Kurset kundër analfabetizmit

Aspirata e banorëve të Kalivaçit të Tepelenës, për arsim e dije është e mirënjohur dhe e kahershme. Por, për fatin tonë të keq, shkolla, në fshatin tonë është hapur reletivisht vonë. Nuk e bëjmë krahasimin me shkollën e parë shqipe, por me simotrat e saj. Në disa fshatra afër Kalivaçit, si në Krahës; Kutë; Fratar, etj. shkolla shqipe është çelur më shpejt.Për këtë, nuk mund të bëhet me faj komuniteti vendas. Përkundrazi, kalivaçasit e kanë dëshiruar , prej kohësh , burimin e dritës , dhe , për këtë , kanë bërë dhe hapat e parë , qysh në vitet ’20 të shekullit që lamë pas. Megjithatë, ndërtimi i shkollës fillore në Kalivaç nisi në vitin 1937 dhe puna ndërtimore përfundoi në vitin 1944, me mbarimin e Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar.

Dyert e shkollës, për fëmijët kalivaças u hapën në vitin 1945. Para Luftës së Dytë Botërore, pak, fare pak banorë të fshatit tonë dinin të shkruanin e të lexonin në gjuhën shqipe. Disa bashkëfshatarë, të cilët kishin shtegtuar udhëve të mundimshme e të gjata të kurbetit, krahas punës së rëndë që bënin për të siguruar një grusht parash, për vete e për ata që kishin lënë pas, me shumë mundim por dhe me shumë dëshirë mësuan të shkruanin e të lexonin, që letrat të cilat u vinin nga familjet të mos ua lexonin të tjerët e të dilnin “ sekretet” e familjes. Siç më rrëfente bashkëfshatari Banush Xhezo Hadëraj , i cili kishte jetuar disa vite në Anadol të Turqisë, dhe, atje, e kishte mësuar, në mënyrë të përkryer gjuhën turke: Në Izmir, mblidheshim në një kafeteri, e cila njihej si kafeteria e shqiptarëve. Në xhamin e kafeterisë, pronari ngjiste letrat tona që vinin nga Shqipëria. I merrnim e i lexonim  letrat tek një vendas, nga Çamëria, i cili ishte njëri nga shqiptarët e ngulur në këtë qytet.

Të tjerë bashkëfshatarë, të moshuar, si Musa Mehmeti; Çizo Selfo; Qamil Sulo; Shefit Qazimi; Muharrem Ismaili; Kalo Qazo etj. dëftonin se, për të shkruar një letër, para çlirimit të vendit, na duhej të udhëtonim, me orë të tëra, për të shkuar tek ndonjë hoxhë, mësues, apo fshatar, në fshatrat fqinjë. Ndonjëri nga kalivaçasit që përjetuan izolimin, shfrytëzoi vitet e rëndë dhe kushtet çnjerëzore të burgjeve të kohës, për të mësuar. vjedhurazi,A,B,C-në e shumëdëshiruar.

Pati dhe ndonjë që ndoqi kurse e shkolla shqipe, apo në gjuhë të huaja, kur ata ishin në shërbim të Ushtrisë Mbetërore Shqiptare ose në shërbim të ushtrive të pushtuesve të huaj. Disa kalivaças, të kamur ose edhe fukarenj por me dëshirë të zjarrtë për të mësuar shkrim e këndim, u regjistruan dhe ndoqën, me sukses shkolla e kurse në fshatra të tjerë, duke ecur në këmbë me orë të tëra.Deri në vitin 1939, vit kur Shqipëria u pushtua  ushtarakisht nga fashistët italianë, në Kalivaç dinin të shkruanin e të lexonin shqip pak njerëz, kryesisht të seksit mashkull. Mes tyre ishin: Çizo Selfo Agaj; Mane Tafil Zenelaj; Muharrem Hasan Nelaj; Ahmet Selfo Zenelaj; Musa Mehmet Nelaj; Zagoll Saliko Xhaferaj; Kapllan Ago Agaj; Rrapo Dano Takaj; Zoto Halil Ramaj; Halil Zoto Ramaj; Qemal Demir Alidervishaj; Mahmut Muharrem Pashaj; Tefik Medin Sulaj; Sinan Hasan Ramaj; Sulo Beqir Sulaj, Sami Musa Nelaj; Qamil Sulo Malaj;Dule Alush Dulaj; Laze Xhezo Hadëraj; Halim Beshir Hysenaj; Bilal  Beshir Hysenaj, etj.

