Kalivaçi i Tepelenës është një fshat i lashtë e me histori. Ai shtrihet mbi disa kodra e bregore, mbi gurë. Mbi çdo bregore është një mëhallë. Mëhallët janë formuar mbi bazë fisi. Mëhallët më të lashta janë ngulime që datojnë shekullin e katërmbëdhjetë. Sipas defterëve osmanë të këtij shekulli, emërtimi i mëhallëve është: Kyçyk Leshnje; Bujur Leshnje dhe Horise. Sipas një vështrimi arkeologjik, në lashtësi dëshmohet se në Kalivaç të Tepelenës ka patur ngulime edhe më të hershme të cilat datojnë shekujt e parë, para Erës së Re.
Kalaja e lashtë në mëhallën e Hasanbagajve, si dhe vendi i quajtur Qytet, po në këtë mëhallë, na sjellin dëshmi të pakundërshtueshme për lashtësinë e kësaj treve. Emërtimet e vendeve dhe emrat e njerëzve qëndrojnë fort në anën e vërtetësisë të kësaj teze shkencore. Në kohët moderne, Kalivaçi i Tepelenës u bë një nga fshatrat më të mëdhenj të krahinës e të rrethit, duke luajtur një rol jo të pakët në jetën dhe veprimtaritë e kësaj treve të rëndësishme të Jugut të Shqipërisë. Mëhallët që bëjnë fshatin e Kalivaçit të Tepelenës, të paktën prej 100 vjetësh nuk kanë ndryshuar. Ndryshimet janë kryesisht në numrin e familjeve dhe të njerëzve që i përbëjnë ato. Sot, në fshatin e Kalivaçit të Tepelenës janë këto mëhallë; Ahmetaj, Beqiraj, Hasanimeraj, Hysodosaj, Bozanaj, Meçaj, Leshnje dhe Hasanbegaj. Në vitet e fundit janë formuar dhe disa mëhallë si bija të këtyre komuniteteve. Ato janë; Specova, e cila shtrihet në bregun Verior të lumit të Vjosës; Ruçi që gjendet përballë Leshnjes e nën Bozanaj dhe Margëlliçi, me pak shtëpi, i cili ndodhet në grykën me të njëjtin emër. Nga të gjitha mëhallët që formojnë fshatin e Kalivaçit, ajo e Hasanbegajve është ndërtuar në lartësi më të madhe mbi nivelin e detit. Mëhalla me më tepër shtëpi e banorë është ajo e Ahmetajve. Kalivaçi ka një shkollë nëntëvjeçare, të ndërtuar në vitet 30 të shekullit të XX të. Ajo është ndërtuar me konstruksion guri të bardhë, e lidhur me llaç gëlqereje, e fortë, njëkatëshe. Pozicioni i shkollës, në qendër të fshatit, mbi një bregore, e cila e ka emrin Maja e Tendës, thuajse e baraslarguar prej mëhallëve duket sikur nuk lejon që asnjërës prej tyre të mos i mbetet hatri për çështje privilegji. Mësuesit e kësaj shkolle, në vitet e parë të ekzistencës së saj ishin të ardhur nga rrethe të tjerë të vendit; kryesisht nga Elbasani e Gjirokastra, për arsye të njohura. Sot, në shkollën e Kalivaçit japin mësim vetëm arsimtarë vendas. Gjithsesi, nderi dhe merita si mësues i parë i kësaj shkolle i takon kalivaçasit Halil Zoto Ramaj. Halili ishte i biri i Zoto Halil Ramaj, nga mëhalla e Hysodosajve, një oficer madhor i Ushtrisë Mbretërore dhe i Nurije Boles, një grua e mençur e fisnike.
