(Me rastin e dekorimit:” Nder i Bashkisë Memaliaj, pas vdekjes.)
Në kohë e në vende të ndryshëm ku kam qenë, tutje – tëhu, kur më kanë pyetur, të njohur e të panjohur: Nga të kemi? Jam pëtgjigjur, jo pa krenari: “ Jam nga Kalivaçi i Tepelenës. Aa… ka vijuar bisedën tjetri: “ Je nga fshati i Mehmet Musa Nelaj”? Po i jam përgjigjur bashkbiseduesit tim; jo vetëm nga fshati, por dhe nga fisi i tij. A nuk ju duket ky një prezantim disi interesant?
E them këtë, nisur nga fakti se mjaft njerëz, pavarësisht nga motivi që përdorin si justifikim, kanë braktisur mbiemrin që u ka lënë nëna dhe babai e kanë marrë si të tillë, “ novkën “ e fshatit apo të vendit nga janë. Të tillë janë mbiemrat: Tepelena; Panariti; Mjeda; Terihati; Kozeli; Kalivaçi; Gjergjevica; Vodica; Starja;Libohova; Progonati; Nepravishta; Kuçi; Mati, etj. etj.
Mehmet Musa Nelaj, jo vetëm që nuk e ndryshoi mbiemrin, por mbajti atë që rrjedh nga rrënja, dhe, në asnjë rast nuk e përdori emrin e fshatit për mbiemër. Ai, edhe e mrin e kishte trashëgim nga të parët e tij dhe vazhdimësi të pemës së fisit. Nuk kishte nevojë Mehmet Musai ta bënte veten të “rëndë”, me të tilla “ profka”; ai i bëri nder Kalivaçit, me emrin dhe veprën e tij, ashtu si vetë fshati Kalivaç e nderoi birin e tij të denjë.
Nuk e kam mundësinë për të përshkruar e për të nxjerrë në evidencë vlerat e atij personaliteti të jashtzakonshëm; të tjerë, pas meje, mesiguri që do ta bëjnë këtë, më mirë e më të plotë. Dua të vendos disa piketa, për të dëftuar gjurmët që ka lënë në rrugën e gjatë të tij, në shërbim të komunitetit kalivaças. Dhe çfarë shërbimi? Përkushtimi; dashuria e pafund; militantizmi komunist dhe devotshmëria, ishin një fill i pandarë, i cili e zbukuroi udhën e tij.
Po cili ishte Mehmet Musa Nelaj dhe përse emri i tij, peshon edhe pas kaq vitesh prej ndarjes, nga jeta?
Në dorë kemi një argument “ kokëfortë”, i cili uk na lejon të shmangemi nga “ brazda” e të vërtetës: Mehmet Musai ( kështu etiketohen burrat , në Kalivaç të Tepelenës), jetoi në shekullin që lamë pas dhe veprimtarinë aktive të tij e shtriu në vitet 1951- 1982. Pra, përafërsisht , kemi të bëjmë me një njeri , i cili është ndarë nga jeta gati 40 vjet më parë. Shumë gjëra kanë ndryshuar e mjaft njerëz , që prej asaj kohe janë tjetërsuar, por, Mehmet Musai zihet në gojë , sot e kësaj dite. Janë gjurmët e thella që ka lënë në jetën kalivaçase , ai njeri, me veprimtari militante e atdhetare , të palëkundur, prandaj nuk mund të harrohet, kurrsesi.
Kalivaçi i Tepelenës ësht fshat me bukuri të rralla natyrore e njerëz që nuk ngjajnë me të tjerë. Mehmeti; këtyre bukurive të veçanta të trevës ku u lind e militoi, u shtoi pulsin e jetës së gjallë, hodhi në sheshin e burrave, vlerat që bartëte vetë, si njeri e si djalë fshati.
