fiziologjike, nga kokrra e rrushit largohet lagështira e brenda saj mbetet një emulsion i trashë, i ëmbël dhe lëkura e rreshkur e rrushit, por për ta quajtur stafidhe, zor se i përmbush kërkesat. Lidhur me përgatitjen e stafidheve, në Kalivaç nuk gjejmë ndonjë përvojë të veçantë;prandaj rrushi konsumohet i freskët, në gjendjen natyrale të tij.

Shtimi i hardhisë realizohet në disa mënyra.  Më e përshtatshme dhe më e preferuar është shtimi me fidanë. E mira e kësaj metode konsiston në faktin se hardhisë të ardhshme i vihet si nënshartesë kalem antifilokserik, i rrënjëzuar kurse si mbishartesë kalem i rrushit që preferojmë.  Kësisoj, rrushi i përftuar do të jetë i cilësisë që duam dhe jetëgjatë.

Shartimi i kalemave të butë, mbi kalemat e egër kryhet zakonisht në të hyrë të pranverës, kur sythat e kalemave të hardhisë janë akoma në gjumë, dmth derisa akoma nuk ka filluar rrjedhja e lëngut, prej tyre. Shartimi bëhet nga duart e mjeshtërve vreshtarë, të cilët, kalemat njëvjeçarë, pas shartimit, i vendosin në arka druri, të shtratifikuar me tallash druri, në dhoma të ngrohta. Në këto dhoma, arkat me kalema hardhish mbahen derisa vendi i shartimit të “saldohet” dhe nënshartesa të rrënjëzohet.  Pas kësaj, kalemat  me rrënjë transplantohen në fidanishtë e më vonë në vendin ku do të mbillen përgjithmonë.  Ka dhe një mënyrë tjetër shtimi: mbjellja e hardhisë drejtpërdrejt në tokë, pa u rrënjëzuar e pa u shartuar por prej kësaj metode, probabiliteti i zënjes është i vogël dhe jetëgjatësia e hardhisë, e diskutueshme. Kur vreshtari kërkon ta spostojë hardhinë e tij, disa metra më tej, ai hap një kanal jo të thellë (rreth 30cm) dhe të gjatë sa lastari që do të spostojë .E vendos lastarin e hardhisë, në kanal dhe e mbulon me dhe, deri në sipërfaqe. Kusht i domosdoshëm është që hardhia të jetë “në gjumë”. Po ti hedhë ca pleh organik , në kanal , vetëm mirë i bëhet hardhisë. Gjithashtu është mirë që lastari , i cili do të futet në tokë të jetë me moshë 2 e më tepër vjeç.

  • Eshtë një nga pemët frutore më të kudondodhure e shumë e preferuar për ushqimin e njerëzve. Kultivimi i fikut në Kalivaç të Tepelenës ka gjetur terrren mjaft të favorshëm, sa i takon klimës dhe kushteve tokësorë. Në tokat gurishte dhe në ato me përbërje gëlqerore, fiqtë zhvillohen normalisht, pa shpenzime e japin fruta me shijë të preferuar. Varietetet e fiqve që kultivohen në trevën e Kalivaçit janë të larmishëm e me përmbajtje të lartë glukoze. Ndër më të përhapurit janë fiqtë e llojit Bradashesh. Ky kultivar, i ardhur në Kalivaç qysh prej kohësh që nuk mbahen mend, tashmë  ka fituar qytetarinë, e mund quhet: “kalivaças”. Veçori karakteristike e këtij varieteti është pjekja, dy herë; pjekjen e parë e bën aty nga fundi i muajit qershor dhe të dytën, e jep, në fund të gushtit. Këtë cilësi nuk e kanë fiqtë e varieteteve të tjerë.

Kokrrat e fikut ( trakaliçet), buisin në fund të muajit prill e piqen ( pjekja ekonomike); dy muaj më pas. Kur dalin fillimisht, nga dega e re e pemës kokrrat e vogëla, me ngjyrë jeshile quhen trakaliçe. Ditë për ditë ato zmadhohen e marrin formën e rrumbullakët, me bisht e me ngjyrë kafe të errët. Kur arrijnë pjekjen ekonomike e mund të konsumohen si ushqim për njerëzit, kokrrat e fikut, jo vetëm kanë arritur madhësine, formën dhe ngjyrën përkatëse por janë dhe të zbutur. Ato, kur i kap me dorë, nuk lëshojnë më “qunësht” dhe janë ëmbëlsuar.

