Në luftën shumëshekullore, për të mbijetuar, në historinë e kalivaçasve kanë rendur përkrah njëra-tjetrës dy komponentë: Beteja për të siguruar bukën e gojës dhe ajo për të mbijetuar.
Çabej i Madh, e ka shqipëruar fjalën Kalivaç, si një vend i varur. Një rrugëtar i rastësishëm, kur përshkon hapësirën, nga lundra, deri tek Goneja dhe nga Ç esma e thatë, deri tek Varri i Hasan Memos, mesiguri që e ka pikasur këtë realitet. Kalivaçi i Tepelenës, si fshat me tetë mëhallë, dihet që është ngritur mbi bregore. Popullsia e tij, e ka siguruar ushqimin, nga fusha buzë lumit të Vjosës, dhe nga arat, që ka hapur vetë, mes korijeve me shkurre. Ara të tilla, prodhimtare gjen në Trapin e Çesmës; në Gryka; në Kullustra; në Moçale, në Daulle, në Cac; tek Gropat, në Bozanaj, në Saloniq e gjetkë. Në vitet e kolektivizimit të bujqësisë, Kalivaçi u kthye në hambar, për rrethin e Tepelenës. Shpesh, në mjedise urbane, kur bëhej fjalë, për këtë fshat, dëgjohej “ novka”: Myzeqeja e Tepelenës. Prodhohej mjaft, prandaj thuhej kësisoj për të.Pas mbledhjes dhe manipulimit të drithrave të bukës dhe produkteve të tjerë bujqësorë, kalivaçasit janë treguar nikoqirë të mirë, për menaxhimin e prodhimeve. Në fund të çdo shtëpie, ndërtohej një hambar, si rregull, prej dhogash, i cili shërbente si magazinë drithi. Në ato familje, ku prodhimet bujqësore ishin të kufizuara në sasi, i zoti i shtëpisë, prodhimet bujqësore i vendoste në një thes, të përmasave të mëdha, i cili quhej harar. Mbusheshin me bereqet edhe enë të tjera, të përmasave më të vogla, të cilat i dispononte çdo familje bujqësore. Kujdesi ishte i madh, e nuk tolerohej të shkonte dëm, asnjë kokërr drithë. Jo vetëm nga skamja.
Në këtë shkrim, do të bëhet fjalë për vendin në të cilin grumbulloheshin e manipuloheshin prodhimet e arës. Është fjala për lëmenjtë. Të tillë ka patur në çdo mëhallë. Lëmenjtë kanë qenë të përhershëm e sezonalë. Thuajse në çdo mëhallë, historikisht kanë egzistuar lëmenj të ndërtuar mbi bazamente të fortë e të shtruar me pllaka guri, të bardhë, ashtu siç janë të njohur dhe lëmënj të shtruar me shur, e të rrahur me tokmak. Më posht do të përpiqem të sjell në vemendjen tuaj disa lëmenj, të cilët i kam parë vetë ose që mi kanë dëftuar më të moshuarit.
Si nikoqir e mendjemprehtë, një banor nga Kalivaçi, e ka ndërtuar lëmin e familjes së tij, i nisur nga disa kritere, të cilët nuk kanë qenë të shkruar në asnjë vend, por, ashtu siç pleqërohej çështja, lëmi ngrihej pranë shtëpisë ose në një anë të parcelës. Kjo zgjedhje e mënçur evitonte zënjen e tokës së bukës dhe bënte të mundur mbajtjen e lëmit nën vrojtim të pandërprerë. Në një lëmë bëhej grumbullimi, shirja e manipulimi i të lashtave dhe i të vonave. Nuk është tepër të theksohet se bimët e arave: ( graminacet), si gruri, elbi, tërshëra, thekra , hokërri ( tepa) etj, shiheshin e manipuloheshin në një lëmë. Disa bimë të harruara, si hokërri, liri, urovi etj, koha dhe mundësitë ekonomike të njerëzve, të përmirësuara ndjeshëm, kanë bërë që këto bimë të bëhen të pavlefshme.
