Jeta është çuditërisht variabile. Një çift, si burri dhe gruaja, kur formojnë çiftin, fillimisht afrohen e njohin njëri-tjetrin, familjarizohen e mbasi kanë bërë një vatër me fëmijë, e janë ngrysur, kanë marrë aq shumë nga njëri-tjetri sa ngjajnë si motër e vëlla. Secili, ruan tiparet dhe traditat e mira të familjes nga ka ardhur por fiton dhe të tjera, kur është e mundur. Kam dëgjuar të thonë: “Ata, sikur janë të bërë për njëri-tjetrin”. Është dhe nuk është e vërtetë.

Edhe në praktikën e jetës kalivacase, parë historikisht, herë burri e herë gruaja kanë synuar për të marrë primatin në familje. Më tepër burrat, por dhe jo pak gra, ia kanë arritur qëllimit. E kam fjalën për disa raste, ndonëse të rrallë, kur roli i burrit në familje ka mbetur disi në hije. Vendasit e kanë fare të qartë dhe, pas çdo rasti mund të vënë emra. Duke pasur parasysh natyrën zemërake të ndonjë bashkëfshatari, në këtë shkrim, jam i shtrënguar t’i kursej emrat.

Në mëhallën Beqiraj ka jetuar një grua, e cila ishte Zonjë e rëndë. Ajo u lind në Ahmetaj, në familjen e Hyrije dhe Xhemal Haxhiut e vajti nuse, në Danaj, në familjen e Rexhep Abedinit. Gruaja quhej Yzeme e jetoi rreth 95 vjeç. Së bashku me Rexhep Abedinin, Yzemeja lindi e rriti një vatër me fëmijë, në ngushtësinë që sjell fukarallëku, por me nder e dinjitet dhe me djersën e ballit.

Fëmijëve të tyre, nuk ua dëgjoi njeri zërin e protestës edhe kur binin pa darkë dhe nuk i pa njeri të hidhnin dorën në mallin e tjetrit. Tradita e mirë e të dyja familjeve, në këtë mënyrë vazhdoi, vijon edhe sot e kësaj dite, kur fëmijët e tyre janë bërë me fëmijë e kanë ruajtur atë që kishin më të mirën prindërit e tyre- ndershmërinë.

Në 10 gusht të vitit 2012, mora pjesë në festimin e ditës së formimit të Batalionit Partizan “Baba Abas”, në Donije. U bë një festë e madhe pluraliste me pjesëmarrjen e më tepër se 500 njerëzve, siç nuk qe parë. Natën e kalova në familjen e vëllait tim Reshat Resmi Nelaj dhe të nesërmen herët, e mira Xhiko (ndjesë pastë) bashkëshorte e Reshatit, më përcolli, deri tek shtegu i shtëpisë së Skënderit, ku banon Yzemeja.

U befasova. Kisha lënë shtëpitë e lashta të Danajve, hamaqellë e gjeta përdhese të kompletuara bukur. Yzemenë, si princeshë, të veshur me të zeza, të pastër, të pashme e kapedanë, e gjeta të ulur mbi një kolltuk të ri, në mesore. Shtëpia dhe oborri ishin akull.

Nusja e Skënderit, një bijë nga Çorrushi, me kujdes maksimal, ruante edukatën e shëndoshë të familjes së saj dhe dinte t’u jepte vendin njerëzve, sipas vlerave, Ajo respektonte, zonjën vjehrrë, burrin, farefisin dhe veten. Me atë gjendje të shtëpisë dhe avllisë.

Sa u mora me time motër, Yzemenë, e cila, plot gëzim, më përqafoi, më puthi e më tha: “Nga na u hapen këto udhë? Më ka marrë malli shumë, për Ty dhe për Dilaverin. Prindërit tuaj ishin njerëz të mirë e i nderonte gjithë fshati”! Edhe mua më kish marrë malli, por e përmbajta veten, si burrë.

Më befasoi shumë puna e nuses së Skënderit, e cila sa kohë që intervistova e regjistrova, në kamera, Yzemenë, bëri gati drekën dhe e shtroi. Pyetjes sime: “Përse u harxhuat”? ime motër iu përgjigj prerë “Për ke do të harxhohemi, ne jemi vëllezër e nuk të nxjerrim dot pa bukë”.

Kur u ndamë, më përcolli tek porta e aty “Më vrau”. Mbasi më puthi e më dha falmeshëndet për të gjithë, nxori nga xhepi i setrës një monedhë 50 lekshe e më tha: “Bliji nuses ndonjë gjë”! U mendova disa sekonda dhe e mora si simbol të gjakut që na lidh e të mirësisë së atij shpirti!

Qoftë e paharruar! T’i rrojnë ata që la pas!