Një djalë nga “x” fshat u martua por nuk u gëzua gjatë. Pas një muaji iku në kurbet. Nusen nuk arriti ta linte as shtatzënë. Nusja, 18 vjeçe, priste e priste në shtëpi, nën kujdesin e prindërve të djalit kurbetli dhe nën vëzhgimin e rreptë të tyre.
Me kalimin e kohës, kurbetlinj nga ai fshat ktheheshin për të parë të tyret. Ky i martuari rishtaz, nuk po dukej e nuk dërgonte as haber. Kur vinin djem nga kurbeti, familjet e tyre gëzonin e festonin. Rakia derdhej lumë, mishi i pjekur në hell të kundërmonte me erën e tij të këndshme, kënga labçe gjëmonte e vallja tundte dhenë.
Nusja jonë (u bë jona tashmë) në ditët kur vinin kurbetlinjtë, dilte tek qafa e malit, zinte rrugën e i pyeste ata: “Po” x “? Dhe merrte përgjigjen:” erriu “(po vjen pas). Shkonte në shtëpi e gjora e me vete thosh:” më vate mundi dëm “! Se ishte përgatitur për të pritur burrin, siç i takonte.
Bëhej prapë gati e dilte tek qafa e erërave. Përsëri pyeste kurbetlinjtë që ktheheshin e merrte të njëjtën përgjigje:” Erriu “! U mërzit, duke pritur e duke pyetur.
Një ditë, erdhi një gjiton i saj. Kjo u mori leje prindërve të burrit dhe vajti në davetin që u organizua për nder të tij.
Kur dollia vajti me gjashtë e oda tundej nga kënga e nga vallja labçe, nusja, me droje i tha dollibashit:” T’ia marr dhe unë një këngë “?
Mbasi mori leje prej tij, ia çkuli këngës së brengës:
”...E zeza të prita gjatë;
Dola ku frynte Veriu;
Pyeta shumë; më thanë: Erriu “;
E çkula po prapë mbiu;
Më thanë se do vijë, prapë;
E hoqa me gjithë zhape...”
Plasi gazi në odë, nusja kokë unjur u largua, ama dertin e bëri të ditur për të gjithë ata që ishin në odë. Të nesërmen, lajmi mori dhenë.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.