Aforizëm -1.
Në vitet '50 të një shekulli më parë, dy çobanë nga Kalivaçi i Tepelenës, të moshuar e burra të zgjuar, me vështrim të mprehtë si të shqiponjës, kishin nxjerrë bravarët në kullotë, në yrtrat e nënfisit Binaj, në Gurishte dhe po thithnin tymin e duhanit nga çibukët e tyre.
Nga rrënojat e shtëpisë së lashtë tip kështjellë, të fisnikut Ramo Nebi Kalemaj, e cila, nuk di përse u ndërtua atje, në krye të mëhallës Ahmetaj, disa njerëz po rrokullisnin gurë qosheje, të gdhendur mjeshtërisht, për t’i futur në muret e banesës që ndërtohej rreth 100 m më poshtë.
Njërit nga dy burrat, i shkuan sytë sipër mëhallës dhe pikasi veprimin e padrejtë. Ai iu drejtua tjetrit, të cilin e kishte kushëri, me fjalët: "Pa vështroje atë batërdinë që po bëhet, tek gërmadhat e Ramo Nebiut?"
Tjetri, mbasi e vrojtoi ndodhinë, psherëtiu thellë e iu përgjigj bashkëbiseduesit: "Një herë, në një kohë e cila nuk mbahet mend, siç thotë gojëdhëna, burri pyeti gurin, të cilin po e rrëmbenin: ‘Ku vete, o mall i shkretë?’ Guri, pa u menduar i ktheu përgjigje: ‘Do vete ta shkretoj gjetkë’".
Nuk kaluan shumë vite dhe banesat në murin e të cilave u futën ata gurë, u braktisën nga pronarët e tyre. Kjo ka ndodhur vërtet; kush të dojë le ta besojë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.