I lindur e i rritur në një familje e në një fis fis atdhetarësh kalivaças, ku fisnikëria dhe tradita kanë folenë, ai përftoi jo pak nga fshati e nga banorët e tij, por dhe dha, gjithë sa qe e mundur e çfarë mishëronte. Djali i dytë i Nënë Hysnijes, kapedane dhe i xha Musait, të njohur për mënçuri, besë e burrëri; vëlla i Dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar- Sami Musa Nelaj; Oficer i Ministrisë të Punëve të Brendshme; në moshë të pjekur, kur ishte i martuar e kishte dy fëmijë; iu përgjigj thirrjes për të lënë detyrën dhe Tiranën e u ngul në Kalivaçin e tij të dashur, i ndërgjegjshëm se do të punonte në ato gurishte e do të lëvizte nëpër ato rrugica plot gurë e në ato ara ku balta, po t’u ngjit, pas opingave, nuk shqitet lehtë.
Mehmet Musai, të cilin e pamë në funksionin e kryetarit të kooperativës bujqësore të fshatit, për gati dy dekada, si djalë vendi, dukej sikur kish bërë për vete, mjaft nga tiparet më të qënësishme të një kalivaçasi tipik. Pa e tepruar aspak, them, me bindje, dhe këtë nuk e them vetëm unë; Mehmeti ishte njeri i zgjuar, deri në atë shkallë sa ta merrte fjalën nga goja e të “lexonte” edhe çfarë mendoje, për problemin që diskutohej. Ai ishte i shkathët dhe ky tipar i tij ishte aq i dukshëm sa njerëzit shtronin pyetjen: “ Si ua del ky njeri tërë këtyre punëve”? Kryetari bir fshati e bënte natën ditë, për të kryer detyrat që kishte marrë përsipër. Si njohës i mirë i trevës ku shtrihej kooperativa bujqësore dhe i njerëzve me të cilët punonte, ai e kishte më të lehtë punën drejtuese duke i dhënë gjithsejcilit hakën dhe vendin që meritonte. Nuk mbante njeri nën sqetull Mehmet Musai; për të kooperativistët ishin të njëjtë; pa i parë: njërin me syrin e nënës e tjetrin me të njerkës, ai donte e respektonte njerëzit e punës. Hileqarët dhe lajkatarët, ai i kishte inat e i demaskonte, publikisht.
Kryetari i kooperativës bujqësore të Kalivaçit, nuk kishte kryer ndonjë shkollë të profilit agronomik, kur mori përsipër detyrën por e kreu atë, me kompetencë, sikur të ishte një specialist i mirëfilltë. Po si arriti që brenda një kohe të shkurtër të fitonte aftësitë e një njohësi e kultivuesi, nga më të zotët të çështjeve agronomike? Zgjuarsia natyrale dhe thellësia e mendimint iu shtuan militantizmit dhe devotshmerisë së tij dhe bënë të mundur ato që arriti ai njeri i rrallë. Mehmeti, zgjuarsinë natyrale që i kishte falur Zoti, nuk e hidhte dëm. Ai gjendej pranë bujqve më në zë; i vrojtonte ata, si i kryenin proçeset epunës; nuk i vrojtonte thjeshtë por i studionte veprimet e tyre dhe i bënte të vetat. Prandaj, kur dilte përpara njerëzve, nuk “ prashiste broçkulla”, por “ ngullte gozhdë trari”. E donte punën e i dhimbsej prona e përbashkët, prandaj i mësonte shpejt e me lehtësi proçeset e punës që duheshin kryer dhe kohën e kryerjes të tyre.