Fiku protoshesh ( kështu i thonë në Kalivaç), gjendet thuajse në çdo avlli e bahçe të fshatarëve  dhe në vende të varura e në pyll.  Në sasi, fiku protoshesh, është i shumtë, por cilësia e tij nuk është fort e preferuar, në krahasim me disa varietete të tjerë fiqsh. Kur piqet në fund të qershorit, kështi i parë, është më i shijëshëm e më i kërkuar; kështi i dytë, ai që piqet në fund të gushtit, nuk është aq i preferuae. Ndoshta në këtë  ulje të preferencës ndikon fakti se, në muajin qershor, kur piqet fiku i”lashtë”, frutat alternativë janë të paktë, kurse në shtator ka varietete të shumtë fiku dhe frutash te tjerë gjithfarësh, prania e të cilëve e zbeh rëndësinë e fikut protoshesh.

Kultivar  tjetër, më cilësor se i pari  është fiku vasjarës. Kokrra e tij, vërtet është më e vogël se ajo e fikut protoshesh, por, shijën ky e ka më të mirë dhe është i destinacioneve të shumtë. Kokrra e fikut vasjarës është e rrumbullaktë, me  bisht të shkurtër, me “zemër” të kuqe e me lëkurë të hollë, me ngjyrë gri  të errët e me një brimë, në fund të saj. Fiku vasjarës piqet gjatë muajit shtator;  trakaliçet i nxjerr, në fund  të muajit maj. Rritja e kokrrës të këtij varieteti bëhet më ngadalë, krahasuar me fikun protoshesh. Vjelja e fikut vasjarës, si dhe e varieteteve të tjerë të fiqve, zgjat jo më tepër se një muaj. Konsumimi i frutave të fikut bëhet menjëherë, pas vjeljes së tij, i freskët; mundësisht drejtpërdrejt, i sapo këputur nga pema.  Po ta lemë kokrrën e fikut vasjarës, në degë, ajo rreshket bëhet me vija, të cilave, rëndom i thonë : me shkronja, si ndonjë hartë topografike. Kur prej saj largohet lagështia , kokrra mbetet si ndonjë qese e rrudhur.Kalivaçasit, kësaj i thonë kojse.

Ikëputur drejtpërdrejt nga pema, në veçanti  kur kjo ndodh herët në mëngjes, kur akoma ka vesë, ky lloj fiku ka shijë të pakrahasueshme. Fiku vasjarës pëlqen të rritet  në shtratet e përrenjve dhe anës lumit. Në këtavende, kokrrat e tij janë edhe më të shijëshme.  I të njëjtës cilësi është dhe fiku i kuq, i cili është emërtuar fik shëngjinës. Ndoshta për shkak të origjinës së tij. Ky varietet  e ka kokrrën më të madhe e të stërgjatur e nuk i lëshon pefikut vasjarës, për nga ëmbëlsia. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për fikun e bardhë kokërrmadh e për ndonjë varietet tjetër më pak të përhapur  në Kalivaç të Tepelenës.

Frutat e fikut konsumohen të freskët, siç këputen nga pema, mbasi t’u kemi qëruar lëkurën, me dorë, gjë që realizohet fare thjeshtë, pa mjete ndihmëse e pa mundime. Por fiqtë mund të konservohen me metoda të thjeshta e të konsumohen të thatë, në tri forma kryesore. Forma më e përhapur e konservimit të frutave të fikut janë palafiket, vergjet me kojse dhe bukëfiqet. Në të tre rastet fiku duhet të ketë arritur pjekjen fiziologjike, e cila i përket pjekjes së plotë të frutit. Është fjala për fazën  kur ai mund të riprodhojë veten. Më sipër theksuam se frutat e fikut konsumohen gjatë një muaji e, mbasi kalon muaji, shija e tyre nuk është si më parë. Prandaj kalivaçasit i kanë konservuar fiqtë, në versionet që spjeguam më sipër, në mënyrë që ti kenë për konsum gjatë gjithë vitit.

Teknologjia e konservimit të fiqve është e thjeshtë e pa  shumë shpenzime. Mblidhen kokrrat e fikut, në një shportë, kanistër, kosh, kovë, kazan dhe enë të tjera; transportohen ata pranë banesës e aty i nënshtrohen një përpunimi të thjeshtë . Frutat që nuk janë të shtypur, por ruajnë formën edhe pse janë zbutur çahen në mes, me një thikë, pa i shkëputur pjesët nga njëra-tjetra. Në një lesë prej druri, në një sufra, qër apo thjesht në një tepsi, kokrrat e fikut, të çara në mes, me zemër nga lart, vendosen pranë njëra-tjetrës e çohen në një vend të lartë, ku nuk mund të shkojnë pulat.