Në të njëjtin lëm, kalivaçasi grumbullonte e manipulonte dhe disa bimë leguminoze, me vlerë ushqimore si fasulja, bizelja, koçkulla, batha etj. Kur pranë lëmit ndodheshin parcelat me misër, bëhej dhe zhvokshja e misrit dhe magazinimi, në hipi, i lëpushkave dhe majave.
Kërkesa për ta patur lëmin pranë shtëpisë buron dhe nga fakti që prodhimi të transportohej më lehtë e me më pak forca, për në shtëpinë e pronarit. Jo vetem në vitet për të cilët bëhet fjalë , por denbabaden, transportimi i drithërave, kashtës, lëpushkave, druve etj. bëheshin me gomerë, kuaj , rrallë me mushka dhe në krahë, për ata që nuk dispononin kafshë ngarkese. Mjetet motorike që janë sot , në përdorim , në ata vite ishin vetëm fantazi. Jo vetëm kaq; infrastruktura ishte fare mjerane dhe kafshët e ngarkuara, pas tyre dhe njerëzit , pengoheshin shpesh, në atë labirinthe me emrin rrugë, në të cilat , me zor këmbeheshin dy udhëtarë.
Lëmenjtë ndërtoheshin pranë shtëpisë edhe për faktin se ata duheshin ruajtur , me vigjilencë të shtuar. Ruheshin nga grabitjet , por më shumë nga zjarret aksidentalë dhe nga ata me qëllim. Grumbullimi dhe manipulimi i dtithëtsve të bukës, bëhej , kryesisht në verë, kur çdo gjë ishte e thatë, si barut dhe zjarret ishin iminent, kudo. Një banor i fshatit ose një kalimtar i rastësishëm, duhanpirës, duke kaluar pranë lëmit, mund të shkundëte çibukun e ndezur , ose mund te flakte tej cigaren , të pashuar dhe zjarri ishte gati. Një zjarr, mund të shkaktohej dhe nga fëmijët trazovaçë, të cilët luanin me shkrepse , ose provonin të shkrepurat e prindërve , dhe provonin, për të shuar kuriozitetin, si mund të merrte zjarr e të digjej një lëmë. Në vitet ’30 të shekullit që lamë pas, në Hysodosaj , ka ngjarë të digjej lëmi me gjithë çkishte brenda, natyrisht , pa dashje, dhe i zoti i lëmit e i mallit – Hysen Mahmut Alidervishaj , e braktisi , fare lëmin në fjalë. Sikur të qe fajtor lëmi.
Zakonisht , lëmenj të përhershëm, të ndërtuar mbi shtresë të fortë e të shtruar me pllaka guri, gëlqeror, kishin disa familje të kamura. Në lëmenjtë e tyre , si rregull, me marrëveshje të palëve, shinin e manipulonin drithërat , familje të varfëra, të cilat nuk dispononin lëmin e tyre. Çdo lëmë kishte një pronar dhe lëmi mbante emrin e tij. I gjithë fshati e dinte dhe e kishte njohur pronësinë e lëmit. Puna për ndertimin e një lëmi, përmban një pleqërim të gjëtë të banorëve të fisit, mëhallës, trevës dhe përthith përvojën shumëvjeçare të disa brezave , lidhur me këtë problem.
Kërkesë e parë, për të përcaktuar vendin ku do të ngrihet një lëm,është pozicioni i tij. Është fjala Për pozicionin gjeografik në të cilin lëmi “rrihet” nga era , për shumë kohë. Po të vështrojmë pozicionin e lëmënjve në mëhallën Ahmetaj, njëra nga më të mëdhatë e më tipiket lëmënjtë kryesorë ndodhen në një vijë të drejtë, në anën Veriore të mëhallës, buzë vendit të mbuluar me shkurre, të quajtur Brinja e Qëndros. Duke filluar nga lëmi i Mane Tafilit, në krye të mëhallës e duke zbritur, tek lëmi i Dajlan Muharremit, më poshtë , tek lëmi i Xhemal Haxhiut e deri tek i fundit, ai i Ahmet Selfos, të gjithë , jo vetëm nuk zenë troje e arishta, por , me thyerjen e ditës, ata “rrihen” nga era që vjen nga Veri- Perëndimi. Ky fakt e bën më të lehtë veçimin e kashtës nga kokrrat, kur shihet gruri dhe graminaçet e tjera.