Popullsia e Kalivaçit është autoktone. Luhatjet e kohës dhe proceset demografike të zhvendosjes së popullsisë, të cilat kanë përfshirë edhe këtë fshat nuk ia kanë dalë të tjetërsojnë e zhbëjnë autoktoninë e banorëve të Kalivaçit. Mëhallët janë ndërtuar e funksionojnë mbi bazë fisi. Ky detaj e ka bërë të qëndrueshme e të pandryshueshëm raportin me autoktoninë. Në fshatin Kalivaç të Tepelenës, historikisht nuk ka pasur popullsi të përzier. Në disa raste, banorë nga fshatrat fqinjë, me pëlqimin e vendasve janë ngulur në trojet e të afërmve të tyre në Kalivaç të Tepelenës. Një rast tipik i cili ka rezultuar me mjaft vlera, ishte ardhja në Kalivaç e disa pinjollëve të fisit Himaj, nga fshati Toç, në trojet e dajos së tyre – Bektash Sako. Ata, në Kalivaç morën dhe mbajnë mbiemrin Zenelaj, por nuk kanë lidhje gjaku me Zenelajt autoktonë që banojnë në mëhallën Ahmetaj. Njëherazi, nga Kalivaçi, në drejtim të viseve të tjerë të Shqipërisë, madje dhe jashtë kufirit shtetëror, kanë shtegtuar mjaft kalivaças, së bashku me familjet e tyre dhe individualisht. Motivi i shpërnguljes së tyre ka qenë e mbetet i njëjtë; ata duan të ndërtojnë një jetë më të mirë, pa i hyrë asnjërit në pjesë. Në ditët tona, nga fshati Kalivaç i Tepelenës numërohen më tepër se 210 familje ikanakësh. Disa herë, të ikurit nga Kalivaçi, në ngulimet ku janë vendosur kanë formuar komunitete apo ngulime solide, kanë ruajtur e zhvilluar traditat e fshatit, madje kanë mbajtur edhe emrin e fshatit Kalivaç, ose e kanë adaptuar atë për mbiemër. Në vendin e quajtur Ura Vajgurore, në rrethin e Beratit një komunitet jo i vogël mban mbiemrin Kalivaçi. Kështu dhe në malësinë e thellë që ndan rrethet e Veriut të Shqipërisë; Pukën, Mirditën dhe Lezhën nga njëri tjetri një fshat e ka emrin Kalivaç. Një fshat i tillë, po me emrin Kalivaç ndodhet në krahinën e Mokrës, në rrethin e Pogradecit. Një zë na dëfton se edhe në rrethin e Dibrës ekziston një fshat me emrin Kalivaç. Ndoshta nuk ka të bëjë me të gjitha ato që mund të thuhen për një fshat autokton; gjithsesi nuk mund të përjashtohet përkatësia.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës, përgjithësisht janë paganë. Tallazet e kohës dhe ndikimi i pushtimit te gjatë osman, në përpjekje për të realizuar shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare i kanë rreshtuar banorët e kalivaçit të Tepelenës në sektin Bektashian, të fesë Myslimane. Duke gjykuar nga ritet, në raste e ngjarje të ndryshme, mund të thuhet se në Kalivaç komuniteti, përgjithësisht ndjek ritet pagane. Ndikimi për shumë kohë i pushtimit osman, ka kaluar disi tangjent e nuk ka lënë gjurmë të forta në psikologjinë dhe në mentalitetin e kalivaçasit. Disa toponime e zbulime arkeologjike dëshmojnë se treva e Kalivaçit të Tepelenës dhe popullsia e saj kanë qenë të krishterë. Në fushën e Kalivaçit, në krye të Rredheve është një ledh i cili quhet Ledhi i Qishës; në faqen Perëndimore të bregres mbi të cilën është ngritur mëhalla e Hasanbegajve rrjedh një përrua me emrin; Përroi i Shën Marisë; ca më tej ndodhet një masiv shkëmbor, shtresor, i cili quhet; Rredhi i Gjikos; etj. Në vendin ku është ndërtuar mëhalla Ruç, edhe sot janë të dukshme rrënojat e një kishe ortodokse Mesjetare. Thuhet se nje kishe e madhe e me ndikim të fuqishëm në jetën shpirtërore të fshatarëve të Kalivaçit ka qenë e ndërtuar në vendin e quajtur Vështi i Beres, ndërmjet fshatit Zhulaj dhe Kalivaçit, pranë Majës së Marucës. Po të qëmtosh me kujdes, ndër emrat e banorëve të Kalivaçit gjen të atillë, të cilët na thonë diçka për prejardhjen të krishterë të banorëve të kësaj treve. I përhapur është emri Gjonlekë, Ajko, Breshan, Nelo, Gjon, Donikë, Samo, Vitori etj.