Zakonisht enët me fiq të çarë vendosen në vende të lartë  si çati shtëpie, çati kasolleje, angari, mbi mure etj. mjafton të mos i arrijnë pulat, të cilat, i synojnë mjaft. Mbasi të jenë tharë, deri në shkallën sa ta gjykojë nikoqirja, palat e fikut mblidhen e bashkohen me njëra – tjetrën, dyshe, me zemër të puthitur, nga brenda. Me një gjilpryer e me një fije spango, ose me një fill prej leshi, të shkuar në të, palafiket  bëhen vergje, me gjatësi rreth 70-80cm, e ashtu,  lihen të thahen më tej. Kur e zonja e shtëpisë gjykon se tharja e fiqve ka përfunduar, i vendos ata në vende të ajrosur e të freskët, ku nuk arrijnë dot shpendët e familjes apo te gjitonëve. Kokrrat e fikut që janë të rreshkur por të paprishur, thahen njëlloj e shkohen vergje, një nga një . Ky lloj manipulimi quhet :vergje me kojse. Në rastin kur kokrra e fikut është çarë e shtypur e nuk ka më formën e mëparshme, ajo bëhet bukëfiqe. Teknologjia është e thjeshtë: Shumë kokrra së bashku, hidhen në një tepsi, siç hidhet brumi për të bërë bukë. Masës së fiqve u jepet forma që dëshirojmë. Pas kësaj bukëfiqja thahet në diell e, kur ngurtësohet, konservohet në një vend  me kërkesa si më parë.

Fiqtë e tharë, të shkuar në vergje, vendosen në sepetet e nuseve të reja, ose varen në trarë dhe serviren  së bashku me qerasjet e tjera, në urime e në gëzime. Për fëmijët e vegjël, në Kalivaç të Tepelenës qerasja me palafike ka qenë e preferuar dhe shënjë mirësie e respekti. Nuset e reja, kur shkonin në familjet e prindëve, së bashku me dhuratat e shumta që çonin, në bohçe apo në hejbe futnin dhe vergje me fiq të thatë ose me bukëfiqe. I tharë, fruti i fikut mund të konservohet deri në prodhimin e vitit pasardhës.Prej frutave të fikut mund të përgatitet reçel, marmelatë, raki e prodhime të tjera për familjet kalivaçase.

Degët e fikut janë të zhveshura e të lëmuara. Frutat çelin në lastarët e vitit të fundit. Druri i fikut  (fikishtet) janë të brishtë e thyhen me lehtësi. Ai që hipën në degën e fikut, për të vjelë frutat,ose për hobi, duhet të jetë i kujdesshëm , se mund të rrëshqasë e të bjerë. Gjethi i fikut është me madhësi sa njëra pëllëmbë e dorës dhe e ashpër. Gjethet e fikut, të freskëta mund të përdoren si ushqim për gjedhët e për njëthundrakët. Sëmundja kryesore që prek fikun është breshka e bardhë. Ajo, në sasi të madhe vendoset mbi e nën gjethe dhe në trungun e pemës. Ndonjë shërbim të veçantë  për të luftuar dëmtuesit, fikut, në Kalivaç, nuk i bëhet. Ai, zakonisht rritet në natyrë.

Sa i takon shtimit, fiku shumohet kryesisht me fidanë. Forma më e përdorur për shtimin e pemës së fikut është mbjellja me shpatull. Për këtë qëllim, zgjidhet një filiz  nga rrënja e pemës, shqyhet me shpatull  dhe mbillet në një gropë, siç bëhen të gjitha mbjelljet e pemëve frutore. Zënja e fidanëve të mbjellë, në këtë mënyrë, është relativisht më e lehtë.

Druri i fikut; edhe kur thahet, digjet, me vështirësi e nuk çliron ndonjë fuqi kalorifike për t’u marrë në konsideratë. Gjithsesi pema e fikut, e përhapur gjërësisht në Kalivaç të Tepelenës, është fruti më i preferuar, i kudondodhur e  lehtësisht i kultivueshëm. Kultivimi i tij, nuk ka nevojë për   shumë shpenzime. Vetëm se nuk mund të konsumojë njeriu shumë fiq, njëkohësisht, mbasi fiku të vel shpejt. Prandaj thonë që fiku është i rëndë.