Po të vazhdojmë , më në brendësi të kësaj mëhalle, lëmenj të tjerë e plotsojnë mozaikën e këtyre objekteve. Në krye të mëhallës, ka funksionuar lëmi i Hysni Metës, nga Dërajt. Ky lëmë është i ndërtuar , në anën Jugore të shtëpive me të njëjtin pronar. Disa metra më posht ka qenë lëmi i Muharrem Kamberit, i cili , për vetë pozicionin e përshtatshëm shfrytëzohej dhe nga gjitonët e Xhako Rremes. Në fund të mëhallës , ishte lëmi i Hasim Mehmetit dhe ai i Novruz Selfos. Më i “rrahur” ka qene një lëm në pronësi të Muhedin Salihut, i cili shfrytëzohej , kryesisht nga Mehmetajt por dhe nga familje të tjera. Sherif Rrapo Muçoi,aj dhe vëllai i tij , Demiri , e kishin ngritur lëmin në vendin e quajtur Luadhe; atje ku ka qenë dhe një qivur , i fisit Sakaj.
Një lëmë të përkohshëm ndërtoi në Gurishte Resul Nelua i Binajve, i cili u shfrytëzua shumë pak , sipas destinacionit.
Në mëhallën Meçaj, dikur kanë qenë në efiçencë dy lëmënj. Njëri syresh, më i lashti, ndodhej në hyrjen Perëndimore të mëhallës. Në këtë lëmë, shinin drithëra e bënin manipulimin e tyre , familjet e dy fiseve kryesore: Xhaferajt dhe Dulajt. Ky lëmë, ishte ndërtuar mbi një shtresë dheu të ngjeshur ,. Me tokmak dhe në qendër të tij ishte një strumbullar. Lëmi tjetër u ndërtua në daljen Veri-Perëndimore të mëhallës. Ky lëmë , vërtet u mbulua me pllaka guri, të bardha, por nuk kishte strumbullar. Ndoshta ky ka qenë dhe shkaku i mospërdorimit të tij , sipas destinacionit. Dalëngadalë, shfrytëzimi i tij u orientua nga manipulimi i kulturave të arave si fasule, bathe, bizele,koçkulla, fierëza, urov etj.
Në mëhallën Bozanaj kanë funksionuar disa lëmënj. Në hyrje të mëhallës, menjëherë pas Lisave të Hysajve kur vjen nga Majat, majtas, ka qenë një lëmë në parcelën dhe në pronësi të Jashar Pelivanit. Në këtë lëmë, shimin e manipulonin atë pak grurë që prodhohej në atat përqark , të cilat ishin , kryesisht të Hysajve apo Malajve të dikurshëm. Them atë pak grurë , nisur nga fakti se arat që “ “ushqenin “ këtë lëmë prodhonin hokërr ( tepë) dhe urov.
Më tej , ndodhej lëmi i Azbi Bako Çelaj. Lëmi ishte i ndërtuar mbi një truall të fortë dhe përsipër ishte i shtruar me pllaka guri gëlqeror. Në kohën e kolektivizimit të bujqësisë. Ky lëmë dhe territori rreth tij u shfrytëzua nga kooperativa bujqësore e fshatit , për shirjen, manipulimin dhe magazinimin e prodhimeve bujqësore. Pranë tij ishte lëmi i Dostajve, në pronësi të Riza Kamberit, i cili shfrytëzohej nga familja e Nazif Muharremit dhe e Resul Myslymit. M bi shtëpinë e Jashar Pelivanit ishte një lëmë, i cili shfrytëzohej nga Malajt, ashtu sikundër , pranë Lisit të Aget, në avllinë e Idriz Agos, ka funksionuar një lëmë , në të cilin shinin e manipulonin drithin , familjet e pakta në numër të fisit me të njëjtin emër.