Besimtarët myslimanë të Kalivaçit, ata të sektit Bektashian ishin të “ regjistruar” në teqet e fshatrave fqinjë. Disa ishin Muhipë të teqes së Dorzës; disa të tjerë i kryenin ritet fetare në teqen e Agarajt, në fshatin Çorrush; e të tjerë në atë të Arakopit, midis fshatrave Levan dhe Krahës. Por teqja me më tepër Muhipë dhe me influencë më të madhe ishte ajo e Koshtanit. Në këto teqe besimtarët e Kalivaçit drejtonin lutjet për mbarësi; taksnin e çonin kurbanë dhe kryenin ritet fetare.
Kalivaçi i Tepelenës e ka ruajtur në shekuj autoktoninë e vet. Kjo është njëra nga dëshmitë e vitalitetit të tij. Duhet të pranojmë, pa mëdyshje se ruajtja e autoktonisë të popullsisë të fshatit nuk mund të ketë qenë një punë aq e lehtë. Po çfarë e ka bërë të mundur këtë gjë? Ndoshta një nga faktorët më potentë ka qenë fakti se mëhallët e fshatit të Kalivaçit kanë qenë e janë të populluara mjaftueshëm. Njerëzit e këtyre mëhallëve ishin të mjaftueshëm për të përballuar punët e ndryshme. Pra, nuk ka qenë e nevojshme të merreshin njerëz, nga treva të tjera, për të punuar në Kalivaç. Disa zanatçinj që ushtronin profesione jo aq të preferuar nga vendasit, si kallajxhinj, kovaçë, opingarë, madje edhe muratorë apo muzikantë etj. janë thirrur në raste të veçantë. Të ndodhur përballë opinionit të gjerë e te shëndoshë të vendasve, ardhacakët, të paktë në numër, edhe kur kanë depërtuar në Kalivaç, nuk kanë mundur të ndikojnë kushedi çfarë në zakonet e vendasve.
Kalivaçi i Tepelenës ka pozicion gjeografik të favorshëm dhe klimë të përshtatshme për rritjen e pemëve frutore të ndryshme. Vendin kryesor e ze kultura e ullirit. Duke u ndodhur në zonën e Makie Shiblakut, nën ndikimin e lumit të Vjosës, i cili ndan fshatin nga kufitarët e tij, fshatrat Shkozë dhe Dorëz dhe ndikon në zbutjen e klimës, në Kalivaç vegjetojnë shkurre masive me drurë koçimare; përralle, xina, paliçe, mërete, konopice etj. Mali i Bardhë, përballë fshatit, me lartësi që ngjitet deri 2000m, sido që njihet për dimër të ashpër, nuk e ndikon aq shumë klimën e fshatit. Në Kalivaç ka kullota të lakmuara për rreth 2000 krerë dhi e për rreth 800 krerë dhen. Kalivaçasit, denbabaden kanë qenë e janë mbarështues cilësorë të bagëtive të imëta. Mishi i pjekur në hell, për shkak të llojit të barit që konsumojnë bagëtitë kripës që u hedhin barinjtë dhe teknikës së pjekjes është mjaft i shijshëm e i kërkuar. Guri i Kalivaçit, me përbërje gëlqerore, lehtësisht i punueshëm dhe i bukur, është një pasuri e madhe e fshatit. Arat e begata, në veçanti ato në Rredhe, Margëlliç, Muratova, Vidhishte, Jorga, Llagëme, Fusha e Leshnjes etj. me prodhimtarinë e bimëve të arave, ku vendin e parë e ze misri e kanë mbajtur gjallë jetën e fshatarëve, në jetë të jetëve. Këto pasuri e të tjera vlera natyrore janë transformuar në të mira materiale për banorët, por pasuria më me vlerë e fshatit janë njerëzit e tij.
