Përpjekjet për të siguruar ujin e pijshëm, në Kalivaç të Tepelenës, janë aq e lashta, sa vetë fshati. Ato kanë rrugëtuar thuajse paralel me luftën e gjatë për të siguruar bukën e gojës. Fshati i Kalivaçit, i ndërtuar mbi disa kodra e bregore, me lartësi të përafërt, në anën Perëndimore, buzë lumit të Vjosës, ka një fushë të kulluar e të begatë, e cila u siguron jetesën fshatarëve të trevës. Kalivaçasi është fshat” i thatë” e, njëkohësisht ujëplotë. Burimet e paktë ujore brendapërbrenda mëhallëve e bëjnë atë të jetë i thatë, por Vjosa, me ujë në çdo stinë bën të mundur që fshati të ketë ujë të bollshëm, Në largësi nga vendbanimet. Në bregun Verior të Vjosës, rrjedhin nga shkëmbinjtë disa burime me ujë të ftohtë, të pijshëm, të pastër e me bollëk.
Burimi kryesor, ai që “ heq vallen ujore”, në krye të shokëve, është burimi i Gurrës. Ai ndodhet në vendin e quajtur Specovë, ku banojnë kryesisht banorë të fisit Caushaj, të cilët kanë zbritur nga Dorëza. Ky burim rrjedh prej masivit shkëmbor mbi të cilin është ndërtuar mëhalla e Hasanbegajve. Kur ndjek rrjedhën e lumit, drejt Veri-Perëndimit aty ku është montuar pika mbështetëse Lindore e kavos së çelikut që mban lundrën e Kalivaçit “e vetmja në atë zonë”, nga shkëmbi rrjedh një burim me ujë të ftohtë, i cili nuk shteron asnjëherë. Vendasit, këtë burim uji e kanë quajtur Burimi i Sipërm ose Burimi i Madh. Këtu kanë mbushur ujë, në kohë të kohës, banorët e mëhallëve të “ Pusit”. Rreth 100 m më poshtë kemi një burim tjetër, uji i të cilit rrjedh po nga shkëmbi; ai është burimi i Sheshit të Donijes. Uji i këtij burimi është i ftohtë, i lehtë e i pastër por në sasi më të pakët. Në të njëjtën anë, në fund të arave që quhen Gurje, është një burim tjetër uji, me një emër të çuditshëm e të pashpjegueshëm. Ai është quajtur Burimi i Zborakut. Nuk e dimë përse të parët tanë i kanë vënë këtij burimi emrin e një zogu fluturak. Uji i këtij burimi, edhe pse është i ftohtë, nuk preferohet shumë nga banorët e Kalivaçit. Përgjithësisht, vendburimet e ujit të pijshëm, në Kalivaç ndodhen larg qendrave të banuara “mëhallëve “. Për të shkuar nga shtëpia, në burim, një fshatari i duhet të udhëtojë, në këmbë, 20 – 30 minuta. Po të udhëtojë mbi kafshë, atij i duhet të udhëtojë 10 – 15 minuta. Furnizimi me ujë të pijshëm, nga burimet buzë Vjosës, i banorëve të mëhallëve që formojnë “fshatin e madh” ka qenë një punë sfilitëse. Mëhallët e quajtura: Ahmetaj, Beqiraj, Hasanimeraj dhe Hysodosaj, tradicionalisht e kanë marrë ujin e pijshëm në Donije. Përmes një kalvari pambarim.
