Shumëkush, me kuriozitet, ka të drejtë të shtrojë pyetjen: Çfarë fituan qyqarët? Dikush hamendëson: Do të na rriten pensionet; do të na bëhen këto e ato lehtësira... etj.etj. Nuk thonë më kot: “Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”!

Që të mos lodheni duke hamendësuar, po ua them se e vështroj përditë, kur dal nga kodrat e liqenit artificial të Tiranës dhe nëpër qytet: Jam mësuar t’i vështroj pensionistët (me përjashtime), me tespije në dorë, duke i rrotulluar e numëruar disa herë, për të vrarë kohën; me ndonjë bastun në dorë, pas të cilit mbahen, të kërrusur nga hallet dhe nga jeta.

Po të hysh në ndonjë lokal ku ka pensionistë, të buçasin veshët, gjatë, nga zëri i lartë i tyre dhe nga zhurma që bëjnë për t’i mbushur mendjen njëri-tjetrit, se x ka të drejtë dhe se partia y, është më në binarë të drejtë. Të njëjtin shtyp lexojnë por secili e komenton sipas optikës dhe dëshirave të tij.

Kohët e fundit, pensionistët janë modernizuar. Shumë prej tyre i vështroj me nga një “tërkuzë” të gjatë për dorë dhe në fund të saj një qenush, i racës e me ngjyra nga më të ndryshmet, tek vrapojnë pas kafshës. Kjo, me siguri që bëhet për t’i mbajtur në formë ata dhe për t’u shkrifteruar pak artikulacionet e bllokuara.

Më të fituar kanë dalë ata që kanë zbritur kohët e fundit nga periferitë dhe përveç që janë të veshur mirë, me rrobat e “gabit” që u varen e i heqin “osh”, kanë vënë dhe ndonjë borsalinë në kokë, e këpucët i shkelin se, helbete përtojnë t’i zgjidhin. Po t’i pyesësh, përse kështu, ata të përgjigjen: “Fëmijët i kemi në emigracion; kemi mbetur vetëm, dy pleqtë, kështu e vrasim kohën dhe stërvitemi që mos të na zërë aeroplani apo anija, kur të shkojmë tek fëmijët, në këtë e në atë shtet, madje dhe përtej oqeaneve!”

Disa gra të moshuara që gumëzhijnë përditë, i dëftojnë njëra-tjetrës, për gatimet që kanë përgatitur, duke i dhënë njëra-tjetrës receta e duke “shitur mend” se në Paris gatuhet kështu e në Nev Orleans përdoren këto e ato ushqime etj. etj.

Si thoni ju; A nuk kanë dalë të fituar pensionistët, nga kjo modë e re? Mos u nxitoni, përgjigjen nuk e dua shpejt, po vjen fundi i vitit dhe lajme të tjera interesante do të ketë për pensionistët.