Më tej, do të përpiqem të radhit, disa vlera, të padiskutueshme të figurës së tij komplekse. Lexuesi, në veçanti ata që e kanë njohur nga afër e që kanë punuar pranë tij, mund të më kritikojnë, unë them: “Nuk prish punë; përkundrazi, përpjekja ime modeste ka për qëllim ti nxjerr në sipërfaqe, ato vlera që nga shumëkush nuk dihen ose, ca më keq, nga të tjerë që duan ti mbulojë pluhuri i harresës. E kam të qartë se vlerat e tij janë të shumta e unë, në një rrëfim si ky, nuk mund ti përfshij të tëra; sidoqoftë, po guxoj. Le të më qortojnë; mirë bëjnë, se ata duan të dinë më të mirën. Jam i bindur se për atë njeri si dhe për mjaft të tjerë ia vlen të shkruash. Mehmet Musai ishte nga ata njerëz, që të impononte dashuri e respekt, me figurën e tij të thjeshtë e punëtore.
Mendoj të përqëndrohem në ato vlera, të njohura por dhe në të tjera, të paditura të cilat i japin personalitetit të tij, një ndriçim të veçantë:
E kam të qartë se vlerat e tij janë të shumta e unë, në një rrëfim si ky, nuk mund ti përfshij të tëra; sidoqoftë, po guxoj. Le të më qortojnë; se mirë bëjnë; ata me dashamirësi duan të njohin më tepër e të dinë më të mirën, por jam i bindur se për atë njeri si dhe për mjaft të tjerë ia vlen të shkruash:
E para; Mehmet Musi ishte trim; i donte e i repektonte trimat dhe në përballje me të, nuk të bente për burrë. Kur erdhi në drejtimin e kooperativës bujqësore, në vitin 1957, jo të gjithë bashkëfshatarët e tij e kishin kolektivizuar pronën dhe punën bujqësore. Pati dhe familje të fisit të tij, madje dhe mjaft të afërm, të cilët nuk ishin të bindur për domosdoshmërinë e futjes në udhën e kolektivizimit të bujqësisë. Mehmeti, atëherë djalë i ri, në cilësinë e njeriut të afërt, me pjekuri e maturi, në çdo rast, nisur nga pozita dashamirësie, por dhe me tone të ngritur, kur duhej, i bindi ata e i futi në kooperativë. Familja e tij, themeluese e kooperativës bujqësore të fshatit, e kishte dhënë shembullin personal.
Mehmeti ishte guximtar e nuk i mungonte fryma e ballafaqimit. Ai ishte i zoti i polemikës dhe ia përplaste, aty për aty bashkëbiseduesit, në fytyrë, të gjitha të vërtetat. Polemika e tij ishte origjinale. Mehmeti nuk shfrytëzonte inatet por përdorte argumentin, si armë tëtij. Veçori e të polemizuarit prej tij ishte se Mehmeti merrte, në çdo rast, merrte anën e së vërtetës dhe e mbronte, fort atë. Ai nuk e linte fjalën të binte në shesh, nuk lëshonte pe por u shkonte punëve, deri në fund.
Për atë njeri ishin të huaja ortakëritë, akraballëqet dhe pazarllëqet dhe dallaveret. Mehmet Musai jetonte me djersën e ballit dhe “ skuqej me dhjamin e tij”. Mmehmetit i dhimbte shumë puna dhe prona e përbashkët. Në çdo orë të ditës e të natës, në mot me diell e në llohë, kur shkonte djersa çurkë e kur ngrica i mbyllte njerëzit në shtëpi, Mehmetin kryetar e gjeje: në arë tek korrej e transportohej drithi; atje ku plugohej apo ku mbillej, prashitej e ujitej; pranë lëmit e në stanet e bagëtive, së bashku me çobanët. Me Mehmetin kishin gjetur belanë bekçinjtë e kooperativës; ai u shkonte për kontroll, në orë të ndryshme e u bënte verejtjet e rastit. Mehmetin e vështroje, përherë në lëvizje. Ai gdhihej në Çesmën e Thatë; dreka e zinte në Fushën e Leshnjes, mbasditen e gjeje në malin e Bozhiqit, në stanin e bagëtive të imëta, duke biseduar me çobanët e kooperativës.