Banorët në Hasanbegaj, janë furnizuar me ujë të pijshëm, nga burimet e Gurrës dhe në një çezmë, e cila ndodhet aty ku merr udhë përroi i Zelenicës, afër arave me emrin Trëndafile. Por uji i kësaj çezmë nuk është aq cilësor si uji i Gurrës. Meçajt kanë mbushur ujë për të pirë në çezmën e Meçajve. Kjo çezmë është aty ku përroi i Veldonit nis udhëtimin tatëpjetë. Në stinën me shira, banorët e Meçajve mbushin ujë për të pirë edhe në çezmën e “Bukur “. Ky burim uji vetëm emrin ka të tillë. Çezma e Bukur është e njohur dhe me emrin çema e Idrizit, meqenëse pronar i saj ishte bashkëfshatari ynë Idriz Ago, nga Bozanajt. Çezma e Bukur ndodhet në krye të përroit të Zi. Me ujin e pakët të këtyre dy çezmave janë furnizuar banorët e dy mëhallëve; Meçajve dhe Bozanajve. Në Bozanaj është dhe një pus, shumë i thellë, me ujë të ftohtë, të pijshëm. Ky pus, në Kalivaç njihet si Pusi i Malajve, për shkak të fisit që ka banuar në kohë të kohës, në atë breg. Pusi i Malajve është çelur në trojet e vëllezërve: Malo, Shefik e Sulo Bajram Hysaj. Pranë shtëpisë të bashkëfshatarit tonë Zenel Shahini. “ Nofkën”, ky pus, e ka marrë ndoshta për hir të Malos; të parit të fisit. Pusi i Malajve është gërmuar, vite, ndoshta shekuj më parë.
Për lashtësinë e tij sjellin dëshmi kanalet e thellë që janë formuar në gurin rrethor, i cili ndodhet në grykën e pusit. Me kohë, litari që mban kovën me ujë, duke u fërkuar vazhdimisht, pas gurit, e ka “ ngrënë “ atë e ka lënë gjurmë të thella. Kova që përdorej për të nxjerrë ujin nga pusi ishte prej alumini. Paretet e sipërfaqes së kovës ishin të shtypura nga përplasjet me gurët e mureve mbajtës të pusit. Çdo udhëtar, të cilit i ka rastisur të kalojë nëpër mëhallën Bozanaj, patjetër është kthyer tek ky pus, për të pirë ujë e për tu freskuar. Udhëtarët e rastit, të nxehur nga rruga e nga vapa, e pinin ujin e pusit me kovë, siç nxirrej, me grykësi, pa u bërë merak për pasojat. Pusi i Malajve është i thellë, mjaft i thellë. Thellësia e tij është tjetër dëshmi lashtësie. Thellësia e pusit është matur me pashë. Një pash është i gjatë rreth 160 cm. Kush ka dëshirë të mësojë për thellësinë e këtij pusi, mjafton të vrojtojë mozaikun e litarit që mban kovën. Nga koha në kohë, pusi është thelluar e litari është shtuar, me copa materialesh të ndryshëm. Uji nxirret nga pusi me krahë, pa mekanizma të posaçëm. Kjo është punë sfilitëse dhe kërkon një farë “ specializimi”. Aq i thellë është ky pus sa, po të vrojtosh tek gryka e tij, poshtë të zë syri vetëm një pikë të bardhe, që është uji, i cili rrjedh nga damarët furnizues të tij.
Banorët e mëhallës së Leshnjes, kanë mbushur ujë të pijshëm në tre vende; në Gurrë, ku është uji më i mirë, në çezmën që ndodhet në Përroin e Shkallës; kanë dhe pus. Familjet Mehmeti, të cilat banojnë në vendin që quhet Ruç, mbushin ujë në vendin e quajtur “ përroi i çezmës”.
Mëhallët e “ Pusit”, ku bëjnë pjesë: Ahmetajt, Beqirajt, Hasanimerajt dhe Hysodosajt, meqenëse ujin e pijshëm e kanë mbushur në burimet anës Vjosës, ku uji është cilësor, nuk e kanë vrarë mendjen shumë, për të gjetur burime alternative të ujit të pijshëm. Në mëhallën e Hysodosajve për shembull, është hapur vetëm një pus, në avllinë e Dajlan Xheladin Myftaraj, kurse në mëhallën e Ahmetajve nuk ka asnjë pus. Dikur, në fillimet e shekullit të kaluar, u tentua të gërmohej një pus, për ujë të pijshëm, në truallin e bashkëfshatarit Isuf Jaçe Jaçaj “ Nelaj”. Punimet u thelluan deri në kuotën 7-8 m, por ujë nuk doli e, më tej puna u ndërpre. Gryka e këtij pusi të lënë përgjysmë nuk u mbyll e nuk u rrethua. Ajo, ashtu, e hapur si një katana, u kthye ne nje “gogol” e tmerr për fëmijët e asaj mëhalle. As në Beqiraj apo në Hasanimeraj nuk ka pas puse për ujë të pijshëm. Vetëm në Grykën e Margëlliçit, në vendin që quhet Kullustra, ku janë tokat e Muharrem Ismail Malaj është hapur një pus, i cili rrjedh ujë, por ai nuk mund të konsumohet për të pirë.