Shërbimi në radhët e Ushtrisë Mbretërore Shqiptare e në xhandarmëri krijoi mundësi që disa kalivaças si Zoto Halil Ramaj; Dule Alush Dulaj; Laze Xhezo Hadëraj etj të mësonin disi të shkruanin e të lexonin. Ata që kishin patur fatin të shkonin në shkollë ishin akoma më të paktë. Mes tyre mund të përmënden: Sami Musa Nelaj; Qemal Demir Alidervishaj; Halil Zoto Ramaj; Muharrem Hasan Nelaj etj. Shumë atdhetare e me domethënie arsimdashës ishte akti i bashkëfshatarit tonë Demir Rrapo Zenelaj, nga mëhalla Ahmetaj. Ai, në vitet para Luftës së Vlorës emigroi ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Boston ku punoi në një fabrikë tekstilesh, në rolin e magazinierit.

Në atë fabrikë, Demiri punonte, së bashku me vëllanë e tij, Sherifin, i cili punonte doker. Si mjaft të tjerë, të dy vëllezërit shkuan, të punonin  për bukën e gojës, por, kur erdhën në fshat, në valixhen e tij të kurbetliut, Demiri, nuk futi dhurata e sende zbukurimi për të shtëpisë e për të afërmit, si vëllai i tij, por kishte futur libra e fletore, e revista, në gjuhën shqip, për të ndriçuar mendjen e bashkëfshatarëve të tij.

Sapo erdhi në familje, Demir Rrapo Zenelaj ( Muçoimaj), në rolin e mësuesit, me materialet mësimore që pruri nga Bostoni, hapi një kurs, kundër analfabetizmit. Në këtë kurs, thonë se u grumbulluan 14 vetë; nga këta , njëra ( Sadua e Muharrem Shemes) ishte shoqe. Në kurs bënin pjesë dhe bashkëfshatarët: Çizo Selfo Agaj; Halil Zoto Malaj; Mane Tafil Zenelaj; Ahmet Selfo Zenelaj, Tefik Medin Sulaj; Malo Barjam Hysaj; Zagoll Saliko Xhaferraj; Rrapo Dano Takaj; etj. Më pas, ata që mësuan shkrim e lexim, krahas disa , të tjerëve që ishin kurbetlinj , të ardhur nga Izmiri dhe të trjerë nga Ushtria Mbretërore  e nga xhandarmëria etj. u bënë kontigjenti i parë i të arsimuarve , në kushtet e atyre viteve.

Shumë e dobishme ishte në luftën kundër analfabetizmitpjesëmarrja e mjaft kalivaçasve në radhët partizane. Partizanët nga Kalivaçi, të cilët nuk ishin pak, por qysh në fillimrt, ishin në shifrën 52 vajza e djem, si dhe luftëtarët e tjerë, në torbën me bukë e me fishekë mbanin dhe një abetare( gjë që në atë kohë ishte luks) ose disa mjete për të mësuar shkrim e këndim. Në vend të dërrasave të zeza përdoreshin pllakat e gurit dhe vendin e shkumësit e zinin gurët me majë, me të cilët gërvishtej pllaka e gurit.

Në zjarrin e luftës për liri, mësuan të shkruajnë e të lexojnë ishpartizanët: Teki Sherif Zenelaj (Muçoimaj); Kadri Ali Hysaj; Myrteza Sadik Xhaferaj; Ali Nebi Caushaj; Gani Zenel Zenelaj; Sefer Rushit Hysenaj; Fejzo Qazim Muharremaj; Sheme Muharrem Agaj; Bilal Beshir Hysenaj; Haki Shaho Caushaj; Selfo Ali Hysaj; Sinan Hasan Ramaj; Bajram Muharrem Ramaj; Shamet Sulo Malaj; Qamil Pasho Nelaj; partizanja Samo Selim Behaj (Nelaj), etj.

