Kam dëgjuar të thonë se po bëre mirë, me siguri që do të gjesh mirë. Disa të tjerë, kur del “paq” nga ndonjë rrezik, thonë: “Paska dhënë një copë bukë, me dorë”. Mundet të jetë dhe kështu.

Ajo që dua t’ju rrëfej më ka ngjarë sot, në mëngjes, përballë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Mbasi kisha bërë disa bamirësi të vogla, për të komunikuar nëpërmjet telefonit, lirova rrugën e ngushtuar e ndalova në trotuarin e ngushtë të një pallati.

Papritur, përpara këmbëve më ra një qese me mbeturina. Për fatin tim të mirë, në kokë kisha kapele dhe streha e saj e fortë e amortizoi rënien e lirë të objektit. Nuk u lëndova.

As që denjova të ngrija kokën për të parë se nga më erdhi rreziku, vetëm thashë, fort: “Të rëntë damllaja” dhe vazhdova në rrugën time e në punën time.

I bëra me dije gruas, e cila kujdeset për lukun tim. Ajo, mbasi më kërkoi si e qysh ngjau, më sugjeroi të vështroj kapelën se mos është ndotur. E bëra këtë veprim e konstatova se kapelja ishte e pandotur. Siç duket, ambalazhimi ishte i sigurt.

Ju, me siguri që keni parë në rrugë e në trotuare, si fluturojnë qeset me plehra, e nuk çuditeni me këto që ju them. Qesja ime ishte me ngjyrë të bardhë. E theksoj këtë, mbasi tregtarët, i kanë qeset me ngjyra të ndryshme, për të ruajtur identitetin e biznesit.