Vatra kalivaçiote; çfarë emri i bukur, i menduar mirë dhe domethënës. A ka familje në Kalivaç apo ku të doni ju, që të mos ketë pasur apo të mos ketë një vatër? Unë mendoj: Jo, jo dhe përsëri jo. Vatra mund të ketë qenë tradicionale ose mund të jetë moderne, por vatër është; tjetër emër nuk i shkon. Pa bërë histori e pa pretenduar se them të reja, ama, atë që mendoj, do ta them.

Përfytyroni një vatër, pranë oxhakut! Një copë shesh brenda shtëpisë përdhese ose në odë, me rrumbullakësi, në të cilën zakonisht ndizej zjarri. Vatra ishte zjarrduruese, e përgatitur sipas një teknologjie të menduar mirë dhe e rrahur fort me një gur lumi. Në vatër ndizej zjarri që ngrohte shtëpinë, atje lindeshin e rriteshin fëmijët, atje gatuhej ushqimi për të gjithë familjen; në vatër pritej e nderohej miku, etj. etj. etj.

Vatra, në optikën time, është simbol i jetës në fshat. Breza të tërë kanë pasuar njëri-tjetrin, duke zënë vend rreth vatrës. Rilindasit tanë, në skaje të ndryshme të botës, kanë ngritur shoqëri përparimtare, me emrin e bukur Vatra, për të promovuar vlera të kombit tonë. Ne që po na bashkon kjo vatër, le të dëftojmë vlerat tona, duke u bërë kontributorë efektivë, jo thjesht numërorë që dinë vetëm të përplasin duart.

Urime dhe lavdi vatrës sonë të veçantë!