E dyta; Mehmet Musai ishte i thjeshtë, i paanshëm e buzagas. Nuk besoj të ketë familje, e cila të mos e ketë patur në vatër kryetarin e kooperativës bujqësore, në raste dasmash, gëzimesh e në davete apo kur i ndodhte fatkeqësi, për të ndarë me njerëzit gëzimin apo hidhërimin. Për Mehmet Musanë, çdo anëtar i kooperativës bujqësore ishte kooperativist; të gjithë, për të ishin të barabartë. Ai nuk mbante njeri “ nën sqetull” por nderonte njerëzit e punës, ata që i vinin gjoksin punëve të kooperativës bujqësore.
Kur në fshat ndodhte ndonjë fatkeqësi e ndahej nga jeta një njeri, Mehmeti, ndër të parët i ndodhej pranë fatkeqit, për ta ngushëlluar e për ti dhënë kurajo. Në fejesa e në dasma, në gëzime e në gosti, kryetarin e kooperativës e gjeje, mes bashkëfshatarëve, të ulr, këmbëkryq, duke biseduar, shtruar, shesh –besh. Mehmeti kishte zë të bukur e të fortë. Ai këndonte në të gjithë rolet dhe, kur ia hidhte, të ngjante sikur sokëllinte, dhe dilte mbi zërat e tjerë. Ishte zot qosheje dhe e tirrte bisedën sipas bashkbiseduesit. Me plakun kuvendonte si plak; me të riun, sipas temperamentit të tij, me fëmijët ishte i dashur e hokatar. Për tiparet e tij dhe per vleratqë bartëte, në Kalivaç, Mehmetin e donin dhe e respektonin të gjithë. Ai ulej në çdo sofër kalivaçase, pa drojë e pa qibër dhe ushqehej si të tjerët.
Mehmeti nuk kishte drojë të ulej e të hante në të njëjtën kusi me çobanët e stanit e u gjendej pranë edhe të vetmuarve si Aqif Axhem Caushaj, etj.
E treta; Mehmet Musaiishte progresiv, tolerat dhe optimist. Ai “i vinte kokë” bisedëse ishte shterrues. Mehmeti kishte njohje mjaft të gjërë dhe miqësitë, si të vjetrat dhe të rejat, i respektonte e “ i mbante”. Nisur nga autoriteti i pazakontë i tij, hallexhinjtë e delegonin Mehmetin, për të pajtuar dy a më tepër njerëz në mëri.Nuk kanë qenë të paktë rastet kur kryetari i kooperativës bujqësore, me iniciativë apo si i autorizuar, ndërhynte për të shuar sherre, deri dhe për të ndërmjetësuar, për lidhjen e një miqësie të re.
Mehmeti ishte optimist e kurajoz. Punët e tij, jo gjithnjë shkonin mbarë; si në kooperativë dhe në jetën private. Në jetë, Mehmeti pati lulëzime por pati dhe tatëpjeta. Jeta e vuri dhe përpara prapësive të pamerituara, por, ai me optimizmin karakteristik dhe me guximin, si tipar dallues i tij, e vështronte jetën në sy e plot sytë; nuk u ligështua e nuk u lëkund edhe në situata të rënda për të. Mehmet Musai, e mbajti kurdoherë lart flamurin e kuq me shkabë, për të cilin ra, në fushën e betejës, i vëllai partizan. Mehmet Musa Nelaj, ka qenë e mbetet njëri nga personalitetet më të ndritur të Kalivaçit e më gjerë. Me bëmat e tij, Mehmetila gjurmë të pashlyera e bëri emër të mirë duke vijuar traditën atdhedashëse të familjes dhe të fisit të tij.
- I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!
Në Tiranë, shtator 2016
Shkroi Niazi Nelaj
l dashur Njazi,kujtimet e tua per Kalivacin ne vecanti per dajo Mehmetin te lene pa fjale.Talenti jot per te treguar dhe shkruar jane per tu admiruar.Te falenderoj nga zemra ! Astrit Shabanaj.