  • Është një nga frutat më të përhapur e më të preferuar, në trevën e Kalivaçit të Tepelenës. Ajombillet me fidanë ose përftohet nga shartesa e kalemëve të butë mbi një nënshartesë të egër ( goricë). Nënshartesa më e preferuar është gorica, e cila, në fakt është dardhë por e egër. Fruti i dardhës e pëlqen klimën dhe përbërjen e tokës, në Kalivaç. Atë e gjen kudo: në fushë e në bregore, nëpër ledhet që ndjnë parcelat, njëra nga tjetra e në gjerdhe; në toka djerr e në ara ku mbillen kultivarë. Në Kalivaç rriten disa varietete dardhësh. Më të përhapura e më të pëlqyera janë dardhët elbëse. Kjo dardhë, ndoshta e ka marrë këtë emër, nisur nga fakti që koha e pjekjes së saj përkon me pjekjen e elbit, dmth i përket gjysmës së parë të muajit qershor.

Fruti i dardhës pëlqehet sidomos për lëngun aromatik e për ëmëlsinë e tij. Fruti i dardhës mund të konsumohet i freskët, menjëherë mbasi e kemi  këputur nga dega ose i përpunuar. Lëngu i dardhës, për nga cilësia dhe aroma e mirë, mund të jetë ndoshta nga frutat më të kërkuar të stinës. Dardha elbëse frutin e ka relativisht të vogël, të stërgjatur, me bisht. Lëkurën e ka të hollë, por të fortë; ngjyra e lëkurës të varietetit të dardhës elbëse është e verdhë në të gjelbër. Fruti i dardhës është i fortë e mund të transportohet lehtësisht, i sistemuar në arka, në kosha e në kuti. Ruajtja e frutave të dardhës për një kohë të caktuar mund të realizohet në frigoriferë cilësorë ose në copa (feta) të thata. Prej frutave të dardhës mund të përgatitet reçel, marmelatë, komposto dhe mund të nxirret pekmes, rehani ose edhe  raki. Ka dhe nënprodukte të tjerë, por këto janë më të përhapura në Kalivaç.

Ndër llojet e preferuara të dardhëve janë dhe ato me emrin cepërke. Ato, rëndom quhen dardhë të dimrit .Frutat e tyre piqen në muajt e prapmë të vjeshtës dhe i rezistojnë dimrit, kur sistemohen në vende të përshtatshëm. Dardha cepërke e ka frutin më të madh se dardha elbëse, e të rrumbullakët por nuk është shumë e ëmbël. Shpesh, për ti ruajtur këto dardhë për një kohë të gjatë, në kushtet kur nuk kishte bazë ftohëse, fshatarët e Kalivaçit i futnin ato në thasët apo në hambarët me drithë, për ti ruajtur e që të piqen.

Cilësore e me përhapje të gjerë është varieteti i dardhës qylyke. Kjo lloj dardhe është e përafërt me dardhën elbëse përveç përmasave, të cilat janë më të mëdha. Dardha qylyke, frutin e ka të stërgjatur, me bisht,  me lëkurë të kuqërremtë e me shumë lëng. Lëngu i saj ka mjaft  ëmbëlsi. Ajo mund të konsumohet e freskët dhe e konservuar. Edhe me këtë dardhë mund të bëhen reçelra, marmelatë, pekmez e rehani, komposto e mund të nxirret raki. Vetëm duhet mbajtur parasysh një këshillë e urtë e një mjeku të njohur, sipas të cilit, nuk duhet konsumuar shumë kokrra dardhë. Këshilla e tij është:”Mollën, mos e qëro; dardhën e numëro”. Më qartë e më ëmbël, kjo nuk mund të artikulohet, në shqip.

Nuk mund të lemë pa përmendur llojin e dardhës kakishte. Ky varietet dardhe rritet së shumti nëpër ledhet e arave e në tokat djerr, të cilat janë zakonisht më të varfëra e shtrihen në terrene të thyer. Dardha kakishte e ka kokrrën të rrumbullakët, me përmasa mesatare, me ngjyrë të verdhë kur piqet e me lëkurë të hollë. Përqindja e sheqerit në frutat e dardhëve kakishte është relativisht më e ulët nga ajo në dardhët e varieteteve të tjera.