Çlirimi i Shqipërisë, më 29 nëntor 1944, si për çdo gjë tjetër edhe në fushën e arsimimit të popullsisë çeli horizonte të rinj. Më në fund u puq aspirata arsimdashëse e kalivaçasve me programin e Pushtetit Popullor të dalë nga lufta. Menjëherë pas çlirimit të vendit, në shtator të vitit 1945, mbasi ishin bërë disa përpjekje, në vende të ndryshëm, u çel shkolla fillore e fshatit, në vendin e quajtur Maja e Tendës. Burrat e mençur e largpamës të parisë të fshatit, jo më kot caktuan , si vendin më të përshtatshëm për ndërtimin e shkollës, Majën e Tendës, si vend i baraslarguar nga të tetë mëhallët autentike të fshatit.

U mendua të shfrytëzohej lartësia e një kodre e cila është të  baraslarguar nga mëhallët e fshatit, të cilat gjithashtu janë ndërtuar mbi kodra të gurta. Mësues i parë në këtë shkollë u caktua bashkëfshatari Halil Zoto Ramaj, djali i vetëm i oficerit madhor të Ushtrisë Mbretërore Zoto Halil Ramaj. Në fillimet e shkollës, mësues ka qenë dhe bashkëfshatari Qemal Demir Alidervishaj, ishpartizan, i cili , më pas, kaloi në fshatin Zhulaj. Të parët nxënës që u ulën për herë të parë në bangat e shkollës ishin djemtë: Caush Hamit Muharremaj; Hekuran Sherif Zenelaj ( Muçoimaj); Arif Qamil Sulaj dhe Zoto Qazim Malaj. Mirëpo kaq, katër nxënës, si fillim ishin pak për të shuar etjen arsimdashëse të kalivaçasve. Çlirimi i vendit e gjeti Kalivaçin me një popullsi thuajse analfabete. Sipas direktivave të Partisë Komuniste të Shqipërisë, në fshat u çelën kurset kundër analfabetizmit.

Fillimisht, këta kurse u organizuan bazë mëhalle. Si rregull, një mëhallë kishte një kurs kundër analfabetizmit. Mëhalla e Beqirajve dhe Hasanimerajt, për shkak të afërsisë gjeografike të tyre,  kishin një kurs. Drejtues të kurseve kundër analfabetizmit, si rregull ishin mësuesit e shkollës së fshatit. Meqënëse në atë kohë mësuesit e shkollës së fshatit tonë ishin të paktë, në ndihmë të tyre u caktuan, djem të zgjuar e me reputacion, nga fshati ynë, të cilët kishin mbaruar me rezultate shumë të mira shkollën fillore. Me qëllim që këta të përgatiteshin nga ana metodike, seksioni i arsimit në rreth çeli kurse kualifikimi afatshkurtër.

Problem ishte gjetja dhe përshtatja e mjediseve ku do të zhvilloheshin këta kurse . Fshatarët e Kalivaçit, të nxitur nga dëshira për të mësuar shkrim e këndim ( lexim), vunë në dispozicion shtëpitë dhe ambientet e tyre, që mund të përshtateshin përkëtë qëllin. Baza materiale, sidomos abetaret dhe librat e tjerë u zgjidhën nga shteti. Këshilli Popullor i fshatit kishte evidencën e analfabetëve dhe  të dhëna plotsuese, kush do ti nënshtrohej kursit kundër analfabetizmit. Në mëhallën Ahmetaj, kursi u çel në shtëpinë e dëshmorit Muharrem Hasan Nelaj, në katoin e odës të djalit të tij Tahirit.

Memja, nëna e pesë jetimëve, një grua zonjë e burrneshë, u bë shpejt protagoniste e këtij kursi. Ajo nuk dinte të shkruante e të lexonte ndaj u regjistrua e para në kurs, duke dhënë shëmbullin vetjak. Ajo u bë  një agjitatore e flaktë, tek gratë e vajzat e mëhallës, për tu regjistruar në kurs. Katoi që u vendos të shndërrohej në kurs, u nda në dysh me anë të një gardhi me shkarpa. Në gjysmën Veriore të katoit banonte lopa e familjes, së bashku me zairenë ( kashtë e lëpushka); në anën Jugore, u ngrit kursi kundër analfabetizmit. U Bashkuan disa dhoga( listela), të cilat  u lyen me bojë të zezë, e cila shërbeu si dërrasë e zezë; nga shkolla e fshatit u morën disa shkumësa e abetare. Vetë gratë blenë fletore e lapsa plumbi.