Në jetën dhe mentalitetin e kalivaçasve, tipar dallues, i cili spikat fuqishëm e me larmi formash është dëshira për të jetuar në komunitet. Një banori të këtij fshati, kudo ku jeton e punon, zor se mund ti vesh nofkën, egoist, racist apo individualist e i pangjitur. Vështroni si janë vendosur mëhallët që përbëjnë fshatin tonë! Ato, vërtet janë larg njëra-tjetrës e të ngritura mbi bazë fisi, por brendapërbrenda një më halle, shtëpitë gjenden pranë njëra – tjetrës dhe banorët e tyre komunikojnë lirshëm e në çdo rrethanë njëri me tjetrin. Megjithatë, jeta në komunitet nuk e ka zvogëluar e zbehur individualitetin e banorëve të fshatit tonë.
Kur i referohemi jetës dhe veprimtarisë të fshatarëve të Kalivaçit nuk ka se si të mos vëmë re disa veçori karakteristike dhe dalluese të individualitetit të tyre. Në karakterin ekzigjent e rebel të një banori të Kalivaçit bien në sy disa tipare dalluese siç janë:
Edhe në rrugë, teke vështron të ecë, pa e njohur fare, vetëm nga mënyra e ecjes, për një njeri mund të thuash, pa u bërë merak se mund të jesh në gabim se ai është banor i Kalivaçit. Që në ecje, një kalivaças dallon dukshëm nga fqinjët e tij. Ai ecën i kapardisur, me trupin drejt, me vështrimin përpara, në dukje moskokëçarës por gjithsesi i vëmendshëm, kurajoz, krenar, serioz, pak nazik e kapriçioz. Është e vështirë të ndeshësh dikë nga fshati ynë që ti mbajë sytë përtokë, dmth të jetë syunjur. Përkundrazi, kalivaçasi e shikon bashkëbiseduesin e tij drejt e në sy dhe ka qejf që edhe ai që ka përballë ta shikojë atë drejtpërdrejt në sy. Është i njohur fakti sipas të cilit, ai që nuk ka guximin të të shikojë në sy, me siguri që diçka fsheh e nuk është i çiltër. Në këtë kuptim, një kalivaças është i drejtpërdrejtë; atë që ka për të thënë e thotë hapët, e troç. Ai nuk e ka për zemër të bëjë lajka, të thurë elozhe, të të lajë e të të lyeje e më pas të të nxjerrë gjuhën. Një fshatar nga Kalivaçi i Tepelenës rebelohet shpejt ndaj padrejtësisë. Ai është i rreptë e reagon me ashpërsi kur kupton se po thuret intrigë, në kurrizin e tij. Një banor nga Kalivaçi nuk pajtohet me tradhtinë, pabesinë, poshtërsinë, servilizmin dhe hipokrizinë, prostitucionin e ligësi të tjera si këto. Disa njerëz, pa u thelluar në atë që thonë paragjykojnë se kalivaçasit, në përgjithësi janë nevrikë, me gjak të nxehtë e që rrëmbehen shpejt. Në pamje të parë duket sikur këta pseudoopinionistë kanë të drejtë. Në fakt gjëja është ndryshe. Karakteri rebel i kalivaçasit lidhet, para së gjithash me kundërshtimin që ai i bën të keqes, ligësisë, padrejtësisë dhe hipokrizisë, të hapur ose të kamufluar. Kësisoj, një banor nga Kalivaçi nuk ta zgjat shumë, ai i ve pikat mbi “ i” e i jep udhë problemit. Kalivaçasi nuk karakterizohet nga dhuna e arbitrariteti por as nuk pajtohet me to. Ai vërtet që është diçka i ashpër në trajtimin e një problemi por është i qetë e i drejtë në marrjen e një vendimi. Ashpërsia në trajtimin e problemit nga ana e tij i ngjan terrenit dhe mjedisit ku ai jeton. Fshati Kalivaç i Tepelenës është i ngritur përgjithësisht mbi terren shkëmbor. Në disa mëhallë të tij nuk të lyhet këmba me baltë, kur del në rrugë, edhe pas shiut. Pra, terreni është i ashpër dhe, siç duket, edhe nga kjo ashpërsi kanë huajtur diçka banorët e fshatit. Terreni i ashpër dhe fakti që fshati mbante qindra dhen e dhi, ne kullotat e tij, bënin që nëpër territorin e fshatit të qarkullonin mjaft egërsira, sulmet e të cilëve duheshin përballuar. Nuk duhet injoruar faktin që, për arsye të ndryshme, disa fqinjë nuk shquheshin si dashamirë të fshatit dhe fshatarëve tanë. Kësisoj ashpërsia e kalivaçasit, nuk është një çështje e brendshme e tij, as në gen por është diçka e imponuar.