Druri i dardhës rritet në lartësi mesatarisht 4-5m. Ka pemë të veçanta që mund të rriten dhe më tepër. Kurora e dardhës nuk është shumë e madhe; krahasimisht dhe hija e saj nuk është aq e dëndur. Prandaj dardhës, ashtu si goricës i bashkangjitet e bashkëjeton me të për bukuri, hardhia. Druri i dardhës digjet lehtë por nuk ja vlen të përdoret për dru zjarri. Gjethet e dardhës janë të holla e të imëta; ato, kur bien në tokë shtojnë humusin.

Të gjitha mënyrat e shtimit të dardhës, në Kalivaç janë provuar e vertetuar nga pemërtitësit. Sot, përparësi merr shtimi me fidanë, të cilët përgatiten në farishte e më pas transplantohen në fidanishte. Shtimi i dardhës me anë të shartimit, me kalema, është zgjedhur si një rrugë pragmatiste për të mos zënë tokën arë, e cila është aq e pakët dhe e  kushtueshme në Kalivaç të Tepelenës. Dardhës, në Kalivaç, historikisht nuk i janë bërë e nuk i bëhen shërbime të posaçme. Frutat ia duan, por kujdesi  për të nuk është ai që duhet të jetë. Kësaj praktike do ti shkonte shumë për shtat ajo thënja e urtë: ”në behar të mjelça e në dimër të therça”.

  • Kumbulla. Është e pranishme në hapësirën kalivaçase dhe në në të gjithë varietetet. Por, si frut tavoline, përdorimi i kumbullës është i kufizuar, për shkak të cilësisë të dobët të saj. Bëhet fjalë për paraqitjen e jashtme dhe për shijën , por jo për vlerat ushqimore të këtij fruti. Në hapësirat  e Kalivaçit, frutin e kumbullës, e ndeshim , më së shumti  në variantin e egër, ose siç i thonë rëndom kalivaçasit: kumbulla shqirake. Kumbulla e egër (shqirake) është me ngjyrë të kuqe dhe me ngjyrë të verdhë. Për nga cilësia, të dy llojet janë si binjakë. Kumbulla shqirake mbin kudo; në ledhe e në gjerdhe, në gurishte e në murishte. Ajo nuk ka pretendime lidhur me përbërjen fiziko-kimike të truallit ku mbin. Filizat e kumbullës mbijnë vetiu, ku të mundin e nuk pretendojnë për shërbime kulturore të posaçme. Fruti i kumbullës së egër është i thartë e konsumohet kryesisht nga fëmijët e moshës së  paraadoleshencës e të adoleshencës. Kur arrin fazën e pjekjes fiziologjike, kumbulla, e shtrydhur dhe e kulluar, mund të përdoret si shurup, për ti dhënë thartinë e nevojshme çorbës si dhe përdoret për t’u pirë nga ata që e kanë jashtqitjen të vështirë.

Në Kalivaç të Tepelenës rriten dhe disa varietete kumbullash të kultivuara, të cilat përftohen nga shartimi i kalemave të butë me nënshartesat e egra. Dikur, këtyre varieteteve, edhe pse nuk ishin të një lloji u thoshin thjesht : kumbulla vlonjate. Fruti i kumbullës së butë është jo vetëm i shijëshëm por dhe i pasur me lëndë minerale, në veçanti me kalium. Kumbulla shtohet me bërthamë dhe me shpatull.  Fruti i kumbullës mund të konsumohet i freskët dhe i përpunuar . Prej saj përftohet oshafi, që është kumbull e tharë, mund të përgatitet shurupi dhe rakia . Në Kalivaç rakia e nxjerrë nga kumbulla nuk është e preferuar, prandaj zejtarët nga Kalivaçi i Tepelenës nuk i kanë kushtuar ndonjë vemendje të veçantë këtij problemi. E mbirë dhe e rritur nëpër gure e nure dhe në pyll, kumbullës, në Kalivaç nuk i është kushtuar kujdes as për ti bërë shërbime të ndryshme.

