Të nderuar drejtues të institucionit zjarrfikës dhe ju pushtetarë me dinjitet! Me statusin e një pensionisti dashamirës, ju bëj apel, për një çështje që nuk më takon vetëm mua.
Dje, në datën 14 gusht 2018, pashë një ngjarje, për të ardhur keq, dyfish. Në një banesë, në hyrje të rrugës “Irfan Tomini” në katin e pestë, ra zjarr. Për fat të keq, qiramarrësit, në atë çast nuk ndodheshin në shtëpi, kurse pronari i saj, e kishte mendjen të fjetur.
Erdhën zjarrfikësit, me shpejtësi marramendëse dhe nisi operacioni zjarrfikës. Vrojtoja nga banesa përballë e u ndjeva keq. Jemi shqiptarë e kur tjetri ndodhet në fatkeqësi, ndjejmë detyrimin që, së paku ta ndihmojmë. Këtë mundësi nuk e kam.
Më shumë u ndjeva keq, për policët zjarrfikës, ata goxha djem, të cilët ishin të gatshëm të hidheshin në flakë. Më ra në sy mosstërvitja e tyre për detyrën. Tre policë, njëri mundet të ishte drejtues i tyre, u përleshën me flakët. Por ishin pa mjetet e nevojshme, si shkuma, në të tilla raste e ku ta di unë. Siç dukej kishte marrë flakë një bombolë gazi, flaka e të cilës, sa di unë, nuk fiket me ujë. Njëri nga zjarrfikësit ishte pa doreza amianti, nuk di nëse veshjet e tyre ishin zjarrduruese.
Për fat, zjarri nuk ishte e nuk mori përmasa të mëdha. Njëri nga policët, me një batanije të lagur në dorë, u hodh mbi flakë dhe e fiku atë. I lumtë atij trimi, por mua më erdhi keq që ishte i detyruar, për hir të shqiptarisë dhe shpirtit human të tij, të vepronte edhe kundër rregullave që i njeh kushdo.
Apeli im drejtohet tek ata që drejtojnë institucionin (konkretisht nuk di se ku të drejtohem) dhe tek pushtetarët. Me dashamirësi ju them: Vini dorën në zemër, mendojini sikur të ishin djemtë tuaj dhe përgatitini mirë e pajisini me mjetet e nevojshme mbrojtëse! Mos spekulloni me shpirtin e atyre njerëzve dhe mos i hidhni djemtë e popullit në flakë, ashtu, të pastërvitur e të pambrojtur.
Policia jonë, nuk është treguese por vepruese, me mend në kokë. Respekt!

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.