Dikur, kalivaçasit meshkuj mbanin në qafën e dorës një sëpatë të vogël e cila quhet nagaçe. Kjo pamje e tij ishte diçka e frikshme, por ata qe e dinin e mirëkuptonin atë. Sëpata në qafën e dorës shërbente për vetëmbrojtje, jo për të sulmuar dikë. Kalivaçasit janë njerëz luftarakë, jo të fjetur e flegmatikë. Atyre, siç thonë rëndom në këto anë nuk ua ha qeni shkopin. Një burrë nga Kalivaçi, kur ecën në rrugë nuk nxjerr kurrizin e të çapitet i kërrusur, por nxjerr gjoksin. Oda e burrave ne Kalivaç, me veprimtarinë dhe ndikimin e saj edukon e formon njerëz luftarakë të cilët kur bëhen burra nuk i shkel dot njeri me këmbë. Tema mbi burrërinë e trimërinë është temë e preferuar në bisedat mes kalivaçasve. Atë e ndesh në çdo vatër e në çdo bisedë mes të moshuarve e ndërmjet tyre me më të rinjtë. Trimëria, guximi dhe burrëria janë tipare të cilat i shkojnë shumë për shtat një kalivaçasi të vërtetë. Këto tipare janë shpalosur në të gjitha kohët, nga lashtësia, deri në ditët tona.
Banorët e Kalivaçit të Tepelenës dallohen në të gjithë trevën si njerëz bujarë e me zemër të madhe. Në Kalivaç kanë gjetur strehë të ngrohtë e janë integruar me vendasit komunitete të vegjël njerëzish të ardhur nga treva të tjera. Të tillë janë ata me mbiemër Caushaj, të cilët kanë ardhur nga fshati Dorëz i rrethit të Tepelenës. Ata kanë formuar një ngulim buzë Viosës, dhe kanë konkretizuar lidhje të ndryshme krushqie e miqësore, me vendasit. Pilo Todi ishte nga Poliçani i rrethit të Gjirokastrës, Rako Meshini me të tijtë ishte nga Malëshova e Përmetit, Peço e Thanas Mekshi i dimëronin dhitë në përrallin e Kalivaçit, shumë vite me radhë etj. Pa folur për disa pramatarë shëtitës, si Telha Qazim Shatrafili, nga Luzati etj. të cilët qarkullonin lirshëm e në çdo kohë nëpër territorin e Kalivaçit ose zanatçinjtë që kallajisnin enët, kovaçë që mprehin veglat e punës, etj, të cilët e ndjenin veten të qetë e të sigurtë në Kalivaç. Ata ishin nën kujdesin dhe në besën e banorëve të Kalivaçit. Këta të fundit sakrifikonin diçka nga vetja, në mënyrë që të huajt, ardhacakët të ndiheshin mirë në këtë trevë. Në Donije të Kalivaçit, prej kohësh që nuk mbahen mend funksionon një lundër e cila ka shërbyer e shërben për të transportuar njerëz, kafshë e mallra nga njëra anë e Vjosës, në tjetrën. Ajo, në çdo kohë është menaxhuar nga kalivaçasit, disa prej të cilëve kanë qenë lundërtarë e notarë të ndjerë. Shpesh, udhëtarët që kalonin lumin nëpërmjet kësaj lundre, i zinte nata në Kalivaç dhe, për të shkuar në vatrat e tyre u duhej të rrugëtonin natën, në një mjedis të pasigurtë. Banorët e kalivaçit, në veçanti ata të mëhallëve të afërta me lundrën, si Ahmetajt, Hysodosajt, Beqirajt dhe Hasanimerajt, pa i njohur udhëtarët, u jepnin strehë, ushqim e u krijonin kushte për të kaluar natën. Kjo bujari, me zemër, bënte që kalivaçasit ti shtonin vazhdimisht miqtë e tyre, nga treva të largëta, të Skraparit, Beratit, Gorës e Oparit, deri në Kolonjë e në Devoll.