  • Në Kalivaç të Tepelenës ndeshet rrallë, në të dy llojet; si mani i zi, ashtu dhe i bardhi. Familjet kalivaçase, të cilat kanë në pronësi mana, janë të pakta. Aq e vërtete është kjo sa ata pak mana që kanë egzistuar, në Kalivaç, janë “pagëzuar”me emrin e pronarit të tyre. Në Beqiraj ka qenë një man i madh, i lashtë, në oborrin e bashkëfshatarit Muharrem Ismaili, një tjetër ndodhej në avllinë e sadik Dajlanit etj. Punë e përpjekje serioze për të kultivuar mana, në Përroin e Llaskos, bëri i moçmi Safet Ahmeti, etj. Mani i pjekur mirë është njëri nga frutat më të përshtatshëm për nxjerrjen e rakisë, alkooli i të cilës ka dhe efekte kurative. Gjethet e manit janë ushqim mjaft i përshtatshëm për krimbat e mëndafshit por që në Kalivaç, si në rastin e parë dhe në të dytin  përdorimi i manit nuk gjen ndonjë vend të posaçëm. Meqënëse druri i manit është i fortë dhe” jepet” mjaft, në kuptimin e përkulshmërisë , ai përdoret në masë për të përgatitur enët e mbajtjes dhe përpunimit të bulmetit, si dybekë, vedra, kade, talëra, bucela, fërriçë dybeku, parmenda, tevlikë, etj. Pjesët prej druri që përdoren për përgatitjen e veglave të punës të një bujku, kur janë prej mani, gjithmonë dalin cilësore e të pëlqyera. Mani shtohet me copa të rrënjëzuara, me shpatulla dhe me anë të shartimit. Gjethi i manit është i madh e mund të përdoret si ushqim i gjelbër, për bagëtitë. Për rritjen e krimbit të mëndafshit, ushqimi i tij me gjethe mani është i pazëvëndësueshëm.
  • Pjeshka dhe Kajsia. Janë ndoshta ndër frutat me përhapje më të kufizuar në Kalivaç të Tepelenës. Pjeshkët i ndeshim në gjendje gjysmë të egra, me shumë push e me dyllë, nbi lëkurë. Fryti i tyre është me përmasa të vogla e brenda nuk ka shumë lëng. Është e njohur kërkesa që ka pjeshka, si fryt delikat, ka nevojë për shërbime të shumta e të Shërbimet ndaj pjeshkës dhe kajsisë  në Kalivaç i ndeshim rrallë, prandaj ato degradohen shpejt e nuk japin prodhime që priten. Kajsitë, të cilave kalivaçasit u thonë zerdeli, janë edhe më të rralla se pjeshkët. Të dyja shtohen me rrënjë e me shpatull.
  • Është nga frutat më të përhapur e më të kërkuar edhe në Kalivaç të Tepelenës. Arra, kur rritet, formon një kurorë”gjigande”, e cila “vret” bimët dhe pemët që ndodhen përqark saj. Prandaj kalivaçasit e kanë mbjellë arrën ,kryesisht në ledhet ndërmjet parcelave arë ose në vende të lirë e në toka joproduktive. Degët e arrës së rritur janë të lëmuara, çatallat e saj zhvillohen sipas “qejfit”, ndaj njeriu e ka të vështirë të ngjitet për të marrë frutat e pjekur.

Meqënëse frutat e arrës ndodhen në fund të degës njëvjeçare, i zoti i pemës ka qenë i detyruar të përdorë shufrën, si në rastin e shkundjes së ullinjve, ose ti gjuajë kokrrat, nga poshtë, me sende të fortë. Në të dy rastet, së bashku me frutat e arrës, bien në tokë edhe degët njëvjeçare të pemës, duke dëmtuar prodhimin e vitit pasardhës.

Në Kalivaç të Tepelenës janë thuajse inegzistente arrat, guacka e të cilave mund të çahet me dorë. Më tepër të përhapura në këtë trevë janë arrat gunga, të cilat e kanë guackën mjsft të fortë.Fruti i arrës është mjaft i kërkuar. Prej tij përgatiten ëmbëlsira të shijëshme  dhe konsumohen të freskëta , siç janë në natyrë.Arra nuk shquhet vetëm për vlerat ushqimore që bart por shërben dhe për qerasje e dhurata , në raste të ndryshëm.

Gjethet e arrës, dikur janë përdorur nga “mjekët” popullorë të fshatit, për të “ mjekuar” të sëmurët me pneumoni, duke “i hedhur në djersë”. Lëvozhgat e arrës, pas vjeljes së frutit dhe zhveshjes së tij, janë përdorur, si pigment, për të ngjyrosur teshat dhe fijet që shërbejnë për thurjen e tyre.

