Janë të njohura mospërkimet e brezit të ri me paraardhësit e tyre, si për shkak të ndryshimeve në moshë; mentalitetit të ndryshëm, kushteve të ndryshme të jetesës, ndikimit të mjedisit dhe zhvillimit të pashmangshëm të teknologjisë. Nuk është e re dhe e përcjellë nga brezi në brez. Ndryshimet mes brezave, jo rrallë kanë çuar në acarime, madje dhe në ndonjë konflikt, të hapët apo të mbyllur.

Ajo që më ngjau katër vite më parë mund të duket si e pabesueshme, por, ju siguroj se nuk është e tillë. Me një grup të të njëjtit gjak, në një ditë të bukur fundmaji, kur gruri jeshilonte e po zverdhej duke mbushur kallinë, në një mot të ngrohtë e të ndritshëm, vendosëm të bënim një rrugëtim të gjatë, në vendlindjen time, në Kalivac të Tepelenës. Më i riu mes nesh ishte Bleri; gjimnazisti "ekselent", i cili, shkonte, për herë të parë në fshatin e paraardhësve të tij. Jo më kot e mori tërë atë udhë, adoleshenti "ekselent". Mund ta quash rrugëtim turistik; mundet edhe për eksplorimin e natyrës së trevës, por mundet dhe të përzier.

Nuk iu ndava, hap pas hapi e ai nuk më kundërshtoi. Bleri pa varrezat e fisit ku prehen dhe stërgjyshërit e tij, nën mermerin prej graniti. Në sytë, në fytyrën dhe në tërë qenien e tij që shkëlqente nga kënaqësia, pashë, se i pëlqeu fshati ynë, i cili i ka, të gjitha: Fushën e begatë; lumin e kristaltë e ujëplotë me gjallesa të rralla; kodrat e gjelbëruara e të pasura në vreshta, ullinj, pemë të shumëllojta dhe drurë pyjorë të gjelbëruar në çdo stinë. Përballë qëndron, krenar mali që bën karshillëk, me madhështinë e tij, i cili ndikon në klimën e fshatit Kalivac, por jo vetëm.

Po për çfarë pyeti Bleri? Çfarë donte të dinte më shumë nga ato që pa me sy, adoleshenti Bler?

Ai më pyeti: Ku je lindur, ku e ke pasur shtëpinë? Ke kishit gjitonë e si kalonit me ta? Të cilit besim janë kalivacasit? Më thuaj disa toponime që dëftojnë për lashtësinë e fshatit? Ku e cilët janë objektet e kultit? etj. etj.

Më zuri ngushtë, njohuritë e mia historike, nuk janë në nivelin e kërkesave të tij; megjithatë e bëra me dije, se kalivacasit janë paganë e i respektojnë me rigorozitet ritet pagane. Ata nuk besojnë në asnjë fe, ndonëse historia dhe pushtimi i huaj, i kanë rreshtuar si Myslimanë të Sektit Bektashi.

Pyetjes; ku janë objektet e kultit? i dhashë përgjigje, duke i dëftuar: Kurorën e Malit; Baba Dero Dorzën; Baba Dero Fushën; Mekamin e Baba Dwero Fushës; Mekamin me dy çirakë, të Baba Lolos; Përroin e Zelenicës; Përroin e Shën Marisë, Margëlliçin; Lisat e Hyset; Lisin e Aget etj. etj.

E nxorra nga Shuret që të vështronte Fshatin e Madh. I pëlqeu gruri dhe lulekuqet që e kishin mbuluar; bëri fotografi të bukur, Margëlliçit, Fshatit Pus, Shkollës, në qendër të fshatit e u iku nga Kalivaci, i lumturuar që mësoi aq shumë.

I fola dhe për ndonjë prapësi që kanë bërë banorët e fshatit. Kubeja, në mes të fushës, është prishur, nga themelet; Kanali vaditës nuk funksionon; Qivurit të Zoto Halilit dhe atij të Baket, nuk i kanë lënë asnjë gur etj. Edhe Lisat e Hyset, janë rralluar, etj etj. Koha për të marrë informacion më të plotë ishte e kufizuar, ashtu si dhe njohuritë e mia historike. Megjithatë ia vlejti vajtja e cila mbetet historike, për nga vlerat dhe për nga ajo që mësoi Bleri.