Në Kalivaçin e Tepelenës njerëzit janë arsimdashës. Vajzat dhe djemtë e këtij fshati janë të dalluar e kanë shkëlqyer në mësime kudo ku janë arsimuar. Mjaft kuadro me arsim të lartë e me tituj shkencorë të merituar si dhe shumë specialistë të spikatur në profesione të ndryshëm e vërtetojnë më së miri këtë ide.
Kalivaçasit, në përgjithësi janë të mprehtë e orientohen shpejt në situata të ndryshme. Kur vështron një grumbull njerëzish, në qoftë se do të dallosh cili është nga Kalivaçi i Tepelenës e dallon pa ndonjë vështirësi të madhe. Mjafton të vrojtosh si janë ulur njerëzit e si kuvendojnë ata. Një kalivaças qëndron i kapardisur edhe kur është i ulur në shesh dhe flet fortë, qartë, shkurt e në opinionet që shfaq është i drejtpërdrejtë, i prerë, e pa ekuivoke. Mendjemprehtësia e Kalivaçasit ka spikatur me forcë sidomos kur i është dashur të replikojë me hidh e prit në dasma e këngë dhe në debate të detyruar. Nuk ishte e pabazuar praktika shumëvjeçare e banorëve të Kalivaçit, të cilët, kur bënin llogaritë kë do të dërgonin krushk, për të marrë nusen, zgjidhnin burrat më të zgjuar e më të mprehtë dhe që i përgjigjeshin romuzeve, flakë për flakë. Burra të tillë kishte në çdo fis e në çdo mëhallë, në Kalivaç të Tepelenës.
Një banor nga Kalivaçi është i fortë, në kuptimin e qëndrueshmërisë dhe papërkulshmërisë në situata të vështira. Në sytë e një kalivaçasi nuk shikon kollaj lotë. Ai e përballon trimërisht dhimbjen e nuk bëhet qaraman. Guximi, optimizmi e largpamësia janë tipare dalluese të tij. Por tek një kalivaças spikat dhe sensi i liderit. Në rrethana të vështira, kur i duhet të veprojë së bashku me shokë kalivaçasi orientohet shpejt me situatën, del në krye të saj e u ve gjoksin gjërave. Në këtë kuptim, mund të themi se është me fat ai që është lindur e rritet në mjedisin kalivaças. Lumë ai që e ka këtë fat.