  • Bajamja. Është frut mjaft i kërkuar e i përhapur në trevën kalivaçase. Bajamet, arrët, shegët, ftonjtë dhe palafiket, dikur mbushnin sepetet e nuseve dhe zbukuronin shtëpitë e fshatarëve, të cilat mbusheshin me aromë të këndshme prej tyre. Ato i gjeje rëndom dhe në palët e rrobave e mes tyre, në stivat që ngriheshin, zakonisht në fundin e odës ose në musëndrat e tyre.

Një dorë me bajame, për fëmijët e vegjël ishte dhurata më e pëlqyeshme që ata merrnin në festa të ndryshme, si qerasje. Pema e bajames  pëlqen klimën dhe tokën e Kalivaçit e rritet kudo. Vende të preferuara të saj janë kopshtet dhe bahçetë, tokat djerr dhe vendet e varur, pak produktivë. Fruti i bajanes është me guackë të fortë; ai ka formë të stërgjatur e të përkulur, me thelb të shijëshëm brenda.

Varieteti i bajames që çahet me dorë, në Kalivaç, ndeshet rrallë. Fshatarët e Kalivaçit e konsumojnë bajamen, siç është, të freskët e nuk e përpunojnë për të përftuar nënprodukte të tjerë.

Druri i bajames rritet mjaft e synon të ngjitet në lartësi; degët janë të forta e të shpeshta, me lëvozhgë të fortë në sipërfaqe  e me të çara, të thella, në gjatësinë e tyre. Gjethet e bajames jnë të holla, të gjata, në formë elipsi, të lehta në peshë, pa përdorim të veçantë si ushqim për blegtorinë. Pjekja ekonomike e frutave të bajames  arrihet aty nga fundi i muajit gusht. Si shënjë për të kuptuar se bajamet mund të vilen shërben çarja e guallit që mbështjell bërthamën. Në këtë fazë, gualli i bajames merr ngjyrë bezhë në kafe e shkëputet lehtë nga bërthama. Shtimi i bajames bëhet me rrënjë e me shpatull por, përshtatja e tyre me tokën ku mbillet, bëhet  me vështirësi.

  • Shega. Është një frut i bukur e i dobishëm. Vlerat ushqyese dhe kurative të shegës janë të njohura e të pranuara nga komuniteti kalivaças e më gjërë. Pema e shegës përfaqëson një shkurre të mirëfilltë. Ajo rritet kudo, e nuk ka pretendime. Shegën e gjejmë në çdo avlli, në çdo kopësht e bahçe; nëpër  ledhe e gjerdhe, pa pretendime lidhur me përbërjen e tokës e pa kërkesa të veçanta sa i takon shërbimeve kulturale. Sëmundjet që e prekin shegën, janë të pa përfillshme. Rrallë gjen shegë të lartë, të ngjashme me  pemët simotra. Ajo formohet si një shkurre, me shumë degë e me gjëmba .

Frutat e shegës formohen në fund të degëve njëvjeçare. Ato kanë madhësi të ndryshme, forma e tyre është e rrumbullakët, me një bisht në fund, me lëkurë të trashë, zakonisht me ngjyrë të kuqe e me hoje brenda.  Kokrrat e shegës, të vendosura në hoje, kanë ngjyrë të kuqe të kristaltë e mund të jenë të ëmbla, majhoshe (me ëmbëlsi mesatare ) ose të tharta.Gjëmbat e shegës janë të gjatë, të mprehtë dhe të shpeshtë. Prania e tyre në trupin e shegës është ndoshta masë mbrojtëse e pemës që të mos ti marrin frutat. Shega,si frut ka vlera të shumta ushqimore dhe kurative. Aroma e kokrrave të shegës është e veçantë e konsumimi i tyre mund të bëhet i gatshëm,  pa ndonjë përpunim paraprak. Lëkura e shegës, e tharë dhe e zier, si çaj është e këshillueshme të përdoret për të luftuar dispepsinë. Ajo përdoret më tepër tek fëmijët e vegjël, në periudhën e laktacionit e pas saj.

Në familjet kalivaçase, shegët, një nga një ose në tufë. Ato janë përdorur dhe për të zbukuruar shtëpitë. Frutat e shegës, të pjekura, me ngjyrën të kuqe e me nuanca të ndryshme zbukurojnë sepetet e nuseve dhe mjedisin brenda shtëpisë. Ato mund të varen, në tufë nëpër trarë e në mure; si objekte zbukurimi, të pëlqyeshme.

