Mos paçi fatin të përjetoni ndodhi të tilla!

E dimë që jetojmë si në xhungël, por jo deri në këtë farë mase. Një mbrëmje e cila duhet harruar, një situatë e pamerituar, si ajo që përjetuan banorët e një pallati në hyrje të rrugës: “Isuf Elezi” në Tiranë, në mbrëmjen e datës 2 maj të këtij viti.

Ishin thirrur të jepnin ose të kundërshtonin rinovimin e statusit të kryetarit dhe administratorit. Nga një për derë, të gjithë madhorë e të përgjegjshëm. Kishte dhe përfaqësues të Bashkisë së Madhe. Po çfarë ngjau atë natë? Komuniteti u ndodh i befasuar e në një katrahurë të vërtetë, si në një ëndërr të frikshme. Para mbledhjes ishin bërë tentativa për lobingje e për grupazhe, sipas oreksit të pjesëmarrësve dhe interesave të ngushta.

Disa “të fortë” dëftonin muskujt në vend që të thoshin ndonjë fjalë të mençur. 5 komunitarë të kësaj kategorie, bërtisnin e ulërinin, teksa të urtët (lexo, ata me mend në kokë) qëndronin të strukur e nuk ndiheshin, edhe pse ishin në shumicë. 5 “të fortët” e shndërruan mbledhjen votëbesuese në një “arenë cirku”, ku “kafshët e egra” u sulën viktimave të tyre për “t’i shqyer” (lexo për t’u imponuar vullnetin e tyre). E morën fjalën disa të urtë por nuk i dëgjonte njeri. Në mjedisin ku bëhej mbledhja, bëhej shumë zhurmë, të mbyste tymi i duhanit dhe era e rëndë e alkoolit që kishin konsumuar “të fortët”.

U zhvilluan votimet. Ato ishin të hapura e “të lira” nën monitorimin e nën kërcënimin e “skifterëve”.

Duke u zhgënjyer, u nisa për në shtëpi. Udhës, për dreq, më erdhi në mendje një ndodhi e përafërt e viteve '70 të shekullit që lamë pas, në një “bllok” në Vlorë ku do të zgjidhej kryesia e re e frontit. Ligjëruan ata që dinin e që ishin udhëzuar të mbanin fjalime patetike. Pati recitime të bukura e të pëlqyera.

Më në fund u ngrit, me vështirësi një i moshuar e tha: “O njerëz të mirë; pse lodheni kot? Lërini ata që ishin se i kanë ujdisur të tyret; po zgjodhëm të rinj, do të nisë ‘avazi’ nga e para!”

Me zemërim them: Mos më shkeltë këmba në të tillë katrahurë; Zoti u ruajtë!