Tipar tjetër dallues i banorëve të Kalivaçitështë besnikëria ndaj të tjerëve. Fjalën e dhënë; besën e burrit; kalivaçasi e njeh e di si ta respektojë mikun dhe shokun. Ai nuk e shet tjetrin e nuk e ka në karakter ta presë atë në besë. Jeta e fshatarëve të Kalivaçit është e pasur me shembuj besnikërie dhe me akte kalorësie. Kur në shtëpinë e kalivaçasit vjen një mik, i cili mban me vete armë zjarri, i zoti i shtëpisë, e takon tek dera, me përzemërsi, e pyet për shëndetin dhe për të tijët, i merr në dorëzim armën dhe e var atë në faqen e murit të odës, që ta ketë para syve miku i shtëpisë. Për sa kohë miku do të qëndrojë në këtë shtëpi është në besën dhe në mbrojtjen e të zotit të shtëpisë. Kjo traditë e lashtë e kalivaçasve flet vetë për vlerat që bart. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore familja e Sheh Ismailit, babait të heroit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Mehmet Shehu, nga fshati Çorrush i Mallakastrës ishte në shënjestrën e fashistëve italianë dhe shërbëtorëve të tyre, brenda vendit. Sheh Ismaili i kërkoi strehim dhe mbrojtje, për vete e për familjarët e tij, mikut nga kalivaçi Zagoll Saliko Xhaferaj, banor i mëhallës së Meçajve. Zagolli ishte burrë zakoni dhe shtëpia e tij ishte Derë e Madhe. Ai ishte vetë i gjashtë vëlla dhe familja e tyre ishte e kamur. Mallin dhe gjënë ata e kishin bërë me djersën e ballit; pa shfrytëzuar njeri. Si burrë i mençur e i zgjuar, Zagoll Salikos i zinte vend fjala dhe kishte peshë kur gjykoheshin probleme në Kalivaç e më gjerë. Fisnikëria dhe zgjuarsia e tij, i jepnin mundësi Zagollit të orientohej shpejt e të manovronte edhe në situata të ndërlikuara. Sheh Ismaili trokiti në derën e Zagoll Salikos dhe ky i hapi portën, e mori atë në mbrojtje e në besë. Ai u siguroi mysafirëve nga Çorrushi ushqime e tesha, për të kaluar disa ditë, në ilegalitet. Por në derën e Zagoll Salikos, në të njëjtën ditë ia behën edhe një grup nacionalistësh, po nga Mallakastra. Këta të fundit ishin nën urdhrat e në shërbim të pushtuesve italianë. Kësisoj ishin kundërshtarë për vdekje të partizanëve që kishin komandant Mehmet Shehun; djalin e Sheh Ismailit. Situata në konakët e Zagollit që ngjanin me sarajet e një beu u bë tejet e vështirë. Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte heroi ynë. Ai doli nga situata e ngatërruar falë zgjuarsisë dhe gojëtarisë që e karakterizonte. Familjen e Sheh Ismailit e vendosi në katin e parë të banesës së tij shumëdhomëshe kurse nacionalistët i vendosi në odë, në katin e dytë. Asnjëra nga palët nuk dinte gjë për ndodhjen në të njëjtën shtëpi. U serviri të dyja palëve për të ngrënë e për të pirë dhe e zgjidhi situatën për bukuri. Thonë se familja e Sheh Ismailit qendroi në shtëpinë e Zagoll Salikos, në Meçaj, plot një muaj. Kështu, plaku i mençur Zagoll Saliko Xhaferraj nga Kalivaçi, pa paragjykuar palët realizoi një lloj bashkëjetese mes dy të kundërtave të papajtueshme të cilat ishin në luftë me njëra tjetrën. Rasti tjetër, i kësaj natyre ka ndodhur në mëhallën e Hysodosajve, në shtëpinë e Hazis Selfo Dervishaj. Azis Selfo Dervishaj, gjithashtu njihej si njeri i zgjuar, i shkathët e i besës. Shtëpia e tij ishte shtëpi bujari. Pasuri e katandi ai i kishte mbledhur “si këmba qelbin” me punën dhe sakrificat e tij. Në vitin 1943, në zjarrin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në shtëpinë e Azis Selfos erdhën dy burra nga krahina e Vlorës. Të dy kishin aktivitet politik e luftarak por ishin të dënuar me dënim kapital nga gjyqet partizane, me” damkën” e armikut të popullit e te tradhtarit të idealeve të Luftës Nacionalçlirimtare. Ata kërkoheshin nga forcat partizane dhe ishin në rrezik për jetën. Mysafirët nga Vlora trokitën në portën e Azis Selfos të rekomanduar nga një mik i tyre, i cili ishte dhe mik ikalivaçasit Azis Selfo. Në Kalivaç ishte veprues një zakon, sipas të cilit, miku i mikut nderohet e respektohet më tepër se vetë miku i shtëpisë. U dha strehë e besë Azis Selfo Dervishaj të dy vlonjatëve “plëngprishës”, për një muaj, pa pyetur fare se si do të etiketohej e çfarë qendrimi do të mbahej ndaj tij. Kështu ka ndodhur dhe me familjen e Ali Pasho Nelaj, në Ahmetaj. Aliu, një burrë i fisëm e besnik i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e ktheu shtëpinë në “spital” partizan. Ai mbajti, në ilegalitet n një partizan të plagosur, në kushte terrori, deri sa u shërua plotësisht e u bashkua me njësitet partizane të trevës.