Frutat e shegëve ruhen në vende të ajrosura mirë e pa lagështirë. Lëkura e trashë që rrethon kokrrat është faktori i parë për konservimin gjatë të këtij fruti të veçantë. Kur kokrrat e shegës nuk janë të dëmtuara  fizikisht, ato mund të ruhen fare mirë për një periudhë kohore 10-12 muaj. Shega rritet në natyrë, shtohet me rrënjë (fidanë) e me shpatulla dhe nuk i bëhet asnjë shërbim kultural.

Në Kalivaç ka qarkulluar dhe një rit fetar, i lidhur me pemën e shegës. Dymbëdhjet ditë, pas ditës së verës, kur festohet Sulltan Novruzi, veroret që mbajnë varur fëmijët, në qafë e në gjymtyrë, i lyejnë me gjakun e qingjit që theret për kurban dhe i varin në degët e shegës. Besohet se ky rit sjell mbarësi dhe se dallëndyshet, me këto verore të lyera me gjak, do të ndërtojnë folenë e do të rritin zogjtë e tyre, pra,ato, me këtë veprim do ti shërbejnë jetës.

  • Eshtë frut me kokrra të shijëshme e me vlera ushqimore. Fruti i ftoit gjendet kudo në trevën kalivaçase. Ai rritet kudo, pa patur pretendime lidhur me përbërjen fiziko-kimike të truallit e nuk kërkon shërbime të veçanta. Klima e butë e Kalivaçit, dhe ditët e shumta me diell, janë faktorë favorizues për kultivimin e ftoit.Pemën e ftoit e gjejmë kudo; në avlli, në bahçe, në ledhe e në toka të varfëra. Ftoi u përket pemëve që nuk synojnë lartësinë por rritet si shkurre.

Meqënëse ftoi është pemë pa shumë pretendime, kalivaçasit, duke u kujdesur për ta mbajtur të paprekur fondin e tokës arë, ftoin e kanë mbjellë në vende të varur e të varfër. Degët dhe lastarët e ftoit janë të fortë e të përkulshëm. Ftoi shtohet me rrënjë (fidanë) dhe me shpatulla. Kokrrat e ftoit janë të bukura dhe aromatike; ftoi është pemë dekorative mjaft e pëlqyer. Kokrrat e ftoit janë në formë elipsi, e gjerë në mes dhe  në të dy skajet të ngushtuar , me ngjyrë të verdhë e me shumë lëng,  të shijëshëm. Lëkura e ftoit është e hollë e veçohet lehtë. Një kokërr e këtij fruti, në kushte të zakonshme mund të peshojë 500, 600, deri 800 gr. Frutat e ftoit piqen në vjeshtë, aty nga muaji tetor; vjelja e tij nuk paraqet vështirësi.

Ftoi konsumohet i freskët,  duke e ndarë në thela të vogla. Fruti nuk është shumë i sheqerosur por lëngu i tij është mjaft i shijëshëm e aromatik. Nuset dhe gratë e Kalivaçit, me disa kokrra ftoi, të pjekura mirë zbukuronin shtëpitë dhe sepetet, si dhe i futnin në palët e rrobave . Disa kokrra ftoi , i jepnin shtëpisë aromë të këndshme e rrobave erë të mirë. Ftoi konsumohet i freskët por ai mund të bëhet dhe reçel, i cili pëlqehet mjaft dhe është aromatik. Edhe në gjendje natyrale, po të mos jetë e dëmtuar kokrra e tij, ftoi mund të ruhet gjatë, rreth 12 muaj. Gjethet e ftoit, të holla e të stërgjatura,  në formë elipsi, pa ndonjë vlerë përdorimi të veçantë.Në Kalivaç, por jo vetëm, pemës së ftoit nuk i bëhet ndonjë shërbim i veçantë.

Qysh ne kohëtë lashta, lidhur me frutin e Ftoit, ka qarkulluar një paragjykim , sipas të cilit; kur pema mbante shumekokrra , viti do tëishte me llohë e suferinë.

Kalivaçi ka kushte mjaft të mira klimaterike dhe tokësore për kultivimin e pemëve frutore. Zhvillimi i shoqerisëmë këtë fshat, kultura që fitojnë banorët etij në emigracion dhe rritja e nivelit arsimor te bashkëfshatarëve, bëjnë të mundur, futjen e kultivarëve të rinj dhe përmirësimin e sherbimeve ndaj tyre. Kjo është një garanci më shumë se pemët, në Kalivaç të Tepelenës nuk do të njohin kufi në kultivarë e në shërbime.

Në Tiranë, më 5 maj 2012                             

Punoi  Niazi Xhevit Nelaj