Ngjan dhe kështu: Atë që nuk e duan e që nuk duan ta ndeshin as në udhë, kalivaçasit e mallkojnë. Mallkimi është i rëndë e ka të bëjë me jetën; gjënë më të shtrenjtë të njeriut. Të tjerë, kur janë të kësaj kategorie, në Kalivaç i nemin. Mallkimi për jetën bëhet në forma të ndryshme.

Diku e për dikë, ai është i ashpër si: "Vdeksh sonte e mos të zëntë mëngjesi"; "Vafsh e mos ardhsh"; "Të vraftë Kurora e Malit"; "Të thertë ai e ky shenjtor"; "Ky muaj daltë me ty në gojë" etj. etj. Kështu dhe të nemurat, si: "Mbeç pa bina"; "Të humbtë rasati"; "Të pafsha me qamet" etj. etj.

Mallkimet dhe të nemurat janë të njëjta, por një njeri, me emër dikushi, kur mallkonte ose kur nemte, përdorte shprehje më të buta, të cilat kanë të njëjtën përmbajtje, por janë më pak lënduese si: "E lënç xhaketën varur në peromë!" etj. etj.