Në mëhallën Lakaj të fshatit Krahës të Tepelenës ka jetuar një fshatar i varfër e i pashkollë, por humorist i thekur. Ai quhej Tefik Sulo Lakaj. E kisha kunat: kishte për bashkëshorte motrën time të vetme, Lumturinë.

Shtëpinë e tyre natën e ruante një bushtër e egër, me emrin Murra. Ditën ajo qëndronte e lidhur dhe lëshohej nga zinxhiri vetëm kur afrohej mesnata, pasi njerëzit kishin mbuluar me hi zjarrin në vatër dhe ishin shtrirë për gjumë. Në mëngjes herët, përpara se të nisnin lëvizjet në mëhallë, qentë rojë lidheshin përsëri dhe ushqeheshin aty, në zinxhir.

Një mëngjes, ende pa gdhirë mirë, Lumturia përpara e Tefiku pas dolën të lidhnin Murrën. Në mugëtirë, pa e dalluar mirë, ndollën dhe kapën qenin e Rizait, Korbecin, i cili i ngjante Murrës së tyre. I dhanë një copë bukë dhe e lidhën në vendin e saj.

Korbeci dhe qentë e familjeve të tjera të mëhallës nuk ishin agresivë ndaj gjitonëve. Murra, përkundrazi, nuk afronte njeri, përveç të zotëve.

Kur zbardhi dita dhe njerëzit nisën të qarkullonin, Murra, që kishte mbetur e lirë, iu sulej me egërsi kalimtarëve. Një gjitone, kur pa se ajo iu vërsul të shoqit, thirri Lumturinë. “Lolo”, i thoshin gjitonët. E alarmuar, i kërkoi të lidhte buçen, se po u rrezikonte njerëzit.

Plasi sherri mes Tefikut dhe Lumturisë. Të dy ishin të bindur se e kishin lidhur qenin e tyre.

Në fakt, në zinxhir kishin lidhur Korbecin e Rizait!