Lufta për ujin e pijshëm, në Kalivaç ka qenë një kalvar i vërtetë; me shtrirje kohore mjaft të gjatë. Kjo është aq e vërtetë sa, në të shkuarën jo shumë të largët, kur dikush nga fshatrat fqinjë tentonte të bënte krushqi me një nga Kalivaçi, sidomos në rastin kur do të martonte vajzën, pyeste: “A ka pus ose çezmë shtëpia ku do të shkojë vajza ime “? Dhe mungesa e ujit të pijshëm, shpesh bëhej shkak që një krushqi të mos lidhej edhe pse të dyja palët e pëlqenin njëra- tjetrën dhe lidhja ishte e dëshiruar. Në Ahmetaj, në Beqiraj dhe në Hasanimeraj nuk kishte asnjë çezmë. Në Hysodosaj rridhnin ujë dy Çezma; të dyja ishin në fund të kodrës mbi të cilën është ndërtuar mëhalla, por në krahë të kundërt. Çezma e Ninit ishte në pjesën Jugore të kodrës, poshtë shtëpive të Kalo Qazo Ramaj, në të djathtë të udhës qe të çon në Donije; tjetra, Çezma e Halilet ishte në anën Perëndimore të kodrës, afër shtëpisë të Gani Muharrem Ramaj. Çezma e Ninit kishte ujë vetëm në stinën e shirave; në stinën e thatë ajo shteronte.
Për të mbushur me ujë rezervuarin e çezmës të Halilajve, gratë e mëhallës bllokonin tubin metalik të rrjedhjes së ujit me një misërishte dhe prisnin me orë të tëra, sa të mblidhej ujët. Të dyja këto Çezma ujëpakë janë përdorur nga banorët e Hysodosajve, kryesisht për të larë rrobat. Edhe gratë e kësaj mëhalle, ujin për të pirë e mbushnin në Donije. Në kufirin që ndan dy fshatrat fqinjë; Çorrushin nga Kalivaçi, në vendin e quajtur Çezma e thatë, në rrëzë të kodrës qe të çon tek Maja e Dokes, është një çezmë, të cilën e kanë quajtur Çezma e Thatë. Një emër ky, i cili i shkon për mrekulli asaj rrëkeje uji që vetëm çezmë nuk mund të quhet. Në të rrjedh natyrshëm ujët e pakët të një burimi, i cili ndodhet 3o-40m sipër saj, në mes të rrapishtave. Uji që rrjedh nga kjo “çezmë” nuk është i mjaftueshëm as për bretkosat apo gaforret që vegjetojnë në atë pellgaçe. Gjithsesi, me ujin e saj njomnin buzën rrugëtarët që shkonin, nga fshatrat e rrethit të Fierit, për në Tepelenë e më tutje. Në vapën përvëluese të muajve të nxehtë, për një udhëtar që i ishte tharë buza për ujë, kjo çezmë, sido që ishte, nuk qe pa vlerë. Duhet theksuar se kohë më parë, rruga që kalonte nga kjo çezmë ishte e vetmja e këtij lloji. Ajo të çonte tek Kubeja në fushën e Kalivaçit e tek të tjera Kube, më tej, në rrugën për në Jug të vendit.