Në vendin e quajtur Brinja e Beut, familjet e fisit të Mehmetajve kanë patur e kanë shfrytëzuar një lëmë , në të cilin nuk përziheshin të tjerë. Po ti etiketonim si dikur, në mëhallët e jashtme ka patur lëmë , në Cac; në Leshnje, pranë shtëpisë të Çoban Dules; në Trëndafile, në Specovë etj.
Gjeografia e shpërndarjes të lëmenjve , në trojet e mëhallës së Hysodosajve ka qenë më e dendur dhe më komplekse. Në hyrje të mëhallës, kur vjen nga Qafa e Dërrasës, ndërmjet shtëpisë të Azis Selfos dhe asaj të Dedmir Seitit , ka qenë një lëm, mbeturinat e të cilit janë akoma, i cili kishte si taban , shur të bardhë, të ngjeshur me tokmak dhe një strumbullar , në mes. Në këtë lëmë shinin e manipulonin drithëra, familja e Demir Seitit;ajo e Besim Velos dhe e Azis Selfos. Pas djegjes së lëmit , në këtë objekt , shinte e manipulonte dhe familja e Hysen Mahmutit. Pas shkëputjes nga trungu familjar i Ali Demirit dhe largimit në azil pleqërie të Besim Velos, ky lëmë u lehtësua disi nga ngarkesa , por, pa gjë , nuk mbeti.
Ramajt, si fis i madh , në Hysodosaj, kanë shfrytëzuar lëmin e tyre, i cili ndodhej sipër shtëpisë të burrit me taban , Selman Xhaferri. Në anën Jugore të tij, ndodhej banesa e Zoto Halilit, me avlli të madhe, me dy kate , me kollona të gurta në hyrje të portës dhe me sofatë guri. Ky lëmë dhe ai i fisit Sulaj, tek rrapi i lashtë , kanë qenë të shtruar me pllaka guri , të bardhë dhe , për shkak të pozicionit të favorshëm për hedhjen në veri të drithërave, ishin mjaft të preferuar. Ata ishin të pozicionuar në majë të atij bregu ku erërat frynin fuqishëm e vinin , nga anë e anës. Lëmin e Sulajve e shfrytëzonin familjet e : Tefik Medinit dhe vëllait të tij , Mete Medinit, të Sulo Beqirit e të Qamil Sulos. Aty shinin e manipulonin dhe Azizajt: familja e Azis Telhait dhe e Jaçe Sadikut dhe Ago Mersin Hoxhaj. Në fund të mëhallës, afër Çesnës të Halilet, ishte lëmi i Gani Muharremit , nga Ramajt. Lëmi në fjalë ishte ndërtuar pranë shtëpisë të Ganiut dhe i pozicionuar pranë varrezave të fisit.
Në Hysodosaj, një lëmë më vete kishte Mahmut Muharrem Pashaj. Lëmi i tij ishte i pozicionuar në mes të ullinjve, poshtë shtëpisë të tij. Në atë lëmë shinin e manipulonin drithërat , përveç Mahmutit, edhe Pashajt e tjerë, e hera-herës edhe Murat Jahua. Mbi vreshtin e tij , me rrush e pemë të tjera, kishte bërë një lëmë Dajlan Xheladin Myftaraj, i cili dispononte ara të shumta e të begata.
