Në vitet '50 të një shekulli më parë, im atë, Xhevit Malko, sapo kish ardhur nga Selenica, ku kish punuar, nëntokë 10 vjet, si minator. Kish ardhur në fshat, të merrej me bujqësi, por i hanin duart për punë, e në arë, siç dihet, puna ka karakter sezonal.
Sapo kish nisur të buiste bari. Xheviti po shkepte një ledh, me një kazmë guri, për t’i bashkuar arës, një leh (rreth 2 m të gjerë).
Duke rrëmuar ledhin, në thellësi të tokës, papritur dalloi një "kulac", me ngjyrë të errët. Ish gjarpër, i mbledhur, nga ftohtësira e dimrit që po ikte. Pa dashur i ra me kazmë dhe e preu në mes.
Gjarpri, me kokën të paprekur, nxori gjuhën e donte të kafshonte atë që e këputi në mes. Mirëpo, siç dihet, zvarraniku nuk mund të lëvizë kur i shkëputen unazat e trupit. Gjarpri, dëshirën për të kafshuar e për të derdhur helmin që kish në qesen, nën qiellzë, e kish të madhe, por nuk lëvizte dot.
U çpështoll, nga ajo që kish mbetur dhe, i gajasur, nga dhimbja drejtoi atë pjesë trupi që mbante kokën, derisa dha shpirt.
Plaku i mësuar me punë, vijoi të shkepte ledhin, derisa e bashkoi arën me lehën, me parcelën!


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.