Nga të gjithë burimet e ujit të pijshëm, në fshatin e Kalivaçit të Tepelenës, më i madhi, më i ftohti, më i pastërti e më i shëndetshmi, pa dyshim është uji i burimit të Gurrës. Ky burim është ujëplotë. Duke shfrytëzuar bujarinë e shkëmbit, afër rrjedhjes është ngritur e ka funksionuar një mulli bloje, i cili mori emrin e vendit e u quajt mulliri i Gurrës. Për një kohë të gjatë mullis ka qenë një fshatar nga Nivica e Kurveleshit të Sipërm, i cili quhej Mufit Xhaferri. Në fshatin e tij, në Nivicë ai njihet dhe me mbiemrin Qamili. Mufiti, së bashku me nënën e tij, Merushen, me të shoqen qe kishte të njëjtin emër dhe me fëmijët e tyre e menaxhuan këtë mulli për një kohë të gjatë. Ata u integruan mjaft mirë në jetën e banorëve të kalivaçit sa, një njeri qe nuk e dinte, vështirë se do të dallonte ndonjë ndryshim, veç gjuhës labçe vënçe që fliste Mufiti dhe dy Merushet. Edhe sot e kësaj dite po ta pyesësh Mufitin; nga je? Të përgjigjet krenar; jam nga Kalivaçi. Por nuk është ky, i vetmi banor, që e pohon këtë gjë. Fisi i caushajve që u vendos në Specovë e jeton atje prej shumë kohësh; të njëjtën përgjigje ka. Po i pyete ata nga jeni? Nga Kalivaçi, të thonë, plot gojën. Ata, gjithashtu u ingranuan shumë mirë në jetën e banorëve të Kalivaçit sa nuk i veçon dot, mbasi, në Kalivaç gjetën mjedis të ngrohtë e u rrethuan miqësisht nga vendasit.
Uji për të pirë, nga burimet e ftohta buzë lumit, ka ardhur në shtëpitë e kalivaçasve, me krahë e në mënyrë primitive. Si punë sfilitëse, furnizimi i familjeve me ujë të pijshëm ka qenë “ specialitet “ i grave. Themi “ specialitet “ mbasi mjetet e transportimit të ujit dhe mënyra si e sillnin nëpër shtëpi ishte tepër e mundimshme dhe e rendë. Ato familje, të cilat dispononin kafshë ngarkese si kuaj, mushka, apo gomerë: transportimin e kryenin me anën e tyre. Shoqëruesi i ngarkesës, burrë ose grua, ngarkonte në të dyja anët e samarit të kafshës nga një bucelë prej druri e cila mbante, zakonisht 25 – 30 litra ujë dhe, kur kafsha ishte e fuqishme, i hipte dhe vetë në mes të samarit, midis dy bucelave. Mirëpo shumica e familjeve nuk kishin kafshë ngarkese ndaj ishin të detyruara ta transportonin ujin, me krahë. Barra e kësaj pune të rëndë binte mbi gratë. Përjashtoheshin më të moshuarat dhe vajzat e parritura. Një grua që shkonte për të mbushur ujë në burim, dikur ngarkohej. Në shpinë ajo ngarkonte një bucelë druri, e cila mbante brenda 25- 30 litra ujë, e lidhte mirë bucelën, pas trupit me anën e një tërkuze, kërruste pak shpinën dhe, së bashku me disa shoqe, merrte udhën për në Donije. Tërkuza që fiksonte bucelën kryqëzohej në gjoks, ku lidheshin cepat e saj në formë fjongoje. Bucela, edhe pa ujë brenda, ishte e rëndë. Ajo, kur ishte përgatitur prej dru vidhi, i cili është më cilësori për këtë qëllim, bosh peshon 6-8 kg. Bucelat që shërbenin për të transportuar e për të mbajtur ujin e