Në Beqiraj dhe në Hasanimeraj, kanë patur lëmënj: Muharremajt , me të parin e fisit – Shefit Qazimin; Dulajt, së bashku me Brehamajt, të cilët janë shuar; Musa Brahushi, nga Bilajt; Safet Ahmeti, nga Çanajt dhe lëmi i Malajve, tek mëni i Muharrem Ismailit. Por , lëmi më i kompletuar e më funksional ishte ai i Haxhiajve ( Hysenajve), i cili kishte për pronar Muharrem Haxhinë dhe vëllanë e tij- Beshirin. Lëmi ndodhej rreth10m në Jug-Perëndim të odës së familjes Haxhiaj, e njohur si oda e Bilalit. Lëmi ishte pak nën udhën kryesore të fshatit, e cila vjen nga shkolla e zbret , nëpër Hasanimeraj dhe del në Majën e Dërrasës. Shumë pranë lëmit ka qenë një portë e madhe, dykanatëshe , e cila ishte nën një strehë të gurtë dhe , në të dyja anët e portës ishin dy sofatë prej guri e ngriheshin dy kolona të gurta , të gdhendura me mjeshtëri. Lëmi në fjalë ishte i shtruar me pllaka guri gëlqeror, të vendosura bukur , pas njëra-tjetrës dhe i pajisur me të gjithë aksesorët e nevojshëm. Era , në këtë lëmë vinte nga ana e anës dhe për këtë , ky lëm ishte i preferuar. Por, përveç Haxhiajve e në tëtësi Hysenajve, në lëmin për të cilin bëhet fjalë, zor se kishte shansin për ta shfrytëzuar dikush tjetër.
Kur përcaktohej vendi ku do të ndërtohej një lëmë, i zoti i truallit , mendonte njqint herë , për të siguruar gjithë kushtet e nevojshme. Duket si detaj i vogël e i parëndësishëm , por nuk është i tillë. Një lëmë duhet të ketë pranë pemë , të cilat të bëjnë hije të freskët. Kjo kërkesë nuk ishte e rëndomtë por jetësore. Për shirjen dhe manipulimin e drithërave , i zoti i mallit thërriste argatë të cilët, në zhegun e vapës kërkojnë hije , për të futur kokën. Kalin , në lëmë e ngiste një djalë i ri , i cili i bërtiste kalit: Y-a; Y-a, e bridhte pas tij , me një shufër në dorë, të tjerët uleshin në hije e prisnin radhën. Nën hijen e pemëve, shtrohej vakti i ushqimit e kjo kërkonte , deetyrimisht një vend në hije.
Kur vendoset për të ngritur një lëmë, doemos që mbahet parasysh kërkesa që rreth tij të ketë hapësira të lira ku mund të ngrihen hipi e të bëhen kasolle të përkohëshme, të cilat shërbejne si depo. Një lëmë i përkohshëm , ka funksionuar gjatë dhe është shfrytëzuar intensivisht, ka qenë sipër Ledhit të Kishës, në anën Jug- Perëndimore të Mekamit të Baba Dëro Fushës dhe shtëpisë të Bajram Rushanit , nga fisi Muharremaj. Ky lëmë, për shkak tëafërsisë dhe dëndësis të arave përqark tij , kishte aq ngarkesë pune , sa njerëzit mbanin radhë.
Në një lëmë, funksionimi intensiv i te cilit bëhet në stinën e thatë e të nxehtë , njerëzit punojnë kryesisht natën; prandaj atyre u duhet të flenë , në lëmë , mes kashtës dhe bykut.
Kuptohet, kohët janë të tjera e njerëzit të ndryshuar. Për dikë, këto radhë mund të krijojnë bezdi, por, në optikën time, të shkuarën duhet tua bëjmë të ditur atyre që nuk e njohin e nuk e kanë përjetuar. Nëse kjo konsiderohet e pavlerë, sejcili le te bëjë zgjedhjen që dëshiron. Teknika do të përsoset e teknologjia do të përparojë, por në Kalivaç, si kudo, bukës do ti thonë bukë e lufta për të do të zgjatë sa të jetë jeta.
Në Voskopojë e në Tiranë, korrik 2016
Shkroi Niazi Nelaj