Nuk mund të lemë pa theksuar një vlerë tjetër të kalivaçasve. Bëhet fjalë për tolerancën. Jo për tolerancën fetare qe është e njohur dhe e pranishme në çdo kohë, por për tolerancën ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Lufta e Dytë Botërore i ndau njerëzit, në krahë të ndryshëm, sipas bindjeve politike. Madje dhe brenda së njëjtës familje. Bindje i thënçin mbasi në atë kohë veprohej kësisoj: Ata që kishin në fis një partizan, merrnin anën e partizanëve; ata qe kishin një nacionalist, në fis, rreshtoheshin në anën e nacionalistëve. Në Kalivaç, disa herë nga e njëjta familje, njëri nga djemtë ishte partizan; tjetri ballist. Bajram Manxhari ishte partizan; Hasan Manxhari ishte ballist. Si njëri dhe tjetri ishin djemtë e Manxhar Fetahut. Bilal Beshir Hysenaj, i cili ishte pinjoll i një familje të kamur doli partizan e luftoi në krahun e partizanëve deri në çlirimin e plotë të vendit, ndonëse i takonte, sipas përkatësisë klasore, të pozicionohej në anën e kundërt. Ka pasur dhe raste të ngjashëm por, këtu nuk është rasti të bëjmë evidencë. Gjetiu është çështja; të vihet në dukje toleranca, si vlerë njerëzore.
Kalivaçasi nuk e ka në gen ta kthejë gunën nga fryn era. Toleranca është bashkudhëtare e jetës së tij. Jo vetëm kaq. Fshati i Kalivaçit është kufitar me disa fshatra të tjerë të trevës së Mallakastrës, si Çorrushi dhe të krahinës së Krahësit, si Zhulaj, Krahës dhe Toç. Pavarësisht se i ndan lumi i Vjosës, ai eshte gjiton dhe me Dorzën e me Shkozën. Kalivaçasi, në kohë të kohës, me zgjuarsi e largpamësi ka ditur të lidhet me banorë dhe familje të fshatrave të mësipërm, nëpërmjet krushqive, miqësive, deri dhe me anë të simpative reciproke. Lidhjet, edhe kur nuk ekzistonin, në mënyrë të natyrshme, kalivaçasi, si dhe të tjerë të kësaj treve, i sajonte. Lidhjet nëpërmjet, vëllamërisë, kumtërisë, njohjeve e simpative individuale në kurbet, në ushtri, në luftë, në burg, deri dhe në një rrugëtim të përbashkët të gjatë në kushtet e vështira kur udhët kontrolloheshin nga grabitqarë e kaçakë, pa dinjitet duhej të të gjendeshin në krahë të njëri-tjetrit, për t’u mbrojtur nga rreziqet, kanë qenë vitale. mbronin njëri-tjetrin. Këta e të tjerë janë shembuj të qartë tolerance. Ata janë lidhur me njëri-tjetrin me besim dhe respekt të ndërsjellët për mendimin e shoqi-shoqit. Ndoshta nuk është e tepërt të theksohet se lidhjet miqësore, krushqitë dhe miqësitë i kanë mbajtur banorët e Kalivaçit radhë shtrënguar pas njëri-tjetrit. Nuk e ka për zemër një kalivaças ti nxjerrë çështjet e shtëpisë ( lexo të familjes) dhe ato të fshatit të tij në “bregun e pazarit”; ai nuk të shet kollaj. Edhe po të hëngri mishin; kockën ta ruan.