pijshëm, mund të përgatiteshin dhe prej dru lisi. Në Kalivaç, mjeshtër për përgatitjen e bucelave ishte sakati nga të dyja këmbët, Hasim Mehmet Nelaj. Më vonë e mësuan zanatin edhe plot më të rinj. Art më vete ishte transportimi nga gratë i ujit të pijshëm me anë të kazanëve. Një grua që shkonte për të mbushur ujë, në burim, kazanin e vendoste mbi kokë. Konkretisht, kazani mbështetej në pjesën e sheshtë të kokës. Në mënyrë që të mos dëmtohej koka e gruas dhe që kazani të mbështetej mbi një sipërfaqe më të madhe, midis kokës së gruas dhe pjesës fundore të kazanit vendosej një kurorë, e përgatitur ne mënyrë artizanale nga gratë. Jo çdo grua detyrimisht duhet të dinte të thurte kurorë. Në Kalivaç kishte disa gra të specializuara edhe në këtë fushë . Kurora përgatitej me litarë tërkuze, siç pleksen gërshetat e grave e të vajzave. Litari i tërkuzës ishte i thurur me fije leshi deleje; në pamundësi për të gjetur lesh deleje bëhej me lesh dhie. Kurora normale kishte përmasa, pak më të mëdha nga “ sheshi “ i kokës. Trashësia e kordonit të kurorës ishte 2-3 cm. Kurora luante rolin e amortizatorit dhe zbuste goditjen e rastit. Me kazanin plot me ujë, në kokë, gratë e fshatit, grupe- grupe merrnin udhën nga Donija për në mëhallët e pastaj në shtëpitë e tyre, nëpërmjet asaj rruge tërë gurë, e cila ishte një kalvar më vete. Shumica e grave dhe vajzave që shkonin për ujë, në Donije ecnin të zbathura. Ndoshta ky fakt përbënte një faktor më shumë që transportueset e ujit të pijshëm çapiteshin sikur lodronin, tërë naze; jo nga malli, por nga halli. Në çdo çap mund të shkelje mbi gurë, e, po të mos ishe e vëmendshme ose mund ta godisje gurin me këmbë. Prandaj gratë, në atë udhë çapiteshin serbes, duke kapërcyer gurët. Nga burimi i ujit deri tek Bishti i Rrëzave të Sulo Beqir Sulaj rruga ishte me gurë, madje të mëdhenj, popla. Përfund Rrëzave, deri tek Çezma e Ninit udha kalonte nëpër një terren me baltë. Vendasit i thonë llokaçe. Kjo copë udhë nuk është më e gjatë se 2oo m, por mjaft e vështire për tu përshkuar. Balta e kuqe ngjitej e nuk shqitej kollaj nga këmba. Kësisoj balta pengonte çapitjen e njeriut. Që të mos ndodhte kështu, në udhe ishin vendosur copa guri, zakonisht të sheshta dhe gratë ishin të detyruara të hidheshin, me kazan në kokë, nga guri në gur. Për një vëzhgues të kujdesshëm dukej sikur transportueset e ujit fluturonin, si akrobatët në cirk. Kalimi nëpër këtë rrugë me llokaçe ishte i detyrueshëm. Edhe sikur dikush të përpiqej të kalonte mbi apo nën udhë për t’iu shmangur llokaçes së bezdisshme, e njëjta gjë e priste. Ai detyrimisht do të ndeshte po atë baltë, në arën sipër apo poshtë ledhit të Rrëzave. Kur kalonin përroin e Zelenicës, gratë, me kazanin plot me ujë në kokë ngjiteshin nëpërmjet një të përpjete jo shumë të thepisur por gjithsesi të lodhshme. E përpjeta vazhdonte deri në vendin e quajtur Maja e Dërrasës.
