Në Kalivaç të Tepelenës, që prej kohëve kur nuk mbahet mend, ka funksionuar institucioni i kryeplakut. Ky funksion ishte i menaxhuar nga pushteti i kohës. Zakonisht kryepleqtë kanë qenë burra. Po burra ama. Të mençur, të zgjuar, të shkathët, të ndershëm, me reputacion, trima dhe autoritarë. Në përgjithësi, edhe pse kanë qenë në shërbim të pushtetit vendor apo të huaj, ata kanë anuar në "kandar" nga fshati dhe fshatarët tanë.

Secili nga ju, besoj, ka dëgjuar, edhe nëse nuk ka njohur, kryepleq me tipare të rralla. Në kohën pas Yrjetit, kryeplak ka qenë mendtari guximtar Cizo Selfo Agaj, nga mëhalla Hasanimeraj. Shtëpia e tij ishte pranë përroit të Llaskos, pranë banesës së Qazim Lazes dhe më poshtë shtëpisë së Sadik Xhemalit dhe Zenel Ahmetit.

Ishte koha kur pushteti i turqve i merrte shpirtin popullit fukara, me xhelepet dhe taksat e tjera, të cilat ishin të papërballueshme nga banorët e Kalivaçit, por jo vetëm. Një ditë, në Kalivaç erdhën xhelepçinjtë për të përcaktuar nivelin e taksave. Si përfaqësues i pushtetit dhe vendas, ata pinë kafe tek dyqani i Todit, nga Poliçani (sot shtëpi e Cizo Haredin Agaj), në pritje të kryeplakut.

Erdhi kryeplaku Cizo Selfo, me një kalë për dore. Kali ishte aq i dobët sa mezi qëndronte në këmbë dhe samarin e kishte copë-copë. Vetë Cizua, me një palë mustaqe të gjata e me qylah të bardhë në kokë, ishte veshur me zhele.

Kur e pa, përgjegjësi i xhelepçinjve pyeti kafexhiun: "Kush është ky?"

"Kryeplaku i Kalivaçit", u përgjigj kafexhiu.

"Çohuni, të ikim, — urdhëroi vartësit shtetari. — Çfarë xhelepesh t’u vëmë këtyre ne; vështroni kryeplakun, ashtu është dhe fshati!"

Ikën xhelepçinjtë dhe fshatarët e Kalivaçit nuk paguan xhelepe...!