Veç ti shikoje gratë e mëhallës si shkonin çdo ditë në kurs? Ato, në orarin e caktuar, me fletore e lapsa në futë, zinin vend mbi ata stola të sajuar dhe prisnin me interesim fillimin e mësimit. Fletoret, lapsat dhe sendet e tjera që u nevojiteshin për të mësuar, gratë i futnin brenda  futave të tyre; atje ku zakonisht mbanin ndonjë copë bukë, ndonjë kokërr shegë apo ftua, ndonjë palafike etj. sende ushqimore, të mblojtura për njerëzit e tyre më të dashur.

Të parat u regjistruan në kurs moshataret e Memes të Muharrem Hasanit siç ishin: Nefizja e Laze Xhezos; Tajanja e Ahmet Selfos; Zonja e Xhevit Malkos; Tajanja e Muharrem Kamberit; Bukurija e Mane Tafilit; Shaza e Novruz Selfos etj. Krahas këtyre grave pesëdhjetvjeçare, u regjistruan dhe të tjera; më të reja në moshë si: Ajkoja e Jashar Hysniut; Minajetja e Mehmet Musait; Hatemja e Qemal Sherifit; Xhevoja e Dine Xhelalit; Zyba e Muhedin Salihut; Zonja e Vogël e Binajve; Zadekoja e Ali Pashos; Havaja e Banush Xhezos; etj . Nuk bëhej fjalë për vajza të reja mbasi, në atë kohë, vajzat,    në moshën 16 vjeçre  ishin të martuara.

Disa të moshuara si Hysnija e Musa Mehmetit; Avizeja e Abedin Kahremanit; Dylba e Bektash Sakos; Lulja e Hasan Sadikut etj; nuk u futën në kurs mbasi kishin probleme serioze me shikimin dhe me dëgjimin. Në këtë kategori futeshin dhe Mbetja e Resul Nelos;  Shanikoja e Hasim Mehmetit etj, edhe pse ishin më të reja në moshë. Kurset, si rregull organizoheshin mbasditeve dhe përfundonin kur dita  ia kish lënë vendin natës. Prandaj ndizej kandili, e kursantet thithnin blozën e tij. Nuk mjaftonte kjo;  ishte iminent rreziku i zjarrit. Në pjesën ku qendronte Kuqila (lopa e familjes ) ndodhej gjithmonë një grumbull me kashtë, bar të thatë ose lëpushkë).

Nga kursi i organizuar në Ahmetaj pati gra që mësuan goxha, shkrim e këndim. Memja, si organizatore dhe propagandiste e flaktë mësoi të shkruante fjalën: M e m e. Zonja e Madhe, Izja e ndonjë tjetër, gjithashtu mësuan diçka. Samoja e Breshan Fejzos nuk u përfshi në kursin kundër analfabetizmit për arsye se ajo vinte nga radhët e çlirimtarëve, ku kishte mësuar më tepër.

Në mëhallën Beqiraj dhe në Hasanimeraj u ngrit kurs i përbashkët në shtëpinë e Muharrem Ismail Malaj, oda e të cilit ishte e mbështetur pas asaj të Halil Lazes dhe të Danajve. Drejtues i kursit u caktua i biri i xha Muharremit, Qaniu. Ai kishte mbaruar me rezultate shumë të mira shkollën fillore të fshatit dhe dinte të shkruante e të lexonte rrjedhshëm, në gjuhën shqip.

E njëjta dukuri ndodhi dhe me djalin tjeter të fshatit Dalip Nazif Dostaj, nga Bozanajt i cili drejtoi kursin kundër analfabetizmit, në mëhallën e tij. Këta të dy dhe të tjerë drejtues kursi iu nënshtruan një specializimi afatshkurtër, të posaçëm. Ja si e kujton Qani Muharrem Malaj  punën që bëhej në këtëkurs: “ Në kursin që drejtoja unë, ishin 12 kursantë; kryesisht gra. Intteresimi i tyre për të mësuar shkrim e këndim ishte shumë i madh. Unë u dhashë, me bujari gjithçka dija vetë. Në përfundim të kursit, pjesëmarrësit mësuan të shkruanin e të lexonin shqip. Ky ishte qëllimi i kursit.