Deri tek kryqëzimi i rrugëve, atje ku dikur ka qenë një xhami, gratë e të katër lagjeve ecnin së bashku. Aty ndaheshin; Ahmetajt vazhdonin drejt; Hysodosajt rrotulloheshin majtas; Beqirajt dhe Hasanimerajt vazhdonin lartë, mes përmes Dërrasës. Në të tria degëzimet udha, e ngjashme me një udhë dhish, kalonte, herë nëpër gurë e herë nëpër baltë, deri tek dera e shtëpisë të secilës grua. Kësisoj, gratë në Kalivaç, si në çdo trevë tjetër të vendit, kishin monopolin mbi punët e rënda të shtëpisë. Kujdesit për mirërritjen e fëmijëve, plotësimin e kushteve të jetesës për familjarët e tyre dhe punëve të tjera qe lidheshin me punët jashtë shtëpisë si për punimet e tokës dhe mbarështimin e blegtorisë, u shtohej dhe barra e rëndë për të siguruar ujin e pijshëm. Ky shërbim, e shtonte lodhjen e i sfiliste gratë e vajzat e Kalivaçit, por këtë ato e bënin me dëshirë. Mbushja e ujit ishte kthyer në një farë riti, të detyrueshëm. Duke shkuar për të mbushur ujë, së bashku me shoqe, atyre u jepej rasti të qëndronin, të paktën për një farë kohe në atë komunitet të dëshiruar femëror, të shkëmbenin mendime e tij transmetonin njëra-tjetrës eksperienca, të reklamonin fustanet e rinj dhe veshje të tjera, pse jo, të bënin dhe ndonjë thashethem të vogël, pa shumë dëm. Vajtja për ujë ishte jo vetëm mundësi për tu informuar reciprokisht por dhe një shans për tu argëtuar në shoqërinë e njëra – tjetrës.
Saga e sigurimit të ujit të pijshëm, nga gratë e Kalivaçit e niste udhën herët në mëngjes, akoma pa zënë dielli dhenë. Ose në mbrëmje, pa u errësuar, në mukth [muzg], kur dielli kishte rënë poshtë horizontit. Qëllimi ishte i njëjtë: temperaturat e larta të ajrit, të cilat, si shkak kryesor kishin rrezet e diellit, të mos mundnin të “prisnin ujin “ e ftohtë të burimit. Kishte raste kur gratë e vajzat, me kazanë në kokë, hynin në mëhallët e tyre, në udhë takonin gra e burra, të cilët, në mbrëmje ktheheshin në shtëpi, të lodhur e të rraskapitur nga punët e ditës në arë, me buzë të thara për ujë. Shumëkush qaste buzët tek ana e enës e pinte ujë me etje. Ndodhte të pinin disa njerëz në një enë dhe transportuesja e ujit shkonte ne shtëpi me fare pak ujë. Ndonjëra, nga zori, kthehej përsëri, në burim, por kësaj radhe, e vetme dhe pa dëshirën e parë. Uji që depozitohej në kazan, gjatë çapitjes së gruas lëkundej e formonte dallgë të lehta. Shpesh, këto dallgë e nxirrnin ujin jashtë kazanit. Që të mos ndodhte kjo, gratë futnin në kazan disa degë të njoma ulliri, rrapishte etj. Natyrisht, të lara. Degët bënin të mundur shuarjen e lëkundjeve të ujit.
Problem tjetër ishte larja e rrobave. Në stinën e dimrit, për larjen e teshave shfrytëzoheshin rezervat ujore të pellgjeve që krijonin përrenjtë me shtrat të gurtë, si përroi i Veldonit, Përroi i Llaskos, përroi i Zelenicës e më pak ai i Shën Mërisë. Nuk mund të shfrytëzoheshin ujërat e pellgaçeve të përroit të Çorrushit, Përroit të çukales, përroit të Cacit etj, shtrati i të cilëve është prej balte. Në verë, kur këto burime ujore shteronin, larja e teshave zhvendosej në bregun e lumit të Vjosës. Gratë, në grupe, zakonisht bazë fisi, merrnin me vete teshat, kazanët, finjën apo sapunët dhe shkonin në Sheshin e Donijes, tek burimi i Zborakut, në fundin e Jorgave, poshtë Llagëmeve etj, ku ta kishin më afër e ku të kishin më shumë mundësi për të siguruar dru për zjarrin e nevojshëm për këtë rast. Mbasi i lanin teshat, ato i ndernin në diell, i linin të thaheshin e, me rroba të lara ktheheshin, në mbrëmje, në shtëpitë e tyre. Kohë më parë, as që bëhej fjalë për pajisje hidrosanitare në shtëpitë e kalivaçasve, ndaj përdoreshin forma të tilla, të domosdoshme edhe pse disi primitive. Në dimër, kur binte shi, strehët e çative rridhnin ujë. Ky ujë është mjaft i dobishëm. Në veçanti kur dërrasat e çatisë janë të lara. Familjarët vendosnin enë poshtë strehëve dhe mblidhnin ujin që rridhte prej tyre. E përdornin më tej, ujin qe përftohej nga kjo mënyrë, për të larë teshat e për punë të tjera, por jo për të pirë.
Në vitin 1978, me disa investime nga shteti i asaj kohe, në çdo mëhallë të Kalivaçit u instaluan Çezma me ujë të pijshëm. U gëzuan banorët e kalivaçit; shpëtuan gratë e fshatit nga kalvari i vuajtjeve të kësaj natyre; uji u erdhi nëpër shtëpi e nuk ishte më e nevojshme të merrnin udhën për në Donije apo për në Gurrë. Kjo gjendje zgjati plot 20 vjet. Për fat të keq, në vitin 1998 ujësjellësi i Kalivaçit u dëmtua keq e doli jashtë funksionimit. Dora kriminale bëri që Kalivaçi i shumëvuajtur e i zhuritur për pikën e ujit, ” u tha “përsëri. Dikush, nën zë bëri fajtorë disa djem “ të prapë” të paidentifikuar. Me pak investime gjendja u rivendos e tash kalivaçasit nuk e vuajnë më sagën e mungesës të ujit të pijshëm. Shumë njerëz përsëritin sloganin sipas të cilit uji është jetë. Këtë të vërtetë e kanë provuar në lëkurën e tyre fshatarët e Kalivaçit të Tepelenës. Tani, edhe për shkak të furnizimit me ujë të pijshëm nga ujësjellësi, jeta e fshatarëve tanë ka ndryshuar për mirë. Mos e dhëntë Zoti të kthehet koha kur uji i pijshëm në Kalivaç të sigurohet si më parë. Urojmë të mos dëgjohet më ajo kënga e vjetër: Kalivaçi, gur i thatë. . . . Në Kalivaç, tashmë edhe guri është zbutur “ lexo njomur “ nga uji i bollshëm i ujësjellësit. Urojmë ta gëzojnë sa më gjatë bashkëfshatarët tanë, këtë gjendje të merituar.
Do të pyesë dikush: Lexuam mjaft por nuk e ndeshëm legjendën. Pikërisht se është legjendë, e lashë për në fund. Në fshatin Amanikaj të Tepelenës, i cili ndodhet afërsisht 3 km larg nga mëhallët e jashtme të Kalivaçit, dikur, një familje kishte një djalë të vetëm. Djali ishte shumë i bukur dhe i shëndetshëm. Thonë se atë djalë e kishte parë syri i keq dhe e kishte nëmur. Familja, ne oborr kishte një pus, të thellë, nga i cili merrte ujë gjithë mëhalla majë bregut. Duke luajtur me moshataret e vet, një ditë djali, aksidentalisht ra në pus e u mbyt. Gjëmë e madhe mbuloi fisin dhe mëhallën. Mblodhën leshin e deleve, banorët e mëhallës dhe e bllokuan ujin e pusit. Mirëpo uji, si “i hollë” që është gjeti damar tjetër dhe doli në vendin e quajtur Gurrë, poshtë mëhallës Hasanbegaj. Me ujin që buron nga Gurra, banorët e Hasanbegajve, të Specovës e të Leshnjes furnizohen prej kohësh. Me atë ujë është ngritur dhe Mulliri i Gurrës.
Behet fjale per fshatin posht dhe jo per lagjet Mecaj dhe Bozanaj se keto lagje te njejtin avaz kan per ujin. Jan shtruar tubot jan ber te gjitha investimet per kto lagje qe edhe keto te pinin ujin e ftohte dhe te paster te gurres por nuk kan uj. NJE pomp kam degjuar qe mungon. Kaq e veshtir qenka? Nuk ma do mendja por eshte neglizhenca e pushtetareve lokal dhe e vet banoreve qe nuk e ngren zerit per kte.
sa e gjat