Për të kontrolluar njohuritë e kursanteve, në përfundim të afatit, erdhën specialistë të arsimit  nga Tepelena. Seksioni i Arsimit  të rrethit, për këtë qëllim dërgoi  një grup arsimtarësh, cilët ishin kualifikuar, posaçërisht. Ata bënë provim dhe e panë gjendjen në vend. Puna ime si drejtues i kursit u vlerësua e mirë. Më dhanë dhe një shpërblim modest në të holla.”

Sido që në Kalivaç kurset kundër analfabetizmit ishin afatshkurtër e funksionuan në vende e kushte tejet të papërshtatshëm, vështiresitë e fillimit u kapërcyen me vullnet e dinjitet e i dhanë një shtysë të madhe përpara dëshirës të atyre njerëzve arsimdashës për të marrë atë minimum dijesh: të mësonin shkrim e këndim.

Krahas funksionimit të kurseve kundër analfabetizmit, në Kalivaç, në  mjediset ( klasat) e shkollës fillore të sapongritur vërshuan e mbushën klasat me fëmijë të bashkëfshatarëve tanë arsimdashës. Në klasën e parë, u gjykua e nevojshme të përfshiheshin dhe disa fëmijë me moshë më të rritur, të cilët, për shkak të luftës e  të mungesës së shkollës në fshat, kishin mbetur të papërfshirë në proçesin mësimor. Më pas, kur në fshatin Krahës të Tepelenës, në fushën e tij, pranë Baba Zoto Fusha, u çel shkolla shtatëvjeçare( unike). Disa nxënës nga Kalivaçi, të cilët kishin përfunduar shkollën fillore të fshatit, me dëshirën e madhe për të shtuar dijet, vrapuan për tu regjistruar në këtë shkollë dhe e vazhduan atë, edhe pse u duhej të rrugëtonin, çdo ditë, nëpër shi, erë e baltovina,  4-5 orë. Shëmbull e burin frymëzimi u bënë: Xhelil Aliu; Avdo Takaj; Nuri Mehmetaj etj. Shëmbullin e mirë të tyre e ndoqën dhe të tjerë djem kalivaças.  Ata, ende të parritur pranuan e përballuan vështirësitë e shumta të udhëtimit e të të mësuarit në këtë shkollë, të motivuar për të marrë më tepër dije e kulturë.

Në vitin 1967, kur në Kalivaç u çel shkolla shtatëvjeçare ( unike), problemi i arsimimit të fëmijëve të komunitetit kalivaças u fut në hulli tjetër; shkollës së fshatit iu çelën horizonte të rinj. Disa fëmijë nga fshati ynë qenë më me fat. Fëmijët e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u dërguan në shtëpitë e fëmijëve të vendit. Tahiri, Skënderi, dhe Sadiku, jetimë të dëshmorit Muharrem Hasan Nelaj u çuan në shtëpinë e fëmijëve në Shkodër; më pas në Sarandë e në Gjirokastër. Të tjerë si Selam Mane Zenelaj; Vezir Fejzo Muharremaj; Niazi Xhevit Nelaj dhe Sadik Muharrem Nelaj u sistemuan në konviktin e sapohapur të Tepelenës, në vitin 1952, ku kryen mësimet e shkollës shtatëvjeçare.

Këta rridhnin nga familje të varfëra ekonomikisht por që kishin rezultate shumë të mira në mësime, ndaj u trajtuan me bursë të plotë nga shteti. Pas përfundimit të shkollës shtatëvjeçare, disa syresh i ngjitën me sukses, shkallë- shkallët empullit të diturisë.

Sot djemtë dhe vajzat e Kalivaçit i gjen të ulur në bangat dhe auditorët e shkollave të të gjithë niveleve, ose në punë ku kërkohen dije të veçanta e specializim i posaçëm. Kudo ku kanë shkuar, brenda e jashtë vendit, vajzat dhe djemtë nga Kalivaçi i Tepelenës, janë prezantuar me dinjitet, aftësi e përkushtim e janë shquar, për  zell e aftësi të rralla. Kështu fëmijët e atij komuniteti dijedashës, me vlerat që kanë treguar e tregojnë ja shtojnë krenarinë fshatit e ua zbardhin faqen kalivaçasve. Kjo është njëra nga vlerat më të spikatura që u shtohen bëmave të atyre njerëzve të mirë.

  Tiranë, më 29 janar 2012  Shkroi Niazi Nelaj